Era Berisha
Projekti i Manifesta 14 është eksperiment i provuar për herë të parë me një metodologji të re për urbanizëm me burim të hapur. Është vështirë të gjendet një laborator jetese më i mirë se Prishtinë, një kryeqytet i ri me energji të fuqishme nga baza e hierarkisë që po ndryshon marrëdhënien me hapësirën publike, shkruan KultPlus.
Projekti për Manifesta 14 në Prishtinë shtyn para hulumtimet e CRA-së për metodologjitë me burim të hapur për procesin e dizajnimit, gjë që vazhdon tash e një dekadë. Qëllimi përfundimtar i qasjes me burim të hapur është të transformohet arkitektura “nga një mekanizëm i pandryshueshëm mbarimi prej lart poshtë në një sistem gjithëpërfshirës, transparent dhe ekologjik me qasje prej poshtë lart – edhe nëse prapëseprapë përfshin mekanizma prej lart poshtë”. Me kalimin e kohës, kjo qasje është përkthyer në një varg projektesh dhe ekspozitash të shumanshme të zhvilluara ndërkombëtarisht nga CRA.
Manifesta është themeluar në fillim të viteve të 90-ta si përgjigje ndaj ndryshimeve politike, ekonomike dhe shoqërore si pasojë e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së Perdes së Hekurt. Nga etablimi i saj Bienale Nomade Evropiane – një rrjet gjithevropian për artet bashkëkohore që ndryshon lokacionin çdo dy vjet – kjo ngjarje gjithnjë e më shume po e forcon qasjen e saj ndërdisiplinore. Duke filluar nga edicioni i vitit 2018, Fondacioni Manifesta ka ftuar praktika ballore të dizajnit për zhvilluar edhe hulumtime para bienales, edhe plane afatgjate për identifikimin e strategjive, lokacioneve, komuniteteve dhe temave kyçe të mundshme për qytetet e përzgjedhura. Studimi urban i Manifesta 12 (2018), i zhvilluar nga OMA, është përqendruar në Palermon dhe rolin e tij si integrues kulturor. Studimi urban i Manifesta 13 (2020), i zhvilluar nga MVRDV, ka eksploruar qytetin e Marsejës. Për Manifesta 14 në Prishtinë, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti dhe drejtorja e Manifestës Hedwig Fijen, kanë emëruar Carlo Ratti Associati për të zhvilluar studimin urban për kryeqytetin e Kosovës.
Përbrenda edicionit të 14 të Manifestës që do të mbahet në Prishtinë, Manifesta po përpiqet të sjell ndryshime të mëdha në politikat e bienales; një nga to është mbështetja dhe bashkëkrijimi i zgjidhjeve të qëndrueshme dhe relevante artistike në mënyrë që të rritet kapaciteti kreativ. Kjo do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e Prishtinës dhe komunitetet artistike e qytetare për të ushqyer lidhshmërinë me natyrën dhe për ta rinuar marrëdhënien e tyre me të, ndërkohë që do të bëhet ndërgjegjësim më i madh për realitetet aktuale. Metodologjia e Carlo Ratti Associati, e cila përqendrohet në urbanizmin pjesëmarrës, do ta forcojë misionin e Manifesta 14 për të punuar me komunitetet me qëllim të krijimit të zgjidhjeve të qëndrueshme urbane.
Për të folur rreth prezantimit të ndërhyrjeve të para urbane në Prishtinë dhe ardhjen e Manifestës në Prishtinë, të pranishëm ishin panelistët si: drejtori i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, drejtoresha e Manfiesta Hedwig Fijen, zv.ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Daulina Osmani dhe themeluesi i firmës për dizajn dhe inovacion të CRA-së, Carlo Ratti.
Kjo ngjarje nisi me fjalën e drejtoreshës themeluese të Manifesta, Hedwig Fijen, e cila foli rreth ndërhyrjeve të para që tashmë kanë filluar në Prishtinë.
“Tanimë janë zbuluar ndërhyrjet e para simbolike në Prishtinë që do të bëhen nga zyra e dizajnit dhe novacionit CRA-Carlo Ratti Associati. Në mars 2021, CRA-ja është përzgjedhur të zbatojë vizionin urban të Manifesta 14 për Prishtinën. Vizioni urban informon mënyrën se si Manifesta 14 do të marrë trajtë brenda kontekstit lokal, por edhe të hulumtoj se si qyteti i Prishtinës mund të transformohet duke rimarrë hapësirën publike nga qytetarët e tij”, ka thënë Fijen.
