80-vjetori i masakrave ndaj popullsisë Çame

Çamëria përbën grupin e katërt të krahinave etnografike, që formojnë Toskërinë, e cila sot në territorin grek korrespondon me prefekturën e Thesprotisë. Në kohërat antike thesprotët, së bashku me fiset Molose e Kaone përbënin fiset kryesore të Epirit.

Çamëria shtrihet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë, nga lumi i Pavllës e deri në gjirin e Prevezës, ku bëjnë pjesë rrethet e Filatit, të Gumenicës, të Margëlliçit, të Paramithisë, të Pargës e të Prevezës. Çamëria zë një sipërfaqe prej 4 000 km katrorë, me një vijë bregdetare prej 107-108 km. Ajo ka një popullsi prej më shumë se 75. 000 frymësh, e cila është tërësisht shqiptare.

Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike dhe u aneksuan nga Konferenca e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913. Vija përfundimtare e kufirit u vendos në Traktatin e Firences, më 17 dhjetor 1913. Traktati i Lozanës i vitit 1923 iu dha shkas qarqeve drejtuese të Athinës, që të dëbojnë me dhunë çamët nga trojet e tyre.

Masakrat ndaj popullsisë çame nisi më 27 qershor të vitit l944, nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva. Masakra më e egër ndaj shqiptarëve myslimanë u bë në rajonin e Paramithisë. Forcat e Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) hynë në qytet dhe vranë rreth 600 shqiptarë myslimanë. Popullsia e Parathimisë u kap në befasi. Numri i civilëve të vrarë ka qenë: në Filat l286, në Gumenicë l92, në Pargë 620 dhe gjatë periudhës 27 qershor 1944 deri në mars 1945, u vranë 2771 civilë.

Si pasojë e këtij gjenocidi, rreth 25.000 e pjesës së popullsisë myslimane së Çamërisë, u shpërngulën dhe u vendosën në qytetet shqiptare. Gjatë shpërnguljes së tyre e ikjes së tyre drejt Shqipërisë, rreth 2400 njerëz kanë humbur jetën gjatë rrugës, për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve . Kuvendi i Republikës së Shqipërisë më datë 30 qershor 1994 e shpalli 27 qershorin si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Shumë pjesëtarë të komunitetit çam, më 27 qershor të çdo viti, përkujtojnë në Qafë-Botë të afërmit e tyre që u masakruan nga shteti grek gjatë viteve 1913-1944. / KultPlus.com

Çamëria në dosjet e Sigurimit – një hap në ndriçimin e një plage historike

“Historia nuk është vetëm ajo që është shkruar në librat e historisë, por edhe ajo që ka mbetur në dosjet e arkivave, të panjohura dhe të papranuara për shumë vite.”

Çështja e Çamërisë është një histori komplekse dhe e dhimbshme. Kjo është çështja e një komuniteti kulturor me tradita të thella dhe rrënjë të forta në historinë e Shqipërisë, i cili është ndodhur nën goditjet e padrejta të historisë përgjatë shekullit të kaluar. Ky komunitet ka përjetuar periudha të dhimbshme që nga krijimi i shtetit shqiptar pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas nën regjimin komunist.

Këtë vit përkujtojmë 80 vjetorin e  fitores mbi nazifashizmin në Shqipëri, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë globale, evropiane dhe atë te rajonit.  Në Shqipëri, kjo fitore mundësoi krijimin e një qeverie të re triumfuese mbi pushtimin, por që  përfundoi në një tjetër diktaturë nën komunizmin e Enver Hoxhës. Sidoqoftë lufta dhe vuajtjet e popullit shqiptar gjatë kësaj periudhe u bënë  pjesë e rëndësishme e ndërgjegjes kombëtare dhe kujtesës historike.

