Fier, nis në ‘Bylis’ Festivali i Aktrimit Apollon, 30 artistë ngjiten në skenë në edicionin e 15-të

Sonte në mbrëmje në Teatrin “Bylis” në Fier, ka startuar Festivali i Aktrimit Apollon, i cili është në edicionin e 15-të të tij.

Në vigjilie të kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore për Fierin, ku për 8 ditë e 7 net, arti skenik do të flasë nëpërmjet emrave më të spikatur të teatrit Kombëtar, kryebashkiaku Armando Subashi në konferencën për shtyp, ka pohuar se Festivali i Aktrimit Apollon, është finalizim i projektit “Për Teatrin” i nisur që në muajin shkurt dhe që përfundon në fund të Nëntorit ku përmes një thirrje publike, iu bë ftesë produksioneve më të mira teatrore në vend të cilat u përzgjodhën nga një juri prestigjoze.

Në këtë festival vijnë 5 shfaqje rivënie të teatrove të Durrësit, Tiranës, Prishtinës, teatro private dhe dy premiera, produksione të teatrit “ Bylis” ndërkohë për 7 net në skenë do të interpretojnë 30 artistë, si Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Zamira Kita, Gaz Paja etj. Po sipas kryebashkiakut, ky festival i dedikohet aktorit dhe për këtë vit janë shtuar edhe çmimet, ndërsa risi do të jenë çmimet” In Memorium” për dy artistët simbol të teatrit Fatos Sela dhe Hajrie Rondo si dhe dy çmimet e karrierës.

Teatri “Bylis” vjen në këtë festival me dy produksione, një shfaqje rivënie “ Pacienti i Doktor Froid” dhe premierë “ Klinika në breg të detit”.
Ndërkohë për Subashin sfidë mbetet gjetja e aktorëve të rinj, mungesa e të cilëve, po pengon rikthimin në identitet të trupës së teatrit
“Bylis”./balkanweb/ KultPlus.com

Rruga e re turistike drejt parkut arkeologjik të Bylisit, nxitje zhvillimit të zonës

I shtrirë në kodrat e Mallakstrës, si një nga qendrat më të rëndësishme të qytetërimit ilir, Bylisi, tashmë më afër vizitorëve vendas dhe të huaj, pas rikonstruksionit të aksit rrugor “Parku Arkeologjik Bylis – Levan – Tepelenë”.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndau në rrjete sociale, pamje të zonës ku shihet peizazhi i mrekullueshëm i bukurive natyrore që ndërthuren në këtë rajon dhe investimi në aksin rrugor që e bën më të prekshme këtë aset historiko- turistik, nga vizitorët dhe turistët.

Rikonstruksioni i rrugës “Parku Arkeologjik Bylis – Levan – Tepelenë”, është financuar nga Qeveria Shqiptare përmes një kredie nga BERZH, në kuadër të projektit të turizmit dhe infrastrukturës në Shqipëri.

Projekti i rrugës është realizuar bazuar në studime gjeologjike e mjedisore si dhe është bashkëpunuar dhe me përfaqësues të Parkut Arkeologjik Bylis, në mënyrë që të evitohet çdo impakt i mundshëm negativ në zonat me rëndësi për trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë.

Parku Arkeologjik i Bylisit, një thesar i fshehur në gjirin e Mallakastrës, ofron një pamje të mrekullueshme të historisë dhe kulturës së lashtë ilire.

Ky destinacion është një magnet për turistët që janë të interesuar për të zbuluar thesarin e pasur të trashëgimisë arkeologjike të Shqipërisë.

Në hyrje të parkut, vizitorët përballen me një peizazh të shkëlqyer natyror, me kodra të gjelbëruara që rrethojnë vendin. Në horizont, pamjet e rrënojave të lashta bëjnë që zemra të dridhet me emocion.

Kjo zonë është një muze i hapur nën qiell, që ofron një udhëtim emocionues nëpër kohë për të zbuluar pasurinë e lashtë të Bylisit.

