Busti i lashtë romak i blerë për 34,99 dollarë në Texas Goodwill, kthehet në Gjermani

Në vitin 2018, Laura Young e bleu bustin për vetëm 34,99 dollarë në një Goodwill në zonën e Austin, pa dijeni për historinë e saj të lashtë. “Unë thjesht po kërkoja për çdo gjë që dukej interesante,” tha Young për CNN majin e kaluar.

Busti iu dha hua nga Glyptothek i Mynihut në Muzeun e Artit të San Antonio, për vitin e kaluar dhe muajin e ardhshëm do të kthehet në Gjermani.

“Ka qenë vërtet e hidhur,” tha Young për CNN të enjten. “Jam pak në mohim, por kam në plan ta vizitoj atë në Gjermani”.

Kur hulumtoi se nga erdhi busti vitin e kaluar, Young u vu në kontakt me Sotheby’s, i cili konfirmoi se busti vlerësohej të ishte rreth 2000 vjet i vjetër.

Identiteti i bustit nuk është ende i sigurt, por ekipi në SAMA i tha CNN se ata besojnë se ai i ngjan udhëheqësit ushtarak romak Sextus Pompey.

“Unë, së bashku me disa studiues të tjerë që punuan nga fotografitë e shembullit gjerman pas zhdukjes së tij, kam sugjeruar Sextus Pompey, bazuar në ngjashmëritë me portretet e babait të tij, Pompeut të Madh, dhe me monedhën që ishte përfshirë në etiketë në SAMA. ekspozita e portretit, e cila ka një portret të Sextusit në të.” Lynley McAlpine, një kuratore postdoktorale në SAMA, tha.

Busti u vendos fillimisht në një kopje të një shtëpie të Pompeit, e njohur gjithashtu si Pompejanum, dhe u zhvendos në ruajtje pak para se ndërtesa të shkatërrohej gjatë luftës.

Më pas besohet se rreth viteve 1950 një ushtar amerikan vodhi bustin dhe e solli në SHBA, kështu që përfundimisht përfundoi në dyqanin e ushqimit dhe në duart e Young.

Vitin e kaluar, busti i mermerit prej 52 kilogramësh është parë nga mijëra të ftuar në SAMA, duke përfshirë kryedukën Carl Christian të Austrisë dhe kryebashkiakun e San Antonio, Ron Nirenberg.

21 maji do të jetë dita e fundit e artefaktit në muze, kur më pas do të dërgohet në Gjermani.

SAMA thotë se busti do të bashkohet me dy skulptura të tjera romake nga muzeu dhe do të udhëtojë përsëri në Gjermani për të qenë sërish bashkë për herë të parë pas vitesh.

Një përfaqësues nga Glyptothek do të mbikëqyrë procesin e paketimit të artefakteve dhe do t’i dërgojë personalisht në shtëpinë e tyre./cnn/KultPlus.com

Busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti do të vendoset në Castrovillari të Kalabrisë

Sot në ditën e kremtimit të 533 vjetorit të vendosjes së arbëreshëve në Itali është bëri i ditur lajmi se busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu do të vendoset edhe në Castrovillari, Kalabri, transmeton KultPlus.

“Më në fund dhe në Castrovillari do të kemi Bustin e heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili do të vendoset së shpejti në via; Monte Sant’ Angelo, përball “Casa del Ferroviere”

Dua të falenderoj Sindako Mimmo Lo Polito, Federica Tricarico, dhe Komunën e Castrovillarit që aprovuan autorizimin e vendosjes se Bustit”, shkruajnë arbëreshët në Facebook. / KultPlus.com

Përurohet busti i aktores Hajrie Rondo në vendlindjen e saj (FOTO)

U përurua sot në Delvinë, në sheshin qendror, para kinoteatrit, busti i aktores së mirënjohur, bijës delvinjote Hajrie Veizi Rondo, vepër e skulptorit të talentuar Kreshnik Xhiku.

Pas përurimit të bustit që e sjell aktoren në rolin e Tanës në filmin “Përrallë nga e kaluara”, u zhvillua edhe një aktivitet përkujtimor në sallën e kinoteatrit, me pjesëmarrjen e bashkëqytetarëve, të afërmve, kolegëve të aktores dhe deputetes së zonës Anila Denaj.

Artistja Hajrie Rondo lindi më 1 mars të vitit 1951 në Delvinë ku edhe mori formimin bazë. Largohet në qytetin e Fierit ku pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve për aktore ajo do të emërohej pranë teatrit të këtij qyteti ku edhe do të zhvillonte karrierën e saj të gjatë.