Sipas saj, Carlo Ratti ka folur për gjetjet fillestare nga hulumtimet e CRA-së që janë kryer gjatë tre muajve të fundit, si dhe ka dhënë vizionin për mënyrën se si do të mund të zhvillohej Qyteti i Prishtinës në të ardhmen sipas një skeme me burim të hapur duke propozuar një metodologji të re që përqendrohet në urbanizmin pjesëmarrës, gjë që do të provohet në Prishtinë për herë të parë.
“Metodologjia përbëhet nga tri faza të ndryshme. Faza fillestare, e cila ka ndodhur në fillim të marsit 2021, është sjellë rreth shqyrtimit të një numri të madh hartash të Prishtinës, kryesisht për t’i parë hapësirat publike të qytetit. Kjo ka ndihmuar për ndriçimin e modeleve të ndryshme hapësinore dhe shoqërore, si dhe për të shquar vende kyçe – sheshe dhe rrugë, parqe dhe hapësira të gjelbra – që tani për tani nuk përdoren mjaft ose që keqpërdoren. Gjatë verës 2021, si pjesë e fazës së dytë të projektit, këto vende do të bëhen lokacione të një vargu ndërhyrjesh të përkohshme urbane, duke sugjeruar mënyra alternative për atë se si mund të rimerret hapësira publike”, thotë Fijen.
Për Fijen, në fazën e tretë, njerëzit do të kenë mundësinë të “votojnë me këmbë”: pra, të japin komente të drejtpërdrejta mbi veprimet e dizajnit. Ky mekanizëm i reagim-vlerësimit do të kontribuojë për të kuptuar se cili intervenim duhet të ruhet dhe të konsolidohet për të ardhmen e kryeqytetit të Kosovës, kështu duke nxitur evoluimin e vazhdueshëm të qytetit.
“Është çast unik për jetën urbane. Emergjenca shëndetësore e vitit të shkuar jo vetëm që i ka bërë qytetet të panevojshme, por në fakt ka vepruar si katalizator për novacion. Kjo na mundëson të ri mendojmë hamendësimet për atë se si i duam qytetet – si interpretim urban i asaj që ekonomisti Joseph Schumpeter ka quajtur “shkatërrim kreativ”. Ç’ është e vërteta, nuk është e mundur të dihet se cili transformim është më i miri pa e provuar fillimisht, andaj kjo është çfarë do të fillojmë të shqyrtojmë këtë verë. Ftojmë të gjithë njerëzit të ndajnë vlerësimet e tyre me ne për ndërhyrjet urbane dhe të kontribuojnë në evoluimin gjithnjë e më të hovshëm të Prishtinës’’, përfundon Fijen.
Tutje, për të folur rreth buxhetit dhe problemit mes hapësirave publike dhe privatizimit, foli kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
“Tashmë janë bërë më shumë se 2 vjet që Prishtina e fitoj të drejtën që të jetë nikoqire e Manifestës dhe që atëherë ne kemi pritur që të kemi shumë vizitorë. Ideja e Manifestës nuk është vetëm numri i vizitorëve që ta shohim se si ta përdorim këtë mbledhje të urbanistëve, disajnerëve, arkitektëve dhe artistëve që të bëjnë diçka për Prishtinën’’, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, në qoftë se ekziston një betejë që bëhet në Prishtinë që një kohë të gjatë është ajo mes privates dhe publikes ku që nga viti 1999 nuk ka pasur ndonjë betejë më të vështirë.
“Pas diskutimeve të gjata, ne si Komunë kemi kërkuar nga Manifesta që tema kryesore të jetë si ti ruajmë hapësirat publike dhe çfarë efekti do të kenë ato. Si Komunë kemi shpenzuar rreth 5 milionë euro nga buxheti jonë që ta blejmë hapësirën e Fabrikës së Tullave dhe Shtëpinë e Mallrave apo Ish-Gërminë, të cilën po ashtu e kemi blerë me një vlerë rreth 2 milionë euro”, shpalos Ahmeti.
