“Rrugës” nga Samir Karahoda në garë për Palmën e Artë në Cannes, filmi do të shfaqet më 24 maj

Filmi i ri nga Samir Karahoda, “Rrugës”, është përzgjedhur zyrtarisht për garën e filmave të shkurtër në edicionin e 77-të të Festivalit të Kanës . Kjo është hera e dytë që një film në regji të Samir Karahodës përzgjedhet për garën zyrtare të Festivalit më prestigjioz në botë, pas filmit “Pa Vend” që e kishte premierën në Cannes në vitin 2021.

Filmi “Rrugës” sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit. Ndërsa përballen me pengesa burokratike dhe një perspektivë të pakëndshme për ndryshime reale politike dhe sociale në vendin e tyre, ata gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.

“Rrugës” është shkruar nga Samir Karahoda dhe djali i tij Mironi, duke integruar tregime personale dhe elemente autobiografike, që pasqyrojnë shqetësimet e tyre për të ardhmen e vendit. Gjatë këtij udhëtimi të shkurtër, udhëtimi i tyre bëhet një eksplorim i lidhjes së tyre mes sfidave shoqërore dhe pasigurisë që ata kanë në atdheun e tyre.

Në rolet kryesore paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda. Samir Karahoda përveç regjisë dhe skenarit, gjithashtu ishte edhe drejtor i fotografisë. Filmin e montoi me mjeshtëri Enis Saraçi.

Filmi është produksion i ‘SK Pictures’ me producentë Eroll Bilibani dhe Samir Karahoda.

“Rrugës” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosoves, Televizioni Kulturor Europian ‘ARTE’ dhe Televizioni Finlandez ‘Yle’.

Filmi në Cannes do të prezantohet më 24 maj, në ora 11:00 dhe është në garë për çmimin prestigjioz “Palma e Artë”. / KultPlus.com

Viola Davis nderohet me çmimin “Women in Motion” në Cannes

Në kuadër të festivalit të filmit që po mbahet në Kanë të Francës u ndanë disa çmime dedikuar gruas në film, që janë “Women in Motion”. Me këtë çmim kësaj radhe u nderua aktorja Viola Davis.

Kjo 59 vjeçare mbajti një fjalim goxha fuqizues, ku tha se ky çmim do të thotë mirënjohje për trashëgiminë e saj, pra mirënjohje edhe për gratë tjera me ngjyrë.

Davis po ashtu ka thënë se gratë tashmë nuk presin që të definohen nga meshkujt apo ndonjë strukturë tjetër, por vetëm nga vetja e tyre, dhe kjo është bërë e qartë gjatë progresit të saj në karrierë, progres ky të cilin e arriti për të bërë ndryshimin që ka dëshiruar të shihte, pra për gratë. Ajo ka thënë se dëshiron t’i sheh edhe gratë tjera me ngjyrë duke arritur, ashtu si qenie të komplikuara të bukura që janë.

Në këtë ngjarje, Davis u shoqërua nga bashkëshorti i saj, Julius Tennon.

Atje me çmim u nderua edhe regjisorja suedeze Ninja Tiberg, në kategorinë “Women in Motion Young Talent Award”.

Çmimin “Women in Motion” në festivalin e filmit në Kanë të Francës e ndanë kompania franceze Kering dedikuar arritjeve të grave në film.

Ky çmim ndahet prej vitit 2015./21Media / KultPlus.com

Kurti pas festivalit në Kanë: Kosova është bërë forcë ndërkombëtare në kinematografi

Me përfundimin e edicionit të 74-të të festivalit së filmit në Kanë, ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një statusi në rrjetin social Facebook, përcjellë KultPlus.

Kurti është shprehur se ai nuk ka takuar asnjë personalitet arti e kulture që nuk dinte për Kosovën. Ndërsa, për të rëndësia e artit dhe vlerat e popullit konsiderohen se po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm.

“Qeveria që e udhëheq do të jetë pranë artistëve tanë dhe do t’i përkrah ata si asnjëherë më parë”, ka thënë ai.

KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:

Kosova është bërë forcë ndërkombëtare në kinematografi. Nuk e takuam asnjë personalitet arti e kulture që nuk dinte për Kosovën. Samir Karahoda dhe Luàna Bajrami ishin krah për krah në Cannes me artistët më të shquar që erdhën këtu prej anekënd globit. Nga shumë mijëra filma ky Festival përzgjodhi rreth një dyzinë sosh për secilën kategori. Shumica dërrmuese e vendeve të botës nuk u kualifikuan. E Kosova kishte dy filma që u shfaqën dhe garuan. Rëndësia e artit dhe vlerat tona po bëhen bashkë për vetëdijen dhe shqisat e miliona shikuesve të huaj dhe mijëra artistëve të famshëm.

Në kuadër të vizitës dyditore në Cannes takova Jerome Paillard, drejtorin e Marche dú Film të Kanës, tregut më të madh të filmit në botë; Stefan Laudyn, Drejtorin e Festivalit Ndërkombëtar të Varshavës; Nikolaj Nikitin, drejtorin e SOFA – shkolla për avancimin e filmit; Katriel Schorry, nga Fondi i Filmit të Izraelit, dhe Helge Albers, nga Fondi i Filmit të Hamburgut. I falenderova për mbështetjen e filmit dhe artistëve nga Kosova si dhe diskutuam për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit.

Po ashtu takova edhe Ministren Franceze të Kulturës, znj. Roselyne Bachelot, me të cilën biseduam për avansimin e prodhimit të përbashkët të filmave, si dhe kryebashkiakun e Cannes, z. David Lisnard. E në fund, ishte kënaqësi të takoj Kryetarin e Jurisë sivjet, regjisorin Spike Lee, si dhe regjisorin italian Paolo Sorentino.

Qeveria që e udhëheq do të jetë pranë artistëve tanë dhe do t’i përkrah ata si asnjëherë më parë. / KultPlus.com

Julia Ducournau, regjisorja e dytë femër që fiton ‘Palmen e Artë’ për thrillerin e saj “Titane”

Palma e Artë në Festivalin e 74-të të Filmit në Kanë shkoi për “Titani” të Julia Ducournau. Një fitore e shoqëruar me një gafë nga presidenti i jurisë Spike Lee, i cili gabimisht shpalli fituesin në mes të ceremonisë.

Përmbyllet kështu një edicion i veçantë, i festivalit të Kanës, i cili përkoi me kthimin e publikut në kinema pas një periudhe të gjatë mbylljeje për shkak të Covid-19.

Ceremonia e mbylljes u hap mbi shënimet e “The End” nga The Doors. Të parët që u vlerësuan ishin filmat e shkurtër. Palma e Artë i jepet “Tous Les Corbeaux Du Monde”, një vepër që vjen nga Hong Kongi. Çmimi kushtuar veprës së parë, ‘Dhoma e artë’ shkon në Kroaci, ndaj “Murina” nga regjisorja Antoneta Alamat.

Emocion i madh në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për Marco Bellocchio. Një ovacion i madh që emocionoi regjisorin i cili u përlot. “Nuk kam asgjë më shumë për të thënë, për të shtuar”, tha ai i emocionuar, ndërsa Paolo Sorrentino pranë tij i dha Palmën e Artë të nderit.

“Unë dua ta ndaj çmimin me fëmijët e mi Pier Giorgio dhe Elena, producentin Simone, i cili është pothuajse një bir i birësuar dhe Michel Piccoli i madh që unë dua ta kujtoj”, tha ai.

Më pas rifilloi seria e çmimeve tradicionale me atë për interpretimin më të mirë mashkullor që iu caktua aktorit Texan Caleb Landry Jones për “Nitram” nga Justin Kurzel. Pastaj incidenti i papritur, kur Spike Lee njoftoi gabimisht Palmën e Artë për “Titani” të Julia Ducournau, në fillim të ceremonisë.

Çmimi i Jurisë, “Prix du Jury” shkon më parë në filmat “Haberech” nga Nadav Lapid dhe “Memoria” nga Apitchapong Weerasethakul. Aktorja më e mirë u gjykua protagonistja e “The Worst Person in the World” nga Joachim Trier, Renate Reinsve.

