Courrier des Balkans: Menaxhimi nga një fondacion privat vë në pikëpyetje qëndrimin e Butrintit në listën e UNESCO

Butrinti është një nga sitet më prestigjioze arkeologjike në Shqipëri. Megjithatë, qeveria ka vendosur t’ia besojë menaxhimin e tij një Fondacioni privat, duke rrezikuar të vendosë në pikëpyetje qëndrimin e tij në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Hulumtim.

 Ilda Mara për Courrier des Balkans

Parku arkeologjik i Butrintit, pjesë e listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 1992, është një thesar i paçmuar i Shqipërisë dhe këtë vit festoi njëqind vjetorin e zbulimit të tij. I themeluar nga Kaonët, një fis i lashtë grek, Butrinti falë pozicionit të tij strategjik pranë kanalit të Vivarit ka qënë vendtakim qytetërimesh nga një polis, një qytet kaon, me pas në një koloni romake e më pas ka qënë një seli peshkopale bizantine.

Siti ka monumente të shumta historike, si një teatër antik dhe një bazilikë paleokristiane, të zbuluara nga arkeologu italian Luigi Ugolini, i cili qe dërguar në vitin 1924 të ndiqte gjurmët e Eneas. Musolini e konsideronte veten në fakt, si kulminacionin e një vargu të gjatë heronjsh romakë nga Enea tek Romuli e Augusti. I shtyrë nga dëshira për të gjetur dëshmi të gjurmëve të Eneas në Butrint, Ugolini e pagëzoi këtë portë si Porta Skea, dhe pretendoi se heroi trojan ishte ndalur atje. Ky zbulim u përdor si mjet propagande në vitin 1931, me rastin e 2000-vjetorit të poetit Virgjil, me botimin e një pulle që tregon Portën e Skeas, dhe përshëndetjen fashiste.

Megjithatë, pavarësisht rëndësisë historike dhe kulturore të këtij siti, qeveria shqiptare ka vendosur që ta transferojë menaxhimin e tij tek Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), duke shkaktuar shqetësim të madh tek mbrojtësit e trashëgimisë kulturore shqiptare. Këta të fundit kanë frikë se ky vendim do të rrezikojë integritetin historik të Butrintit dhe do të çojë në një menaxhim jo-transparent që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së tij.

 Privatizimi i menaxhimit të trashëgimisë kulturore
Në vitin 2018, qeveria shqiptare miratoi një ligj për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, të miratuar nga shumica socialiste në Parlament, duke lejuar fondacionet private, përfshirë ato të huaja, të menaxhojnë objektet kulturore shtetërore. Një ligj i sponsorizuar nga AADF ku pikërisht në këtë kontekst AADF mori menaxhimin e Parkut kombëtar të Butrintit, duke krijuar kështu një konflikt të dukshëm interesi. Në fakt, qeveria shqiptare ka vendosur t’i besojë menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit një fondacioni të krijuar bashkërisht nga Ministria e Kulturës dhe AADF: Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit (BMF), i cili do të ketë një qira dhjetëvjeçare me mundësi rinovimi.

Ministri i ri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Blendi Gonxhja, njoftoi tetorin e kaluar një rritje mbresëlënëse të të ardhurave të parkut,  duke shkuar nga 800.000 euro në një vit në 800.000 euro në vetëm 71 ditë… Kjo ngre pikëpyetje për menaxhimin e ish-ministrave, Mirela Kumbaro dhe Elva Margariti, dhe evidenton joefikasitetin e administrimit të tyre. Në vetëm 71 ditë, ekipi i Blendi Gonxhes tregoi se parku mund të menaxhohej me efiçencë nga ekipet shqiptare.

Michael Granoff, president i AADF, është shprehur se Fondacioni i tij do të kontribuojë me pesë milionë dollarë, dyfishin e kontributit të qeverisë shqiptare, duke marrë të drejtën për të emetuar biletat dhe për të mbledhur të gjitha të ardhurat dytësore nga parku për dhjetë vjet. Sipas Auron Tares, ish-drejtor i Parkut, nëse Butrinti gjeneron të paktën 1.5 milionë euro në vit, BMF mund të mbledhë 15 milionë euro në dhjetë vjet. Pra, a i duhen vërtet shtetit shqiptar pesë milionë dollarët nga fondacioni privat, kur tashmë mund të gjenerojë shumë më tepër falë të ardhurave nga vizitat?

Për më tepër, AADF po përballet me kritika për veprimet e saj në lidhje me zonën arkeologjike të Butrintit dhe zona të tjera të trashëgimisë në Shqipëri. Fondacioni akuzohet se ka shpenzuar më shumë se 300,000 dollarë për të realizuar dy plane menaxhimi të integruar për Butrintin, si dhe 50,000 dollarë për të ndikuar në legjislacionin e trashëgimisë kulturore që të lehtësonte marrjen në kontroll të Parkut. Për më tepër, AADF dyshohet se ka përdorur fondet publike amerikane për të mbrojtur pozicionin e saj përpara Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë.

Shqetësimet e UNESCO-s
AADF është e përfshirë gjithashtu dhe në menaxhimin e zonave të tjera në Shqipëri, si parku i Drilonit në Liqenin e Ohrit dhe zonat e Beratit dhe Gjirokastrës. Kjo përfshirje shihet si shkelje e Konventës së UNESCO-s të vitit 1972 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore, e cila ka bërë që të ketë kritika indirekte ndaj AADF nga UNESCO, veçanërisht në rastint e Liqenit të Ohrit, i cili mund të vendoset në listën e trashëgimisë në rrezik të UNESCO-s.

Transferimi i menaxhimit të Butrintit privon Shtetin Shqiptar nga roli i tij qëndror në menaxhimin e Parkut, duke vënë në rrezik ruajtjen e kësaj trashëgimie botërore, e cila duhet të mbetet nën përgjegjësinë e tij të drejtpërdrejtë sipas detyrimeve ndërkombëtare.

Kjo marrëveshje mund të shkelë parimet themelore të Konventës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të vitit 1972, e cila thotë se shtetet palë janë përgjegjëse për mbrojtjen dhe menaxhimin e siteve të tyre në Listën e Trashëgimisë Botërore. Por kjo marrëveshje mund të jetë gjithashtu në kundërshtim me nenin 101 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian (BE), i cili e detyron Shqipërinë të respektojë standardet në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. MSA kërkon gjithashtu që Shqipëria të harmonizojë politikat e saj kombëtare me rregullat evropiane, përfshirë edhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Sipas UNESCO-s, shtetet palë, përfshirë Shqipërinë, janë të detyruara të sigurojnë menaxhimin dhe mbrojtjen e siteve të tyre në listën e trashëgimisë Botërore, siç është Butrinti. Ky transferim mund të shihet si një devijim nga pritshmëritë e BE-së në lidhje me bashkëpunimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, duke rrezikuar angazhimet e Shqipërisë për mbrojtjen e trashëgimisë së saj dhe marrëdhënien e saj me BE-në. Mbrojtja e Butrintit duhet të jetë një përgjegjësi kombëtare, nën kontrollin e shtetit shqiptar, në bashkëpunim me ekspertë të institucioneve ndërkombëtare.

Qendra e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe organet këshilluese kanë shprehur shqetësimin për një fragmentim të menaxhimit, një model që mund të rrezikojë integritetin e Butrintit. Pavarësisht kësaj, qeveria shqiptare duket e vendosur për të vazhduar me këtë model. Gjykata Kushtetuese shqiptare e validoi marrëveshjen, megjithëse disa gjyqtarë votuan kundër, duke evidentuar rreziqet për mbrojtjen e Butrintit. Sipas avokatit Agron Alibali, “marrëveshja mes qeverisë dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit (BMF) mund të prishet, për shkak të mospërmbushjes së kushteve të vendosura”. Ai mbështet idenë që Butrinti të duhet mbetet nën menaxhimin e qeverisë deri në arritjen  e një marrëveshjeje të re në përputhje me rekomandimet e UNESCO-s.

