‘Dikotomi’, çelet ekspozita e Ilir Butkës në FAB

Artisti dhe pedagogu i Fakultetit të Arteve të Bukura, Ilir Butka, çeli ekspozitën e tij vetjake të titulluar “Dikotomi”.

Ekspozita me kurator Petraq Papën, u çel më 3 qershor dhe do të vazhdojë të presë publikun artdashës deri më 8 qershor, në Galerinë FAB.

Vetë artisti e konsideroi këtë si një moment të rëndësishëm, pasi është një përmbledhje e punës intensive të këtyre 4 viteve të fundit, që ai e ndan me kolegët artistë, pedagogët, studentët e Universitetit të Arteve dhe dashamirët e artit.

Kjo është ekspozita e parë vetjake e Ilir Butkës i cili më herët ka marrë pjesë në mjaft ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.

“I jam rikthyer impenjimit aktiv me pikturën pas një shkëputjeje shumëvjeçare dhe në këtë rikthim unë propozoj një këndvështrim komplet të ri për mua, totalisht i bazuar mbi abstrakten. I isha larguar pasionit dhe profesionit të hershëm pikturës me mendimin se një ditë do të kthehesha, me sigurinë që piktura do të ishte gjithmonë aty duke më pritur me besnikëri dhe tolerancë për ‘’tradhëtinë’’ e pësuar”, është shprehur Ilir Butka.

Artisti thotë se nuk ka narracion në pikturën e tij, por edhe pse mungon figurativja në to, ato gjithsesi mund të konsiderohen si klasike, duke iu referuar teknikës së përdorur në disa prej tyre.

Siç e thotë edhe titulli që mban, ekspozita sjell simbolikisht dualizmin që rrethon piktorin si individ, por edhe vetë pikturën e tij.

“Angazhimi im profesional ka marrë formën e një dikotomie të vërtetë pasi është ndarë prej vitesh tashmë midis filmit, pikturës, fotografisë dhe mësimdhënies. Edhe forma e ekspozimit të pikturave është e tillë, ku dy ose më shumë telajo apo piktura do të jenë të ekspozuara në një kornizë të përbashkët si një punë e vetme e përbërë nga dy ose më shumë krijime të ndryshme, që shpesh kontrastojnë ose kompensojnë njëra- tjetrën”, shpjegon Butka./atsh/ KultPlus.com

80 vite nga vdekja e profesorit dhe veprimtarit shqiptar Safet Butka

Sot janë bërë 80 vite nga vdekja e profesorit, publicistit dhe veprimtarit kombëtar, Safet Butka, shkruan KultPlus.

Safet Butka u lind në Butkë, të Kolonjës, më 10 gusht, 1901. Pasi mbaroi shkollën fillore në fshatin e tij të lindjes, ai shkoi për studime të mëtejshme në Linz, Austri, ku përfundoi shkollën e mesme.

Gjatë qëndrimit të tij në Linz ai mori me vehte kushëririn e tij të, të riun Qemal Butka, një arkitekt i famshëm shqiptar, i cili më vonë do të bëhej kryetari i bashkisë së Tiranës. Pas shkollës së mesme, Safet Butka shkoi për të studiuar në Universitetin e Gracit, ku ai u diplomua me nderime në filozofi në vitin 1928.

Në Austri, ai ishte organizatori i shoqatës studentore “Shoqëninë e studentëve shqiptarë Albania” bashkë me Aleks Budën, Eqerem Çabejn, Krist Malokin, Lasgush Poradecin, kushuririn Qemalin, Skënder Luarasin, etj.

Botoi një koleksion të poezisë së zgjedhur të Naim Frashërit (“Naim Frashëri, vjershëtori dhe edukatori kombëtar“)dhe në vitin 1925 një studim mbi veprën e Naim Frashërit (“Naim Frashëri një shëmbull, një udhëheqës dhe një ideal për djalërinë shqiptare”).

Ai u kthye në Shqipëri në vitin 1928 dhe u emërua profesor në Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1929 ai u martua me Hatixhe Lubonjën, me të cilin ai kishte 4 fëmijë.

Nga 1928 në 1939 ai punoi si mësues dhe drejtor në shkolla të ndryshme të mesme në qytetet shqiptare të Korçës, në Instutin Tregtar të Vlorës dhe në Normalen e Gjirokastrës, ku shërbeu dhe si drejtor.

Ai ishte edhe drejtori i Klubit të parë Shqiptar të Mesimdhënësve dhe ishte një nga profesorët e parë që zbatoi metodat perëndimore në procesin e mësimdhënies në vendin e tij.

Bashkëorganizator me ministrin e Arsimit Faik Shatkun, për kthimin e eshtrave të Naim Frashërit nga Turqia në Shqipëri. Në këtë kohë ai shkruajti artikuj në revista pedagogjike, sociale dhe filozofike. Botoi mjaft shkrime problemore në shtyp si: “Për të nesërmen shqiptare”, “Për zhvillimin e gjuhës”, “Mbi edukatën kombëtare”, “Po shqiptarizmit dhe Perëndimit” etj.

Kulmin si edukator në shërbim të brezit të ri, ai e arriti gjatë kohës që punonte si drejtor i Gjimnazit të Tiranës, ku iu priu intelektualëve dhe studentëve në demostratave të para antifashiste në prag të pushtimit të vëndit, më 4 prill 1939 duke kërkuar armë dhe si mësues i shqipes në Gjimnazin e Shkodrës më 28 nëntor 1939 dhe 30 janar 1940. Për këto aktivitete ai u arrestua, i akuzuar si antifashist u arrestua më 2 shkurt dhe u internua në ishullin e Ventotenes në Itali, nga autoritetet fashiste./KultPlus.com