Letra falënderuese e Camus për mësuesin e shkollës fillore

Albert Camus shkroi këtë letër falënderimi për mësuesin e shkollës fillore, Louis Germain, menjëherë pas marrjes së Çmimit Nobel për Letërsi në vitin 1957. Një gjest i rëndësishëm ishte ai i shkrimtarit francez që tregon se si mësuesit e shkollave fillore mund të kenë një rëndësi të madhe për edukimin dhe formimin e individëve.

Albert Camus

“I nderuar z. Germain,

Kam pritur të shuhet rrëmuja që më ka rrethuar këto ditë para se të vij t’ju flas me gjithë zemër. Më kanë bërë një nderim shumë të madh (dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi N.d.R.) të cilin as nuk e kërkova, as nuk e kujtova. Por, kur më erdhi lajmi, mendimi im i parë, pas mendimit për nënën time, ishte për ju. Pa juve, pa atë dorë të dashur që ju i ofruat një fëmijës së varfër, që ai isha unë, pa mësimin dhe shembullin tuaj, nuk do të kishte ndodhur asgjë nga gjithë këto. Unë nuk e mbivlerësoj këtë lloj nderi, por kjo është, të paktën, një mundësi për t’ju treguar se çfarë ishit dhe vazhdoni të jeni për mua dhe për t’ju siguruar se përpjekjet e juaja, puna juaj dhe bujaria që ju keni mbjellë, janë gjithmonë të gjalla në një nga nxënësit tuaj i cili, pavarësisht prej moshës, nuk ka pushuar së qeni nxënësi juaj mirënjohës.

Ju përqafoj me gjithë forcën time. / KultPlus.com

‘Njerëzit e mëdhenj, nuk i futen kurrë politikës’

Thënie nga Albert Camus

Një shtyp i lirë, natyrisht, mund të jetë i mirë ose i keq, por, në mënyrën më të sigurtë, pa liri shtypi nuk do të jetë gjë tjetër veçse i keq.

Një ndërgjegje fajtore ka nevojë të rrëfehet. Një vepër arti është një rrëfesë.

Një njeri pa etikë është një bishë e humbur në këtë botë.

Ah, miku im, për këdo që është i vetmuar, pa Zot dhe pa mësues, pesha e ditëve është e lemerishme. 

Medet, pas njëfarë moshë, çdo njeri është përgjegjës për fytyrën e tij. 

Të gjitha bëmat e mëdha dhe mendimet e mëdha kanë një fillim qesharak. Veprat e mëdha shpesh kanë lindur në një qoshe rruge apo në derën rrotulluese të një restoranti.

Të gjitha revolucionet moderne kanë përfunduar në një përforcim të pushtetit të Shtetit. 

Intelektuali është dikush mendja e të cilit vështron veten e saj.

Kur bëhet 30 vjeç njeriu duhet ta njohë veten si në pëllëmbë të dorës, të dijë saktësisht të gjitha të metat dhe kualitetet, ta dijë sa larg ai mund të shkojë, të parathotë dështimet e tij – të jetë ai që është. Dhe, mbi të gjitha, t’i pranojë këto gjëra. 

Janë të bekuara zemrat që mund të lakohen; ato nuk do të thyhen kurrë. 

E çfarë është lumturia përveçse një harmoni e thjeshtë midis një njeriu dhe jetës që ai bën? 

Rregulli është që qeveria nuk ka ndërgjegje. Nganjëherë ka një politikë, por asgjë më shumë. 

Sharmi është një mënyrë për të marrë përgjigjen po kërkuar një pyetje të qartë.

Mos ju beso miqve kur ata të kërkojnë të jesh i ndershëm me ata.  E gjitha ç’duan ata është të mbajnë mendimin e mirë që ata kanë për veten e tyre.

Mos prit gjyqin e fundit – ai ndodh çdo ditë.

Mos ec pas meje; nuk jam prijës. Mos ec para meje ; nuk mund të të ndjek. Ec përkrah meje dhe ji miku im. 

Çdo akt rebelimi shpreh nostalgjinë për pafajësinë dhe një thirrje ndaj thelbit të qenies.

Çdo njeri ka nevojë për skllevër si për ajër të pastër. Të sundosh do të thotë të marrësh frymë, apo jo? Madje edh më të paprivilegjuarit duan të marrin frymë. Ata të shkallës më të ulët kanë skllevër gratë ose fëmijët e tyre.

