Misioni shqiptaro-polak nxjerr në dritë gjurmë të reja për qytetin ilir në Bushat

Janë dashur 4 javë gërmime për të nxjerrë në dritë gjurmë të reja dhe të dhëna për qytetin ilir në Bushat të Shkodrës.

Gërmimet u drejtuan nga prof. as. Saimir Shpuza i Institutit të Arkeologjisë në Tiranë dhe Prof. Piotr Dyczek nga Universiteti i Varshavës në Poloni, në bashkëpunim me arkeologun e DRTK Shkodër, Helidon Sokoli.

Pas fushatave të mëparshme ku u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit dhe u lejua të kuptohej shtrirja e tij, gërmimet e këtij viti janë përqendruar në qytetin e sipërm dhe kanë për qëllim zbulimin e organizimit të brendshëm të urbanistikës së këtij qyteti.

Misioni kërkimor po nxjerr në dritë se kjo pjesë e qytetit të sipërm ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shek 4 p.k., sipas datimeve paraprake.

Aktiviteti në terren, ka për qëllim zbulimin e plotë të planimetrisë së këtyre ndërtimeve dhe më pas të arrijë të identifikojë rolin që ato kanë patur.

Kërkimet shqiptaro-polake në Bushat janë parashikuar të vazhdojnë për disa vite në përpjekje për të zbuluar sa më shumë nga forma dhe historia e këtij qyteti. Tashmë falë bashkëpunimit mes Misionit Arkeologjik dhe DRTK Shkodër, po hartohet dosja teknike për shpalljen “Zonë e mbrojtur arkeologjike” A dhe B, duke plotësuar kështu hartën arkeologjike të arealit të Shkodrës edhe me një qytet antik dhe sit arkeologjik të vizitueshëm në të ardhmen.

Misioni Shqiptaro-Polak i cili që nga viti 2011 hulumton në gjurmët e Shkodrës antike, ndër vite ka nxjerrë në dritë zbulime dhe artefakte të rëndësishme mbi shtrirjen e qytetit, urbanizimin e sistemin mbrojtës të qytetit në pjesën e ulët të tij./atsh/KultPlus.com

Rikthehen gërmimet arkeologjike në Bushat dhe Koman të Shqipërisë

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka njoftuar për rikthimin e gërmimeve arkeologjike në Bushat dhe Koman. Gërmimet po mbahen nga Instituti i Arkeologjisë dhe Universiteti i Varshavës në Poloni, nën drejtimin e Saimir Shpuzës dhe Piotr Dyczek.

“Pas ekspeditave të para, gjatë të cilave u zbuluan dy porta hyrëse të qytetit, që krijuan një hartë më të qartë të shtrirjes së tij, gërmimet janë përqendruar në qytetin e mesëm dhe të sipërm, që mendohet të jetë ndërtuar në shek. III p.e.s., për të zbuluar organizimin e brendshëm të urbanistikës, planimetrinë e ndërtimeve të qytetit dhe rolin e tyre”, ka njoftuar Ministria e Shqipërisë.

Ky proces i gërmimeve daton nga viti 2010, si përpjekje për të shpërfaqur pasuritë kulturore të këtij vendbanimi mesjetar për vizitorët./rtk/KultPlus.com

Zbulohet qyteti ilir i para 2,300 vitesh në Bushat

Në pamje të parë i ngjante vetëm një toke bujqësore. Deri në vitet 1990 aty qe vendosur edhe një repart tankesh.

Në vitet 1980 u gjetën krejt rastësisht varre antike, mandej një fontanë e prapë, ajo dukej si një fushë krejt e zakonshme, derisa një grup arkeologësh duke përdorur metoda invazive, hasi në anomali që çuan më pas në një zbulim.

Një qytet ilir rreth 2300-2400 vjeçar ka dalë në dritë në zonën e Bushatit në Shkodër, gjatë gërmimeve arkeologjike të ekspeditës shqiptaro-polake. Saimir Shpuza në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thotë se lulëzimi i tij u shënua në shekujt 4-2 para erës sonë dhe se me rënien e mbretërisë ilire të Ardianëve, qyteti pësoi rënie graduale deri sa u braktis totalisht. I shtrirë në rreth 20 ha, sipërfaqja e tij është e përafërt me qytetet e tjera të mëdha të zonës si Shkodra dhe Lezha. Shpuza thotë se ende nuk është mësuar se cili ka qenë emri antik të këtij qyteti. Por pikërisht ky eksplorim drejt së panjohurës e bën punën e arkeologut ende më të bukur./ KultPlus.com