Organizatorët e festivalit të filmit në Kanë të Francës shpresojnë se kjo ngjarje sivjet në shënim të 75 vjetorit do të tërheqë fytyra të njohura të filmit, si Baz Luhrmann, George Miller e David Cronenberg. Ata shpresojnë se gjatë tij do të shfaqen filma të suksesshëm, siç është Top Gun Maveric, që ta bëjnë festivalin të paharruar.
Festivali i filmit në Kanë do të mbahet prej datës 17 maj deri më 28 maj 2022, dhe radha e filmave të zgjedhur për shfaqje do të bëhet e ditur në javën e tretë të prillit.
Natyrisht se gjërat mund të ndryshojnë, por sipas Variety, është një listë e gjatë filmash që do të shfaqen në këtë ngjarje.
Në mesin e tyre janë: “Armageddon Time”, me regji të James Gray, filmi “The Son”, me regji të Florian Zeller, “Crimes of the Future” me regji të David Cronenberg, “Untitled “Hamlet”” adaptation i Ali Abbasi, e të tjerë.
Sipas një burimi për Variety, përgjegjësi i Kanes, Thieri Fremo, shpreson se në krye të jurisë do të zgjedh një femër, e në mesin e emrave për të cilët është diskutuar janë për Merion Kotillerd e Penelopi Kruz.
Sa i përket situatës në Ukrainë, organizatorët e festivalit të Kanës kanë reaguar në lidhje me luftën që po zhvillon Rusia atje. Ata kanë lansuar një deklaratë zyrtare sipas të cilës shkruan se përkrahin popullin ukrainas, ndërkaq dënojnë pikëpamjet e Rusisë dhe liderëve të saj.
Ata po ashtu shkruan se me mendime janë tek populli Ukrainas, tek artistët e industrisë së filmit të cilët janë të rrezikuar nga lufta. Sipas tyre, anëtarët e qeverisë ruse nuk janë të lejuar të jenë të pranishëm në Kanë. /rtv21.tv/ KultPlus.com