Më 7 dhjetor mbahet ceremonia e shpalljes së fituesit të Çmimit Artistët e së nesërmës

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë mban natën finale, ceremoninë e mbylljes së ekspozitës së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 dhe shpalljen e fituesit të Çmimit, më 7 dhjetor nga ora 20:00.

Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Edicioni i vitit 2024 ka përfshirë procesin e aplikimit të artistëve me punën e tyre për Çmimin, aplikimet që janë shqyrtuar dhe vlerësuar nga juria e pavarur, mundësinë për artistët e zgjedhur finalist Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi, kurimi dhe zhvillimi, që është kurorëzuar me ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 e cila është hapur me 1 nëntor 2024 në Klubin e Boksit në Prishtinë.

Tre artistët e nominuar për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024: Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, pas hapjes së ekspozitës dhe ngjarjes së dytë të konceptuar si ecje nëpër ekspozitë dhe bashkëbisedim me artistët e mbajtur me 7 nëntor 2024, në këtë fazë të procesit do të kenë takime me jurinë e pavarur për tu vlerësuar për arritjet, potencialin e demonstruar dhe për mundësinë e secilit artist të nominuar të zgjidhet fitues i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, dhe të udhëtoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojë skenën dinamike të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.

Juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 përbëhet nga Julieta Aranda, artiste dhe bashkëthemeluese e e-flux në Berlin, Miljana Dunđerin, artiste dhe drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus” në Mitrovicën e Veriut, Dr. Vjollca Krasniqi, sociologe dhe profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll dhe Lulzim Zeqiri, artist që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Sipas deklaratës së jurisë tre finalistët në punët e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.

Me imazhet e thjeshta dhe ngacmuese, eksplorimi i patrembur i Mimoza Sahitit për gjendjen e gruas sjell një cënueshmëri të brishtë që ofron një rrëfim thellësisht personal por universalisht politik. Arti i Mimoza Sahitit, i rrënjosur në vizatim dhe pikturë, eksploron marrëdhëniet dinamike midis botëve tona të brendshme dhe mjedisit të jashtëm i cili ndryshon vazhdimisht. Puna e saj luan me idenë e hapësirave “të ndërmjetme” dhe formave të papritura që ato marrin, duke u zhytur thellë në përvojën njerëzore. Me një përzierje unike të humorit dhe dramës, ajo vë në dyshim se çfarë do të thotë të jesh njeri, duke shtyrë vazhdimisht kufijtë e mënyrës se si ne e shohim, ndjejmë dhe kuptojmë artin dhe shoqërinë.

Për ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 Mimoza Sahiti krijoi dhe prezantoi veprën “How Sad, How Lovely” (“Sa e trishtueshme, sa e bukur”), një eksplorim i qëndrueshmërisë, identitetit dhe udhëtimit nëpër peisazhe të brendshme dhe të jashtme. Një udhëtim “kauboji” është mënyrë specifike dhe një maskë shoqërore në realizimin e vetvetes – përballja përfundimtare me veten. Ky kauboj bëhet një figurë e ngecur në hapësirën midis vetes dhe shoqërisë, midis cenueshmërisë dhe mbijetesës.

Në qendër të veprës qëndron një derë, me një xhaketë lëkure të varur, që funksionon si objekt dhe simbol kalimtar. Xhaketa, e qepur me fije të kuqe me fjalët “Sa e trishtueshme, sa e bukur” vepron si armaturë dhe ftesë, një portë midis botës së jashtme dhe hapësirës intime përtej. Ky prag i fton shikuesit të lënë pas identitetet e tyre të jashtme dhe të hyjnë në një botë ku cenueshmëria nuk fshihet, por shfaqet.
Në përgjithësi, kauboji i Mimoza Sahitit përfaqëson një ide të botës së jashtme që lundron sfidat e jetës, duke mishëruar forcën, përulësinë dhe vetminë, duke evokuar një figurë që endet nëpër peizazhe të shkreta të jetës. Kauboji që vesh këtë xhaketë, një figurë e përsëritur në ekspozitë, është një simbol personal dhe universal i qëndrueshmërisë. Këtu fillon udhëtimi në botën e brendshme, ku albumi i Connie Converse “How Sad, How Lovely” funksionon si një alegori. Këtu fillon biseda mes artistes dhe Connie Converse – një përvojë e përbashkët izolimi, betejash të brendshme, vetë-reflektimit, vetmisë, mallit dhe elasticitetit.

