Shitjet e pllakave muzikore tejkaluan ato të CD-ve

Për herë të parë që nga viti 1987, shitjet e pllakave muzikore kanë tejkaluar shitjet e CD-ve në SHBA, sipas një raporti të ri nga Shoqata e Industrisë së Regjistrimit të Amerikës (RIAA). Adhuruesit e muzikës blenë më shumë se 41 milionë disqe vinyl vitin e kaluar dhe 33 milionë CD.

Kjo është një rritje prej 3%, pasi në vitin 2021 shitjet e disqeve vinyl arritën në 40 milionë. Nga ana tjetër, shitjet e CD-ve ranë me 28%, pasi në vitin 2021 shitjet e tyre ishin 47 milionë.

Taylor Swift ishte artistja femër më e shitur e vinyleve të vitit 2022 në SHBA, duke shitur 945,000 kopje të albumit të saj Midnights, e ndjekur nga Harry Styles , i cili shiti 400,000 kopje të albumit të tij Harry’s House. Gjithashtu në top pesëshen janë SOUR e Olivia Rodrigo (263,000 kopje), Good Kid i Kendrick Lamar (254,000 kopje) dhe Rumors i Fleetwood Mac (243,000 kopje).

Por shërbimet e transmetimit të muzikës vazhduan të përbëjnë shumicën e të ardhurave në industrinë e muzikës në SHBA në vitin 2022. Abonimet me pagesë, shërbimet e mbështetura nga reklamat, radio dixhitale, platformat e mediave sociale kontribuojnë me 84% të të ardhurave totale në industrinë e muzikës, duke regjistruar një rritje prej 7% në vitin 2022, pra 13.3 miliardë dollarë krahasuar me vitin 2021 që përbënte 83% të të ardhurave.

“Tirana në muzikën e Aleksandër Peçit”, promovohen dy CD-të e kompozitorit

Në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës kompozitori Aleksandër Peçi ka publikuar dy CD me punët e tij më të fundit, inspirimi për të cilat është kryeqyteti.

“Tirana në muzikën e Aleksander Peçi” është ky projekti që do të gjallërojë muzikën e Aleksandër Peçit. Dy volume që do të risjellin xhevahiret e Tiranës që gjithmonë ka tërhequr kërshërinë time”, shkruan kompozitori. Një kërshëri e nxitur nga atmosfera festive, gjallëria e ritmeve, ndjeshmëria dhe origjinaliteti.

“Për atë virtuozitet instrumental të jashtëzakonshëm, për atë ornamentike të mrekullueshme te pipzat e Tironës, për zylet e famshme që kur themi zylet nënkuptojmë adrenalinë, kur themi adrenalinë, nënkuptojmë zylet etj”, shprehet për muzikën tradicionale të Tiranës, kompozitori.

Aleksandër Peçi ka lindur në Tiranë më 11 korrik 1951. Kreu studimet për kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1974 më pas filloi punë si kompozitor në Estradën e Shtetit (1977–1979), nga 1979-1986 ai ishte drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngët dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1986 ai është kompozitor me kohë të plotë. Gjithashtu Peçi është Pedagog dhe që nga viti 1992 jep mësim në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.

Peçi ka kompozuar në të gjitha format e gjinitë e muzikës: këngë, muzikë dhome, simfonike, skenike (si baleti “Kecat dhe ujku”, opera “Oirat”), muzikë filmash e deri tek muzika elektroakustike.

Aleksandër Peçit në vitin 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Peçi ka krijuar muzikë për filma të njohur si: “Dasma e Sakos”, “Kur xhirohej një film”, Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Gjeneral gramafoni”, Në çdo stinë”, “Fillim i vështirë”, “Tokë e përgjakur”. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com