Në karrierën e saj shumëvjeçare, artistja për shkak të talentit të saj të rrallë, arriti të lëvronte të gjitha zhanret e artit skenik. Gjithashtu artistja njihet edhe për një numër të konsiderueshëm të roleve të saj që i arriti në kinematografi. Edhe sot e kësaj dite artistja identifikohet me rolin e saj brilant që ka realizuar në filmin artistik “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.

Përveçse një aktore brilante, artistja ka mbajtur edhe funksionin e drejtoreshës së Teatrit të Fierit, që në periudhën kur ajo shërbeu u zhvilluan shumë aktivitete dhe festivale të rëndësishme.

Disa nga rolet e saj më të rëndësishëm janë:

Mara, “Vëllezër dhe shokë” 1980

Xifja, “Agimet e stinës së madhe” 1981

Lima, “Nëntori i dytë” 1982

Tana, “Përrallë nga e kaluara” 1987

“Pesha e kohës”, 1988

“Ne dhe Lenini” 2009

Semihaja, Ballkan Pazar 2011 dhe shumë e shumë role të tjerë.

Në maj 2015 Hajrie Rondo u rikthye sërish në skenë me shfaqjen “Seks vetëm për festa” dhe me filmin “Buka” interpretime të cilat i realizoi pas një pauze disavjeçare që ajo bëri, për shkak të një beteje me një sëmundje të rëndë. Ajo u nda nga jeta më 9 shtator 2017. /atsh/ KultPlus.com

Në 100-vjetorin e luftës së Vlorës, përurohet busti i Osman Haxhiut

Në qytetin bregdetar të Vlorës nisën sot festimet dyditore në kuadër të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës.

Këto ditë nderimesh nisën me përurimin e bustit të njërit prej njerëzve më aktiv të historisë së Vlorës, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, Osman Haxhiu.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, tha në ceremoninë e organizuar se “jam i nderuar që më takoi mua të jem pjesë e këtij përvjetori historik të Vlorës, për të kujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, siç është Lufta e Vlorës së 1920”.

“Këto dy ditë nderimesh të personaliteteve bosht të këtij vendi, i nisëm me përurimin e bustit të njërit prej njerëzve më aktiv të historisë së Vlorës, mbështetësi kryesor i Ismail Qemalit, Osman Haxhiu, që më vonë do të bënte një karrierë të shkëlqyer si Kryetar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” të Luftës së Vlorës, delegat në kongresin e Lushnjës dhe deputet në parlamentin Shqiptar”, theksoi Leli.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “bashkë me deputetin Vullnet Sina dhe kryetarin e shoqatës ‘Armeni’, Shpresim Kasaj, çelëm këtë maratonë aktivitetesh që do të vijojnë deri në mbrëmje me ardhjen e kryeministrit Edi Rama”.

Po ashtu, ditën e sotme u promovuan disa prej librave historikë dhe u zhvillua Konferenca Shkencore Kombëtare “Lufta kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e pavarësisë”.

Në aktivitetet e zhvilluara ishte i pranishëm edhe Prefekti i qarkut Gjirokastër, Astrit Aliaj, i cili shprehu nderimet e larta për këtë ngjarje historike dhe prezantoi librin “Prefektura Gjirokastër gjatë Luftës së Vlorës” të historianit Shyqyri Hysi, libër i botuar me mbështetjen e institucionit të Prefektit të qarkut Gjirokastër.

Ndër të tjera, Aliaj u shpreh se “institucioni i Prefektit të qarkut Gjirokastër ka iniciuar vazhdimisht botimin e veprave, të cilat nxjerrin në dritë fakte rreth historisë sonë kombëtare”.

Aktivitetet festive do të zhvillohen dhe ditën e nesërme dhe do të përfundojnë me ceremoninë përkujtimore, me pjesëmarrjen e autoriteteve të larta të vendit. / KultPlus.com

Prishtina bëhet me bustin e senatorit Bob Dole

Sot me rastin e 30 vjetorit të vizitës së delegacionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Bob Dole në Kosovë në vitin 1990, ky i fundit u nderua me një bust, shkruan KultPlus.

Busti është vendosur në Lagjen Dardania në Prishtinë, pikërisht në rrugën që mban edhe emrin e senatorit Dole.

Përmes një video-mesazhi, senatori Dole ka shprehur mirënjohje për inaugurimin e bustit në Prishtinë.