Lufta e Dytë Botërore solli një nga tragjeditë më të mëdha për popullsinë çame. Forcat greke kryen masakra të pamëshirshme ndaj çamëve, me rezultat eksodin dhe dëbimin e dhunshëm të tyre nga tokat dhe pronat e tyre. Megjithatë, për shumë vite, këto ngjarje nuk u dokumentuan dhe as u njohën siç duhet.

Dokumentimi i ngjarjeve të dhimbshme të eksodit çam ka qenë shumë i vonuar. Eksodi çam dhe masakrat që ndodhën gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore kanë mbetur të errësuara në histori për një kohë të gjatë. Një nga arsyet kryesore është se bashkësia u shpërnda anë e kënd Shqipërisë,  pa patur mundësi as te organizohej, as te udhëtonte për në shtëpitë e tyre.

Çamët nuk patën mundësi të artikulonin hapur identitetin dhe kërkesat e tyre etnike për shkak të censurës dhe kontrollit të rreptë politik gjate diktaturës komuniste. Çdo organizim politik apo shoqëror brenda komunitetit, ndonëse jetik për çështjen çame,  ishte i ndaluar. Çdo udhëtim jashtë Shqipërisë, ndonëse për çamët ishte kthim në shtëpi, konsiderohej tradhti ndaj atdheut dhe dënohej deri në 15 vite burg apo dhe me pushkatim në vend. Çdo kërkesë kulturore për identitet ishte e pakonceptueshme në një shtet dhe  shoqëri tërësisht të centralizuar.

Gjatë periudhës komuniste,  përveç dëbimit nga trojet e tyre, çamët përjetuan kufizime serioze të lirive të tyre.  Edhe pse regjimi komunist i njohu dhe i mbështeti integrimin e tyre ekonomikisht dhe shoqërisht, çamët nuk ishin në gjendje të artikulonin hapur identitetin dhe kërkesat e tyre etnike për shkak të censurës dhe kontrollit të rreptë politik.

Ekspozimi i dokumenteve arkivore nga AIDSSH lidhur me çamët  është një hap i rëndësishëm drejt evidentimit të së vërtetës historike. Kemi mundur të evidentojmë një koleksion dokumentesh nga Fondi i Ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen direkt me historinë e përzënies së çamëve nga tokat e tyre, dëmet ekonomike dhe masakrat e kryera ndaj tyre. Këto dokumente, që datojnë nga periudha para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, përmbajnë raporte, relacione dhe statistika që hedhin dritë mbi një histori të fshehur për shumë kohë.

Në dokumentet e Drejtorisë së I-rë e Sigurimit të Shtetit, Fondi nr.4, gjejmë raporte dhe korrespondenca të ndryshme që flasin për masakrat e grekëve ndaj popullsisë çame. Ka statistika mbi refugjatët çamë, vrasjet dhe pronat që kanë lënë pas. Këto dokumente janë të një rëndësie të pazakontë, pasi sfidojnë narrativën e përgjithshme, dhe sjellin në pah një histori që duhet të njihet dhe të respektohet.

Arkivat përfaqësojnë një burim të pasur historik për të kuptuar periudhën komuniste. Arkivi i Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë pas shfletimit të 200 mijë fletë dokumente, regjistra, kartela dhe të dhënave lidhur me bashkësinë çame vë në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve rreth 105 dosje nga tre fonde arkivore. Të gjitha këto dokumente janë burime historike me rëndësi të madhe kombëtare, që zbardhin jo vetëm çështje identitare të komunitetit çam, por edhe zbulojnë të vërteta që ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Besoj se ky koleksion arkivor ofron prova historike të reja dhe ndihmon në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të çamëve, duke qene i rëndësishëm për disa arsye themelore. Së pari, këto dokumente ofrojnë prova historike mbi ngjarjet që shpesh kanë qenë objekt debati dhe mosmarrëveshje.

