Digjem, përvëlohem se të dua shumë…

Poezi nga Andon Zako Çajupi:

Digjem, përvëlohem
se të dua shumë,
ditën mendohem,
natën rri pa gjumë.

Lulet po ta dinin,
mike, sa të dua,
këtu do të vinin
të qajnë me mua.

Zogjtë të dëgjonin,
do t’më rrinin pranë
dhe do të këndonin,
të harroj sevdanë.

Asnjeri në jetë
plagën s’ma shëron,
përveç mikja vetë,
që vjen e lëndon!/ KultPlus.com

‘Vdiq Naimi, po kush mbeti? Si Naimi s’ka të tjerë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

moj e mjera Shqiperi!

Mendjelarti, zemërtrimi,

vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni

shqipetarka, shqipetare!

Naimne kur ta kujtoni,

mos pushoni duke qare!

…………………………….

Vdiq Naimi, gjithè thone,

qani turq, qani kaure!

Bilbil’ i gjuhese tone

s’do te degjohet me kurre!

Vdiq Naimi, qe këndoi

trimërinë, Skënderbenë,

vdiq Naimi, qe lëvdoi

dhe nderoi mëmedhënë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,

o moj Shqipëri e mjerë!

Vdiq Naimi, po kush mbeti?

Si Naimi s’ka të tjeve.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkrete,

pse more të tillë burrë?

I ndritë shpirti për jetë,

mos i vdektë nami kurrë! / KultPlus.com

‘Mëmëdhe quhet toka, ku më ka rënë koka’

Poezi nga Çajupi

Mëmëdhe quhetë toka
ku më ka rënurë koka,
ku kam dashur mëm’e atë,
ku më njeh dhe gur’ i thatë
ku kam pasurë shtëpinë,
ku kam njohur perëndinë,
stërgjyshët ku kanë qënë
dhe varret q’i kanë vënë,
ku jam rritur me thërrime
ku kam folur gjuhën time,
ku kam fis e ku kam farë,
ku kam qeshur, ku kam qarë,
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes./KultPlus.com

Shqipëtar

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Shqipërin’ e mori turku,
i vu zjarr!
Shqipëtar, mos rri, po duku,
shqipëtar!

Mjaft punove për të tjerë,
o fatkeq!
Kujto vendin tek ke lerë
dhe tek heq.

Të ka bërë perëndia
luftëtar,
si s’të lodhi robëria,
shqipëtar!

Erdhi dita të ngresh kokë,
të kërkosh
lirinë, bashkë me shokë
të lëftosh!

Mos bëni si keni bërë
gjer më dje,
por të lëftoni të tërë
për Atdhè.

Pesëqind vjet kemi rruar
me pahir,
Lidhurë me këmn’ e duar
me zinxhir!…

Myslyman’ e të krishterë
jemi keq!
Të ngrihemi që të tërë,
djem e pleq! / KultPlus.com