Nobelisti Mario Vargas Llosa, në mbrojtje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë në vitin 1999

Shkrimtari nobelist Mario Vargas Llosa në mbrotje të intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë shkruan: “Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.”

Një Luftë e Vonuar – *Shkrim i publikuar në vitin 1999

NATO-ja nuk lipset qortuar për ndërhyrjen në Jugosllavi, por për faktin që këtë ndërhyrje duhej ta kish kryer këtu e dhjetë vjet të shkuara, si dhe për gabimin e bërë duke shpallur se përjashtonte çdo ndërhyrje tokësore.
Të gjita këto i ndezën dritën e gjelbër diktaturës së Beogradit për të vënë në jetë planin për spastrimin etnik në Kosovë, një prej krimeve më të lemerishme kundër njerëzimit që janë kryer përgjatë këtij shekulli, i krahasueshëm për nga natyra, edhe pse jo nga numri, me Holokaustin e hebrenjve të realizuar nga Hitleri, ose me deportimin e popujve prej Stalinit, i cili ishte i vendosur në synimin e vet për të rusifikuar Bashkimin Sovjetik. Siç ka shkruar Alain Finkielkrahut, lufta në Kosovë ka nisur më 1989.

Ka nisur bash atëherë kur Sllobodan Millosheviçi, pasi u lëshua turravrap në fushatën frenetike të ekzaltimit nacionalist serb, gjë që i hapi rrugën e i dha mundësinë të shtjerë në dorë pushtet absolut (gjë që në të njëjtën kohë do të përshpejtonte shpërbërjen e Federatës Jugosllave) i hoqi statusin e autonomisë Kosovës, mbylli shkollat në gjuhën shqipe, i privoi shqiptarët nga çfarëdolloj e drejte e përfaqësimit publik dhe, ndonëse ata përbënin nëntëdhjetë përqind të popullsisë, i shndërroi në qytetarë të dorës së dytë, kundrejt mbetjes prej dhjetë përqind (pakicës serbe).
Në qoftë se vendet perëndimore do të kishin mbështetur që asokohe në Jugosllavi demokratët, të cilët vazhdonin t’i Bënin ballë makinës shtypëse të aparatçikut- i cili me synimin si e si të ruante e të konsolidonte pushtetin e kish këmbyer petkun e ideologjisë marksiste me atë të nacionalizmit dhe provokonte pa reshtur sllovenët, kroatët, boshnjakët e kosovarët me kërcënimin e një hegjemonie serbe mbi Federatën si dhe duke krijuar një klimë përçarjesh e ksenofobie për të frenuar me çdo kusht demokratizimin e Jugosllavisë, gjë që, pa një pa dy, do t’i jepte fund karrierës së tij politike- Europa do t’i kishte kyrsuer atijj vendi dyqind mijë të vrarët e Bosnjës dhe një oqean brengash e vuajtjesh që ka përbytur Ballkanin, doemos edhe vetë serbët.
Problemi nuk është thjesht Kosova, ashtu si edhe më parë nuk kishin qenë kulturat tjera që përbënin Federatën Jugosllave (Sllovenia, Bosnja e Kroacia) tashmë republika të pavarura. Problemi ka qenë dhe është, edhe sot e gjithë ditën, diktatura e Millosheviçit, burimi parësor i konflikteve etnike dhe i shpërthimit histerik të ndjenjave nacionaliste, njeriu që i ka vënë zjarrin mbarë Ballkanit. Në qoftë se në Beograd do të kishim një qeveri demokratike, ndarja do të kishte qenë aq paqësore sa edhe divorci midis Sllovakisë dhe Republikës Çeke, divorc që nuk pati qoftë edhe një të shtënë të vetme. Por ajo që ka më fort gjasë është se me një regjim demokratik Federata Jugosllave nuk do të shpërthente dhe ngrehina e saj do të Kish mbijetuar e mbështetur në një sistem të brendshëm fleksibël, të bashkëjetesës ndërmjet kulturave, religjioneve e traditave të ndryshme, sipas modelit zvicerran apo atij belg. Që do të kishte qenë zgjidhja e atyre udhëheqësve europianë, të cilët në mënyrë krejt të papërgjegjshme, si e si për të zotëruar zona të influencës politike e ekonomike, inkurajuan shpërbërjen e Jugosllavisë dhe arritën deri në aë pikë sa të mbështesnin ekonomikisht dhe të armatosnin lëvizjet nacionaliste lokale. Ishte pikërisht kjo miopi që i dha dorë regjimit të Millosheviçit i cili i shndërruar ashmë në simbol të nacionalizmit serb si dhe i mbështetur nga një fushatë e fuqishme e propagandistike që e paraqiste si viktimë të të tjerëve në sytë e opinionit publik, ia doli ta shpinte deri në fund spastrimin politik brenda vendit duke eliminuar çdo opozitë serioze dhe frymë kritike, madje kohë përpara se të fillonte nga Kosova. Është jashtë çdo dyshimi që bombardimet e NATO-s në kurriz të popullit jugosllav e favorizojnë jashtëzakonisht Millosheviçin, të cilit, kurrkush s’ka kurajon t’i kundërvihet, përndryshe damkoset si tradhëtar i atdheut. Por nisur nga ky realitet nuk mendoj se duhet ngutur për të nxjerrë ato farë argumentashm, që na i tundin sot para syve disa shpirtra të qashtër, kundër ndërhyrjes së NATO-s. Përkundrazi, përfundimi ku lipset të arrijmë të gjithë është se arsyeja e kësaj ndërhyrjeje, po qe se ajo dëshiron t’i japë fund njëherë e mirë gjithë spastrimeve etnike dhe krimevekolektive në Ballkan, duhet të jetë rrëzimi i regjimit autoritar të Millosheviçit dhe në vend të tij, krijimi në Beograd i një qeverie të lirisë e legalitetit.

