Mbramja asht’ larg

Poezi nga Martin Camaj

Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve

e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.
Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell./ KultPlus.com

Nji stinë e humbun

Poezi nga Martin Camaj

Verës sa nji mëngjes me vesë
nuk ia pau kush ballin simjet
me sy të përlotun të sjellun
kah mali.

Vjetit nuk i mungon asnji ditë
në kalendar e i dhimbet
e mbramja pikë e dyllit në djegie:
e sotmja ka ndijen e dridhjes
së fletëve të shqemes
para dhambëve të sutës./ KultPlus.com

Mbramja asht larg

Poezi nga Martin Camaj

Mbramja asht larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.

Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell. / KultPlus.com

Kadare: Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e Martin Camajt, e prisja me padurim këtë takim

H. D. – A e keni njohtë Martin Camajn dhe çfarë marrëdhëniesh keni pas me të? Çfarë ideje keni për krijimtarinë e tij letrare?

I. K. – Kam pasur fatin ta takoj për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981, në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m’u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më foli shqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja, pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimít të zakonshëm te një mjedisi të tillë. Pas vendosjes sime në Paris, një mik i përbashkët gjerman, Werner Daum, që kishte qenë diplomat në Tiranë, më solli të falat e Martin Camajt, si dhe dëshirën e tij për t’u takuar përsëri, në kushte fare të tjera tani. Për fat, sapo kisha lexuar dy novelat e tij të gjata “Rrungajat e marsit” dhe “Pishtarët e natës”, të cilat më kishin pëlqyer mjaft dhe Werner Daum më tha se ishte i lumtur t`ia njoftonte këtë gjë Camajt, baslıkë me kënaqësinë time për t’iu përgjigjur ftesës së tij. E lamë takimin pas disa javësh,’ngaqë do të ndodhesha në Munih, ku ai banonte, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh. Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e tij bashkë me Daum-in. E prisja me padurim këtë takim, kur vetëm disa ditë përpara tij, erdhi lajmi i pikëllueshëm se Martin Camaj nuk ishte më i kësaj bote.
Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

Kadare, intervistë me ”Hylli i Dritès”.KultPlus.com

‘Dy zemra bashkë janë më rrufeprojse se dy shpata tu për tu’

Poezi nga Martin Camaj

Sonte më lajmëruen se ka vdekë një njeri
Prandej jam i trishtueshëm, Lule.

Dashunia ashtë e vetmja shtyllë guri
Kur andej gardhit fluturojnë
Shëgjetat e akullit.

Dy zemra bashkë janë ma rrufeprojse
Se dy shpata tu për tu
Me teha përjashta
Ideja e sosjes, Lule,
kur je ti pranë ik si shpend i egër
andej kah vjen terri./ KultPlus.com

Kadare: Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e Martin Camajt, e prisja me padurim këtë takim

H. D. – A e keni njohtë Martin Camajn dhe çfarë marrëdhëniesh keni pas me të? Çfarë ideje keni për krijimtarinë e tij letrare?

I. K. – Kam pasur fatin ta takoj për herë të parë Martin Camajn, në tetor të vitit 1981, në Frankfurt. Pas mbarimit të një konference shtypi, m’u afrua një burrë i pashëm, i cili, pasi më foli shqip, tha emrin e vet: Martin Camaj. E njihja, pa dyshim, nëpërmjet revistës “Shejzat” të Koliqit dhe atij iu bë qejfi që ia thashë këtë. Biseduam një copë herë në këmbë, midis zhurmimít të zakonshëm te një mjedisi të tillë. Pas vendosjes sime në Paris, një mik i përbashkët gjerman, Werner Daum, që kishte qenë diplomat në Tiranë, më solli të falat e Martin Camajt, si dhe dëshirën e tij për t’u takuar përsëri, në kushte fare të tjera tani. Për fat, sapo kisha lexuar dy novelat e tij të gjata “Rrungajat e marsit” dhe “Pishtarët e natës”, të cilat më kishin pëlqyer mjaft dhe Werner Daum më tha se ishte i lumtur t`ia njoftonte këtë gjë Camajt, baslıkë me kënaqësinë time për t’iu përgjigjur ftesës së tij. E lamë takimin pas disa javësh,’ngaqë do të ndodhesha në Munih, ku ai banonte, në një forum ndërkombëtar shkrimtarësh. Isha i ftuar për drekë në shtëpinë e tij bashkë me Daum-in. E prisja me padurim këtë takim, kur vetëm disa ditë përpara tij, erdhi lajmi i pikëllueshëm se Martin Camaj nuk ishte më i kësaj bote.
Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.

Kadare, intervistë me ” Hylli i Dritès”./ KultPlus.com

Letrat që Ndre Mjeda ia dërgoi Gustav Mayer-it

Nga: Martin Camaj

Në faqet e kësaj reviste (Shejzat – v.j.), vjeti X – 5-6 (1966) 180-189 – patëm pru dymbëdhetë letra të Ndre Mjedjes, dërgue nga Polonia albanologut Gustav Meyer në Graz. Aty Poeti ynë na del në nji dritë të re, sepse na paraqitet për të parën herë si letërshkrues me nji stil elegant në gjuhën italishte, ku flet për vete, për gjuhën shqipe e vendin e vet me nji dashuni të flakët të nji Rilindasi së vërtetë. Ky stil i natyrshëm na zbulon Mjedjen në nji prizëm real të karakterit të tij të pjekun dhe të matun.

Adhurimi që ka për Meyer-in si mjeshtër nuk e pengon që me nji ton nderues t’i shprehë anët e dobta dhe lajthimet, në të cilat kishte ra albanologu i përmendun. Qëllimi i Mjedjes asht që Meyer-i të mbështetej në gjurmimet e veta në landë të sigurtë të shqipes, prandej e dënon fjalorin e Rossi-t, që Meyer-i kishte shfrytzue. Mjerisht nuk i kemi letrat e Meyer-it: kushdi ku kanë mbarue gjatë udhëtimeve të shumta të Mjedjes jashtë dhe mbrenda Shqipnisë.

Shihet qartë se dhe Meyer-i diktoi në Poetin tanë nji mende të mprehtë dhe njeri me nji intuicion të sigurtë. I përgjegji menjiherë; i dërgon për këndim, librat e bibliotekës së vet private, gja që nuk ndodh lehtas ndër dijetarë.

