Zgjidhet problemi i çantave të rënda të fëmijëve, nis shpërndarja e dollapëve personal nëpër shkolla

Pas ankesave të vazhdueshme të prindërve për peshat e rënda të çantave të shkollës, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati, ka bërë të ditur se nga sot do të fillojë furnizimi me dollape të fëmijëve për klasat e para deri në klasat e pesta, shkruan KultPlus.

Ajo përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka treguar se cilat do jenë shkollat e para që do të furnizohen, si dhe ka treguar se sipas një hulumtimi në një shkollë fillore të Prishtinës është hasur në mospërputhshmëri peshash që Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon dhe asaj që fëmijët deri më tani kanë qenë të detyruar të bartin.

Postimi i plotë i Musmuratit:

Mëngjes tejet i lumtur sepse sot po fillojmë furnizimin me dollape të fëmijëve për klasët e para deri në klasët e pesta 🎒📚. Në çdo takim me prindërit e fëmijëve të kësaj grupmoshe kam marrë ankesa për peshën e rëndë të çantave.

Sipas një hulumtimi të bërë nga një shkollë fillore e Prishtinës, nxënësi i klasës së parë, që ka peshë trupore rreth 23 kilogramë, e bart çantën mesatarisht 4 kilogramë e 170 gramë. Ndërsa sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pesha fizike që bartin fëmijët nuk duhet të jetë mbi 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve, pra 2.3 kilogramë.

Pasojat në shëndet prej çantave të rënda janë të mëdha, prandaj edhe kemi reaguar që të ruajmë shëndetin e fëmijëve. Kemi blerë dollapë metalik që i rezistojnë kohës dhe që janë tejet të përshtatshëm për fëmijë. Po fillojmë me shkollat Hasan Prishtina, Ismail Qemaili dhe Naim Frashëri që të vazhdojmë në të gjitha shkollat e Prishtinës. #BashkëeNdreqim

Neve i urojmë nxënësit dhe prindërit e tyre për këtë lajm të gëzueshëm dhe shpresojmë që një shembull të tillë të fillojnë ta ndjekin edhe të gjitha shkollat nëpër komunat tjera të vendit. / KultPlus.com

Me nisjen e gjysmëvjetorit të dytë, apelohet që fëmijëve t’u lehtësohen çantat

Me nisjen e gjysmëvjetorit të dytët të vitit shkollor, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka apeluar te prindërit dhe arsimtarët nëpër shkolla që të arrijnë të bëjnë zvogëlimin e peshës së çantave të rënda që bartin fëmijët.

IKSHPK ka thënë se “menaxhimi i zvogëlimit të peshës së çantave të rënda parandalon të gjitha deformimet e boshtit të kurrizit te nxënësit e shkollave fillore!”

Ky institut po ashtu ka bërë thirrje që të gjithë pjesëmarrësit në trafik të shtojnë kujdesin gjatë lëvizjes në rrugë.

Problemi i çantave të mbingarkuara të nxënësve të shkollave fillore është i pranishëm qe një kohë në vend, me prindërit që shpesh janë ankuar, por që ende s’është gjetur një zgjidhje nga ana e autoriteteve mësimore. / KultPlus.com