Çamëria dhe trashëgimia e saj kulturore, një thesar i çmuar i eposit shqiptar

Fjala çam është një evoluim i termit “t’chiam” dhe përkon me emrin e një lumi të vjetër që kalonte përmes krahinë së Çamërisë. Fjala “T’chamis” haset në shumë harta të vjetra romake dhe helene, duke na treguar se emri “Çamëri” është më i vjetër se Epiri dhe është përdorur vetëm nga popullsia shqiptare ndër shekuj. Ajo që është  më e rëndësishme  të thuhet këtu është se, popullsia çame ka një etnitet, traditë dhe zakone të mirëfillta shqiptare, shkruan KultPlus.

Gjuha shqipe e folur në Çamëri, mund të theksojmë se është pikëtakimi, apo pikëpjekja e dy dialekteve tona, gegë e toskë, me elemente të lashtësisë historiko-linguistike, si gërshetim dialektesh e nëndialektesh shqipe, si një gjuhë e ruajtur me elemente origjinale të rrënjëve ilirishte. Ndoshta, kjo formë e ruajtjes së origjinalitetit rrënjësor linguistik në të folur, u ruajt në vetvete, ngase nuk u bë kurrfarë aplikimi i gjuhës së njësuar shqipe, si ndalim arbitrar hegjemonist grek, për tu shprehur zyrtarisht si gjuhë amtare e arbanitëve. Nuk pati një zyrtarizim të Arbanishtës, ngase është bija e Pellgasishtes, së lashtë, prej së cilës rrodhi vet kjo greqishtja e lashtë, duke mbuluar rrënjët arbanishte me ato greqishte të reja me sufiksalet.

Kultura çame është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë, bart shtretësime të hershme, të formuara në epoka të ndryshme. Siç mund të jetë vënë në dukje nga studiuesit e ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (Pellazgë, Ilirë e që u trashëguan në mesjetën e hershme në kohën e formimit të kombësisë shqiptare. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin “Këngët e çamëve“ se ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare. Atje nga trojet tona të braktisura, lëviz dhe gjallon shpirti i Çamërisë dhe i popullsisë së saj, gjalon bota e miteve, bota parapagane e pagane, bota e perëndive. Ato janë në shtëpinë e tyre dhe zot që nuk ka fuqi t’i shpërngulë.

Një tjetër vlerë të trashëgimisë kulturore të popullit çam e kemi edhe veshjen kombëtare për të cilën kanë folur studiues e shkrimtarë si nga vendi jonë po ashtu edhe ndërkombëtarë. Ndër të tjera, me interes të veçantë  është dhe përshkrimin që i bën diplomati  dhe shkrimtari François Pouqueville i cili në vitet 1820 kishte bërë një ekspeditë në viset shqiptare dhe ndër të tjerash kishte bërë një përshkrim rreth veshjes çame dhe elegancën që u jep ajo banorëve të asaj krahine: “…Udhëtari që do të shikojë ata çamë, që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe një rënie mortaje, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur, me ato qëndisma të bukura lara-lara të veshur me kostume të shkëlqyera dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros, të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir…”.

Mjaft të bukura e të larmishme janë veshjet popullore të përdorura nga popullsia e krahinës së Çamërisë. Deri në fund të shek.XIX  veshja më e përhapur për burra si tek ata të besimit mysliman dhe tek ortodoksët, ishte ajo me fustanellë e shoqëruar me stoli të qëndisur me fije argjendi me gjunjakë, xhamadan, mëngore, këmishë të shkurtër me mëngë të gjëra, qeleshja me majucë, opingat me xhufka të kuqe dhe çorapet e bardha. Pjesë tjetër shoqëruese e kësaj veshje konsideroheshin zbukurimorja e gjoksit e punuar nga argjendarët e qytetit të Janinës si dhe silahu i zbukuruar me fije argjendi i cili i vendosur mbi brez, shërbente për të mbajtur armët e brezit si dhe koburet.

Çamëria ka dhënë një trashëgimi të madhe kulturore për popullin shqiptar duke filluar nga gjuha, veshja, këngët e zakonet dhe të gjitha këto janë vlera të cilat populli shqiptarë duhet t’i ruajë dhe t’i mbrojë sepse përbëjnë një thesar të çmuar të eposit  shqiptar. / KultPlus.com

‘Vëllain ma vranë në sy, shoqet m’i përdhunuan’

Ajo është e fundit fëmijë që mbeti nga ata që 70 e kusur vite më parë erdhën së bashku me të nga Çamëria drejt Shqipërisë, për të mos u kthyer më kurrë në shtëpinë ku u lind dhe ku kaloi 15 vitet e para të jetës. Ajo ka flokë shumë të bardhë, që i mbulon me shami të bardhë. Edhe sytë i ka të bardhë, sy që lotojnë shpesh. Quhet Halide Mergjyshi, por të gjithë e thërrasin Mana. Në greqishten e vjetër Mana do të thotë “nënë”. Dhe kjo thirrje nga të gjithë ata që e njohin është ndër të paktat gjëra që i kujtojnë vendin e saj dhe masakrën brenda shtëpisë ku lindi. Ka shumë pak gjëra që e ngacmojnë për t’i sjellë ndër mend atë kohë. Ka disa foto që ia kanë sjellë fqinjë kur kanë shkuar në Greqi, pranë shtëpisë së saj dhe emrin që si për ironi e thërresin në greqisht dhe kujtimet.