 Një hotel dhe 600 hektarë të humbur
Transferimi i menaxhimit të Parkut, i cili ishte planifikuar fillimisht për në fund të tetorit 2024, ende nuk është realizuar për shkak të vonesave administrative, siç është inventarizimi i kryer nga MEKI dhe kompleksiteti i diskutimeve mes palëve të interesuara. Kjo ofron një mundësi për të rimenduar këtë vendim strategjik, sidomos për shkak të shqetësimeve të shprehura nga UNESCO dhe BE.

UNESCO ka shprehur shqetësime serioze për heqjen e rreth 600 hektarëve nga Parku Kombëtar i Butrintit, ku po ndërtohet një kompleks hotelier. Ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tashmë ministre e Turizmit dhe Mjedisit, ka vijuar të reduktojë zonën e mbrojtur të parkut përmes një legjislacioni për zonat e mbrojtura. Më 22 shkurt 2024, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Ligjin 21/2024, për ndryshimin e Ligjit të vitit 2017 për Zonat e Mbrojtura. Kjo reformë hasi në kundërshtime nga shoqatat mjedisore, aktorë të caktuar politikë dhe  përfaqësuesit të BE-së në Shqipëri.

UNESCO i ka kërkuar shtetit shqiptar të paraqesë një plan urgjent për mbrojtjen e kësaj zone dhe të sigurojë menaxhimin e koordinuar të të gjithë parkut kombëtar dhe zonës së tij tampon, për të shmangur çdo fragmentim të menaxhimit të tij. Kjo situatë nxjerr në pah tensionet mes zhvillimit ekonomik dhe ruajtjes së trashëgimisë botërore. Raporti i UNESCO-s thekson gjithashtu se menaxhimi i zonës dhe i rrethinave të tij duhet të jetë koherent dhe i mbikëqyrur nga një autoritet qëndror, me mjete të mjaftueshme për të garantuar ruajtjen e vlerës së tij të jashtëzakonshme universale. Shqetësimet në lidhje me qartësinë e kufijve të Parkut të Butrintit dhe zonës së tij tampon duhet gjithashtu të zgjidhen sa më shpejt, gjë që mund të lejonte rishikimin e vendimit në lidhje me transferimin e menaxhimit.

“Është njëlloj sikur shteti francez të ndihej i paaftë për të menaxhuar Kalanë e Versajës dhe të vendoste t’ia besonte atë një entiteti privat.”

Kjo vonesë ofron një mundësi për të forcuar koordinimin mes autoriteteve lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare dhe për t’u angazhuar në një dialog më gjithëpërfshirës me komunitetet lokale për të garantuar menaxhimin më të mirë të mundshëm të Parkut të Butrintit. Shteti duhet t’i paraqesë më në fund Qendrës së Trashëgimisë Botërore, brenda datës 1 shkurt 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së parkut, me një plan të detajuar veprimi dhe një afat kohor për zbatimin e rekomandimeve të misionit të vitit 2022, që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.

Parku i Butrintit, si pasuri botërore, duhet patjetër të mbetet nën menaxhimin e shtetit shqiptar për të garantuar ruajtjen e tij. Transferimi i drejtimit të Parkut tek BMF rrezikon këtë mision dhe cënon angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Është thelbësore që shteti të mbajë kontrollin e Parkut dhe të bashkëpunojë me autoritetet ndërkombëtare për të siguruar mbrojtjen e qëndrueshme të tij. Është njëlloj sikur shteti francez të ndihej i paaftë për të menaxhuar Kalanë e Versajës dhe të vendoste t’ia besonte atë një entiteti privat. / Courrier des Balkans BW/ KultPlus.com

Qyteti antik i Butrintit i preferuari i turistëve të huaj edhe gjatë shtatorit

Qyteti antik i Butrintit vijon të tërheqë një numër të lartë turistësh vendas e të huaj edhe gjatë muajit shtator.

Parku arkeologjik i Butrintit ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve të huaj në Butrint, të cilët nuk i ka ndalur as moti i keq me shi për të vizituar këtë qytet antik 20 km larg Sarandës.

‘Nga Butrinti i bukur në çdo stinë, ku vizitorët në grupeve të organizuara, me interes trashëgiminë kulturore vijojnë shëtitjet të pashqetësuar”, thuhet në postimin parkut arkeologjik të Butrintit.

Ky park vijon të jetë një nga atraksionet më të vizituara turistike edhe gjatë këtij viti në Shqipëri. Kombinimi i natyrës dhe historisë mijëra vjeçare ngjall kuriozitetin e turisëve nga vende të ndryshme të botës.

Në Butrint gjatë këtij viti janë kryer gjithashtu sondazhe arkeologjike në gjurmën e “Portës Arkeologjike” të hartuar në kuadër të projektit “Qendra e Vizitorëve në Butrint”, Brenda Kufirit Parku Arkeologjik Kombëtar i Butrintit.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin jug-lindor të gadishullit të Ksamilit. Ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit./atsh/KultPlus.com

UNESCO miraton vendimet për Butrintin, Gjirokastrën dhe Beratin, vendimi për Ohrin shtyhet vitin e ardhshëm

Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbledhur në Nju Delhi në Indi, miratoi të enjten vendimet për Qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare, Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën dhe shtyu për vitin e ardhshëm vendimin për zonën ndërkufitare shqiptare dhe maqedonase të Liqenit të Ohrit.

Në vendimin për Butrintin UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare, pa dijeninë dhe pa miratimin e UNESCO-s.

Në vendim UNESCO thotë se “shpreh keqardhje që qartësimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon është ende në pritje dhe i kërkon Shqipërisë që të paraqesë, si çështje prioritare, një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufirin e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe kufirin e zonës tampon e cila do të merret në shqyrtim nga Qendra e Trashëgimisë Botërore”.

UNESCO kërkon gjithashtu që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore.

“Për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive”, thekson UNESCO, “prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohet në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi”.

UNESCO thotë se kërkon për më tepër “që Shqipëria të japë sqarime për Qendrën e Trashëgimisë Botërore mbi rregulloret aktuale mbrojtëse dhe përdorimet e përcaktuara për të gjitha zonat e Parkut Kombëtar në lidhje me mbrojtjen e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës së tij tampon, dhe mbi mënyrën sesi regjimet e ndryshme të menaxhimit do të harmonizohen për të shmangur fragmentimin”.

UNESCO thotë në vendim se “vëren se ICOMOS ka përgatitur një rishikim teknik të projektit të Qendrës së Vizitorëve dhe dokumentacionit përkatës të paraqitur nga Shqipëria dhe i kërkon autoriteteve shqipatre që të zbatojë plotësisht rekomandimet, duke përfshirë dhënien e kohës së mjaftueshme për të përgatitur një Vlerësim të plotë të Ndikimit të Trashëgimisë i cili, ndër të tjera, duhet të bazohet në hulumtime të plota arkeologjike dhe të përfshijë hapësirën e peisazhit”.

UNESCO kërkon që “Shqipëria të vazhdojë të paraqesë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore detaje të projekteve që mund të prekin Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të Butrintit (VJU) përpara se të merret ndonjë vendim i pakthyeshëm për zbatimin e tyre, dhe që projektet të zbatohen vetëm pasi të ketë rënë dakord UNESCO”.

UNESCO i kërkon Shqipërisë që t’i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së pronës dhe zbatimin vendimit duke përfshirë një plan veprimi të detajuar me një afat kohor edhe për zbatimin e rekomandimeve të misioni të vitit 2022, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.

Ndërkohë, në vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.

“Shqipëria duhet të përditësojë Planin e Menaxhimit si një çështje me përparësi duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet vendore të Beratit dhe Gjirokastrës”, thotë UNESCO.

UNESCO thotë më tej se “vëren me keqardhje përfundimin e ndërtimit të rrugës së bypass-it të Gjirokastrës pa zbatuar kërkesat e UNESCOS, dhe për këtë arsye i kërkon Shqipërisë që të kryejë urgjentisht një vlerësim të plotë të pavarur të ndikimit të projektit në trashëgiminë e Gjirokastrës dhe ta dorëzojë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore”.

UNESCO i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë një studim të integruar për të vlerësuar ndikimin e projekteve të shumta të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe t’ia dorëzojë atë UNESCOS për shqyrtim nga organet këshillimore.