Letra e fundit e Mjedjes nga Krakovia mban datën e 16 marcit 1893. Pata mendue (shif Shejzat 5-6, 1966, fq. 181, 189) se ky letër­shkëmbim muer fund me këtë rasë. Tue pasë përduersh tashti të gjitha letrat, dërgue Gustav Meyer-it nga gjuhëtarët e kohës, sidomos shum me randësi ato të albanologut Holger Pedersen dhe të Rilindasve shqiptarë, si të K. Kristoforidhit, të Mitkos, etj., që do të dalin veçmas për shpejti si landë historie shkencore pranë “Südost Institut” të München-it, gjej tash edhe tri letra tjera të Mjedjes, nji nisë nga Görz dhe dy: nga Portorè afër Fiume-s.

Në letrën e parë Poeti i lyp të falun dijetarit për heshtjen e gjatë dyvjeçare. Poeti nuk tregon se për ç’arësye nuk ka shkrue tash dy vjet. Ngjan se gjatë kësaj kohe Mjedja nuk ka pasë kohë të mirret me çashtjen e shqipes. Natyrisht ai nuk përmend gja nëse ka pasë vështirsi në rrugën e jetës që kishte marrë. I kënaqun asht Poeti se i dërgon Meyer-it si dhunti kopjen e parë të fjalorit të Jungg-ut, dërgue nga Shkodra në fashikuj e që ende nuk gjindej në shitje. E siguron se asht i saktë në dhanjen e trajtës së vërtetë të fjalëve shqipe si dhe kuptimit e se nuk mund të krahasohej me fjalorin e Rossi-t, që Poeti e mban të pasigurtë. Ankohet se “ata zotnitë” atje në Shkodër mbështeteshin gjithnji në tradicion e se nuk doshin të pranoshin disa shenja të grafisë së Meyer-it. Mjedja, si dihet dhe nga aktet e Kongresit të Monastirit, asht kundra përdorimit të dy shkrojave për nji tingull: ai ndjek parimin, që sot kanë disa gjuhëtarë modernë, se çdo shenj grafik duhet të përfaqsojë nji tingull ase si thohet sot nji fonem. Asht kundra prandej që š të shkruhet me dy germa sh si dhe zh në vend të ž etj.

Poeti nuk din se çka ka dalë mbi gjuhën shqipe ndër rrethet e gjuhëtarëvet të huej qysh prej korrikut të 1893. Lajmron se posë librave dërgue dy vjet përpara as në Romë dhe në Shkodër nuk ka dalë ndonji gja e re. A mund ta ketë këputë letërshkëmbimin me Meyer-in sepse nuk ka pasë t’i komunikojë ndoj gja të re?

Në letrën e dytë Mjedja lajmon se ka ndrrue prap vend: prej Görz (Gorizia) asht transferue në Portorè, në kështjellin e Frangipane ku jezuitët kishin nji shkollë dhe nji kuvend. Në këtë kolegjë Mjedja asht profesor i filozofisë. Ngjan se asht i kënaqun dhe i impresionuem prej bukurisë së këtij vendi. Bora që Poeti e quen Buro, sigurisht si alusion i etimologjisë së Meyer-it (EW. fq. 55), shkruen se asht i tëmerrshëm, kur ai fryn. Ka shpresë se vjetin e ardhshëm do të botojë diçka në gjuhën shqipe “natyrisht, thotë, tash për tash gjithnji sende të divotshme”. Sigurisht Mjedja në këtë kohë rrekej të shkruente poezi mbi historinë e lashtë të Shqipnisë dhe popullin ilir, në trajtën e Lissus. Lajmron se në Shkodër ipeshkvijt shqiptarë doshin të themeloshin nji akademi studimesh shqiptare e se propozimi kishte ra mbi tê që ta drejtonte. Nuk e ep arësyen pse ky projekt ishte shkue “tutto a fumo”. Sigurisht fjala asht për nji shoqni si ajo e Bashkimit, në të cilën Mjedja ma vonë pat nji rol me randësi.

Letra e tretë e dërgueme gjithnji nga Portorè përmban nji falnderim të përzemërt për dërgesën e Meyer-it të vëllimit të IV të Albanesische Studien. Shkruen se e ka këndue veprën disa herë. Me mendësinë e nji dijetari të vërtetë nuk rrin tue lëvdue auktorin, por në nji mënyrë të njerzishme ven në dukje se në Shkodër nuk thonë dretš (dreç), por dreq. Mjedja mendon se ç e q ortografikisht ngatrrohen në Shkodër, por e vërteta asht se ç e q në shum të folme të kësaj krahine janë shkri ase kanë ra në nji fonem (q ase ç), prandej nga kjo rrjedh se dhe në shkrim ngatrrohen germat në fjalë.

Mjedja ven me të drejtë në dukje se prania e o-s në vend të u-s asht nji karakteristikë e të folmeve lindore gege: në Prizrend thohet odhë në vend të udhë si dhe dokem në vend të dukem. Trajta të tilla djalektore kanë shty dhe Jokl-in të bijë përcaktime të gabueshme mbi shtresat e fjalëve latine në shqipe (Balkan-Archiv, IV 196), që Çabej mandej me të drejtë e kundërshton tue pru faktin se kemi të bajmë me varianta djalektore (krh. Zur Charakteristik der lateinischen Lehnwârter im Albanischen, në “Revue de Linguistique”, VII – 1 (1962) fq. 164). Mjedja i propozonte Meyer-it që në rasë se donte të bante nji botim të dytë të fjalorit etimologjik, ishte gadi t’i dërgonte dhe informata tjera mbi të folmet e Shkodrës, sepse trajtat e kësaj ane nuk kanë qenë të riflektueme drejt nëpërmjet të ortografisë së Propagandës në përdorim.