“Më vjen keq që nuk mund të jem me ju në inaugurimin e bustit, më kujton kohën para 30 vjetëve. Tridhjetë vite kemi punuar për të krijuar një shtet të fortë dhe shpresoj se do të vazhdoni të punoni për t’u bërë edhe më të fortë”, tha Dole.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se është nder i veçantë zbuli i bustit të një personi siç është senatori Bob Dole.
“Senatori Dole është i pari që ka vizituar Prishtinën dhe presidentin Ibrahim Rugova në kohët më të vështira”, u shpreh tutje Hoti.

Ndërtimi i bustit të senatorit Bob Dole u bë nga artisti i njohur Luan Mulliqi, ndërkaq projekti u financua nga Oda Amerikane në Prishtinë. / KultPlus.com

Trieshi i Tuzit bëhet me bustin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Pranë shkollës fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në Triesh të Tuzit, dje u bë përurimi i bustit të Heroit mbarëkombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Pjesëmarrës në këtë eveniment, pos zyrtarëve vendës ishin edhe mysafirë nga Kosova , Shqipëria si dhe nga diaspora. Ndër të tjerë ishin të pranishëm këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Flamur Gashi, ambasadorët e Shqipërisë dhe të Kosovës, në Mal të Zi, Ridi Kurtezi dhe Ylber Hysa, si dhe akademiku nga Kosova Frashër Demaj.

Fjalë rastit mbajtën drejtori i Shkollës fillore “Gjergj Kastriotin Skënderbeu”, në Triesh, Nikollë Dukaj, kryetari i Kuvendit të komunës së Tuzit, Fadil Kajoshaj, drejtori i Arsimit të MZ, Marash Dukaj, ish mësimdhënësi i kësaj shkolle Tomë Dedivanaj, përfaqësuesi i Ministrisë së Kulturës së MZ, përfaqësuesi i Fondit Humanitar Trieshi nga Diaspora, Gjon Gjokaj, akademik Frashër Demaj si dhe kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj.

Të pranishmit i përshëndeti këshilltari i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, z. Flamur Gashi, i cili në emër të institucionit të presidentit Meta, i dha titullin “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut” ( pas vdekjes), ish mësimdhënësit Gjon Gjekës Lucaj, me motivacion: “Për patriotizmin e treguar gjatë kryengritjeve për pavarësinë e Shqipërisë së Veriut; mësues i nderuar dhe i përkushtuar i gjuhës shqipe, historisë dhe ligjërues i devotshëm i saj, duke u bërë burim frymëzimi për brezat pasardhës”, titull të cilin e pranoi nipi i Gjon Gjekës, Pjetër Lucaj.

Ndërkaq, të pranishmit i argëtuan këngëtarët Nikollë Nikpelaj, Ilir Shaqiri, Fran Lucaj, Toni dhe Shtjefën Ujkaj, Marija Lajçaj, Arton Nikprelaj, si dhe SHKA “Besa”/Malesia.org / KultPlus.com

Anton Çetta meriton më shumë se një bust te Instituti

Nga Gjon Keka

Dielli me emrin Anton Çetta e ka vendin te Instituti aty ku ai dha kontributin e tij.
Madje ai meriton më shumë se një bust, duhet të ketë Institut me emrin e tij të madh etj etj.

Vetëm errësirës i pengon Dielli kur ndriçon.
Por, dielli do të jetë aty para Institutit ku ai la pasurinë e tij të veprës deshën apo nuk deshën ata që duan t’i ngritin vetes Buste në të ardhmen.

Jam i lumtur o Diell i Dardanisë me emrin e madh Anton që ta kushtova në atë vegjëlinë time një vepër modeste për kontributin tënd të madh. Faleminderit që ke punu në hapjen e syve të popullit tonë për ta dashtë njëri-tjetrin e jo urry. / KultPlus.com


Zbulohet busti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjilan (FOTO)

Në Gjilan, në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit 2018”, u zbulua busti i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, një fjalim mbajti edhe i pari i Gjilanit Lutfi Haziri, i cili theksoi se ky bust dhe ky vend do të rrezatojë mbi gjeneratat e reja.

“Në kuadër të manifestimit “Flaka e Janarit” ne jemi krenarë dhe ndihemi krenarë para veprave të mëdha të patriotëve e baballarëve tanë që na mësuan se si të luftohet për liri. Skënderbeu është shkaku që ne jemi gjallë. Ky bust dhe ky vend do të rrezatoj mbi gjeneratat e reja”, tha Lufti Haziri./ KultPlus.com