Së dyti, për çamët dhe pasardhësit e tyre, këto dokumente kanë një rëndësi të veçantë në aspektin emocional dhe identitar. Ato ofrojnë një dozë të drejtësisë historike dhe morale që ndihmon në ruajtjen dhe mësimin e historisë së popullit çam për brezat e ardhshëm.

Këto histori janë dhe  një shembull i veçantë se si përvojat individuale të një grupi të caktuar pasqyrojnë dhe kontribuojnë në kuptimin e historisë kolektive. Dhe ndërsa shoqëria shqiptare përballet me sfidat për të ardhmen, historia e çamëve mbetet një element i rëndësishëm për të kuptuar kompleksitetin e përvojës historike të Shqipërisë dhe rajonit më gjerësisht.

Prandaj, dëshiroj ti ftoj të gjithë familjarët dhe të interesuarit të plotësojnë formularët e kërkesave ne AIDSSH dhe të njohin më mirë historinë e komunitetit çam përmes leximit të arkivit tonë dhe lidhjes se tyre dhe me arkiva familjare apo dhe me rrëfimet. Kështu plotësohet mozaiku në kohë i të vërtetave historike te kësaj bashkësie, si  një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe drejtësisë për çështjen çame./tema/KultPlus.com

“Tumankuqja” vjen premierë në TKOB, bazuar në origjinalitetin e këngëve, valleve e kostumeve të krahinës së Çamërisë

“Tumankuqja” është premiera që do të çelë ndryshe sezonin e ri artistik për Ansamblin Popullor, bazuar në origjinalitetin e këngëve, valleve e kostumeve të krahinës së Çamërisë.

Këto xhevahire trashëgimie do të ngjiten në skenën e TKOB-së, jo vetëm nga Orkestra, Grupi i Valleve dhe Grupi Koral i Ansamblit Popullor, por edhe nga solistët e AP-së: Denisa Gjezo, Adela Bezhani, Malvina Likaj, Raimond Kllogjeri, Avni Miraka dhe Aranit Hoxha, kështu ka njoftuar ministrja e kulturës, Elva Margariti.

Me të ftuar special si Enkelejda Alushi dhe Hysni Alushi, Altin Malo dhe Grupi i Vallëve të të Rinjve të Çamërisë, nën drejtimin e Puen Bajramit, premiera vjen më datë 16 dhe 17 shtator, ora 20:00, në TKOB.

Biletat mund t’i merrni çdo ditë, në sportelin e TKOB-së, nga ora 10:00-14:00 dhe nga ora 16:00-20:00. / KultPlus.com

Fjalimi historik i Esad Mekulit për Çamërinë

Fjalimi epik i Esat Mekulit për Çamërinë. Është viti 1941…, Pejë!

“Kosova dhe Çamëria kanë çelë plagë të randa dhe të paharrueshme në trupin e popullit t’onë, por i kanë dhanë edhe eksperiencë të madhe Shqipnisë së lirë dhe të bashkueme sot e mbrapa me vendet që ia kishin grabitun. Po flas si djalosh i Kosovës shqiptare, i Kosovës qi në ditën e sodit po lirohet përgjithmonë prej zgjedhës, me dishirin e madh dhe të pashkimun qi Kosova shqiptare t’i bashkohet Shqipnisë së lirë, qi vllaznit tonë, të çdo feje qofshin, t’a ndjejnë me zemër se janë vllazen rreth qëllimit dhe punës së përbashkët.

Zemrat t’ona le të jenë të mëdhaja dhe veprat t’ona edhe ma të mëdhaja, terrori qi anmiqt mbuellën nëpër fushat tona të buta dhe pjellore le të jenë nji herë e mirë mësim për bashkimin t’onë rreth idealeve të përbashkëta. Besa dhe dashunija vllaznore le të jenë të mëdha, sikurse ka qenë e madhe vuejtja e jonë deri tash, pse Shqipnia duhet me kenë e njishme, e pandashme, e pacoptueme.” / MekuliPress/ KultPlus.com