Çmimi i skenarit i shkon autorit japonez Hamaguchi Ryusuke për filmin “Drive My Car”.

Regjisori më i mirë është Leos Carax për filmin “Annette”.

Dhe së fundmi Palma e Artë, e cila konfirmoi pritjen e pavullnetshme të Spike Lee. / A2 / KultPlus.com

Palma e artë shkoi për filmin e shkurtër “TIAN XIA WU YA (All Crows in the World)” në festivalin e Kanës

Palma e artë e filmit të shkurtër shkoi për filmin “TIAN XIA WU YA (All Crows in the World)” nga regjisori TANG Yi, shkruan KultPlus.

TANG Yi mori “Palmën e Artë” në kategorinë filmit të metrazhit të shkurtër.

Kujtojmë se në këtë kategori ka konkuruar edhe filmi kosovar ”Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda.

Filmi 15-minutësh nën regjinë e Samir Karahodës, “Pa Vend” morri vlerësimet e mjaftueshme të jurisë gjashtëanëtarëshe të përbërë nga Kaouther Ben Hania, regjisore dhe shkrimtare (Tunizi); Tuva Novotny, regjisore, shkrimtare dhe aktore (Suedi); Alice Winocour, regjisore e shkrimtare (Francë); Sameh Alaa, regjisor, producent e shkrimtar (Egjipt); Carlos Muguiro, regjisor (Spanjë) si dhe Nicolas Pariser, regjisor e skenarist (Francë).

”Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda është bërë filmi i parë nga Kosova që është përzgjedhur në mesin e 10 filmave të shkurtë që garuan për ‘Palmën e Artë’ në garën zyrtare të festivalit më prestigjioz në botë, atë të Kanës. / KultPlus.com

Albin Kurti edhe në tepihun e kuq të festivalit së filmit në Kanë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përveç pjesëmarrjes në premierën e filmit kosovar “Pa Vend” në Festivalin e Filmit në Cannes, ai sot së bashku me familjen e tij ka parakaluar edhe në qilimin e kuq të ceremonisë së ndarjes së çmimeve, shkruan KultPlus.

Mediumi francez ‘Canal +’ i ka publikuar këto pamje përgjatë momentit të parakalimit të kryeministrit Kurti, i shoqëruar nga familja e tij.

Kurti ka shkuar në premierë të filmit “Pa vend” nga Kosova për të cilin tha se mori duartorkitje të gjata nga publiku në sallën Debssy në Cannes.

“Nga 3.739 filma të metrazhit të shkurtër nga mbarë bota komiteti selektues i Festivalit të Cannes sivjet i ka përzgjedhur 10 sosh. Në mesin e tyre është edhe filmi nga Kosova “Pa vend” i regjisorit Samir Karahoda i cili sot mori duartrokitje të gjata nga publiku këtu në sallën Debussy në Cannes. Ishte kjo premiera botërore e këtij filmi kurse në fillim të muajit gusht ai do të shfaqet në Festivalin Dokufest në Prizren”, ka shkruar ai për filmin.

Kujtojmë që të premten, filmi kosovar i titulluar “Pa Vend” shkroi histori duke u bërë filmi i parë nga Kosova që dha premierë në garën zyrtare të festivalit ndërkombëtar të filmit në Cannes. / KultPlus.com

Kurti në Francë, merr pjesë në premierën e filmit kosovar “Pa vend”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas Greqisë ka udhëtuar për në Francë ku ka marrë pjesë në premierën e filmit kosovar “Pa vend” që u dha sot në Festivalin e filmit të Kanës.

Lajmin për Klankosova.tv. e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Është hera e parë që Kosova është në mesin e shteteve që garojnë për ‘Palmën e Artë’ dhe kryeministri ka shënuar së bashku me ekipin e filmit këtë moment të suksesit ndërkombëtar të kinematografisë së Kosovës”, ka thënë ai. / KultPlus.com

Festivali i Filmit në Kanë: 6 filma që mund të bëjnë bujë në vitin 2021

Festivali i Filmit në Kanë filloi javën e kaluar, duke u kthyer në Rivierën Franceze për herë të parë që kur “Paraziti” i Bong Joon Ho goditi çmimin kryesor dhe pushtoi kulturën e kinemasë botërore dy vjet më pare, transmeton KultPlus.