Poeti lyp lajme prej Meyer-it dhe rreth levizjes kulturore të arbreshëve të Kalabrisë me në krye De Radën. I ka ra në vesh se atje ishte themelue nji shoqni për zhvillimin e studimeve rreth gjuhës shqipe. Albanologu Meyer i ndoq kambë për kambë të gjitha levizjet shqiptare të Rilindasve tonë. Mun ai u ba vetë trumbetues i këtyne përpjekjeve tue shkrue dhe në gazeta mbi gjallninë e intelektualëve shqiptarë. Poeti ynë don që dijetari austriak të vejë dorë dhe të mbarojë nji gramatikë krahasuese të shqipes: ai këtë e lyp në shum letra me kryeneçsi, sepse nji vepër të tillë ky e sheh të nevojshme “për lumninë e Shqipnisë” sepse tue i tregue botës randësinë e shqipes në gjuhësinë krahasuese indoeuropiane, Mjedja e din se shkon në të mirë të çlirimit të popullit shqiptar dhe trajtimit të nji shteti në vete. Ky asht piksynimi i Rilindasve dhe për këtë qëllim punojnë e shkruejnë si Mjedja, Mitko, etj. /KultPlus.com

Camaj: Enver Hoxha, në vend të gjuhës e imponoi dialektin e vet

Nga: Ledi Shamku-Shkreli (fjalimi i mbajtur për nder të 95-vjetorit të lindjes së Martin Camajt, gjatë një konferencë të mbajtur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit në Tiranë)

Jemi mbledhë sot përreth Camajt, ndaj Martini s’mund të mungojë. E më fort se kur flitet për atë vetë, ai duhet me qenë i pranishëm sa herë që flitet për Shqipen – gjuhë amtare e tija dhe jona. Kështu pra, meqë krye-verb i fjalës sime sot është shqipja, përmasa jonë etno-kulturore, ju grish të kthehemi 30 vjet mbrapa në kohë, në 2 dhjetor të 1991, në Seminarin e Salernos kushtuar shtresimeve të shqipes. Ky seminar u çel nga Camaj, pikërisht nga Camaj dhe nuk është gand që Adolorata Landi dhe Patrizia del Puente zgjodhën atë për me hapë një seminar, i pari i një kohe kur besohej se fryma e lirisë dhe demokracisë do ta rimte sërish edhe pëlhurën tonë gjuhësore të ngrirë nga diktatura.

Thashë pak parit se Camaj sot nuk mund të mungojë, ndaj le t’i ndëlgojmë kumtet e tij: “Ka rreth 30 vjet qi në Shqipní po vazhdon procesi i normalizimit të gjuhës, i cili nuk merr parasysh randësinë e dialekteve e të historisë, ase të dokumentave si: dorëshkrime, tekste letrare etj. Teoria themelore qi drejtoi procesin e ndjekun për zbatimin e normës, qi në të vërtetë âsht vû në jetë me dhunë, i përket Stalinit. Hoxha (nuni i saj sipas Camajt) në vend të gjuhës, imponoi praktikisht dialektin e vet, ase mâ mirë, nji prej nëndialekteve të tosknishtes lindore. Çdo variant tjetër gjuhësor letrar u ndalue, në veçantí ai i veriut. U pengue edhe zhvillimi i tosknishtes tradicionale letrare, në veçanti përbâsja e saj perëndimore, qi âsht zhvillue në hapsinën prej bregut shqiptar të Jonit deri në Peloponez e prej aty bashkohet me zonat arbëreshe të Italís Jugore. Këtu âsht trashigue nji traditë letrare e zgjedhun e tanë sqimtí, e ngjashme me klimën e butë mesdhetare”.

Ngula këmbë që për punë të shqipes së përbashkët sot Camaj të shprehej vetë, ashtu shkipët e pa “dragomâj”, për t’ia shkëputë kumtet e tij cergave tjetërsuese, të cilat vijimisht e përmes manipulimesh, e kanë cilësuar si hiperlokalist, anti-unitar e anti-kombëtar. Porse Camaj është ndër të rrallët, për të mos thënë i vetmi që iu referohet gjithnjë tri koineve sa herë rrihet argumenti i normës. Ai dëshmon për këtë trinì si in varietate concordia, apo për t’ia dhënë fjalën atij vetë: “Për gati nji gjysë shekulli para ardhjes së stalinizmit, tre variantet letrare janë zhvillue lirshëm në nji simbiozë harmonike. Weigand-i, Nahtigal-i, Pekmezi, Xhuvani e deri edhe autorë veriorë si Fishta e Gurakuqi, këshilluen qi unjisimi i gjuhës zyrtare të mbërrihej nëpërmjet “avitjes” së këtyne varianteve. Kjo gja duhej me u krye jo në mënyrë të vrazhdë. E në të vërtetë, deri në 1944 shoqnija shqiptare zhvillohej në nji rreth simbiozet familjare, kulturore e gjuhsore. Në veçanti në Tiranë kryheshin kontaktet e para gjuhësore mes atyne që përdorojnë dialekte të ndryshme; aty kryhet afrimi. Treguesit e këtij afrimi ishte dashtë me u ndjekë me kujdes, duke gjetë rrugën mâ të drejtë për unjisimin e gjuhës”.

Në duam ta përmbledhim, kumti kryesor i citimit të mësipërm është se Camaj, tridhjetë vjet të shkuara, gjykonte se shqipja e përbashkët evolutive, do ta kish pas epiqendrën e vet të formimit në truallin sociolinguistik të Tiranës kryeqytet. Natyrisht, mendonte Camaj, do ta kish pasë po të mos ia kish zënë vendin Shqipja Totalitare. Madje, shton gjuhëtari, n’atë truall jo vetëm do të latohej entiteti gjuhësor prej miliona replikash kompromise nga çdo areal shqipfolës, por po në atë amë sociolinguistikte duheshin zgjedhur edhe elementet rregullarizuese të induktuara (Treguesit e këtij afrimi ishte dashtë me u ndjekë me kujdes, duke gjetë rrugën mâ të drejtë për unjisimin e gjuhës). Nuk është i vetmi Camaj që e mendon kësisoj. Guiraud në vitet ’70 shkruan: “duhet shqyrtuar mirë ligjërimi popullor parizian, që sot në fakt është ligjërimi popullor i thuajse të gjithë francezëve, apo së paku i atyre që e përdorin frëngjishten në mënyrë të natyrshme”.

Çfarë ndodhi në fakt në këto 30 vjet? Për nga pikëpamja sociolinguistike gjithë këto kohë lëvizjesh të lira demografike, Tirana, në aspekt gjuhësor, nisi të shërbejë si truall pritës për nivelet dhe regjistrat e ndryshme gjuhësore që konvergjojnë aty si ligjërime ardhëse. Saussure pohon se të gjitha gjuhët ardhëse do të ndryshojnë nën trysninë e sistemit gjuhësor pritës; por nuk është vetëm gjuha ardhëse ajo që ndryshon, pasi edhe idioma pritëse pëson ndikime nga përplasja me të parën. Kështu ndodh që trualli gjuhësor konservativ (i Tiranës) modifikon ligjërimet ardhëse, por njëkohësisht modifikohet prej tyre. Nga ky “proces alkimik” lind njëri ndër nivelet më të rëndësishme ligjërimore të Shqipes së Sotme, i cili në terma bashkëkohorë përkufizohet si Substandarti i Metropolit.