UNESCO thotë se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të përmirësuar rregulloret e urbanistikës së Beratit dhe të Gjirokastrës, por kërkon të qartësohen ndërlidhjet ndërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar dhe planeve të veçanta për ruajtjen mbrojtjen dhe administrimin e qendrave historike të dy qyteteve.

Lidhur me vendimit e UNESCO-s Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ((MEKI) tha përmes një deklarate se “mbështeti pa asnjë rezevë projekt vendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore që Komiteti i UNESCO-s i zyrtarizoi me një qendrim, unanim, që e konsiderojmë si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional”.

MEKI thotë se edhe pika e vetme në të cilën shprehet keqardhje për vonesën e sqarimit të kufijve të pasurisë botërore, reflekton situatën e kohës kur është përgatitur projektvendimi i UNESCO-s.

MEKI thotë se ka dërguar në Paris paketën e parë të hartave dhe ka marrë komentet paraprake nga Qendra e Trashëgimisë Botërore.

Por ndërsa MEKI flet “për një paketë të parë” të hartave të Butrintit kur UNESCO ka kërkuar një hartë të pronës, autoritetet shqiptare ende nuk kanë sqaruar se përse u mor vendimi dy vite më parë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 800 hektarëve pa vënë në dijeni dhe pa marrë miratimin e UNESCO-s.

Gjatë një interpelance të zhvilluar të enjten me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe deputetja e opozitës Ina Zhupa, tha se në ish zonën tampon të Parkut Kombëtar të Butrintit po zhvilloheshin projekte të mëdha ndërtimore.

Duke treguar në parlament dy foto të investimeve zonja Zhupa tha se “këto janë modele zhvillimi që injorojnë UNESCO-n, që ndërtojnë në zonat e mbojtura dhe që fragmentarizojnë Butrintin”./voa/KultPlus.com

UNESCO: Shqipëria të shmangë me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar të Butrintit

UNESCO nuk pritet ta listojë këtë vit Butrintin në Trashëgiminë Kulturore në Rrezik por u kërkon autoriteteve shqiptare të shmangin me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar dhe të sqarojnë me urgjencë kufijtë e pronës.

Projektvendimi që do të shqyrtohet në asamblenë e UNESCO-s që mbahet në Indi u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare pa miratimin e UNESCO-s.

Një analizë e thelluar e Qendrës së Trashëgimisë Botërore dhe një projktvendim i Komitetit të UNESCOS që do të mblidhet në Indi këtë muaj nuk parashikojnë që të listojnë këtë vit Butrintin në Trashëgiminë në Rrezik, por u kërkohet autoriteteve shqiptare” të shmangin me çdo kusht menaxhimin e fragmentuar dhe të sqarojnë me urgjencë kufijtë e pronës”.

UNESCO thotë në analizën e zhvillimeve të fundit lidhur me Butrintin se Plani i Menaxhimit përfshin themelimin e Fondacionit për menaxhimin e ardhshëm të zonës A3, që njihet si qyteti antik për një periudhë kalimtare.

“Është për të ardhur keq thuhet në analizën e UNESCOS , që ky proces mund të rezultojë në një mjedis menaxhimi të fragmentuar, pasi seksionet A3 nuk mbulojnë të gjithë pronën. Kjo duhet të shmanget me çdo kusht”, vlerëson UNESCO.

UNESCO thotë se duke marrë parasysh që Plani i Menaxhimit të Butrintit është miratuar nga qeveria shqiptare në vitin 2020 dhe se periudha e tranzicionit ka përfunduar, Komiteti mund të ftojë Shqipërinë të ndërmarrë një rishikim afatmesëm të zbatimit të tij bazuar në kuadrin monitorues”.

Një tjetër qëndrim në analizën e fundit të UNESCO-s shprehet ndaj kufijve të Butrintit ku kërkohen sqarime urgjente.

“Kërkohen sqarime urgjente sesi do të menaxhohen seksionet e pronës që nuk mbulohen nga përcaktimi A3 dhe administrohen nga Fondacioni Menaxhimit të Butrintit dhe se si do të sigurohet ruajta në këto zona”, thuhet në analizën e UNESCO-s.

“Kjo është veçanërisht urgjente në kontekstin aktual, duke qenë se misioni UNESCO-s konfirmoi se në janar 2022, rreth 600 ha u tërhoqën nga Parku Kombëtar pranë Ksamilit, ku në atë kohë ishte në ndërtim e sipër një kompleks rezidencial turistik.Kjo sipërfaqe shtrihet brenda zonës tampon të pronës siç është miratuar në 2007 nga UNESCO dhe një pjesë e vogël e pronës gjithashtu mund të jetë shkelur nga ndryshimi kufijve , thotë UNESCO.

“Është për të ardhur keq që është ende në pritje sqarimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon, që pritet që prej datës 15 shkurt 2023″, thotë UNESCO në analizën për Butrintin.

Edhe projekt- vendimi që do ti paraqitet Komitetit të Trashëgimisë Botërore në sesionin e 46 që mbahet në Indi këtë muaj bazohet mbi analizën e Qendrës Botërore të Trashëgimisë.

Në projekt vendim thuhet se “po punohet për të siguruar që Ministria e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës të ketë mbikëqyrjen e të gjithë pronës së Trashëgimisë Botërore pasi menaxhimi i Zonës A3, t’i transferohet Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit deri në tetor 2024”.

Në projekt vendim UNESCO thotë se “ mirëpret punën e vazhdueshme për të siguruar që Ministria e sapo krijuar e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore”.

Projekt vendimi thekson “se për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive, prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohen në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi.”

UNESCO në projekt vendimin e saj thotë se “kërkon për më tepër që Shqipëria të japë sqarime për Qendrën e Trashëgimisë Botërore mbi rregulloret aktuale mbrojtëse dhe përdorimet e përcaktuara për të gjitha zonat e Parkut Kombëtar në lidhje me mbrojtjen e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës tampon, dhe mbi mënyrën se si regjimet e ndryshme të menaxhimit do të harmonizohen për të shmangur fragmentimin”.

Në projekt vendim Komiteti i Trashëgimisë Botërore “shpreh keqardhje që qartësimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon është ende në pritje dhe i kërkon Shqipërisë që të paraqesë, si çështje prioritare, një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufirin e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe kufirin e zonës tampon që Qendra e Trashëgimisë Botërore ta marrë në shqyrtim”.

Lidhur me dokumentet e UNESCO-s, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit tha përmes një deklarate se e gjen projekt-vendimin dhe raportin analitik si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt.

Por MEK nuk dha sqarime përse autoritete shqiptare nuk po e dorëzojnë hartën e kufijve të rinj të Butrintit në UNESCO dhe si do të arrihet ligjërisht autoriteti i kësaj Ministrie në gjithë Parkun Kombëtar të Butritnit, kur një pjesë e tij që njihet si qyteti antik do të jetë nën administrim të një organizate joftimprurëse për dhjetë vite.

Autoritetet qeveritare shqiptare ndërmorën kohët e fundit takime intensive me drejtues të Unescos të cilat shihen nga analistët e pavarur si një përpjekje për të zbutur qëndrimet e ashpra të UNESCO-s që u refletuan në një raport të një misioni monitorimi tetorin e vitit të shkuar lidhur me Butrintin.

Raporti u bë publik nga Zëri i Amerikës pasi autoritetet shqiptare nuk dhanë miratimin që UNESCO ta publikonte raportin në faqen zyrtare.

Gjykata Kushtetuese vendosi në prill me një rezultat të ngushtë 5 me 4 të anëtarëve të saj për rrëzimin e kërkesës së një grupi deputetësh të opozitës që kërkonin shfuqizimin e marrëveshjes për administrimin në Parkun Kombëtar të Butrintit.

Sipas marrëveshjes zona A3 e Parkut Kombëtar të Butrintit që njihet si qyteti antik do të administrohet për dhjetë vite nga një organizatë jofitimprurëse në formë Fondacioni krijuar nga ministria shqiptare e Kulturës dhe Fondacioni shqiptaro-amerikan për Zhvillimin (AADF)./voa/KultPlus.com

Gonxhja: Butrinti, mbi 38 mijë vizitorë në pesë muaj

Nga rrënojat antike deri tek peizazhet natyrore, Butrinti vijon të mbetet destinacioni unik që tërheq vizitorët nga e gjithë bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bën të ditur se “vetëm gjatë pesëmujorit të parë të vitit, Parku i Butrintit mirëpriti 38,285 vizitorë, 79.4% më shumë krahasuar me vitin 2023”.