Formacioni i filmave në edicionin e 74-të në Kanë është aq i pasur dhe eklektik si kurrë më parë, duke shfaqur punë nga autorë të njohur dhe autorë të rinj premtues.

Këtu ju sjellim një vështrim të disa nga debutimeve kryesore të festivalit që përfundimisht do të bëjnë rrugën e tyre në teatrot amerikane ose shërbimet transmetuese më vonë këtë vit. “After Yang” Artisti dhe eseisti i videos i njohur si Kogonada, rikthehet me këtë dramë fanta-shkencore me protagonist Colin Farrell si një baba që përpiqet të riparojë mikun e vajzës së tij të vogël: një robot të quajtur Yang. “Annete” regjisori ikonoklastik francez Leos Carax (“Holy Motors”) bën debutimin e tij në gjuhën angleze me këtë opera rock iluzionuese me protagonist Adam Driver si një komedian i stand-up dhe Marion Cotillard si gruaja e tij, një soprano e famshme. ‘Flag Day” Sean Penn drejton dhe bashkëluan në këtë dramë ku bëhet fjalë për një grua të re (Dylan Penn, vajza e aktorit në jetën reale) që lufton për t’u rregulluar me babanë e saj, i cili është një artist. “Flag Day”, bazuar në një kujtim të reporterit Jennifer Vogel, u përshtat për ekranin nga dramaturgu fitues i Tonit, Jez Butterworth (“Ferryman”) dhe përmban muzikë nga Eddie Vedder, Cat Power dhe Glen Hansard. ‘The French Dispatch’ Kultistët e Ues Andersonit, gëzohuni! Autori kthehet me këtë dramë ansambël të vendosur në zyrën franceze të një gazete imagjinare Kansas. ‘Val’ Val Kilmer kaloi dekada duke xhiruar video të shtëpive që tregonin fëmijërinë e tij, karrierën e filmit dhe jetën private – dhe tani ato regjistrime të vjetra janë pjesa kryesore e këtij portreti dokumentar me metrazh të gjatë që e drejton bashkë me Leo Scott dhe Ting Poo. ‘The Velvet Underground’ Todd Haynes, i njohur më shumë për drejtimin e dramave “Far from heaven”, “Carol” dhe drejtues i “Velvet Goldmine”, “I’m not there” kthehet në trillerin për një nga grupet përcaktuese të rrokut të viteve 1960./ KultPlus.com

Dokumentari për aktorin Val Kilmeri po mahnit Kanën

Magjepsës si Jim Morrisoni i grupit “The Doors”, një maço tipik përkrah Tom Cruiset në filmin “Top Gun” dhe pak i vlerësuar në rolin e ngurtë të Batmanit – të cilin edhe vetë e urreu – pak aktor janë intrigues sa Val Kilmeri.

Sjelljet dhe karakteri i tij vazhdimisht kanë pasur ngritjet dhe uljet e veta.

Joel Schumacher, i cili ishte në rolin e regjisorit për filmin “Batman Forever”, e cilësoi aktorin Kilmer si psikopat dhe më shqetësuesin që ka njohur ndonjëherë. Krejt problemet e karrierës janë bërë troç në dokumentarin “Val” për jetën e aktorit që po mahnit pjesëmarrësit në Festivalin e Filmit në Kanë.

Aktori besohet se ka pasur probleme me menaxhimin e zemërimit kur ia dorëzuan dokumentet e shkurorëzimit gjatë xhirimeve të filmit “The Island of Dr.Moreau”. Filmi, përveç problemeve me motin dhe buxhetin e lartë, e kishte lodhur regjisorin John Frankenheimer.

“Kurrë nuk do të ngjitem në Malin Everest dhe kurrë më nuk do të punoj me Val Kilmerin”, kishte thënë regjisori.

Dokumentet e shkurorëzimit erdhën nga Joanne Whalley, bashkëshortja britanike, e cila dy herë e çoi në gjykatë.