Çdo revolucionar përfundon në shtypës ose në heretik. 

Liria nuk është gjë tjetër veçse një shans për të qenë më mirë.

Ai që dëshpërohet nga gjendja njerëzore është burracak, por ai që shpreson për të është budalla.

Si mund të jetë çiltërsia një kusht për miqësi? Shijimi i së vërtetës me çdo kusht është një pasion që nuk shpenzon asgjë. 

Sa e rëndë, sa e hidhur është të bëhesh njeri!

Unë di vetëm një detyrë, ajo është të dashuroj. 

 Në mes të dimrit e kuptova më në fund se brenda meje ishte një verë që nuk çrrënjoset.

Integriteti nuk ka nevojë për ligje.

Është normale të japësh pak nga jeta jote, në mënyrë që të mos e humbësh krejtësisht. 

Njeriu është një ide, dhe është një ide e vogël e çmuar sapo ia kthen shpinën dashurisë.  Njeriu është krijesa e vetme që nuk pranon të jetë çfarë është. / KultPlus.com

Ç’ bëre me vitet e tua, ku e varrose kohën tënde më të mirë

Fragmente nga autorë të mëdhenj, KultPlus ju sjell copëza nga Dostoevsky, Nietzsche e Camus

“Dhe pastaj pyet veten ku janë ëndrrat e tua. Dhe duke tundur kokën thua: Sa shpejt ikin vitet! Dhe përsëri pyet veten: Ç’bëre me vitet e tua? Ku e varrose kohën tënde më të mirë? Ke jetuar apo jo? Shiko i thua vetes, shiko se si bën ftohtë në këtë botë. Do të kalojnë të tjerë vite, dhe pastaj do të vijë vetmia e errët, do të vijë me shkop pleqëria e dridhur, e pastaj brenga dhe përmbysja. Do të zverdhet bota fantastike, do të mërdhijë, do të treten ëndrrat tuaja dhe do të bien siç bien gjethet e verdha nga drurët…”

– Fyodor Dostoevsky“Netë të bardha”

“Të rinjtë e duan atë që është interesante dhe e veçantë, për ta nuk ka rëndësi nëse ajo është e vërtetë apo e gënjeshtërt. Shpirtrat më të pjekur duan tek e vërteta atë që është tek ajo më interesante dhe e veçantë. Më në fund, njerëzit krejtësisht të pjekur, e duan të vërtetën edhe në atë që duket tek ajo e thjeshtë dhe lakuriqe dhe që i ngjall mërzi njeriut të rëndomtë, sepse kanë vënë re që e vërteta priret ta thotë me fytyrë e thjeshtësisë mençurinë e saj më të lartë.”

– Friedrich Nietzsche“Njerëzor, tepër njerëzor”

“Sapo ai iku, rigjeta përsëri qetësinë time. Isha i dërrmuar dhe u hodha mbi dyshekun tim. Mendoj se më kishte zënë gjumi pasi u zgjova dhe pashë yjet sipër kokës. Zhurmat e fshatit vinin deri tek unë. Aromat e natës, të tokës dhe të kripës freskonin tëmthat e mi. Paqja e mrekullueshme e kësaj vere të përgjumur futej tek unë si një vërshim i papërmbajtshëm. Në këtë moment që përkonte dhe me fillimin e agimit të ditës së re, ulërinë sirenat. Ato më njoftonin nisjen për në një botë tjetër, për të cilën nuk isha më indiferent. Për herë të parë, që prej shumë kohësh mendova për mamanë. E kuptova se përse në fund të një jete ajo kishte gjetur “një të fejuar”, se përse ajo kishte filluar të luante për të rifilluar edhe njëherë nga e para. Edhe atje, atje, përreth kësaj azileje ku shuheshin jetë, mbrëmja ngjante me një pushim melankolik. Kaq pranë vdekjes, mamaja duhet të jetë ndjerë e lirë dhe e gatshme për të rijetuar edhe njëherë gjithçka. Asnjë, por asnjë nuk kishte të drejtë të qante mbi të. Dhe unë gjithashtu u ndjeva gati për të jetuar përsëri. Sikur gjithë ky zemërim më kishte pastruar nga e keqja, më kishte boshatisur nga shpresa, përpara kësaj nate të mbushur me shenja dhe yje po i hapesha për herë të parë indiferencës së butë të kësaj bote.”

 Albert Camus“I huaji”./ KultPlus.com