Në brendësi të parkut, vizitorët ndeshen me strukturat e mrekullueshme të qytetit ilir të Bylisit. Ndër të tjera, një pamje e mahnitshme është amfiteatri i lashtë që ngrihet përpara tyre. Ky amfiteatër i lashtë ka një pamje impresionuese, duke u ngritur midis kështjellës së shkëlqyer dhe fushës së hapur. Kur shikon përgjatë mureve të tij të lashta, ndihesh i kapur nga ndjenja e përjetshme e historisë.

Përtej amfiteatrit, ruajtjen e mrekullueshme të strukturave të tjera arkitekturore të qytetit të vjetër ilir bëjnë të qartë që Bylisi ishte një qendër e rëndësishme në periudhën antike.

Rrënojat e tempujve dhe të banesave janë një dëshmi e fuqisë dhe kulturës së këtij qytetërimi të lashtë. Duke shkuar më tej në brendësi të parkut, vizitorët zhyten në historinë e lashtë të qytetit. Pikturat murale dhe skulpturat e zbuluara në vendngjarje tregojnë historinë e përvitshme të jetës dhe kulturës së popullsisë së lashtë ilire.

Pamjet e mrekullueshme të Parkut Arkeologjik të Bylisit nuk janë vetëm një shfaqje e këndshme për sytë, por ato shpalosin thellësinë e një trashëgimie të pasur historike dhe kulturore. Në këtë mjedis të pazakontë, vizitorët ndihen të lidhur ngushtë me kohën dhe historinë, duke bërë që kjo përvojë të jetë një udhëtim i paharrueshëm nëpër epokat e lashta të Shqipërisë.

Zbulohet stera 2300 vjeçare në sitin arkeologjik të Bylisit

Në sitin arkeologjik të Bylisit është zbukuar stera më e madhe (cisterna, siç e quanin romakët) dhe më e bukur e Ballkanit antik, që i përket shekullit III para Krishtit.

Historiani dhe studiuesi Neritan Ceka e cilëson cisternën antike më të vjetrën në Ballkan, që daton në shekullin e tretë para lindjes së Krishtit.

“Kjo është është pamja e cisternës dhe ka 6 ndarje, në shekullin e tretë para Krishtit shërbenin për mbledhjen e ujit që çonin në cisternën e madhe, 50 m e gjatë, 8 metra e thellë dhe 4 m e gjerë, zinte miliona litra ujë të stadiumit gjatë dimrit dhe ishte në shërbim të popullsisë ose rrethimeve ushtarake. Në këtë shesh mblidheshin rreth 10 mijë vetë gjatë festave të Dionisit.
Stera e ujit përbëhet nga gjashtë pjesë, ku është zbuluar vetëm njëra pjesë e saj”

Ndërkohë, gjatë gërmimeve kanë dalë në dritë objekte interesante të periudhës romake, deklaron arekologu Skënder Muçaj siç është një objekt prej bronzi, si dhe forma të përgatitjes së enëve të qelqit. Arkeologu Muçaj pohon se zbulimi premton nxjerrjen e të tjerave objekte në dritë, ndaj “po u qëndrohet punimeve mbi kokë në ndjekje të çdo gjurme apo objekti që shfaqet“.

Sipas arkeologut, Skënder Muçaj, synimi i projektit të zbulimit është kërkimi i periudhës romake. Ai kujtoi se zbulimet më të hershme që janë bërë në Bylis i përkasin periudhës helenistike dhe antikitetit të vonë.

Kërkimet arkeologjike në Bylis të cilat po bëhen me aplikimin e metodave gjeofizike kanë nisur nga njësia e re “ArkeoBylis” e ngritur në Akademinë e Shkencave në bashkëpunim me Instituti e Arkeologjisë.

Puna do të vijoje deri në 20 tetor, mbi këtë vepër të periudhës 2300-vjeçare që mbetet më e madhja e Ballkanit antik të asaj periudhe.

Ceka pohon se puna po vazhdon me restaurimin e objektit antik, i cili nëse gjen financime nga BE-ja mund të kthehet në funksion të turizmit dhe më gjerë.