Mimoza Sahiti është artiste pamore që aktualisht studion pikturë në klasën Art dhe Imazh të Daniel Richter në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë. Puna e saj fokusohet në eksplorimin e kufijve të pikturës përmes një qasjeje eksperimentale dhe jo tradicionale. Puna e Sahitit thellohet në tema personale dhe universale, duke eksploruar teknika dhe dimensione të ndryshme të kohës dhe hapësirës. Ajo gjithashtu ka diplomë Bachelor në Ekonomi nga Universiteti Goethe në Frankfurt. Mimoza viteve të fundit është aktive në skenat artistike të Prishtinës dhe Vjenës, ku aktron dhe ekspozon rregullisht.

Ekspozitat kolektive në të cilat ajo ka marrë pjesë në tre vitet e fundit përfshijnë: “Çmimi Funding për pikturën figurative”, Galeria County Lake Constance, Kështjella Salem, Salem, 2024; “Përtej ishullit të mrekullive”, Bräuhausgasse 31, Vjenë, 2024; “Shfaqje në klasë Daniel Richter & Alastair Mackinven”, Vjenë, 2024; “E këndoj trupin elektrik, ushtritë e atyre që dua”, Qendra Barabar, 2023; “Këtu sot, iku nesër”, Room Five Studio, Prishtinë, 2023; “Klasa e Richter”, Panairi i Artit Paralel, Vjenë, 2023; “Shfaqje në klasë Alastair Mackinven, Arti Figurativ” në Akademinë e Arteve të Bukura, Vjenë, 2023; “Koleksioni i parë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit” në Galerinë Kombëtare, Prishtinë, 2022; “Finaliste e Çmimit Artistët e së nesërmes”, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë, 2022; “Këmbëngulja e klubeve: Pas një feste”, Qendra për Artin Bashkëkohor, Sofje, 2022; “Grandi i Ri”, Manifesta 14, Prishtinë, 2022; “Pavijoni i Arteve Pamore”, Gjilan, 2022; “INTERNAL”, Room Five Studio, Prishtinë, 2022. Puna e Mimoza Sahitit është shfaqur edhe në ekspozitat personale “Status”, kuruar nga Albert Heta, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë në bashkëpunim me FemArt Festival, 2023, dhe “Qumësht dhe Mjaltë”, Room Five Studio, Prishtinë, 2022.

Fokusi kritik i Luiza Thaqit në strukturat shoqërore dhe ndikimin e tyre ekologjik prekë çështjet që variojnë nga pronësia e tokës së grave në Kosovë deri te çështja e të drejtave të tokës të të vendosurve/kolonistëve në mbarë botën, duke e bërë punën e saj thelbësore në debatet urgjente socio-ekologjike të ditëve të sotme. Nëpërmjet punës së saj, ajo vë në pikëpyetje dhe sfidon se kush ka çasje në tokë dhe pse, duke theksuar betejat më të thella sociale dhe politike në funksion. Duke rimenduar pronësinë e tokës, Luiza na fton të rimendojmë vetë konceptin tonë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe se si mund t’i formësojmë ato në mënyrë më të barabartë.

Vepra “Vend i drejtuar nga toka” e Luiza Thaqit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një ndërhyrje artistike në një hapësirë të jashtme dhe të ndërmjetme në ndërtesën e Klubit të Boksit në Prishtinë, që është e paarritshme si shkak të shtesave të kohës në ndërtesën dhe ndërtimeve private përreth, dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në mirëqenien e tokës. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje të bazuar në kërkim, artistja nxjerr në pah çështjet që lidhen me trajtimin e tokave, pronave, pronave publike dhe shkëputjen e njerëzve nga natyra me pretendim pronësie. Në bashkëpunim me tokën, duke nxjerrë të dhëna për gjendjen aktuale të tokës dhe asaj që ka ndodhur me të, ne tregojmë realitetin, praktikat për një shoqëri të qëndrueshme dhe kontekstin tonë shoqëror.

Luiza Thaqi është artiste e re pamore që jeton në Kosovë. Ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës (UP), Dega Pikturë (2018-2021) dhe aktualisht po përfundon studimet master në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo punon me një sërë mediash artistike, duke përfshirë pikturën, instalacionin dhe videon, me të cilat synon të kontekstualizojë dhe hulumtojë socio-ekologjinë brenda shoqërive specifike, duke shërbyer si një mjet për zbërthimin e ndërlikimeve të mjedisit ku jetojmë.