Për Ahmetin, ideja që këto objekte të mbrohen nga privatizimi është kryesore sepse hapësirat publike duhet të mbrohen, ndërsa edhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit dhe Hotel Grandi, duhet të mbrohen me patjetër nga deformimet potenciale që mund të vijnë.
Kurse, tutje ka folur edhe zv.ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.
“Manifesta, një prej bienaleve më të veçanta të Evropës që prej viteve të 90-ta, kërkon të decentralizojë qasjen e qendrave artistike. Manifestën e shohim si një mundësi që vetë shoqëria jonë të bëhet pjesë integrale e këtij laboratori socio-kulturor. Andaj, Manifesta vjen në Prishtinë në një periudhë shumë të veçantë kulturore ku Kosova tashmë numëron 103 festivale kulturore me kapacitete të reja edukativo-arsimore’’, ka thënë Osmani.
Sipas saj, ky është një moment i veçantë ku Kosova po e pret një platformë e leximit, eksperimentimit dhe ndërtimit të kapaciteteve të reja, gjithmonë në shërbimin e një niveli të lartë ku Manifesta të organizohet si një ngjarje shumë e rëndësishme në një vend të Ballkanit.
“Kosova që nga shekulli XX, ka kaluar në etapa të ndryshme socio-kulturore dhe politike, duke e formësuar shoqërinë tonë të larmishme duke e gdhendur opinionin e tyre se si organizohet kultura në hapësira publike për arsye se ka kaluar nëpër sisteme që i kanë formësuar vetë për të krijuar një qasje ndaj objekteve arkitektonike”, përfundon Osmani.
Po ashtu, vetë partneri themelues i zyrës për dizajn dhe novacion të CRA-së dhe profesori në Massachusetts Institute of Technology, Carlo Ratti ka folur rreth ndërhyrjeve të para urbane të Carlo Ratti Associati në Prishtinë.
“Ndërhyrja e parë simbolike do të ndodhë në një hapësirë që më parë ka qenë e lënë pas dore, në Fabrikën e Tullave – i cili është lokacioni më i rëndësishëm pasindustrial i qytetit – dhe do të shndërrohet përkohësisht në një hapësirë të komunitetit. Përmes krijimit të një “dhome urbane të ndejës”, ndërhyrja ka për qëllim të nxisë debat për mënyrat se si hapësira mund të përdoret nga qytetarët e Prishtinës, si mund të bëhet e qasshme për komunitetet dhe si mund të bëhet pjesë e infrastrukturës së qytetit”, thotë Ratti.
Sipas tij, krahas ndërhyrjes urbane në Fabrikën e Tullave, një lokacionin i dytë po ashtu do t’i nënshtrohet metodologjisë së CRA-së. Kjo do të ndodhë në ish-Librarinë Hivzi Sylejmani, një ndërtesë e fillimit të shekullit të 20-të që ka një oborr të vogël e të këndshëm, por që aktualisht është i paqasshëm, edhe pse gjendet në qendër të qytetit.
“Bashkë me komunitetet lokale dhe studentët nga Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës , Manifesta 14 synon t’i jep trajtë një hapësire alternative komunitare për lagjen dhe përmes këtij veprimi shpreson të tregojë se si hapësirat e braktisura publike mund të shndërrohen në vende ku mund të ndërveprojë komuniteti. Edhe Fabrika e Tullave, edhe ish-Biblioteka do të përdoren si vendngjarje për edicionin e ardhshëm të Manifestës në vitin 2022 dhe janë pjesë e vizionit të saj për riaktivizimin dhe rimarrjen e hapësirës publike në Prishtinë’’, përfundon Ratti.
Kështu krejt në fund, të pranishmit patën mundësinë të shtrojnë pyetje rreth gjithë asaj se çka është prezantuar sot.
Manifesta është themeluar dhe drejtohet nga historiania holandeze e artit Hedwig Fijen. Çdo edicion i ri financohet individualisht dhe menaxhohet nga një ekip i përhershëm i specialistëve ndërkombëtarë.
Qytetet e ardhshme nikoqire të Manifesta:
Manifesta 14, Prishtinë (Kosovë, 2022)
Manifesta 15, Barcelona (Spanjë, 2024)
Manifesta 16, Ruhr Area (Gjermani, 2026) / KultPlus.com