Por, vini re, është shumë i rëndësishëm fakti që trualli gjuhësor pritës i Metropolit ja ka dalë ta ruajë karakterin konservativ. Për nga pikëpamja strukturore, ky fakt shpjegon edhe pse një pjesë e mirë e akomodimeve të sotme të shenjuesve zyrtarë, akomodime të cilat kryhen prej këtyre forcave vetëstrukturuese, ndjekin shpesh për inerci hullinë konservative. Ndaj duke i parë në çelës diakronik, shumica e përftesave të sotme, ndonëse rezultojnë si inovacione në raport me normën, në raport me shqipen vetë dhe në thelb të tyre del se shpesh janë konservacione. Nga ana tjetër, prurjet e shumta e të shumëllojshme qoftë diatopike, qoftë diastratike që derdhen në Substandardin e Metropolit, janë kryesisht të llojit inovativ. Fakti që këto inovacione përpunohen në një truall gjuhësor, substrati i të cilit, siç e kemi analizuar në punime të mëparshme, është me karakter konsevativ, bën të mundur që neoformat e Shqipes së Sotme të mos jenë mutacione por fraktale të mëtejshme të së njëjtës lëndë historike. Me fjalë të tjera duam apo nuk duam ne, Substandardi i Metropolit bëhet kështu njëri ndër garantët e evolucionit të pandërprerë të Shqipes Publike, i cili jo rrallë rezulton se po korrigjon edhe ndërhyrjet e djeshme subjektive në lëndë të Shqipes. Ndodhemi përpara një situate jo vetëm interesante nga pikëpamja gjuhësore, por edhe historike. Kjo “gjendje” duhet studiuar sa më shpejt, pikërisht se po të shqyrtohet dhe të përkrahet në kohë, do të shpjerë në forcimin dhe rivlerësimin mbi baza reale të kodit gjuhësor mbarëshqiptar. Gjithë kjo ngaqë sociolekti, me epërsinë e tij komunikuese, thyen te çdo idiomë atë që Saussure e quan esprit de clocher – mendësinë e izolimit – dhe vë kësisoj në lëvizje proceset e uniformizimit objektiv. Z. Ardian Vehbiu, lidhur me domosdoshmërinë e marrjes në konsideratë të këtij entiteti nga studiues dhe planifikues të shqipes shkruan se: “Në të vërtetë, standardi ekzistues i shqipes e ka potencialin për t’u rishikuar pa çuar kjo në ndonjë shkoqje të identitetit gjuhësor dhe kulturor të shqipfolësve; por se çfarë do të rishikohet pikërisht, dhe si do të realizohet kjo, varet në masë të madhe nga çfarë është adoptuar prej folësve vetë përtej llogoreve dialektore, në atë ‘rain forest’ të biomasës së shqipes së sotme, që është Tirana. Me fjalë të tjera Substandardi i Metropolit mund të konsiderohet si “gjuhë në kontakt” që farkohet në rastin tonë ndërmjet dialekteve dhe shqipes standarde të të gjitha stileve, ndaj dhe paraqet një fond të pasur gjuhësor. Veç të tjerash është edhe një vënie në provë e gramatikës, duke qenë se bazohet mbi mekanizma pragmatike që priren ta thjeshtojnë sistemin e kodit formal parashkrues. Saussure dëfton se ,“ai që e krijon gramatikën, e ka në dorë sa kohë s’e ka hedhur në qarkullim, por që nga çasti kur ajo përmbush misionin e saj duke u bërë pronë e gjithkujt, kontrolli del dore. Sikur njeriu të pretendonte se po krijonte një gjuhë të pandryshueshme, të cilën pasardhësit duhet ta pranonin të pacenuar, ai do t’i ngjasonte një pule që klloçkit vezë rose: gjuha e krijuar prej tij, me hir a me pahir, do të përfshihej në rrjedhën që merr me vete të gjitha gjuhët”.

Gjallimi i Substandardit të metropolit është një tjetër element prove në mbështetje të tezës se shqipja, si çdo gjuhë tjetër, zhvillohet përmes një continuum-i gradual evolutiv duke kaluar në këto etapa:

Dialekte → Varietete Krahinore → Shqipe Popullore → Substandart i Metropolit → Shqipe e Njësuar (Standard ↔ Neostandart)

Këtë iter do të ketë pasë në mend edhe Camaj tridhjetë vjet të shkuara kur tërhoqi vëmendjen tek rëndësia parake e asaj përziemje të vetvetishme që ka ndodhë e ndodh prore në Tiranë. Kjo prurje substandarte popullore, e cila mungon krejt në kodin standard, vijon të ushqejë përditë proceset ristandartizuese të shqipes. Dhe prania e substandartit është në të vërtetë prani e folësit e madje e një folësi kolektiv trashendental, i cili është bartës i shqipes që ka qenë po dhe i asaj që do të jetë. Gjithë këtë trashëgimi kodesh stilesh e regjistrash, të shkruar e sidomos të folur, tok me tharmin unitar të ardhmënisë, Substandarti e ofron pareshtur e përmes procecesh mirëfilli vetërregulluese, në ristandardizimin e shqipes letrare. Dhe në fakt, matjet e kanë dëshmuar tashmë se ka lindur e po fuqizohet varieteti Neostandard si formë e thjeshtuar dhe e pasuruar e Standardit, që ka përdorim masiv dhe që gjuhësisht e kulturalisht paraqitet më i hapur se Standardi, pasi mund të përmbushë të gjitha nevojat e komunikimit publik, deri edhe ato praktike e të përditshme. Neostandardi gjendet në kapërcyell të gjuhës së shkruar e asaj të folur. Përbërësit e këtij varieteti del se janë: Substandardi i Metropolit + Tiparet e Gjuhës së Shkrimit. Ky rezultat është mirëfilli pohim i parathanës së Camajt: vendformimi i Neostandardit të Shqipes është Tirana Metropol. Po ashtu matjet dëftojnë se ky Neostandart po realizohet në plotninë e vet diamezike, pra si në rrafsh të folur, ashtu edhe në rrafsh të shkruar.