Sipas tij, rreth 52% e vizitorëve kanë qenë turistë nga vende të ndryshme të botës.

Butrinti është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit.

Butrinti ky thesar i lashtësisë që ruan historinë e qytetërimeve të mëdha ka qenë dëshmitar i shumë epokave nga antikiteti deri në mesjetë. Rrugët e tij antike mbartin gjurmët e Romës, të bizantit, venecianëve dhe ende dëshmojnë për madhështinë e qytetit në kohët e lashta.

Mes rrënojave të lashtësisë muzeu i Butrintit shfaq një kronologji të historisë mijëra vjeçare të qytetit antik. Teatri i Butrintit ka pritur shfaqje dhe rituale të shumta gjatë shekujve dhe është një dëshmi e kulturës dhe artit të lashtësisë. Në zemër të tij ndodhen bazilika dhe nimfeumi që tregojnë ndërthurjen unike të arkitekturës dhe religjionit.Mozaikët e ruajtur me kujdes me figurat e tyre të ndërlikuara me rrëfejnë histori të rralla për jetën dhe traditën e pasur të këtij vendi magjik./atsh/KultPlus.com

100-vjetori i rizbulimit të Butrintit, tradita e arkeologjisë italo-shqiptare

Butrinti vijon të jetë protagonisti i madh i Javës së Italisë. Pas spektaklit të baletit bashkëkohor në amfiteatrin e Parkut Arkeologjik, u mbajt edhe konferenca “Butrinti Njëqind. Një traditë aktuale e arkeologjisë italo-shqiptare”, për nder të arkeologut të njohur Luigi Maria Ugolini, me rastin e njëqindvjetorit të misionit që çoi në rizbulimin e Butrintit.

Konferenca u zhvillua në mjediset e Muzeut Arkeologjik Tiranë, ku ishin të pranishëm arkeologë, studiues, botues, përfaqësues të Institutit Italian të Kulturës e të tjerë.

Prej vitesh në Shqipëri organizohen ekspedita arkeologjike nga një grup i përbashkët italo-shqiptar. Në këtë konferencë u prezantua libri i Luigi M. Ugolini “Butrinti, Miti i Eneas-Gërmimet”, i përkthyer në shqip.

Konferenca u organizua nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Departamentin e Historisë Kulturave Qytetërimeve, Seksionin e Arkeologjisë pranë Universitetit të Bolonjës, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Muzeun Arkeologjik Tiranë.

Instituti Italian i Kulturës me këtë rast, u shpreh se përfitojnë nga rasti për të festuar rizbulimin e Butrintit dhe fillimin e një bashkëpunimi arkeologjik mes Italisë dhe Shqipërisë, në këtë 100-vjetor të udhëtimit të parë eksplorues të arkeologut italian Luigi Maria Ugolini në Shqipëri./atsh/KultPlus.com

Konferencë kushtuar Butrintit në 100-vjetorin e ekspeditës së arkeologut Ugolini

 100 vjet më parë nisi misioni arkeologjik i udhëhequr nga arkeologu italian Luigi Maria Ugolini (1895-1936).

Ugolini në fillimshekullin e shkuar, konsiderohej si një nga figurat kryesore të arkeologjisë italiane, ku me krijimin e qeverisë fashiste në vitin 1924, iu ofrua mundësia për të udhëhequr një mision gërmimi në Shqipëri. Hulumtimet e tij çuan atë drejt Finiqit, qytetit antik të Foinikes në afërsi të Butrintit në jug të Shqipërisë, nga gërmimet e të cilit u zbuluan pjesët kryesore të teatrit, së bashku me një grup statujash, baptisterin e antikitetit të vonë dhe shumë monumete të tjera. Falë atij udhëtimi aventuresk të ndërmarrë në pranverën e vitit 1924, Ugolini gjeti vendin e vizituar nga Enea në historinë e njohur virgjiliane. Gërmimet në sitin e Finiqit, zgjatën dy vjet, përpara se të spostoheshin në Butrint, ku Ugolini punoi intensivisht deri në fund të ditëve të tij.

Njëqind vjet pas udhëtimit të parë eksplorues të arkeologut italian Luigi Maria Ugolini në Shqipëri, institucionet kulturore shqiptare e italiane do të organizojnë një conference titulluar “Butrinti njëqind. Një traditë aktuale e arkeologjisë italo-shqiptare”.

Konferenca është organizuar nga Instituti Italian i Kulturës në bashkëpunim me Ambasadën Italiane në Tiranë, Departamentin e Historisë Kulturave Qytetërimeve, Seksioni i Arkeologjisë pranë Universitetit të Bolonjës, Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si dhe Muzeun Arkeologjik Tiranë.

Ndërkohë, prej vitit 2000 është në funksion një bashkëpunim italo-shqiptar në rajonin e Kaonisë bregdetare, që korrespondon me Shqipërinë e sotme jugore, në kuadër të të cilit zhvillohen kërkime arkeologjike të përbashkëta mes Universitetit të Bolonjës dhe Institutit të Arkeologjisë Tiranë./atsh/KultPlus.com

CN Traveller: Tirana dhe Berati mes qyteteve më të lira evropiane për të kaluar pushimet

Pushimet në qytet mund të jenë një nga mënyrat më efektive për t’u njohur me kulturën e një vendi, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen britanike “CN Traveller”.

Pavarësisht nëse është një fundjavë që të rrëmben në rrjedhën e saj të shpejtë, ose dy javë njohjeje me një lagje të re, pushimet në qytet ofrojnë një zhytje të plotë dhe të thellë në historinë e vendit, që rrallë mund ta bëjnë resortet e plazheve dhe hotelet e largëta.

Më poshtë do të gjeni disa nga qytetet evropiane ku mund të kaloni pushimet me çmime të përballueshme në vitin 2024.

Gjithashtu kemi përfshirë edhe disa nga pushimet tona të preferuara në qytetet evropiane që mund të jenë më pak të njohura, si Klagenfurt në Austri dhe Berati në Shqipëri.

Tiranë, Shqipëri
Berat, Shqipëri
Vilnius, Lituani
Stamboll, Turqi
Izmir, Turqi
Krakov, Poloni
Mostar, Bosnjë-Hercegovinë
Lisbonë, Portugali
Athinë, Greqi
Riga, Letoni
Zagreb, Kroaci
Lille, Francë
Budapest, Hungari
Klagenfurt, Austri
Kaunas, Lituani
Brasov, Transilvani, Rumani
Sofje, Bullgari
Tbilisi, Gjeorgji

Tiranë, Shqipëri

Dhjetë vjet më parë, Shqipëria rrallë se mund të ishte në radarin e britanikëve që dëshironin pushime në qytet. Kjo është duke ndryshuar shpejt.

Mediat sociale kanë promovuar bukurinë e shtrirjeve bregdetare të Shqipërisë duke ngjallur interes për destinacionin dhe nga ana tjetër, shumë vizitorë kanë zgjedhur të eksplorojnë vendin duke kaluar një fundjavë në kryeqytet.

Që pas daljes nga regjimi komunist në vitet 1990, qyteti është i gjallë me ngjyra dhe plot kuriozitet.

Mësoni për të kaluarën magjepsëse të Shqipërisë në Muzeun Historik Kombëtar përpara se të bëni pazar dhe të pini një kafe në Bllokun luksoz.

Më e rëndësishmja, Tirana ofron akomodime me dhomat më të lira në Evropë.

“Hotel Mondial” është vendi i përsosur për t’u akomoduar – me katër yje – pas ditëve të gjata duke eksploruar peizazhet natyrore dhe pamjet e qytetit.

Berat, Shqipëri

Ashtu si shtëpizat tradicionale prej guri të Pulias ose ndërtesat tërësisht blu të Chefchaouen, shtëpitë e paharrueshme osmane të bardha të Beratit janë krejtësisht unike në ekzistencën e tyre kolektive dhe ndikimin vizual.

