Shfaqja ‘’Dhoma e ditës’’ e cila po vjen premierë në teatrin “Dodona”, është një dramë-romantike e shkruar nga Richard Kalinoski dhe me regjisor Butrint Pashën i cili e ka vendosur skenikisht në formatin kamertal sipas asocimit me vetë titullin e shfaqjes, përcjell KultPlus.
Ngjarja flet për jetën e një regjisoreje të teatrit, Sandrës, që jetësohet nga Vjosë Tasholli dhe raportit të saj me nënën e saj të moshuar Abin, tetëdhjetë e pesë vjeçare, rol që luhet nga aktorja, Kumrije Hoxha. Konceptualisht shfaqja flet për procesin e shkëputjes së fëmijës nga nëna, nevojën për ndryshime në jetë, barrierat e shkëputjes nga familja e ngushtë dhe fatin e të moshuarve. Kjo shfaqje vë në pah dy pyetje substanciale për jetën e çdo njeriu, se sa iu detyrohemi prindërve dhe sa kanë të drejtë prindërit të përcaktojnë jetën e fëmijëve të tyre?
Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Kumrije Hoxha, Vjosë Tasholli, Ermal Sadiku, Arta Lahu, Molikë Maxhuni.
Për kompozimin e muzikës origjinale të shfaqjes që do të performohet në skenë, ka punuar Adhurim Grezda, ndërsa për kostumet dhe skenën ka punuar Alma Krasniqi.
“Dhoma e ditës” është premierë absolute botërore, pasi që ky tekst inskenohet për herë të parë prej kohës që është shkruar në vitin 2019. Kjo është vepra e dytë e Richard Kalinoskit që inskenohet në Kosovë, pas ‘’Bisha në hënë’’, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në vitin 2019, që si rrjedhojë, ka sjellur edhe bashkëpunimin e dytë në mes të regjisorit Butrint Pasha dhe autorit.
Vlen të theksohet se ky tekst do të botohet tashmë edhe në gjuhën shqipe, pasi që ditë më parë është përzgjedhur në kontestin e përkthimeve dhe publikimeve ‘’EURODRAM 2023’’ si projekt nga përkthyesi i tekstit, Brezar Xërxa.
Shfaqja është produksion i ‘’Delja e Zezë’’ në bashkëpunim me teatrin e qytetit ‘’Dodona’’, si projekt i mbështetur nga Komuna e Prishtinës.
Shfaqja do të vij si premierë në Teatrin e qytetit ‘’Dodona”, me datën 29 Mars 2023, si dhe repriza e parë që do të jepet më datën 30 Mars, me fillim prej orës 19:30. / KultPlus.com