Ndërkohë që në ditët e para të punës në Bylis janë zbuluar edhe mbishkrimet me emrat e zyrtarëve kryesorë të Bylisit, Prytanin dhe Strategun. / KultPlus.com

Në Bylis ndodhet një nga Katedralet më të bukura në Ballkan

Jemi në Bylis, në vitin e tretë të një projekti të Institutit të Arkeologjisë, që po zbulon një cisternë uji që rezervonte ujërat e shkallarës se stadiumit të shek. III p. Kr. Është 50 m e gjatë dhe 8 m e thellë dhe mbulohej nga një sistem harqesh dhe është me e madhja dhe e bukura e Ballkanit antik të asaj periudhe, duke përfshirë edhe Greqinë. Krahas gërmimit po bëhet edhe restaurimi i saj.

Nga Bylisi ka folur për Fax News, arkeologu Neritan Ceka i cili e ka vlerësuar Katedralen e zbuluar në Bylis si një nga më të bukurat në Ballkan dhe më të veçantat, pasi krahas figurave gjeometrike ka dhe figura njerëzore.

Neritan Ceka ngriti dhe hipotezën se Kodikët e Beratit mund ta kenë origjinën nga Bylisi, duke shtuar se nuk mund të kalohet thjesht me një investim kalimtar të BE por duhet të ketë investime serioze ku mund te investojne dhe vete shqiptaret kudo ne bote.

“Këtu është Katedralja e madhe e qytetit, një nga më të bukurat e Ballkanit. Një mozaik i jashtëzakonshëm me figura njerëzore jo vetëm me figura gjeometrike si në vendet e tjera. Është një dëshmi e trashëgimisë. Që këtu glinët, kaluan në Ballsh, që vjen nga Bylisi, kryevend. Suke marrë me vete mbishkrimet që u gjetën në Ballsh. Ndoshta dhe librat e famshëm, kodikun e famshëm të Beratit, sigurisht që vjen nga Bylisi apo Ballshi. Evidentimi i këtij siti arkeologjik, nuk mund të kufizohet me keq. Është simbol i trashëgimisë iliro-shqiptare. Trahëgimi kulturore, shpirtërore. Ishte kryeqendra e 4 qyteteve të tjera. Ishte një Republikë e vogël e organizuar me monedhat e veta me nëpunësit. Kemi dhe një teatër të 4-tërt. Nuk e kemi në Shqipëri sot. Nuk mund te kemi vizioninin ‘këtu kemi Bylisin dhe po fusim ca para’, sic po bën BE tani. Këto janë vizione me kënd shumë të ngushtë. Ne këtu kemi qytetin më të rëndësishëm Ilir. Këtu të ketë një muze të vetin të mirë. Nëse BE nuk do na japë këtë para, ne specialistët kemi guximin t’i themi nuk i duam këto investime. Të hapim një llogari bankare dhe të kontribojnë të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Ne kemi dy grupe punëtorësh dhe i kemi propozuar ministrisë ta mbajë këtë ritëm gjithë vitin“, thotë Ceka. / KultPlus.com

Zbulime të shekullit të III në Bylis

Në Parkun Arkeologjik Kombëtar ‘Bylis’ po vijon ekspedita e Institutit të Arkeologjisë të ASA për projektin e Akademisë së Shkencave për aplikimin e metodave gjeofizike në kërkimet arkeologjike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti shprehet se krahas gërmimit arkeologjik po realizohet prospeksioni gjeofizik, si projekt i përbashkët i Akademisë së Shkencave dhe Institutit të Arkeologjisë, nën drejtimin e prof. Neritan Ceka dhe Skënder Mucaj.

“Parku Arkeologjik Kombëtar Bylis gjatë muajit tetor, mirëpret ekspeditën e Institutit të Arkeologjisë të ASA, që punon për të tretin vit me projektin e drejtuar nga Profesor Luan Perzhita dhe Olgita Ceka, në gërmimin e cisternës të qytetit antik Bylis, duke bërë njëkohësisht restaurimet e sitit”, shprehet ministrja.

