Në përkujtim të gjyshit të tyre, kritikut letrar, shkrimtarit dhe gazetarit të përjetshëm, Vehap Shita, nipat e tij Ardi, Miranda dhe Amanda kanë vendosur që të themelojnë bursën e familjes Shita, shkruan KultPlus.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ardi Shita ka shkruar se bursa do i dedikohet një vajze apo djali të ri nga Gjakova me të gjitha shpenzimet e mbuluara e deri tek mundësia e diplomimit në Rochester Institute of Technology, përmes RIT Kosovo.
Sipas tij në kohët më të vështira të vendit, studimi në një Universitet amerikan për popullin tonë nuk ka mundur të jetë as edhe ëndërr. Shipa ka falënderuar gjyshin e tij dhe të gjithë veprimtarët e tjerë që kanë dhënë e sakrifikuar shumë për të mundësuar shkollimin e popullit shqiptar ndër vite.
“Për gjyshin tim, per te gjithe veprimtaret e kohes e te gjithe ata qe dhane gjithçka per shkollimin e shqiptarëve nder vite, ju falënderojmë nga zemra e ju kujtojme gjithmone”, ka shkruar ai në Facebook.
Vehap Shita ishte një kritik letrar dhe shkrimtar, një gazetar i përjetshëm dhe përkthyes i veprave letrare. Ai u lind në Gjakovë në vitin 1923. Punoi si redaktor i kulturës së të përditshmes ‘Rilindja’, revistës ‘Jeta e Re’ dhe gazetës ‘Scena’, të Novi Sad. Shita është një nga themeluesit e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1970 dhe të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Ai ishte Drejtori i Shoqatës së Veteranëve të Kosovës të Luftës Antifashiste të lirimit Kombëtar. Vehap Shita vdiq me datën 8 nëntor të 2015. / KultPlus.com