Bujtinat dhe hotelet si “Hotel Vila Aleksandër” apo “Hotel Mangalemi” ofrojnë dhoma të thjeshta dhe tradicionale ku mund të akomodoheni me çmime të përballueshme – të dyja rreth 40 euro nata.

Ngjituni rrugëve të pjerrëta me kalldrëm për të vizituar Kështjellën e Beratit të shekullit të XIII (hyrja është falas) dhe shijoni pamjen e qytetit “të një mbi një dritareve” nga lart. ATSH/ KultPlus.com

Shqipëria nuk u përgjigjet kritikave të UNESCO-s për Butrintin

Shqipëria publikoi të hënën raportin për Parkun Kombëtar të Butrintit, që do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, në Indi, në korrik të këtij viti. Raporti prej 170 faqesh i Ministrisë shqiptare të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit anashkalon përgjigjet për disa nga kritikat e forta të misionit të UNESCO – ICOMOS.

Në raportin e monitorimit, që iu dorëzua autoriteteve shqiptare në shtator të vitit 2023, misioni i UNESCO-s shprehte “shqetësim të thellë” për ndryshimin e kufijve të Parkut Kombëtar të Butrintit nga qeveria shqiptare me heqjen e 600 hektarëve pa dijeninë dhe miratimin e organizatës.

Por sipas dokumenteve zyrtare, të para nga Zëri i Amerikës, nga Parku Kombëtar i Butrintit janë hequr 802 hektarë dhe sipërfaqja nga 9424 hektarë që ishte, tani është 8622 hektarë.

Vendimi i qeverisë shqiptare në janar të vitit 2022 për kufijtë e rinj të Butrintit dhe vendimi i një muaji më vonë për ndërtimin e një resorti në pjesën e hequr nga Parku Kombëtar nuk citohen në asnjë rresht të raportit të qeverisë shqiptare.

Po ashtu, raporti i palës shqiptare nuk u jep përgjigje konkrete kritikave të UNESCO-s edhe për modelin e ri të menaxhimit të qytetit antik të Butrinit, të njohur si zona A-3, përmes një organizate jofitimprurëse (Fondacioni) të krijuar nga Ministria shqiptare e Kulturës në partneritet me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).

Misioni i UNESCO-s thotë në raportin e vitit 2023, se menaxhimi vetëm i zonës A-3 me rreth 614,3 hektarë, nuk përmbush kërkesat e UNESCO-s për një menaxhim të integruar të Butrintit, që kombinon arkeologjinë, monumentet dhe pjesën natyrore.

Misioni i UNESCO-s ka kërkuar gjithashtu që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin e “shtetit palë” për Butrintin, ku organizata kërkon përgjegjësitë shtetërore në përputhje me standartet botërore të vendosura nga UNESCO.

“Marrëveshjet mes Ministrisë se Kulturës, AADF-se dhe Fondacioni i ri nuk japin një zgjidhje të përshtatshme, pasi nuk janë përgjegjëse për menaxhimin e pasurisë së Trashëgimisë Botërore si të tillë”, thotë misioni.

Pala shqiptare i përgjigjet UNESCO-s se Fondacioni i Menaxhimit të Butrintit, në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të përshtasin Planin e Veprimit dhe do të punojnë drejt një marrëveshjeje ku Ministria e Kulturës të ketë autoritetin tërësor mbikëqyrës për Butrintin dhe përgjegjësinë ndaj Komitetit të Trashëgimisë Botërore.

Në realitet Ministria e Kulturës nuk ka hapësirë për një marëveshje të re, pasi marrëveshja aktuale për krijimin e Fondacionit të ri ka një afat 10 vjeçar. Gjithashtu, Ministria e Kulturës nuk e ka shumicën në Bordin e Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit si organi më i lartë vendimarrës.

Bordi i Fondacionit përbëhet nga pesë anëtarë, të kryesuar nga ministri përgjegjës për kulturën, dy përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, drejtori i Instituti Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe një ekspert ndërkombëtar.

Raporti i palës shqiptare duket se nuk plotëson edhe disa nga kërkesat që Qendra Botërore e Trashëgimisë u ka drejtuar autoriteteve shqiptare përmes një letre dërguar ambasadores shqiptare në UNESCO, Besiana Kadare, tetorin e vitit të shkuar.

Ndërsa UNESCO ka kërkuar “informimin nga Shqipëria mbi masat për mbrojtjen dhe menaxhimin e integruar të pronës dhe zonës së saj tampon”, autoritetet shqiptare duket se nuk e kanë ende gati këtë plan për t’ia dorëzuar Komitetit të Trashëgimisë Botërore.

“Puna e nisur po ndiqet me takime teknike që synojnë përgatitjen e një plani të detajuar veprimi afatshkurtër dhe afatgjatë, për zbatimin e rekomandimeve të UNESCO-ICOMOS”, thuhet në raportin e palës shqiptare.

Një tjetër kërkesë e UNESCO-s lidhet me “sqarime të detajuara dhe një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufijtë e pronës dhe zonës tampon, siç është miratuar nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në 2007”.

Kjo hartë ende nuk është përgatitur nga autoritetet shqiptare dhe nuk është përfshirë në raport.

“Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit do të përgatisë një hartë të detajuar dhe të saktë, në bashkëpunim dhe nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, thuhet në raport.

Por kjo bie ndesh me përgjegjësitë e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, i cili sipas ligjit të miratuar nga parlamenti shqiptar, ka në administrim dhe mandat për të vepruar vetëm në zonën A-3 të Parkut me rreth 614,3 hektarë dhe jo për gjithë Parkun Kombëtar të Butrintit që aktualish është 8622 hektarë.

Zhvillimet me kufijtë e Parkut Kombëtar të Butrintit janë parë me tone mjaft kritike nga Misioni i fundit i UNESCO-s, pasi ato janë në kundërshtim edhe me rekomandimet e Planit të Menaxhimit të Butrintit që vetë qeveria shqipare kishte miratuar në vitin 2020.

Plani i menaxhimit propozonte vetëm një rishikim kufijsh prej 50 deri në 150 hektarë që përbënin zonën ndërtimore të Ksamilit dhe krijimin e një brezi të gjelbër për të frenuar ndërtimet e mëtejshme, por jo heqjen e 802 hektarëve nga Parku Kombëtar.

Zëri i Amerikës verifikoi në sistemin shtetëror shqiptar të gjeohapësirës (ASIG) hartën aktuale të Parkut Kombëtar të Butrintit ku pasqyrohet ndryshimi i kufijve dhe ku tani është jashtë zonës së mbrojtur zona bregdetare nga kanali i Çukës, në pjesën fundore bregdetare të Ksamilit.

Raporti i palës shqiptare për Komitetin e Trashëgimisë Botërore për Butrintin nuk përmend asnjë fakt për zhvillimet në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë lidhur me Butrintin.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kanë kërkuar kësaj gjykate që ta shfuqizojë si anti-kushtetues ligjin mbi administrimin e Parku Kombëtar të Butrintit.

Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare në seancën plenare të nëntorit të viti të shkuar në Gjykatën Kushtetuese nuk e paraqitën Raportin e UNESCO-s, megjithëse prej shtatorit të vitit të shkuar raporti i ishte dorëzuar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, por nuk ishte bërë publik nga UNESCO pasi pala shqiptare nuk kishte dhënë pëlqimin.

Gjykata Kushtetuese, në një gjest të pazakontë, në janar të këtij viti, bëri një ndryshim të procedurave të saj, duke i kërkuar qeverisë raportin e UNESCO-s dhe rihapi seancën plenare për Butrintin.

Ministri i ri i Kulturës dhe Ekonomisë Blendi Gonxhe nuk e ka firmosur kalimin e Parkut në administrimin e Fondacionit të ri, që sipas ligjit të miratuar në Parlament duhet të bëhej më 14 shkurt të këtij viti.