Në tri vitet e kaluara, Luiza ka qenë pjesë e shumë projekteve dhe ekspozitave, ndër të tjera ekspozita “Thuaj të më kujtosh që të mos harrojmë”, Tregime të grave për shtatzëninë, lindjen dhe amësinë gjatë luftës në Kosovë, pjesë e “Nënave të luftës” projekti 2023, punë bashkëpunuese me Renea Begollin, Biblioteka Hivzi Sylejmani, Prishtinë, 2023; “INFRARED” ekspozitë kolektive nga Foundacioni 17, Center for Narrative Practice, Biblioteka Hivzi Sylejmani Tophane, Prishtinë, 2023. Puna e Luiza Thaqit është shfaqur edhe në ekspozitën personale “Connected – Between Roots and Sky”, kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, Europe House, 2023, Prishtinë.

Angazhimi i artit të Dion Zeqirit me forcat e padukshme – entitetet që e rrethojnë dhe përbëjnë ekzistencën tonë – përmes materialiteteve dhe mediumeve të ndryshme prezanton një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet fizikes dhe jofizikes. Zeqiri ju tërheq me fuqinë e tij të shqetësuar, pothuajse të nënvlerësuar. Ai eksploron se si mendja dhe trupi ndërveprojnë në mënyra që duken të njohura dhe janë poashtu turbulluese. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është, por edhe me atë që mungon – dhe shkëputjen mes të dyjave me që vazhdon të jetojë me ty. Është qasje subtile por me ndikim, mbresëlënëse për mënyrën se si ju bën t’i shihni gjërat ndryshe.

Vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, paraqet një skulpturë gjipsi ku truri dhe zorrët janë të kombinuara në formë rrethore, sikurse dalin nga vetë muri. Skulptura shërben si një paraqitje simbolike e dy forcave themelore, por shpeshherë të kundërta në përvojën njerëzore: intelektit dhe intuitës. Duke u përballur me trurin dhe zorrët – dy organe vitale që formësojnë perceptimin tonë për realitetin – artisti hyn në debatin e vjetër midis intelektit dhe instinktit, arsyes dhe ndjenjës, objektivitetit dhe subjektivitetit.

Artisti shtron pyetje provokuese: “A manifestohet intelekti si mungesë intuite apo është mishërim i gjithçkaje shijuese mes zorrëve dhe mendjes?”. Artisti e përdor këtë koncept për të nxitur reflektim të mëtejshëm duke pyetur se: kur marrim vendime – nëse duhet t’i besojmë dikujt, të ndjekim këshillat apo të ndërmarrim veprime – a veprojmë nga arsyetimi intelektual apo ndjenja intuitive? A mund të konsiderohet racional besimi në diçka të padukshme? Apo vendimet tona shpesh rrjedhin nga ndjenjat e zorrëve përpara se truri ta ketë përpunuar situatën?

Dion Zeqiri është artist dhe dizajner i lindur në Prishtinë. Studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, dega e dizajnit të enterierit. Gjatë studimeve ka punuar në kompani të dizajnit grafik si hulumtues dhe tekstshkrues i projekteve të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare. Praktikat e tij artistike i kanë rrënjët në eksplorimin e kryqëzimit të të dukshmes dhe të padukshmes, me fokus në ndikimin e menjëhershëm të botës së padukshme tek njeriu, trupi dhe aspektet metafizike. Vitet e fundit ai ka qenë i fokusuar në hulumtimin e prezencës së baktereve, si në trupin e njeriut ashtu edhe në kontekstin e konsumimit të ushqimit. Ky hulumtim i ka dhënë atij një perspektivë unike mbi ndërlidhjen e jetës dhe forcave të padukshme që formësojnë ekzistencën tonë.

Ekspozitat kolektive në të cilat ka marrë pjesë në tri vitet e fundit përfshijnë: “Në Përdëllim”, Galeria 17, Prishtinë, Kosovë, 2024; “MQ ARTIST-IN-RESIDENCE”, Vjenë, Austri, 2024; Hulumtim artistik, Autostrada Bienale, Fondacioni Studio Rizoma dhe Qendra Shoqërore POSTANE, Kosovë, Itali, Turqi, 2023; Ekspozita për Ministrinë e Kulturës – Koleksioni shtetëror i veprave të artit, Galeria Kombëtare e Arteve, Kosovë, 2022; “Çmimi Baza”, Galeria Structura, Sofje, Bullgari, 2021. Puna e Dion Zeqirit është shfaqur edhe në ekspozitat personale: “Save me from what I’am”, Muzeu Kombëtar i Kosovës – Lapidarium, Prishtinë, Kosovë, 2022; Ekspozitë personale organizuar në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij dhe Komunën e Prishtinës, Prishtinë, Kosovë, 2021.

Fituesi/ja i/e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të zgjidhet në bazë të portfolios së tyre artistike, veprave të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, potencialit të demonstruar dhe intervistës me jurinë e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024.