Kësaj teze i kundërvihen disa zotërinj që Daniel Cohn Bendit, në një nga artikujt më të mirë që kam lexuar deri më sot për Kosovën, i quan “sovranitarët”. Cilët janë këta zotërinj? Disa burra të matur që na paskan fort nderim për të drejtën ndërkombëtare, për të cilën ndërhyrja aleate në Jugosllavi na qenkërka një monstruozitet juridik sepse, sipas tyre, meqë Kosova qenka pjesë integrale e atij vendi dhe problemet e kosovarëve çështje e politikës së brendshme, bashkësia ndërkobëtare duke na sulmuar një komb sovran, ka vënë në pikëpyetje gjithë rendin juridik ndërkombëtar. Sipas këtij kriteri i bie që në emër të një sovraniteti abstrakt, Millosheviçit i duhet lënë dorë e lirë që me zjarr e hekur dhe shpërngulje të dhunshme ta pastrojë Kosovën prej dy milion kosoarëve meqë i prishin planet: gjë që, meqë ra fjala, kish nisur ta bënte para se të fillonin sulmet e NATO-s, me të njëjtin zell e bindje që Hitleri spastroi Europën nga Hebrenjtë.
Sovraniteti ka caqet e veta. Në qoftë se një qeveri merr nëpërkëmbë të drejtat më themelore të njeriut, si dhe kryen krime kundër njerëzimit përmes vrasjeve kolektive e spastrimit etnik, ashtu siç vepron Millosheviçi, atëherë vendet demokratike janë të detyruar të veprojnë për t’i ndaluar me çdo kusht këto soj krimesh. S’ka pikë dyshimi që çdo veprim i armatosur mbart pasoja të tmerrshme sepse e pësojnë edhe të pafajshmit. Por pacifizmi i pavend shpie ujë në mullirin e tiranëve dhe fanatikëve që i ndjekin, të cilët s’kanë asnjë skrupull moral që t’i ndalojë dhe, a posteriori, nuk vlen gjëkafshë tjetër veçse të vonojë aksionet ushtarake, që kësisoj shkaktojnë dëme të mëdha e të rënda sesa ato që do të donin t’i shmangnin me mosveprimin.