Zoti Gonxhe, përmes një statusi në rrjetet sociale u shpreh se “donte të siguronte opinionin publik për vëmendjen maksimale për mirëadministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa, që ka udhëhequr nismën e deputetëve opozitarë në Gjykatën Kushtetuese, ka deklaruar se beteja për Butrintin është një betejë për identitetin, historinë dhe trashëgiminë shqiptare. /VOA/KultPlus.com

Plani i menaxhimit të Butrintit, Gonxhja: Kryefjalë do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja

Ministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, Blendi Gonxhja deklaroi sot se do të ketë në vëmendje maksimale miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja theksoi se “në cilësinë e Ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore dhe njëkohësisht si Kryetar i Bordit Drejtues të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit (për shkak të funksionit), siguroj opinionin publik për angazhimin dhe vëmendjen maksimale për miradministrimin e procesit sfidues të ndryshimit të modelit të menaxhimit të pasurisë kulturore universale të Parkut Kombëtar të Butrintit, në zbatim të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe të kuadrit ligjor shqiptar në fuqi”.

“Unë dhe ekipi vlerësojmë gjithashtu rolin e AADF në bashkëpunimin e shkëlqyer për arritjen e parakushteve optimale në mbështetjen e Fondacionit të Menaxhimit të  Butrintit  (BMF) për investimin e çmuar në përthithjen e ekspertizës më të mirë bashkëkohore, teknike e profesionale, të denjë për rëndësinë e pasurisë botërore në fjalë, dhe të domosdoshme për suksesin e kësaj ndërmarrjeje të jashtëzakonshme ku shteti shqiptar është lider, në të mirën e interesit publik dhe ku kryefjala do të jetë transparenca dhe gjithëpërfshirja”, tha Gonxhja.

I ndodhur në jug të vendit, gati 20 kilometra nga qyteti modern i Sarandës dhe me pamje drejt Kanalit të Korfuzit, Butrinti është siti më i rëndësishëm arkeologjik dhe atraksioni më i njohur kulturor i Shqipërisë.

Në korrik të vitit 2020, qeveria shqiptare miratoi një plan menaxhimi të integruar për të mbrojtur zonën dhe për të promovuar turizmin e qëndrueshëm me bazë komuniteti dhe të ndjeshëm ndaj mjedisit. Plani çoi në krijimin e një organi të ri autonom për mbikëqyrjen e zonës, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, i drejtuar nga Ministria e Kulturës e kohës./atsh/KultPlus.com

‘MSN’: Butrinti ndër qytetet e bukura të lashta që duhet të vizitoni

Ndërsa qytetet e mëdha të përhapura janë sigurisht një fenomen modern, qendrat urbane kanë ekzistuar në të gjithë globin për të paktën 6000 vjet, sipas një artikulli të Joanna Czechowska të botuar në “MSN Travel”.

Qoftë si rezultat i konfliktit njerëzor apo fatkeqësive natyrore, shumë metropole janë përballur me kohë të vështira dhe megjithatë rrënojat e tyre qëndrojnë sot, duke ofruar një dritare në një botë të zhdukur.

Butrint, Shqipëri

I banuar që nga kohërat parahistorike, Butrinti në Shqipërinë e Jugut ka një histori mjaft të madhe.

Fillimisht ishte një koloni greke, një qytet romak, një qendër peshkopale, një postë bizantine dhe e pushtuar për pak kohë nga venedikasit.

Deri në shekullin e IV para Krishtit, metropoli në rritje përfshinte një teatër, një akropol dhe një forum ndërsa në shekullin e I pas Krishtit, perandori romak August Cezari e zgjeroi më tej qytetin duke ndërtuar një ujësjellës dhe banjë.

Falë të kaluarës së tij të trazuar, Butrinti ka një ndërthurje stilesh arkitekturore që përfshijnë tre mijëvjeçarë të historisë mesdhetare.

Mozaiku i jashtëzakonshëm në dyshemenë e Baptisterit të shekullit të VI, një homazh ndaj krishterimit, është një spektakël mahnitës.

Qyteti është ndërtuar në një gadishull në një peizazh kënetor mes gjelbërimit në atë që sot është një Park Kombëtar./atsh/KultPlus.com

Klubi ‘Butrinti’ shpallet kampion kombëtar në shah

 Klubi i shahut “Butrinti” është shpallur sërish kampion kombëtar, në Kampionatin e 49-të Ekipor të Shahut. Pas 7 ndeshjeve të zhvilluara, me 6 fitore dhe vetëm 1 barazim, ekipi i Butrintit ka treguar se është i pandalshëm.

Kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaçi ka falenderuar ekipin e shahut dhe trajnerin, për përkushtimin dhe pasionin e tyre të paepur. “Jemi shumë krenarë për ju”, shkroi Çaçi në rrjetet sociale, duke bërë edhe premtimin se Bashkia Sarandë do të vazhdojë të jape mbështetjen e saj për këtë sport.

“Bashkia Sarandë do të vazhdojë të mbështesë talentet tona dhe sportin që përfaqëson Sarandën me dinjitet në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare”, ka deklaruar Çaçi.

Ky është i dyti vit radhazi që “Butrinti” i Sarandës fiton titullin kampion. Në vend të dytë u rendit “Teuta” e Durrësit dhe në vend të tretë “Partizani”./atsh/KultPlus.com

Parku Kombëtar i Butrintit vizitohet nga arkitekti me famë botërore, Kuma projektoi qendrën e re të vizitorëve të këtij parku

Arkitekti me famë botërore Kengo Kuma ka vizituar Parkun Kombëtar të Butrintit, shkruan KultPlus.

Arkitekti i njohur kishte projektuar qendrën e re të vizitorëve të këtij parku kombëtar, që edhe vlerësohet të jetë aset për shtetin, pasi që vula e tij arkitektonike vlerësohet të jetë e rëndësishme që është edhe brenda Shqipërisë.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e ministres Margariti./ KultPlus.com

Butrinti, qyteti antik që po tërheqë mijëra turistë

Butrinti është një nga vendet më atraktive të Shqipërisë. Ky qytet shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Shqipërisë, rreth 20 km larg qytetit të Sarandës, përcjellë KultPlus.

Në lashtësi njihej me emrin Buthrotum, dhe ishte i banuar nga fisi i kaonëve, një prej fiseve kryesore të Epirit. Disa nga ndërtesat e këtij vendi antik datojnë ndërmjet shekujve të IV para Krishtit dhe shekullit të VI pas Krishtit.

Butrinti është një nga perlat e rivierës shqiptare, ku arkitektura e këtij qyteti antik bën një ndërthurje të hatashme mes historisë dhe të bukurës.

Në vitin 2019 qyteti antik ishte vizituar prej më shumë se 230 mijë turstësh./KultPlus.com

“Lonely Planet” artikull për Butrintin: Udhëtohet edhe nëpër kohë

Një nga kompanitë më të mëdha mediatike që merret me promovimin e dhe kontrollin e cilësisë së turizmit në të gjithë botën, “Lonely Planet”, ka bërë një artikull për qytetin antik të Butrintit, të cilin e ka titulluar “Në Butrint të Shqipërisë udhëtohet (edhe) nëpër kohë”.

Shkrimi jep një panoramë të gjerë të qytetit të lashtë, ku përshkruan kohën se kur daton, vendndodhjen gjeografike, por gjithashtu citon edhe mitologjinë klasike, konkretisht poetin e lashtë romak Virgjilin.

Në artikull shkruhet: “Nga këta shekuj të parë, ka ende gjurmë të dukshme në zonën arkeologjike. Një pyll i dendur dhe i qetë dhe, në mes të tij, pamje të arkitekturës antike. Këto janë gjurmët e kalimit të qytetërimeve të shumta, të cilat nga shekulli i VIII pr.e.s. e tutje, u alternuan në këtë segment të bregdetit në jug të Shqipërisë.

Në këtë shtrirje jugore të Shqipërisë, jo shumë larg kufirit me Greqinë, bregdeti krijon një hyrje të thellë që i ngjan një liqeni të brendshëm. Është liqeni i Butrintit në fakt dhe lidhet me detin Jon nëpërmjet kanalit të Vivarit.

Pikërisht përgjatë rrjedhës së këtij kanali të qetë ndodhet një gadishull i vogël, i gjelbëruar dhe i rrumbullakosur, i pushtuar tërësisht nga Parku Arkeologjik i Butrintit, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s që nga viti 1992. Sipas mitologjisë klasike, megjithatë, të mërguarit që u larguan nga Troja pas rënies së saj do të kishin themeluar qytetin e njohur në kohët e lashta si Buthrotum dhe është gjithmonë poeti Virgjili ai që kujton se Enea vizitoi Butrintin gjatë udhëtimit të tij në Itali”.