Neostandardi i shkruar është ai varietet i shqipes së përbashkët me të cilin po identifikohen gjithnjë më shumë përdoruesit e shqipes, duke filluar nga përdorimi i saj si gjuhë publike e deri te përdorimet vetjake nga nxënës, studentë apo shkrues të mesëm. Epërsia e këtij varieteti ndaj normës standarde qëndron pikërisht në dy tiparet karakteristike të tij:

– në prakticitetin e repertorit të tij gjuhësor, me të cilin mund të përmbushet një gamë mjaft më të madhe situatash shkrimore, pra jo vetëm situatat thellësisht formale;

– në afërinë që ngërthen ky varietet me përdorimet e folura dhe me formate trashëguara të traditës.

Neostandardi i folur është varieteti i Shqipes së Sotme drejt të cilit synojnë gjithë ata përdorues që, duke zgjedhur ta përvetësojnë në të folurën e tyre prestigjin që ofron gjuha letrare, e deskematizojnë dhe e ristandartizojnë vijimisht këtë të fundit në përputhje me kushtet e reja social-kulturore. Natyrisht që Neostandardi i Shqipes së Sotme ka edhe një gjurmë të ndjeshme të pragmatizmit gjuhësor, prej të cilit në mjaft situata ai paraqitet edhe si i varfër në mjete, por kjo çështje i takon më shumë kulturës së gjuhës sesa gjuhës vetë. Dhe si e tillë mund të përballet duke i kundërvënë mes tjerash një edukim gjuhësor demokratik, i cili nxit qarkullimin e mjeteve shprehëse, të atyre mjeteve të simbiozës së trashëgueme – siç e quan Camaj, duke pasuruar ksodore kompetencën e mandej performancën e shqipfolësve.

Këtu e 30 vjet më parë Martin Camaj përfytyroi ringjalljen e unitarizmit gjuhësor në Shqipen që pat shkizmuar ideologjia. Parathana e tij shenjoi Tiranën e çliruar si vatër të unitarizmit gjuhësor. Tridhjet vjet më pas, koha po i jep të drejtë vegimeve poetike e andrrimtare të atij që rrëfeu se: “ngjarjet qi i kanë ra për hise gjuhës time qenë edhe shkaku mâ i thellë qi më ka shtye me u marrë si shkencëtar me gjuhën”. Kjo që po ndodh në Tiranë është vetëm fillimi i një reforme nga poshtë mbi Shqipen. /KultPlus.com

Debati mbi Koliqin e Camajn, Tare rrëmon dokumentin nga CIA dhe ironizon ish-deputetin e PD-së

Në një postim ka vazhduar debati për temën, në faqen e tij në ‘Facebook’, Auron Tare ironizon Gurakuqin. Thotë, se është në dilemë për ta nisur ditën buzagaz apo… të shkulë flokët.

Studiuesi që hapi debatin mbi dy shkrimtarët e njohur Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, ka reaguar pas deklaratave të ish-deputetit demokrat Romeo Gurakuqi, i cili është historian.

Gjithashtu, ka publikuar edhe një dokument nga arkivi i CIA-s, ku sipas tij, thuhet se Nikoll Gjonamarkaj dhe Pal Mirakaj, janë furnizuar në mënyrë të bollshme me të holla, për t’u argëtuar gjatë qëndrimit në Beograd.

“Të nisësh të dielën me buzën në gaz, apo të shkulësh flokët? Kjo është çështja, kur dëgjon “historianë” që mësojnë brezin e ri në këtë vend. “Ernest Koliqi ishte një pikë referuese për perëndimin, se e dinin se nga çfarë qyteti vinte”.

“Blloku Kombëtar Indipendet, partia më europianiste që ka formësuar Shqipëria, Parti neokonservatore e formatit britanik.

‘Please’, mos qeshni, nuk është Nard Ndoka, por është Romeo Gurakuqi, me profesion historian në universitet. Ja çfarë thotë dokumenti i arkivit të CIA-s, për disa nga këta europianë neokonservatorë të tipit britanik.

Sipas këtij raporti, Nikoll Gjonamarkaj dhe Pal Mirakaj, janë furnizuar në mënyrë të bollshme me të holla, për t’u argëtuar gjatë qëndrimit në Beograd” – përfundon replikën, Auron Tare.

Publikimi i dosjes së shkrimtarëve Martin Camaj dhe Ernest Koliqi, ku hamendësohet ndër të tjera, se kanë qenë agjentë ë UDB-së, duke u përfshirë në veprimtari spiunazhi, ka nxitur shumë debate. /KultPlus.com

Martin Camaj, shërbestari i paepun e vullnetmirë i gegnishtes dhe arbërishtes

Nga Albert Vataj

Gjuha shqipe, gegnishtja dhe arbërishja në veçanti kanë gjetun te Martin Camaj atin shpirtnor, gurthemelin ma t’rand të mbrojtjes dhe shpalimit t’përbotshëm si vlera të qytetnimit shqiptar. Të shumt janë emnat që kanë lidhën jetën, kontributin dhe veprën me gjuhën, por Martin Camaj metet nji zotnues i epërm i vlerave dalzotëse të këtyre dy hallkave qi mbajnë t’lidhun kulturën dhe traditën shqiptare me shqipshkrimin që prej se ajo erdhi në jetë.