E shohim të përlotet kur na rrëfen se si e kanë përzënë nga shtëpia dhe se nuk e di nëse do të donte të kthehej ndonjëherë të jetonte atje. Por, ajo thotë se kështu do t’u lotojnë syte të gjithëve kur të mbërrijnë në moshën e saj. Refuzon të thotë se po loton për të pafundën herë për të njëjtën histori, atë të jetës së sa, për dëbimin nga shtëpia e saj 70 vite më parë. Ajo vetëm tund kokën duke dashur të justifikohet se e kanë dëbuar nga ai vend sepse kështu kanë dashur ta ndërtojnë historinë, popujt dhe ata që udhëhoqën dje dhe ata që udhëheqin sot.

Mban mend kur ke ardhur në Shqipëri? 

Sigurisht, që e mbaj mend. Nuk është një kujtim që të largohet as duke shkundur kokën e as duke u plakur. Ishte nëntori i vitit 1944 kur kemi ardhur në Shqipëri, nga Saranda, në Qafë Botë. Mbaj mend si kemi ecur me këmbë zbathur, jo vetëm unë, por shumë si unë. Datën e saktë nuk e mbaj mend. Kam qenë 16 vjeç dhe ditët e fundit në vendin ku linda dhe ku kisha kaluar deri atëherë jetën time kanë qenë të ngarkuara dhe me ngjarje të tmerrshme. Kur mbërritëm në Shqipëri dhe duhet të regjistroheshim, shumë prej nesh, të mbijetuarve nuk mbanim mend as ditëlindjet tona. Shumica e çamëve kanë një ditë lindjeje tjetër nga ajo e vërteta. Unë njoh shumë çamë që e kanë ditëlindjen për Vitin e Ri, më 31 dhjetor sepse kështu janë regjistruar, pasi nuk mbanin mend ditëlindjen e tyre. Nuk është e thjeshtë të ikësh nga shtëpia me rrobat e trupit dhe të vetmen gjë që mund të marrësh nga vendi yt është një gur. Unë as një gur nuk e kam nga vendi im, por shumë prej nesh e kanë marrë një gur nga strehëza e tyre. Dikush merrte një grusht dhe, të tjerë puthnin tokën, gratë që ishin pa burra dhe fëmijë pranë qanin me ulërima sepse papritur e panë veten vetëm, ndërsa të tjerat që kishin pranë dikë nuk nxirrnin asnjë fjalë nga goja, por vetëm tundnin kokën. Unë nuk thoja asgjë, ashtu sikurse nuk mora dot asgjë. Thjesht kam ecur orë të tëra për të mbërritur në Shqipëri.

Çfarë ke ti nga ajo kohë, nga ajo shtëpi? 

Asgjë veç kujtimeve të këqija dhe traditave që i ndjek njëlloj si ata që u vranë e u prenë aty. Nuk kam asgjë. E kam parë atë oborr dhe shtëpi pas shumë vitesh në një fotografi që një nga komshinjtë e mi e kish bërë gjatë pushimeve në Greqi. Thuajse të gjithë e dinë historinë time këtu në lagje. Nga kujtimet mbaj mend se jetonim, si të thuash, në të njëjtën ndërtese me gjyshërit e me xhaxhallarët. Sepse ndërtesat tona ishin si të thuash të mëdha, sa pallatet sot, me dy kate vërtet, por me 40 dhoma. Kështu e kishim ne shtëpinë. Në katin e parë kishim bodrumet, stallën, si i thoni ju tani, kishim edhe dhomat për shërbëtorët, edhe vendin ku mblidheshim nëpër festa, edhe vendin ku gatuhej, edhe vendin ku mblidheshim të hanim. Këto ishin të gjitha në katin e parë, ndërsa në të dytin kishte vetëm dhoma ku flinin e rrinim. Eh, ajo shtëpi… Tani të tjerë banojnë në atë shtëpi, ndoshta fëmijët e atyre që na tradhtuan ne.

Si ju tradhtuan? 