Gjatë shkurorëzimit të tyre – i realizuar derisa Klimer ishte në lidhje me modelisten Cindy Crawford – aktori u akuzua për lidhje me një kameriere dhe për dështim që të sigurojë shtëpi për fëmijët e tyre.

Të mërkurën, fëmijët e tij, Mercedes dhe Jack, ishin të pranishëm në Kanë për ta promovuar dokumentarin e babait të tyre, i cili u realizua nga “Amazon Prime”.

Pjesë e dokumentarit janë incizimet e shumta të cilat i ka realizuar aktori 61-vjeçar gjatë katër dekadave. Kilmeri në këtë dokumentar flet sinqerisht për jetën dhe karrierën e tij.

Në këtë dokumentar ai duket sikur po flet nëpërmjet laringut, për shkak të pasojave të kancerit në fyt, me të cilën sëmundje u diagnostikua në vitin 2015.

Sëmundjen e tij e ka mbajtur private dhe është larguar nga jeta e Hollywoodit. I plakur dhe me një zë të cilin gazeta “New York Times” e përshkroi diçka si ulërimë e shterur, ai i ngushëllon demonët e tij të brendshëm. Ndërkaq revista e njohur “Variety” shkroi për portretin që bën bashkë talentin, inteligjencën dhe dhuntinë për ta sabotuar veten”.

I biri i një pasaniku të Arizonas, aktori ka pasur gjithmonë standarde të larta. Një aktor aq i përpiktë dhe i prirë të mishërohet me rolet e tij saqë në moshën 12-vjeçare braktisi xhirimet e reklamës për hamburger, me arsyetimin se nuk mund të gjente motivimin për rolin që kishte marrë.

Val Kilmer shpesh duket larg personit të përulur dhe spiritual që shfaqet në filmin e ri në të cilin fshin lotët sa herë flet për jetën dhe sëmundjen.

Sëmundja e kancerit e ka lodhur. Në dokumentar, në të shumtën e rasteve, rrëfimi është i titëruar për shkak se aktori mezi dëgjohet duke folur. Shpesh i biri i tij përsërit fjalët e babait. “Kam jetuar një jetë magjike dhe jam kënaqur të shumtën e kohës”, thotë ai. / Koha.net / KultPlus.com

Premierë historike e ‘Luaneshave të Kodrës’ në festivalin e Kanës

Filmi ‘Luaneshat e Kodrës’ nga Luana Bajrami shfaqi premierën në kuadër të programit Directors’ Fortnight të Festivalit të Kanës. Ky është filmi i parë i gjatë i bashkëprodhuar nga Kosova e Franca dhe i xhiruar në Kosovë që shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, përcjellë KultPlus.

Directors’ Fortnight është program shumë i rëndësishëm i Kanës që ka ndikuar shumë në kinemanë bashkëkohore dhe ka kontribuar në evoluimin e gjuhës së filmit botëror, duke shfaqur filma të regjisorëve të njohur si Werner Herzog, Rainer Werner Fassbinder, Nagisa Oshima, George Lucas, Martin Scorsese, Chantal Akerman, Jim Jarmusch, Michael Haneke, Spike Lee, Naomi Kawase, Jean-Pierre and Luc Dardenne, dhe Sofia Coppola.

‘Luaneshat e Kodrës’ është në garë për Kamerën e Artë “Camera d’or” çmim i Festivalit të Kanës për regjisorët debutues që janë pjesë e programeve të ndryshme të festivalit.

Filmi është bashkëprodhim i Kosovës me Francën, me producente Valbona Rrahmanin, dhe bashkëproducent Pascal Judelewicz.

Në rrolet kryesore luajnë Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj, Andi Bajgora, dhe Luàna Bajrami.

Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Festivali i Kanës pushtohet nga yjet, Jodie Foster nderohet me çmimin “Palme d’or”

Yjet e filmit u kthyen në tapetin e kuq të martën, pasi Festivali i Filmit në Kanë u rikthye pas një viti pushim. Kjo ngjarje është festivali i parë i madh i filmit që zhvillohet që nga fillimi i pandemisë, transmeton KultPlus.

Filmi hapës i këtij viti ishte ai i zhanrit muzikor “Annette” i bandës Sparks, me protagonistë Adam Driver dhe Marion Cotillard.