Më 12 mars 1992 do të shuhej një prej pishtarëve më kulmues të shqipshkrimit. Një zemër e tretun tuj shndrit u ndal për me lan mbasvedi, vullnesën e mirë të endun me përkujdesin që diti vetëm ai për me e dëshmu. Martin Camaj me mbylljen e syve, ndal kandën për me shkel në tokën amë, por kurrkush dhe kurrqysh nuk e vuni nën fre dritimin që feksi ai ndër shqiptarë dhe yshtja e pashoq që u ngas për njëmendësimin e njohjes dhe pranimit të veprës së tij dhe dialektit geg, që ai lëvroi me parmendën e rand të mërgimtarit. Camaj, megjithëse në të gjallët e tij nuk i’u dha e drejta të shkelte në tokën amë, për kurrnji moment nuk u shqit shpirtit të lënduem dhe plagëve lënguese të shqiptarëve.  Në dheun e marrun borxh, ku dhe u tret mishi dhe prehen kockat e tij, ai si një Sizif u ngjit majës së përfaqësimit të shqipes. Një prej mëtimeve ngadhënjyese dhe vetëmohuese, pamëdyshje mbetet lëvrimi i gegnishtes, dhe arbërishtes. S’andejmi ai mundi me dëshmu botnisht mbi atë që vete ka të mbrujtun shqipja dhe shqiptarët. Shërbesa që i bani gegnishtes, e pse jo dhe arbërishtes, mbeten në kryeradhën e tana përpjekjeve të mahershme dhe të tashembasshme. Ngritja dhe trajtimi i tyne në rrafshin shkencor, e dëshmon masmiri këtë. Ngulmi i papramun për të mëtu gjithseçka të mirë, e për me i shtru në një sofër larushinë e dialekteve si vlerë gjuhësore e dallon atë dhe e rrjeshton në rendin e etërve të shqipshkrimit.Camaj edhe pse u përndoq, u përjashtu, u anatemua, dhe e gjitha kjo, jo dhe aq se ai ishte arratisun, apo kishte blasfemuar ndaj kujt, por prej tekstshkrimit gegnisht. Megjithkëtë ai nuk e flligu gojën dhe shërbesës ogurmirë nuk i’a vuni damkën, e cila mund të gjehej e përligjun te ndokush tjetër por kurrqysh jo tek ai. Tuj dëshmua mendimtarin e epërm, merr ndonjiherë rol atnor dhe këshillues për tana ata që kanë në dorë shqipen dhe i’a duan t’mirën asaj. Ai nuk bani dallime e dasi, nuk e kqyri shqipen vetëm të toskëve dhe të gegëve, por të shqiptarëve dhe për këtë ai mëton: “Besoj se duke ecë krahas gegnishtja dhe tosknishtja e shkrueme apo letrare, si dy mortra të mira, pa ja pré rrugën njana-tjetrës, kanë me viju mâ me fryt të gjêjnë pikat e përbashkta, si mbas një zhvillimi normal. Kjo rrugë âsht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e një stili të kulluet artistik”. Ai kur shton kësisoj, ka parasysh dhe naltësimin që ka një komb që pranon diversitete dhe nuk priret prej qëllesave anatemuese, me nda dhe me veçu. Kinse, kqyrim shpërthimet greke të patëdyta në letërsi, që lejuan ngritjen e kreshtave, anipse u endën në avelmenin e dialektores. Për me ardh masanej te trualli ynë, dhe veçmas te shkrimtaria e Fishtës, Mjedës, Koliqit, Shantojës, Prenushit, Haxhiademit, Konicës, Nolit, Poradecit, Kutelit, Asllanit, e shumë të tjerëve, që lindën e u naltësuan, pa hyqmin e shqipes së njësuar, standartit. Duke mos pas tavan mbi krye, ata krijuan atë thesar, të cilin me krenari munena me e pagzu si testament të vlerave të njimendta të letërsisë shqipshkruese. Camaj rendi tuj shkru e lëvru gegnishten, pa e ndal turrin, e pa kqyr përsipër nëse kishte qiell për kreninë e tij, apo jo, nëse kishte kresht për me e majt këtë naltësim. Gjithë sa bani ai e rriti brenda vetes me tagrin një besimi dhe mëvetësie që kishte si zanafillë, si vazhdë dhe si mbramësi. Vepra u rrit me të, dhe ai e gjalloj përbrenda vetes çdo faqe të saj në një marrëdhënie njësimi. Ata i dhanë dhe morrën prej njani-tjetrit shumëçka, por në kryerend, motivin e ngulmit për me u ngjit në ma t’naltat kjartësina, prejnga nuk do të mund t’i zdrypte ndokush. Mveshun prej kësaj magjie dhe ngadhnjimi, ai ban me dije se: “Jeta ime âsht nji luftë për gegnishten, një luftë për mbijetesën, frymën e qenies, të dikurshmen dhe ardhmninë, një luftë jo me mbetë gjallë, por me ruejt të pastër fillin e amës së gjuhës dhe artit, mbi të gjitha me shpëtue shpirtin krenar të shqiptarit”. Bash njikshtu i bzani zemra dhe ia ligjëroi penda, këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe. Ma shumë se një perifrazë, një urti e nxjerr prej lëmit të tij letrar, kjo është një sentencë e gjithë asaj përpjekje të pashoq që ai bani për shqipen dhe kandën artshkruese të saj. Ai  me këtë dëshmoi njëmëndësinë e asaj që e udhërrëfeu atë dhe duhet të ysht tankënd që don me lan mbas të gjallëve të tij, një vepër të patëdytë, një kreni për tankush e njohu dhe e përcolli asohere dhe tashembas. Gjithqysh, në kryeherë, gegnoshtja dukej se do të ishte për të një sfidë, një apogje ku ai ngulmonte të ngjiste kreaturën që shfaqet tetan çka ai la, që nga poezia, proza, drama, pa i lan mënjanë edhe në ngulmime të tjera që prekim punë të tij studimore dhe shkencore. Poetët dhe narratorët që skaliten letrat shqipe në këtë dialekt, siç mund të përmendim, Ndre Mjedën, At Gjergj Fishtën, Filip Shiroka, Ernest Koliqi, Migjeni, etj fillëruan rrugën e tij shtegngushtë dhe përplot me hendeqe. E ai nën vullnesën shndritëse të këtyre titanëve të gegnishtes rendi, për të sosur të gjallët e tij, 20 vjet më parë, dhe për të lënë një vepër me vlera të njëmendta.  