Siç njofton Akademia e Shkencave që në ditën e parë të punës u gjet një mbishkrim i shek. III p. Kr. që përmban emrat e zyrtarëve kryesorë të Bylisit, Prytanin dhe Strategun.

Puna paraprake drejtohet nga prof. Skënder Muçaj që asistohet edhe nga studentja e masterit, Amra Minaj. Sipas arkeologëve në Bylys priten zbulime të reja të rëndësishme, një projekt kërkimesh me metoda të reja në bashkëpunim me ekspertë italianë.

Arkeologu Neritan Ceka është shprehur se puna që po bëhet këto ditë në Bylis që është pas 4 dekadash me një ekip shqiptar, edhe në 1981 ishte po Akademia e Shkencave që u mor me gërmimet.

Pas 40 vitesh po zhvillohen për herë të parë gërmimet vetëm me ekip shqiptar arkeologësh. Janë bërë dikur në 1981 dhe në atë kohë para 40 vitesh është bërë po nga Akademia e Shkencave. Puna po vijon në parkun Bylis dhe ka rëndësi se është projekt i Akademisë së Shkencave me Institutin e Arkeologjisë (ASA)”, është shprehur profesor Ceka, në lidhje me punën në Bylis. / KultPlus.com

BE merr nismë për të promovuar Bylisin si destinacion turistik

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, u takua sot me ministren e Kulturës, Elva Margariti për të diskutuar mbi programin e ardhshëm të financuar nga BE-ja për rimëkëmbjen pas tërmetit në trashëgiminë kulturore – EU4Culture.

Gjatë takimit, Soreca dhe Margariti diskutuan gjithashtu për programin e Bylisit për të promovuar sitin si një destinacion turistik dhe nisma të tjera të BE-së për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë midis dy institucioneve në fazat e projektimit dhe zbatimit të programeve të financuara nga BE-ja në kulturë, si dhe konsultimi me palë të interesuara përkatëse nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës.

Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë sqaron se “pas një kërkese të parë të ministres së Kulturës në mars 2018 dhe konsultimeve të mëtejshme me Delegacionin e BE-së gjatë vitit 2018, ministrja shqiptare e Kulturës, më 20 dhjetor 2018, kërkoi zyrtarisht që BE-ja të sigurojë ndihmë financiare për të ndërhyrë në Bylis, përmes Programit “BE për Zhvillim Ekonomik – Zhvillimi Ekonomik Vendor i udhëhequr nga Turizmi, me fokus Trashëgiminë Kulturore”.

“Qeveria shqiptare konsideroi se Delegacioni i BE-së kishte siguruar “mbështetje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare” dhe se Bylisi përfaqësonte një vend ideal për ta vazhduar një bashkëpunim të tillë, për shkak të rëndësisë së tij kulturore dhe potencialit të turizmit”, tha Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë.

Sipas saj, programi prej 6 milionë Eurosh përqendrohet në promovimin e sitit të Bylisit si një destinacion turistik. Projekti përfshin punime konservimi dhe restaurimi, përmirësime të infrastrukturës, si dhe zhvillim të potencialeve të zhvillimit ekonomik të sitit.

“Bisedimet dhe përgatitjet për këtë projekt janë në vazhdim. Data indikative e parashikuar e nisjes është fillimi i vitit 2021, me një kohëzgjatje prej 3 deri në 4 vjet. Projekti nuk përfshin menaxhimin aktual të parkut arkeologjik të Bylisit, i cili është përgjegjësi vetëm e institucioneve kompetente shqiptare”, tha Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë.

Projektet e përfunduara të BE-së, shton kjo zyrë, u janë dorëzuar institucioneve shqiptare, kurrë ndërmarrjeve private apo fondacioneve. “Në rastin e Bylisit, kjo do të thotë që institucionet shqiptare do të jenë përgjegjëse për të zgjedhur se si ta menaxhojnë sitin, sipas ligjeve në fuqi”, përfundon Zyra e informimit dhe komunikimit e delegacionit të BE-së në Tiranë. /KultPlus.com