Momenti i zbulimit të bustit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në Maschito, Itali

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, mori pjesë sot në ceremoninë festive të 28 Nëntorit në komunitetin arbëresh në qytetin Maschito, në Itali.

Gjatë kësaj vizite Ministri është shoqëruar nge kreu i bashkisë së Maschitos, Rossana Musacchio Adorisio. Programi i veçantë i përgatitur për këtë eveniment përmbante këngë dhe interpretime të ndryshme të komunitetit arbëresh.

Ministri i Shtetit për Diasporën në fjalën e tij përshëndetëse theksoi edhe një herë rëndësinë e të qenit të bashkuar nëpërmjet gjuhës dhe traditave shqiptare. “Jemi shumë, të shpërndarë nëpër botë, kudo, në Australi, Amerikë, Alaskë, Ukrainë, etj dhe është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë ti mësojmë brezit të ri gjuhën shqipe, kulturën dhe traditat e vendit tonë”, tha Ministri.

Ndërsa kryebashkiakja e Maschitos theksoi edhe një herë krenarinë e këtij komunitetit për origjinën e tij shqiptare dhe lidhjen e fortë që ruajnë me figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Aktiviteti më i rëndësishëm i kësaj vizite ishte inaugurimi i bustit të “Gjergj Kastriot Skënderbeut”, krijim i skulptorit shqiptar Vladimir Llakaj dhuruar komunitetit të Maschitos nga Ministri i Shtetit për Diasporën.

Busti i vendosur në sheshin “San Francesco” do të jetë gjithmonë një shenjë krenarie për prejardhjen e këtij komunitetit. / KultPlus.com