Një meritim të veçtë, Martin Camaj mvesh kontributit dhe emrit të tij dhe teksti arbërisht. Mbamendjen e ketillë dhe shkrimtaria e tij, ka ngucatun studiuesi Behar Gjoka, i cili e ka qëmtuar këtë ngarendje të shkrimtarit, poetit dhe dramaturgut, dhe jo vetëm. Sipas tij, romani “Karpa”, novelat “Shkundëllima”, dhe “Fshati me shtatë gjuhë”, që e marrin motivin nga jeta e arbëreshëve, shpërfaqin përkujdesin e Camajt për arbërishten. Studiuesi “guxon” ta rëndisë Camajn të parin që ka lëvruar këtë copëz të vyer të shqipshkrimit. Sipas tij, Camaj është rilindasi i fundit që mori gjithçka të ligjërimit letrar në gegnisht dhe arbërisht, që ishte prodhuar përpara tij dhe në kushtet e ndalimit të këtyre dy varianteve. Nën barrën e vetmisë, ai arriti të vërtetojë se këto dy variante vazhdojnë të jenë funksionalë, vazhdojnë të jenë pjesë e diversitetit gjuhësor, saktëson studjuese. Tekstet e tij letrare, dëshmojnë se bashkë me ikjen, Camaj mori me vete zhguallin e gjuhës, pra dialektin e gegnishtes, por edh jo pak dromca të variantit të arbënishtes, të cilët edhe në vetmi të plotë, edhe në kundërshtim me normat e 1972, i mbajti gjallë, si me thënë e mbajti të ndezur kandilin e ligjërimit letrar, gjithnjë si gjuhë e autorit dhe e letërsisë. Nga ana tjetër, me vlerë jetike janë edhe udhështegtimet e shkrimtarit në Prishtinë, Beograd, Romë dhe Mynih, që i shërbeu si një dritare e madhe për ta rreshtuar ligjëratën letrare në rezonim me ngjyresat bashkëkohore evropiane. Si ligjërues letrat, si qëmtues dialekti dhe si yshtës i vlerave të nëpërkëmbura në vendin e amës, Camaj dallon edhe për një frymë moderniteti, duke u bërë sakaq dorzan i një letërsie ndryshe, që po lindte. Poezia, gjithashtu mbart një trajtesë të atillë që ndeshet ndër përkimet e mjeshtërve të ligjërimit të asj kohe. Camaj me krjimtarinë e tij, mbajti shqipen dhe shqiptarët në radhën e atyre letërsive dhe kombeve që zotonin universin e letrave. Siç asht përshkru edhe në enciklopeditë, Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit, Shkodër, më 21 korrik të vitit 1925 dhe vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih, bash 20 vjet më parë. U dha me mish e me shpirt shkrimtarisë, të cilën e endi me dialektet që ai gaditi me ëndje dhe kreni. Edhe si albanolog, mbetet një dimension i pamatshëm. Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit ai mori edukatë klasike dhe më tej studjoi në Beograd romanistikën, mori gjithëpoaq mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përseafërmi me botën arbëreshe, dhe nis e mëson shqip. Nga Italia largohet në vitin 1961 dhe vendoset në Munih të Gjermanisë, ku bëhet profesor i studimeve albanologjike. Atje ai ligjëron letërsinë shqiptare deri në fund të të gjallëve të tij. Emri dhe krijimtarinë  e Camajt e kudogjejmë në gjitha antologjitë dhe veprat ku flitet për shkrimtarët shqiptarë. Qëmtimet akademike të Camajt u ngulmuan në gjuhën shqipe dhe dialektet, në veçanti të atyre në Italinë Jugore. Mëtimi letrar i Camajt në 45 vjet kumton disa hope të njimbasnjishme zhvillimi. Ai e pikënisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik përgjatë gjithë jetës. Anipse vitet e fundit të përkushtimit i’u dha ma s’shumti prozës. Galeria e tij krijuese asht e bollshme e plot larushi. Varganin e gjatë të asaj pene e pikënis: “Nji fyell ndër male” -Prishtinë 1953, për me vazhdu me “Kanga e vërrinit” -Prishtinë 1954, “Djella” (novelë) – Romë 1958, “Legjenda” – Romë 1964, “Lirika mes dy moteve” – Munih 1967, “Poezi” (1953-1967)- Munih 1967, “Njeriu më vete dhe me të tjerë” -1978, “Poezi 1981, “Drandja” (proza poetike)- Munih 1981, “Rrathë (novelë) – 1981, “Shkundullima” – 1985, “Karpa” (novelë) -1987. Vijon kjo kolanë krijimtarie e Camaj me botimet dygjuhëshe, “Poezi” (shqip-italisht)- 1985, “Me pendlat e korbit të bardhë” (shqip-gjermanisht). Për me vazhdu me një syshikim në lëmet e tjera të letrave, përpjekjet e tij albanologjike, gjuhësore, estetike, studimore, eseisike: “Meshari i Gjon Buzukut” – Romë, 1960, “Tekst mësimor i gjuhës shqipe” – Wiesbaden 1969, “E folmja shqipe në provincën e Avelinos” – Firence 1971, “Antologjia: Këngë shqiptare” – Dusseldorf 1974, Gramatika shqipe – Wiesbaden 1984. Tankjo mëvetësi krijuese, ndryshe ngase priret prej shumë emnash dhe penash që kanden duke mbete brenda vetes dhe duke mbushin zgafellën e vetmisë së tyne, Camaj e bani gjithseçka, ngriti deri në zenit ngulmin e vlerës dhe mëtimit, vetëm dhe veçmas për shqipen dhe shqiptarët, për vendlindjen dhe gjakun e t’parve. Megjithëse ai gjithë veprën e tij e shkroi jashtë Shqipërisë, në Beograd, Romë, Mynih, s’mundi me ken tjetërkush vetëm biri i Temalit, anda e një trolli të ashpër dhe ora e një djepi të mirë. Tançka bani e gjithçka la, kjartazi dhe dashtazi e kishte për bashkëkombasit e tij, të cilët edhe tash nuk asht se e njohin dhe aq edhe pse ai tashma asht riatdhesu si kijimtari, si botkuptim dhe si gjënezë, përkundër një dasie të stërgjatë që mbolli komunizmi ndër shqiptarë. Ky shërbestari vullnetmirë i shqipes, diti me shkru fort mirë emrin e tij në historinë e letrave shqipe dhe me mbet aty, ndoshta jo me hatrin e shumëkujt, qi u mundun me e mbajt larg këtë kolos të mendimit. Tash, shumëçka ka mbetun mbrapa, kujtimet e zehërta të një anateme, shija e helmët e do gojëve të liga, e kanda e vrame e një armate ngrehaluce mediokrish, të cilët tuj dasht me ndalu Camajn, guxun me besu se po e mbanin të përjashtume, gegnishten. Por ky dalzotës i këtij dialekti, diti dhe mundi me qëndru, me besimin se dokurdo do të lindte ajo ditë përplot me dritë pranie, pranimi dhe mëvetësimi të shqipshkrimit. /KultPlus.com