Në qoftë se Perëndimi demokratik do ta kishte bombarduar Hitlerin atëherë kur Çurçilli e kërkonte me ngulm, prej Luftës së Dytë Botërore nuk do të kishim pasur njëzet milionë të vrarë, por shumë herë më pak dhe Holokausti nuk do të kishte ndodhur. Në qoftë se gjatë Luftës së Gjirit Presidenti Bush nuk do të kish shpënë gjer në fund misionin e vet, duke e rrëzuar nga froni Sadam Hyseinin duke hapur rrugën Irakut drejt emancipimit politik, ndoshta edhe atje do të kishte ndodhur ajo që ndodhi më pas në Panama, pas rënies së tiranisë së Noriegës: vendosja e një regjimi që nuk iu kanoset fqinjëve, që qeveris në bazë të ligjit dhe respekton liritë e qytetarëve të vet.
Natyrisht, këtu nuk bëhet fjalë që demokracitë e zhvilluara të ndërmarrin sistematikisht aksione ushtarake kundër gjithë atyre regjimeve autoritare që gjenden anembanë rruzullit tokësor. Kjo do të ishte një utopi dhe, për më tepër, askush nuk mund të na sigurojë që një demokraci e dalë nga gryka e pushkës hedh rrënjë ngaherë e jep frytet e veta (edhe pse në disa raste tejet të rëndësishme, si në atë të Gjermanisë e të Japonisë, ka ndodhur pikërisht kështu). Por të paktën, të kërkohet një rend botëror, në të cilin të mëtohet prej të gjithë regjimeve një minimum të drejtash njerëzore, si dhe sanksione të ashpra nga ana e kombeve demokratike kundër të gjithë atyre që i shkelmojnë haptazi këto të drejta, përmes persekutimeve religjioze, raciale apo etnike, si dhe vrasjeve e shpërnguljeve të pakicave kombëtare.
Sanksionet mund të jenë si ekonomike, ashtu edhe politike (në Afrikën e Jugut e në Haiti kanë rezultuar me sukses), por në raste të veçanta edhe ushtarake, si në Kosovë, kur lind nevoja t’i ndalet dora shfarosjes së një populli mbarë për shkak të delirit nacionalist të një tranit. Në këtë pikë s’ka se si të na bëhet më e qartë se fjala “shfarosje” i rri për bukuri pas shtatit operacionit që ka ndërmarrë Millosheviçi në Kosovë, operacion që ai e kishte nisur teksa në Rambuje zhvilloheshin negociatat, duke i shkuar kështu ndesh zotimit të marrë në tetor të vitit të shkuar, ndërkohë që në Kosovë ishin futur dyzet mijë trupa ushtarake dhe prej provincës tashme të izoluar ishin përzënë të gjithë përfaqësuesit e shtypit botëror.
Dëshmitë e mbledhura mes refugjatëve kosovarë në Maqedoni e Shqipëri, flasin për një plan të hartuar me gjak të ftohtë dhe të zbatuar me një përpikmëri shkencore. Në fshatrat e pushtuar të rinjtë janë ndarë nga fëmijët, të moshuarit e gratë e më pas janë ekzekutuar, ndonjëherë duke i shtërnguar t’i hapnin varret me duart e tyre. Të mbijetuarve iu është lënë një kohë e shkurtër në dispozicion për t’ia mbathur jashtë kufijve, pasi i kanë privuar më parë nga çfarëdolloj dokumenti vetjak. Regjistrat publikë janë shqyer e djegur ashtu si edhe çdo dokument tjetër i çfarëdoshëm që vërtetonte pronësinë e kosovarëv mbi shtëpi apo toka, madje deri në atë shkallë sa të venë në pikëpyetje jetesën dhe ekzistencën e tyre në ato troje. Faza e fundit e operacionit -kur sipas Komisarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, mëse gjysmë milion kosovarë janë përzënë jashtë kufijve dhe afro dyqind e pesëdhjetë mijë ndodhen të fshehur në brendësi të Kosovës- konsistonte në mbylljen e kufijve, në mënyrë që kosovarët e mbetur në vend të përdoren si mburoja njerëzore kundër bombardimeve dhe një ndërhyrjeje të mundshme tokësore nga ana e trupave aleate.

Gjithsesi, tashmë është mëse e qart që objektivi i Millosheviçit ka qenë e mbetet spastrimi etnik, shndërrimi i Kosovës në një provincë njëqind për qind serbe dhe ortodokse, ku të mos mbesë këmbë myslimani a shqiptari. Mos vallë ka ndonjë farë lidhjeje ndërmjet vonesës me të cilën bashkësia ndërkombëtare ka vepruar kundër Millosheviçit dhe faktit që viktimat e tij janë myslimanë? Kam frikë se po, ashtu siç ndodhi edhe në kohën e Hitlerit, me ngurrimin e aleatëve për t’i shpallur luftë Gjermanisë dhe faktit që viktimat e Holokaustit u bënë hebrenjtë. Jam mëse i bindur se sikur të kishte qenë e besimit të krishterë bashkësia njerëzore që ka hequr në kurriz mundimet e mujshitë që u shtrënguan të përballojnë bosnjakët dhe që po i vuajnë edhe sot e kësaj dite kosovarët, reagimi i opinionit publik e i qeverive perëndimore do të kish qenë më ishpejtë, dnërsa në shoqëritë perëndimore nuk do të ishin shfaqur ato segmente të angazhuara në përpjekje për t’i detyruar qeveritë e vendeve të tyra të mos rrinë duarkryq e të bëjnë sehir krimet. Kjo është diçka për të cilën heshtet ose që përshpëritet vesh më vesh në qarqe të caktuara e të besuara: Mos vallë jemi duke krijuar një Moloch mes nesh? Mos vallë duam të krijojmënjë regjim fondamentalist islamik në zemër të Europës, aleatë të Kadafit Sadam Hyseinit dhe të ajatollahëve të Iranit? Mos vallë në një farë mënyrë edhe sot e kësaj dit serbët janë duke luftuar, ashtu siç luftoi edhe princi Llazar më28 qershor 389 në kosovë kundër GJysmëhënës barbare e fanatike, armike e përjetshme e Europës së krishterë e të civilizuar? Edhe pse na duket se të gjitha këto hamendje nuk kanë gjasë të jenë të përnjëmendta, nuk mund të thuhet se mungojnë ata demokratë të ndjeshëm ndaj këtyre “argumenteve” dhe bash për këtë, sondazhet e kryera na kallëzojnë se segmentet që i kundërvihen ndërhyrjes ushtarake në, synimi i së cilës është të shpëtojë popullsinë kosovare nga asgjësimi, i kalojnë përqindjet e elektorale që kanë kapur rëndom partitë komuniste e neofashiste, të vëllazëruara sot, ashtu si në kohën e paktit Molotov-Ribentrop, në të ashtuquajturën fushatë pacifiste kundër NATO-s.


Nga libri Lufta kundër luftës (opinioni intelektual rreth luftës në Kosovë), fq. 15-20, Shtëpia Botuese Ora, Tiranë, 2001.

Nxorri dhe përgatiti: Butrint Berisha