Mua më vranë vëllanë, përpara syve. Në mëngjes herët. Isha 16 vjeç, ndërsa ai ishte 21. Nuk do ta harroj kurrë atë skenë, madje as shumë nga ato që pashë më pas, gjatë rrugës për në Shqipëri. Nuk i harroj ulërimat që atë ditë vinin nga kati i parë, kur ushtarët grekë kishin shqyer derën dhe kishin rrëmbyer gjërat më me vlerë. Florinjtë që kishin në vath grave ua tërhoqën nga veshi duke i çarë. Ndërsa meshkujt i mblidhnin të gjithë bashkë për t’i pushkatuar në oborr. Mua vëllanë ma vranë brenda në shtëpi. E ata që i vrisnin brenda shtëpi edhe i prisnin, përveçse i pushkatonin. Sepse tortura ishte në sytë e familjarëve që e shihnin mishin të hidhej në zjarr. Që atë mëngjes që na zgjuan britmat, kam parë e dëgjuar histori që mendja e të rinjve sot mund edhe të mos i pranojë. Histori të tjera të trishta kam dëgjuar edhe kur mbërrita në Shqipëri. Ashtu sikurse mua më vranë vëllanë përpara syve të tjerëve u kishin vrarë e prerë nënën, babanë, burrin e fëmijën, u kishin rrëmbyer florinjtë duke i premtuar se do t’i mbronin në bodrum dhe pastaj i kishin dorëzuar vetë te ushtarët grekë duke i tradhtuar.

Kur u nisët për në Shqipëri? 

Menjëherë pas kësaj ndodhie. Nuk na kish mbetur më asgjë, përveç frikës se gratë do t’i përdhunonin pasi të pushkatonin të gjithë burrat në Paramithi. Neve na kishin thënë më parë që të ndërronim fe ose të shkonim në Turqi, kur u ndërruan grekët me turqit, por ne nuk donim të linim shtëpinë e pasurinë që kishim venë. Ishte shtëpia jonë, vendi ku kishim jetuar e lindur. Kështu nuk ikëm, e kështu jo vetëm që na bastisën, por edhe na vranë, jo vetëm në shtëpi, por edhe rrugës për në Shqipëri.

Si e mban mend rrugën? Ke udhëtuar në këmbë? 

Po, në këmbë për ditë të tëra, e tronditur jo vetëm nga ato që më kishin ndodhur, por edhe me atë që shihja rrugëve për të shpëtuar nga ushtarët grekë.

Çfarë ke parë rrugës? 

Gra shtatzëna që hidheshin nga shkëmbinj, hidheshin në humnera për t’i shpëtuar thikave dhe shpatave të atyre. Ndonjëra që nuk vraponte dot, përjetonte… Ç’të të them, i kanë nxjerrë fëmijën nga barku vetëm me një shpatë të vogël. Kam dëgjuar baballarë që i mbanin në kampe pas hekurave dhe shihnin vajzën që përdhunohej e ulërinte se nuk dinte ç’të bënte. Këto nuk harrohen lehtë. Por, sërish dëshiron të shohësh shtëpinë tënde. Nuk më lejon kush të vete edhe një herë përpara se të vdes. E kam të ndaluar, thua se kam vrarë unë dhe jo më kanë vrarë ata.

Dëshiron vërtet të shkosh në një shtëpi ku ke vetëm kujtime të këqija? 

Po, edhe një herë në tokën time, aty në oborrin ku mblidhnim ullinjtë, ku luanim… Edhe burri im kishte histori të tmerrshme në Çamëri dhe deri në fund të jetës së tij e kishte vendosur që të mos kthehej më kurrë aty, por unë jo. Nuk e di nëse do të doja të jetoja aty, por ama të shkoj kam shumë dëshirë. Po ja që nuk më lejohet edhe tani pas 70 vjetësh. Kam lindur në një vend ku nuk mund të shkel dot. /luleamyftari/ KultPlus.com

“Çamëria është e do mbetet plagë e hapur në trupin e shqiptarisë”

Nga Kim Mehmeti

“Çamëria është ‘det’ i thellë 75 vite, i mbushur me lotët për mbi 2.900 çamët të masakruar. Çamëria është edhe emri i mallit për vendlindjen, i qindra mijë çamëve të dëbuar nga vatrat familjare, e që edhe sot nuk mund t’i vizitojnë as varret e të parëve të tyre. Çamëria është e do mbetet plagë e hapur në trupin e shqiptarisë. Si dhe peshore që saktësisht matë paaftësinë e politikanëve tanë për ta shëruar këtë plagë, e të cilët, me heshtjen e tyre për të shkuarën tragjike çame, e ‘blejnë’ fqinjësinë e mirë me Greqinë! Çamëria është mbëmendja e shqiptarisë për vetveten, andaj nëse ndodh e pamundura që ta harrojmë atë, atëherë do zgjedhim ta jetojmë mallkimin e gjithë çamëve të vrarë e të dëbuar nga vatrat e tyre!” (Kim Mehmeti)