Lanksh, dashnori i gegnishtes së Camajt

 “Fjala shqip t’është detorëse për gjithë motin e jetës! Na vorfnove”- Hans-Joachim Lanksch lindi në vitin 1943, në Braunschweig (RFGJ) dhe u shpërngul qysh në rini në Mynih, ku studioi në fushat e filologjisë ballkanike, sllavistikë, kulturë popullore dhe albanologji.

Dashnori i gegnishtes së Camajt: studiues, përkthyes e albanolog, mik i poetit të njohur Martin Camaj, që e fliste aq bukur shqipen, gegnishten veçanërisht, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë.

I njohur si studiues, përkthyes dhe mbështetës i letërsisë dhe kulturës shqipe në Gjermani dhe Europë, Lankshi ka përkthyer në gjermanisht, shkrimtarë e poetë të spikatur si Martin Camaj, Lasgush Poradeci, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Visar Zhiti, por edhe autorë të tjerë si Frederik Rreshpja, Jamarbër Marko, Rudolf Marku, Elvira Dones, Ridvan Dibra, Mimoza Ahmeti, Luljeta Lleshanaku, Lindita Arapi, Agron Tufa, Primo Shllaku, Ledia Dushi, etj. Lankshi konsiderohet si një ambasador i rrallë i kulturës dhe letërsisë shqipe. Pas viteve ’90-të, studiuesi gjerman u përfshi në problemet e zhvillimit të kulturës shqiptare, kur sa e sa herë u bë mjeshtër i replikave kundrejt problemeve të mëdha të trashëgimisë kulturore dhe problemeve të aktualitetit.

Lanksh ka nisur të përkthejë letërsi shqipe në gjermanisht, në vitet ’80-të, ku përveç Camajt që jetonte në Gjermani, ai kishte pasur takuar poetët e mëdhenj të Kosovës, si: Azem Shkreli, Ali Podrimja, Din Mehmeti, Rrahman Dedaj, etj. Vetë Lanksch, është shprehur se pas viteve ’90-të ka “gjetur” e klasën e poetëve të viktimizuar nga diktatura. Për gjuhën shqipe, ai shprehej, se e pëlqente më tepër gegnishten letrare, “por më pëlqen po kaq idiomi jugor, gjuha e Lasgushit, Kutelit, Trebeshinës etj. Duke shkruar në gjuhën standarde, më vjen keq se nuk mund ta përdor e-në trema para bashkëtingëlloreve hundore (përmënd, zëmëra etj).” – ka rrëfyer vetë, gjatë intervistave.

Po ashtu, ai nuk ka qenë pasiv as për kritikën letrare në Shqipëri, duke theksuar mungesën e plotë të saj: “Kritika letrare shqiptare pothuaj nuk ekziston. Zëvendësohet nga puna klanore. Kritika u televizionit. Çështje supërfaqësore. (Flas për Shqipërinë). Përmenden dhe laureohen penda të një karuseli gjithnjë e më shumë emrash të njëjtë. Kritika e përkthimit letrar mungon totalisht (ngjashëm me gjendjen në Gjermani). Mungojnë kritikët që njohin mjaftueshëm të dyja gjuhët. “Kritika” shterret me klishetë qesharake se përkthyesi përdor “një shqipe të rrjedhshme”, – ka vërejtur albanologu.

Në të njëjtën kohë, Lankshi nuk reshti së përkrahuri vlerat e rralla, duke thirrur për më shumë vëmendje karshi poetit Martin Camaj, i padëshiruar në Shqipërinë komuniste të kohës. Ai ishte i mendimit, me të drejtë, se pavarësisht se Camaj jetonte në Gjermani, ai shkruante letërsi shqipe dhe ishte pjesë e saj. “Shkrimtarin Martin Camaj nuk e nxori diaspora, mërgata a ekzili, por tradita e letërsisë shqipe dhe thesari i traditave gojore të Shqipërisë së Veriut. Në krijimtarinë e Martin Camajt, nuk gjenden elementet tipike të shkrimtarëve të mërgatës a ekzilit. Ata zakonisht merren qoftë me letërsi sentimentale patriotike, që e idilizon dhe glorifikon atdheun, qoftë me letërsi të politizuar që e akuzon vendlindjen dhe rrethanat politike në të. Autorë të tillë, zakonisht merren edhe me shkrime gazetareske që e damkosin sistemin diktatorial në vendlindje. Ndryshe nga ata, shkrimtari Camaj shkroi me këmbëngulje letërsi, letërsi të mirëfilltë dhe asgjë tjetër. Ai është një autor i letërsisë shqiptare në kohën e diktaturës komuniste, një nonkonformist për nga stili e estetika dhe për nga përmbajtja e veprës së tij, një shkrimtar jashtë kornizave të letërsisë zyrtare të kohës, por jo jashtë kornizave të letërsisë së Shqipërisë.”, – ka shkruar përkthyesi dhe albanologu gjerman.

“Puna e tij është laureuar me çmimet “Nikolaus Lenau“ i Shoqatës së Artistëve në Esslingen (1999); “Penda e Argjendtë“ (Tiranë 2002) dhe “Azem Shkreli“ (2018).” Duke shprehur hidhërimin për ikjen e albanologut Lanksh, Demiraj kujton fjalët e tij: “…Der Tod gehört zum Leben“ (Vdekja i takon jetës) mbaj mend të përmendte Përkthyesi, kur mësonte për largimin e përjetshëm të kolegëve dhe miqve. Është rasti ta përsërisim këtë maksimë edhe ne miqtë dhe kolegët tij në këto momente zije dhe ngushëllimi në kulturën shqiptare”. Studimi i thelluar i gjuhës shqipe, i kulturës dhe letërsisë shqipe u përftua natyrshëm falë njohjes dhe miqësisë me prof. Martin Camajn, i cili drejtonte atë botë degën e albanologjisë në universitetin elitar „Ludëig-Maximilian“ të Mynihut. Falë kësaj kësaj njohjeje, zoti Lanksh nuk u shkëput më nga letërsia dhe lirika shqipe, duke bartur e përcjellë kandin e saj në hapësirën gjermanishtfolëse.” – shkruan Demiraj .

Ndërsa, studiuesja Ledi Shamku, ka zgjedhur ta shprehë dhimbjen për largimin nga jeta të përkthyesit, me një homazh të përzemërt: “Ti strehove e flatrove fjalën e tash fjala t’u bëftë strehë e flatër! Në fillim qe fjala e fjala qoftë n’amshim me ty! Fjala shqip t’është detorëse për gjithë motin e jetës! Na vorfnove”./Konica.al