Nuk u mbajt asnjë distancë sociale nga pjesëmarrësit në tapetin e kuq, dhe rregulli “pa puthje” u hodh poshtë menjëherë natën e hapjes nga presidenti i festivalit, Pierre Lescure.

Aktori amerikan Driver i tha agjencisë së lajmeve Agence France Presse: “Covid është ende atje, por është një ndjenjë e madhe lehtësimi dhe kënaqësie (të jesh në Kanë)”.

Në fund të shfaqjes së parë, ata që ishin brenda Palais des Festivals u dhanë aktorëve dhe krijuesve të “Annette” një duartrokitje 5 minutëshe. Jodie Foster të cilës iu nda çmimi prestigjioz “Palme d’or”, ishte e pranishme për të marrë ketë çmim të karrierës së saj, e që iu nda  nga regjisori spanjoll Pedro Almodovar.

Foster, e shoqëruar nga Almodovar, drejtori i Parasite dhe fitues i Palmës së Artë 2019, Bong Joon-ho dhe Spike Lee, kryetari i jurisë së këtij viti, e shpallën këtë ngjarje të hapur. Lee, i cili është njeriu i parë me ngjyrë që kryeson panelin që do të zgjedhë fituesit e çmimeve të këtij viti, tha në një konferencë për shtyp se “kjo botë drejtohet nga gangsterë”. Në Festivalin e Kanës po marrin pjesë shumë yje botërore, e Kosova po merr pjesë me filmin e Luana Bajramit “Luaneshat e Kodrës. /KultPlus.com

Ministri Çeku pret në takim Luana Bajramin, regjisoren që po e bën Kosovën pjesë të Festivalit në Kanë

Kinematografia kosovare sot përjetoi edhe një lajm gëzimi. ‘Luaneshat e Kodrës’, do të jetë filmi i parë i gjatë kosovar që do ta shfaqë premierën në festivalin më të rëndësishëm të filmit në botë, atë të Kanës, shkruan KultPlus.

Menjëherë pas këtij lajmi, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku bashkë me këshilltarin e tij, Liburn Jupollin, kanë pritur në kabinetin e tij regjisoren e këtij filmi, Luama Bajrami.

Luana në këtë takim ishte e shoqëruar nga producentja, Valbona Rrahmani, asistenti i produksionit, Lavdrim Krenzi, Arben Zharku, Drejtor i QKK dhe Lum Çitaku, zyrtar për marrëdhënie me publikun në QKK.

Gjatë këtij takimi, Ministri Çeku i uroj për suksesin ndërsa u diskutua për rëndësinë që kanë paraqitjet e tilla me vlerë për promovimin e Kosovës dhe gjithashtu punën e mirë që po bëjnë të rinjtë e vendit tonë, duke na bërë krenar në botë.

“Luaneshat e Kodrës”, flet për një histori që zhvillohet diku në një fshat të vogël në Kosovë, ku tri të reja shohin se si ëndrrat dhe ambiciet e tyre po u mbyten. Kërkimin e tyre për pavarësi asgjë nuk mund ndalojë: ka ardhur koha për luaneshat të ulërijnë.

Ky film është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe prodhuar nga OrëZanë Films (Kosovë), Vents Contraires (Francë), dhe Acajou Productions (Francë). / KultPlus.com

Rikthehet Festivali i Cannes, nuk do të ketë puthje dhe përqafime në tapetin e kuq

Shon Pen dhe Wes Anderson pritet të jenë pretendentët kryesorë për të fituar çmimin e madh të festivalit të Kanës që do të mbahet në korrik. Yjet ndërkombëtarë do të mblidhen sërish në festën që do zhvillohet në rivierën franceze.

Organizatorët e festivalit më të madh kinematografik në botë deklaruan se ishin të sigurt se janë në gjendje të realizojnë eventin në bregdet, ndërkohë që në Francë masat për Covid-19 janë disi më të lehtësuara.

Festivali i cili kryesisht mbahej në maj, u anulua vitin që shkoi për shkak të pandemisë, për t’u rikthyer këtë vit, nga data 6 deri më 17 korrik. Ndërsa nuk pritet të ketë puthje dhe përqafime në tapetin e kuq, pas një edicioni hollivudian të Kanës linja e rikthimit përmban më pak emra të mëdhenj të yjeve amerikanë.