Në artikull nuk mungojnë as të dhëna historike që janë shkruar pë qytetin antik të Butrintit, si periudha kur ai u pushtua nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të 19-të, ku citohet: “Por historia e Butrintit nuk përfundon me Perandorinë Romake. Qyteti ishte një rezidencë peshkopale në shekullin e 5-të, më pas u mor nga venecianët, iu dorëzua Napoleonit, më në fund u pushtua nga Ali Pasha në fillim të shekullit të 19-të”.

Artikulli përfundon shkrimin me një rekomandim për të gjithë turistët, se kur mund të jetë koha e duhur për të vizituar këtë qytet antik, e ku nuk lë pa përmendur as bregdetin e Sarandës, si një destinacion që nuk duhet humbur: “Rreth njëzet kilometra larg Butrintit ndodhet qyteti i Sarandës, një destinacion kryesor për ata që ëndërrojnë një pushim plazhi mes plazheve të bardha dhe ujërave të kristalta.

Vlen të organizohet një vizitë në zonën arkeologjike të Butrintit në sezonin e ulët ose, nëse kjo nuk është e mundur, në kohë më pak të ngarkuara, si në mëngjes herët, për të shmangur turmat”./ rtsh / KultPlus.com

Butrinti me vizitorë në çdo stinë

Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës vijon të tërheqë turistët vendas e të huaj edhe pse nuk ka nisur ende sezoni turistik.

Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrintit, tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-mars ky park u vizitua nga 2591 vizitorë vendas e të huaj”.

“Konkretisht gjatë muajit janar parku u vizitua nga 430 turistë, në shkurt nga 729 turistë dhe në mars nga 1432 vizitorë, nga të cilët 487 vizitorë vendas, 741 vizitorë të huaj dhe 204 vizitorë pa biletë. Gjatë muajit mars 2023 nga shitja e biletave janë gjeneruar në total 101 75 00 lekë nga të cilët 342 100 lekë nga vizitorët vendas, 675 400 lekë nga vizitorë të huaj”, tha Dhima.

Sipas saj, turistët gjatë vizitës në park shijojnë një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta dhe peizazhit fantastik, që ky vend të ofron në çdo stinë.

“Në muajt në vijim pritet një fluks më i lartë i vizitorëve në parkun kombëtar të Butrintit”, tha Dhima.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit. / atsh / KultPlus.com

Tare: Muzeu britanik korrigjon gabimin, Butrinti cilësohet vendndodhje në Epir

Studiuesi dhe anëtari i Këshillit Shkencor të UNESCO-s, Auron Tare njoftoi se muzeu britanik (British Museum), ka vendosur të ndryshojë emrin e vendgjetjes së një koleksioni monedhash nga Buthrotum Epirus Greece në Buthrotum Epirus Albania.

Tare ka sqaruar se muzeu britanik reagoi shpejt pas letrës që i dërgoi Drejtorit të Përgjithshëm për saktësinë e terminologjisë së përdorur për të përshkruar Butrintin si qytet grek.

“Falë kuratorit të Departamentit të Monedhave dhe Medaljeve të Muzeut Britanik, Tom Hockenhull u përgjigj me një term të saktë duke identifikuar saktë origjinën e koleksionit të monedhave nga Butrinti si Buthrotum, Shqipëria moderne Epiri”, ka nënvizuar Tare.

Në një prononcim për median për këtë çështje, Tare informoi se, “është një koleksion monedhash romake të gjetura me sa duket në zonën e Butrintit”.

“Koleksioni ka në British Museum diku tek 110 vjet. Nuk ka një ide të saktë nga kanë ardhur, por ka një indicie që mund të jetë një koleksionist anglez, i cili jetonte në Korfuz në fundin e 1800-ës dhe më vonë ia ka falur këtë koleksion muzeumit britanik. Është një koleksion interesant se për herë të parë në atë kohë zbulohej se Butrinti kishte një ujësjellës të ndërtuar në kohën e perandorit August dhe monedhat ishin të prodhuara në Butrint”, u shpreh Tare.

Tare tha se, “është e rëndësishme që një institucion me atë rëndësi siç është British Museum ndryshon toponimin e vendgjetjes së koleksionit dhe kjo është shumë e rëndësishme për historinë antike shqiptare, por dhe për debatin shekullor të zonave të Epirit. Fakti që muzeu britanik e kishte të cilësuar vendndodhjen e Butrintit si Epir grek ishte një gabim i rëndësishëm që u korrigjua në mënyrë xhentëllmenësh. Pra muzeu reagoi menjëherë dhe vendosi ta ndryshonte”./ atsh / KultPlus.com

Butrinti, qyteti antik që po tërheqë mijëra turistë

Butrinti është një nga vendet më atraktive të Shqipërisë. Ky qytet shtrihet në pjesën jug-perëndimore të Shqipërisë, rreth 20 km larg qytetit të Sarandës, përcjellë KultPlus.

Në lashtësi njihej me emrin Buthrotum, dhe ishte i banuar nga fisi i kaonëve, një prej fiseve kryesore të Epirit. Disa nga ndërtesat e këtij vendi antik datojnë ndërmjet shekujve të IV para Krishtit dhe shekullit të VI pas Krishtit.

Butrinti është një nga perlat e rivierës shqiptare, ku arkitektura e këtij qyteti antik bën një ndërthurje të hatashme mes historisë dhe të bukurës.

Në vitin 2019 qyteti antik ishte vizituar prej më shumë se 230 mijë turstësh./KultPlus.com

Ekspozitë për 30-vjetorin e Butrintit në UNESCO

Në kuadër të 30-vjetorit të Butrintit në UNESCO, në muzeun arkeologjik është vendosur një ekspozitë fotografike. Në të shfaqen gjithë etapat e zhvillimit të Butrintit si qendër arkeologjike.

Fotot paraqesin vitet ’30 ku u ndërmorën gërmimet e para arkeologjike e në vazhdim. Ekspozita sjell edhe foto të ndërhyrjeve konservuese të monumenteve, si dhe pamje nga mjedisi mbresëlënës që kjo pasuri botërore ka.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 14 dhjetor, data që përkojnë me sesionin e 16-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në vitin 1992.

30 vite më parë në Santa Fe të Nju Meksikos, u mblodh sesioni i 16-të i Komitetit të Trashëgimisë Botërore. Komiteti analizoi dhe përditësoi listën e pasurive botërore prej datës 7-14 dhjetor të 1992, duke klasifikuar për herë të parë qytetin antik të Butrintit pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore sipas kriterit (C III).

Prej këtij sesioni e në vazhdim kufijtë e hartës së Butrintit si Pasuri Botërore e UNESCO-s kanë ardhur duke u zgjeruar, e në vitin 2007 gjithë territori i Parkut Kombëtar Butrint aprovohet si zonë buferike për pasurinë botërore. /atsh /KultPlus.com

95 vjet më parë, Ugolini informonte për zbulimin e Butrintit

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave nëpërmjet dokumenteve solli sot në kujtesë se më 7 dhjetor të vitit 1927, kreu i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini u dërgoi një letër autoriteteve shqiptare, duke i informuar se synonte të eksploronte Butrintin gjatë vitin 1928.

Puna me gërmimet e kryesuar nga Ugolini filloi atje në shkurt të vitit 1928 deri në vitin 1936, dhe pas tij punimet i vazhdoi P. Markoni dhe më vonë D. Mustilli deri në vitin 1940.

Hulumtimet e çuan Ugolinin edhe drejt Finiqit, qytetit antik të Foinikes në afërsi të Butrintit. Nga gërmimet u zbuluan pjesët kryesore të teatrit, së bashku me një grup statujash fine, baptisterin e antikitetit të vonë dhe shumë monumente të tjera. Në vitin 1931 Ugolinit iu ofrua mundësia për të punuar në ishullin e Maltës, ku udhëhoqi një projekt gërmimi për disa vite me radhë deri sa vdiq.

