Pranë qytetit të Elbasanit, gjendet një nga pikat turistike më të pëlqyera, Busheku. Në analet e vjetra turke, kjo zonë njihej si Buzurshek. Disa gjuhëtarë mendojnë se emri Bushek mund të ketë prejardhjen nga termi “buzë sheut” (buzë rrjedhjes), që nënkupton lumin Shkumbin.
Kjo qendër me vlera të mëdha turistike, dikur priste dhe përcillte karvane tregtarësh që përshkonin rrugën Egnatia. Arkeologët kanë zbuluar gjurmë të një kishe të lashtë, një nga më të hershmet në këtë trevë.
Rrapet shekullore që bëjnë hije për pushuesit kanë një histori interesante, thuhet se kalorësia turke, në sulmin e saj kundër Sopotit, përdori Bushekun si vendqëndrim. Hunjtë ku u lidhën kuajt e tyre zunë rrënjë dhe u shndërruan në rrapet e sotshme.
Sot, Busheku ruan rëndësinë e dikurshme si pritës i qytetarëve që nuk kanë mundësi të shkojnë më tej drejt bregdetit. Uji i kristaltë që buron në këmbët e një shkëmbi masiv grumbullohet në një rezervuar të pëlqyer për vizitorët. Me zhvillimin ekonomik dhe kulturor të qytetit, perspektivat për Bushekun janë shumë të mëdha. Vitet e fundit, në këtë pikë turistike janë realizuar një sërë investimesh në infrastrukturë dhe vepra arti, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e kësaj zone turistike.
Projekti për rehabilitimin e rrugëve ka rritur interesin tek vizitorët. Pavarësisht se janë bërë hapa të rëndësishëm, ka ende shumë potencial për t’u shfrytëzuar.
Busheku, me historinë e tij të pasur dhe natyrën mahnitëse, vazhdon të jetë një destinacion i preferuar për elbasanasit dhe turistët. Me investimet e duhura dhe promovimin e duhur, kjo perlë natyrore nga viti në vit po kthehet në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Shqipëri.
Shumë turistë e kanë vizituar Bushekun këtë stinë vere, Anna e cila ka ardhur nga Gjermania e ftuar nga miqtë e saj shqiptarë pohon se “është një vend fantastik! Peizazhet janë të jashtëzakonshme dhe ajri është aq i pastër, ishte një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë.”
John, nga Minesota edhe ai një vizitor në Shqipëri, e cilësoi Bushekun si një parajsë për dashamirësit e natyrës, ndërsa vlerësoi si mbrësëlënëse mikpritjen e banorëve të kësaj zone. “Definitivisht një vend për t’u vizituar, vizita këtu më ka mbushur me energji dhe paqe”.
Busheku nuk është thjesht një destinacion turistik, por një oaz i gjallë i historisë dhe natyrës. Me rrapet e tij shekullore, ujërat e kristalta dhe gjurmët e lashta historike, ky vend ofron një eksperiencë unike për çdo vizitor. Me zhvillimin e vazhdueshëm dhe investimet në infrastrukturë, Busheku ka të gjitha mundësitë për të shndërruar në një nga perlat më të vlefshme të turizmit shqiptar./atsh/ KultPlus.com