Në listën e 24 filmave konkurrues të preferuar për Palmën e Artë janë edhe disa filma që kanë në përmbajtje personazhe me maska. Dëshira për të marrë pjesë në garë është edhe Netflix i cili ka prezantuar disa filma, por kjo është kundër rregullave të Kanës pasi nuk lejohet shfaqja në kinema dhe nuk arritur një marrëveshje. TvKlan/KultPlus.com

File photo dated May 15, 2018 of Spike Lee posing at the Blackkklansman photocall held at the Palais des Festivals on May 15, 2018 in Cannes, France as part of the 71st annual Cannes Film Festival. – US director Spike Lee will head the jury at the Cannes Film Festival in July, making him the first black person to take on the role. Photo by Lionel Hahn/Abaca/Sipa USA(Sipa via AP Images)

Filmi i Lorena Sopit pjesë e programit Film Short Corner në Cannes

Filmi i shkurtër “Rreze” me skenar dhe regji të Lorena Sopit, i sjellë si adaptim nga Ditari të famshëm i luftës me autore Rreze Abdullahu, është filmi i vetëm shqiptar që këtë vit do të jetë pjesë e programit Film Short Corner në kuadër të festivalit më prestigjioz në botë – Cannes Film Festival.

Festivali i Cannes në Edicionin e 71-të do të mbahet nga data 8 – 19 maj dhe do të hapet me filmin ‘Everybody Knows’ të regjisorit Iranian Asghar Farhadi me Penelope Cruz dhe Javier Bardem në rolet kryesore.

Në programin Short Film Corner, do të shfaqen më shumë se 70 filma nga vende të ndryshme të botës dhe më shumë se 100 filma të përzgjedhur në seksionin e shollave më prestigjioze të filmit. Filmi kosovar Rreze /Ray/, do të shfaqet me datë 17 maj në Palais G në ora 15.

Filmi Rreze, trajton një ditë të vetme të ditarit të mrekullueshëm të Rreze Abdullahut, e cilësuar si Ana Frank e Kosovës. Pikërisht, në ditëlindjen e nëntë, gjatë vitit të luftës 1999, Rreze Avdullahu kishte shkruar Ditarin e Frikës. Atë ditë të shenjuar, ajo nuk kishte pritur dhurata e as festë. Ajo kishte vetëm një dëshirë: Nuk donte të vdiste. Atë ditë, Rrezja shkon te ushtari serb që bënte roje dhe i thotë: unë sot e kam ditëlindjen dhe nuk po due me vdekë! Veç po due me mbetë gjallë… Ushtari nis e qan. Rrezja befasohet sepse kishte kujtuar se ushtarët nuk qajnë. Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, mbi gërmadhat e së kaluarës, Rrezja shfaqet e dëshpruar me botën që nuk është bërë më e mirë…

Filmi prej 12,30 minutash me titull ‘Rreze’ /Ray/ është prodhuar nga AS Film Production nga Prishtina. Filmin Rreze, gjatë muajve në vijim, e presin edhe shumë evnte tjera të rëndësishme.

Në rolet kryesore paraqiten Agron Shala, Glorioza Shala dhe Aurita Agushi. Në rolet e tjera vijnë Beslidhje Bytyqi, Selman Lokaj, Uran Duli, etj. Drejtor i fotografisë është Besnik Hasolli, mjeshtër zëri Gëzim Rama, skenograf Uran Duli, kompozitor Mendi Mengjiqi dhe producent Agim Sopi.

Lorena Sopi, është studente e regjisë dhe produksionit në Toronto Film School, njërën ndër shkollat më prestigjioze të botës. Deri më tani ka realizuar disa filma të shkurtër. Filmat e saj ‘Mona’, ‘Më e bukur se pranvera’ dhe ‘Përjetësisht Fëmi’, kanë qenë pjesë e më shumë se 50 festivaleve ndërkombëtare dhe kanë fituar më shumë se 20 çmime kinematografike./ KultPlus.com