Siti arkeologjik i Butrintit se bashku me parkun natyror që e rrethon atë është monument kulture dhe trashëgimi botërore e mbrojtur nga UNESCO, që prej vitit 1992. Parku Kombëtar i Butrintit, i cili ndodhet 18 kilometra në jug të Sarandës, zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 9,424 hektarësh, një sipërfaqe e përbërë nga kodra, liqene, ligatina, këneta të kripura, fusha të gjera, moçalishte dhe ishuj. Brenda tij është konfirmuar ekzistenca e 1,200 specieve të ndryshme kafshësh dhe bimësh. /atsh /KultPlus.com

Rritet me 61% numri i vizitorëve të Parkut Kombëtar të Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit këtë vit është vizituar nga një numër i madh turistësh vendas e të huaj. Krahasuar me një vit më parë është regjistruar rritje me 61%, ose 33225 vizitorë më shumë se viti i kaluar, për periudhën nga muaji janar deri në fund të nëntorit 2022.

Kjo ka bërë që rrjedhimisht të rriten edhe të ardhurat, me 51,8%.

Parku Kombëtar i Butrintit, i cili ndodhet 18 kilometra në jug të Sarandës, zë një sipërfaqe të përgjithshme prej 9,424 hektarësh, një sipërfaqe e përbërë nga kodra, liqene, ligatina, këneta të kripura, fusha të gjera, moçalishte dhe ishuj. Brenda tij është konfirmuar ekzistenca e 1,200 specieve të ndryshme kafshësh dhe bimësh.

Në këtë sipërfaqe të Parkut Kombëtar përfshihet edhe siti arkeologjik i Trashëgimisë Botërore të Butrintit. Parku i Butrintit është monument kulture dhe trashëgimi botërore e mbrojtur nga UNESCO, që prej vitit 1992. /atsh / KultPlus.com

Butrinti, destinacioni i rreth 35 mijë turistëve vendas e të huaj në 7 muaj

Qyteti antik i Butrintit në Sarandë, ka shënuar në 7 muajt e parë të këtij viti një numër të lartë turistësh vendas dhe të huaj.

Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrintit, tha për ATSH-në se “gjatë muajit janar-korrik Butrinti u vizitua nga 34 61 turistë vendas e të huaj, një rritje me 72 % ose 14 483 vizitorë më shumë se në 2021”.

Sipas saj, gjatë janar-korrik 2021 Butrinti u vizitua nga 20 135 vizitorë vendas e të huaj.

“Sa i përket të ardhurave nga biletat për mujorin janar-korrik të këtij viti kanë rritur me 68.7% ose 103 01 600 lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, tha Dhima.

Turistët në këtë vend shijojnë një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta dhe peizazhit fantastik që ky vend të ofron në çdo stinë.

Butrinti sot është një kompleks arkitektonik me 15 zona të periudhave të ndryshme, nga shekulli IV para Krishtit deri në shekullin XVI pas Krishtit. Rëndësia historike e Butrintit është e jashtëzakonshme dhe të jesh në gjendje që të ecësh është një privilegj: statuja me gurë të bardhë nga epoka e August Oktavianit, Agripas, Antiohs, Serapisit, Livia Drusilas ngriheshin dikur këtu, si dhe vendi i lindjes së shumë qytetarëve të shquar në kohë të ndryshme apo gjeneralëve romakë gjatë epokës së ndritur të perandorisë kur qyteti quhej “Colonia Augusta Buthrotum” (Kolonia Augustiane Butrinti). / atsh / KultPlus.com

Kumbaro: Vetëm 3% e projektit të investimit në Butrint prekte kufirin e ish-zonës së mbrojtur

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro deklaroi sot në Kuvend se “vetëm 3% e projektit të investimit në Butrint prekte kufirin e ish-zonës së mbrojtur, ndërsa 97% e projektit shtrihet jashtë zonës, asnjëherë me status dhe në përputhje të plotë me Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Sarandë, ku parashikohet zonë zhvillimi, miratuar në vitin 2017 dhe që askush nuk e ka kontestuar”.

Në fjalën e saj në interpelancën e kërkuar nga deputeti i  Partisë Demokratike, Agron Shehaj, ministrja Kumbaro tha se “vetëm në hapësirën e Ksamilit deri në vitin 2009 janë dhënë 27 vendime të kthimit dhe kompensimit të pronave. Ne kemi një rekomandim të përhershëm nga UNESCO për aktualizimin e gjendjes së zonave të mbrojtura”.

Duke treguar hartën ku ndodhet edhe parku kombëtar i Butrintit,  Kumbaro tha se “në të gjithë këtë sipërfaqe brenda kësaj harte është qyteti antik, është ajo për të cilën UNESCO e shpalli trashëgimi botërore,  e gjithë sipërfaqja është 8 622 ha, këtu brenda kemi edhe qytetin antik edhe liqenin e Butrintit. Këtu janë edhe sipërfaqet ujore, lagunat, deti, ligatinat ku vetëm liqeni zë një sipërfaqe prej 1600 ha. Në këtë pjesë kemi habitate , shkëmbinj të zhveshur, ishuj sipërfaqe të banuara, toka bujqësore në të gjitha zonat, në të gjitha që përmendja kemi edhe pasuri nënujore, të pasura me një faunë që vlen të mbrohet”.

“Në të gjitha këto zona ka edhe nën zona, që ndihmojnë në planifikimin e zonave të mbrojtura.Kur parku u ravijëzua në fillim të viteve ’90  ishte i plotë  edhe Ksamili brenda. Ksamili ku kishte agrume, pak shtëpi tradicionale dhe në fillim te viteve ’90 konsiderohej një zonë e mbrojtur”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “Ksamili i sotëm është i urbanizuar kuturu, në 30 e ca kusur vite babëzie, ky është Ksamili sot, pa kriter pa planifikim”. /atsh / KultPlus.com

Margariti: Asnjë shkelje ligji në marrëveshjen për Butrintin, po hidhet baltë për të bërë politikë

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot në Kuvend se në rastin e Butrintit nuk po japim asnjë gjë me koncesion, nuk po shesim dhe nuk po dhurojmë asnjë gjë, por po ftojmë palë të tjera që të menaxhojmë së bashku një të mirë në emër të shtetit.

Gjatë diskutimit në Kuvend të dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, lidhur ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, Margariti tha se “është e turpshme ajo që dëgjojmë nga opozita vetëm për të bërë politikë”.

Sipas saj, “çështja e Butrintit është kthyer në çështje të një politike shterpë, ndërsa opozita dhe mazhoranca duhej të kishin qenë bashkë kur flitet për kulturën dhe trashëgiminë kulturore”.

Margariti tha se po hidhet baltë për të bërë opozitë.

“Kishim sigurinë se Presidenti në ikje do të këndonte edhe këngën e fundit të mjellmës.
Hamendësojnë jo vetëm ngritje të kullave, por filluam të dëgjojmë për kazino dhe diskoteka”, tha ajo.

Margariti shtoi se “ne kemi një pasuri kombëtare që duhet ta mbrojmë, rigjallërojmë dhe rivitalizojmë dhe t’i kthejmë dinjitetin”.

“Ne propozojmë mënyrën më të mirë të administrimit për të rimëkëmbur Butrintin. Ne ftojmë sektorin privat që të jetë pjesë e kësaj sfide. Nuk kemi shpikur ndonjë gjë që nuk e kemi dëgjuar më parë. Këto bota i ka krijuar vite më parë”, tha ajo.

Margariti shtoi se “nëse nuk funksionon ne kemi ngritur çdo mekanizëm për të ekuilibruar çdo ndërhyrje në çdo moment nëse pikat e kësaj marrëveshje shkelen”.

“Privati është një fondacion i nderuar që kishte krijuar shumë projekte të mira si me ne dhe me opozitën dhe e ka bërë këtë sepse ka parë përtej politikës. Ne nuk kemi frikë nga bashkëpunimi me privatin, ndërsa pretendimet e presidentin për shkelje të ligjeve janë akoma më absurde. Nuk ka asnjë shkelje dhe asnjë kundërshti në ligjin e 2018-ës për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, tha ajo. / atsh / KultPlus.com