Fituesi i çmimit do të shpërblehet me një program dy-mujor qëndrimi artistik në Nju Jork, SHBA, me Residency Unlimited, planifikuar për maj/qershor 2025. Po ashtu, fituesi do të ketë mundësinë të realizojë një ekspozitë personale në vitin 2026, si pjesë e programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e programit Young Visual Artists Awards (YVAA), një rrjet çmimesh që mbështet artin bashkëkohor dhe shoqërinë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore. I themeluar në vitin 1989 në Çekosllovaki nga presidenti Václav Havel dhe artistë disidentë, ky program ka për qëllim promovimin e artit bashkëkohor. Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u bë mikpritës i programit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në shtator 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë mori drejtimin e Çmimit Artistët e së Nesërmes në Kosovë, duke nisur ciklin e parë në vitin 2016.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të përforcojë ndikimin e Çmimit Artistët e së nesërmes dhe të kontribuojë në zhvillimin e gjithmbarshëm të artit bashkëkohor dhe kulturës në shoqërinë në Kosovë. Mbështetësit kryesorë të Çmimit Artistët e së Nesërmes 2024 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerëve do të shpallet në kohë.

Sot mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve Oscars

Sot, mbahet edicioni i 96-të i çmimeve Oscars, ceremonia më e madhe e ndarjes së çmimeve në botën e kinematografisë.

“Oppenheimer” i Christopher Nolan kryeson listën me gjithsej 13 nominime, “Poor Things” i Yorgos Lanthimos me 11 nomnime dhe “Killers of the Flower Moon” i Martin Scorsese me 10 nominime.

Sipas një parashikimi të The Guardian, filmi i realizuar nga Christopher Nolan, “Oppenheimer”, pritet të rrëmbejë çmimet kryesore, duke përfshirë edhe kategorinë “Best Picture” (Filmi më i mirë).

Mediumi britanik The Guardian kategorizoi një parashikim se cilat çmime mund të fitoj filmi më i nominuar “Oppenheimer” dhe si qëndron ky parashikim me filmat tjerë, në dy aspekte. Njëri parashikon se kush do të fitojë çmimin dhe i dyti se kush duhet të fitojë çmimin. Kjo është lista e parashikimeve për disa nominime kryesore:

“Best picture” (Filmi më i mirë)

Do të fitojë : Oppenheimer

Duhet të fitojë: Poor Things.

“Regjisori më i mirë”

Do të fitojë: Christopher Nolan, i filmit Oppenheimer

Duhet të fitojë: Jonathan Glazer, i filmit The Zone of Interest

“Aktori më i mirë”

Do të fitojë: Cillian Murphy, Oppenheimer

Duhet të fitojë: Paul Giamatti për The Holdovers

“Aktorja më e mirë”

Do të fitojë: Emma Stone për rolin e saj në Poor Things

Duhet të fitojë: Emma Stone për rolin e saj në Poor Things

“Aktori më i mirë për rolin dytësor”

Do të fitojë: Robert Downey Jr për rolin e tij në Oppenheimer

Duhet të fitojë: Ryan Gosling për rolin e tij në filmin Barbie

“Aktorja më e mirë në rol dytësor”

Do të fitojë: Da’vine Joy Randolph për rolin e saj në The Holdovers

Duhet të fitojë: Da’vine Joy Randolph për rolin e saj në The Holdovers

“Filmi më i mirë i animuar”

Do të fitojë: The Boy and the Heron

Duhet të fitojë: The Boy and the Heron

“Skenari më i mirë i përshtatur”

Do të fitojë: Jonathan Glazer për filmin The Zone of Interest

Duhet të fitojë: Jonathan Glazer për filmin The Zone of Interest

“Skenari më i mirë origjinal”

Do të fitojë: Justine Triet për filmin Anatomy of a Fall

Duhet të fitojë: Celine Song për filmin Past Lives

Dokumentari më i mirë

Do të fitojë: Mstyslav Chernov për dokumentarin 20 days in Mariupol

Duhet të fitojë: Mstyslav Chernov për dokumentarin 20 days in Mariupol

Filmi më i mirë ndërkombëtar

Do të fitojë: The Zone of Interest

Duhet të fitojë: The Zone of Interest

Dizajni më i mirë i prodhimit

Do të fitojnë: Sarah Greenwood dhe Katie Spencer për filmin Barbie

Duhet të fitojnë: Shona Heath dhe James Price for filmin Poor Things

Kinematografia më e mirë

Do të fitojë: Hoyte van Hoytema për filmin Oppenheimer

Duhet të fitojë: Robbie Ryan për filmin Poor Things

Grimi dhe stilimi më i mirë i flokëve

Do të fitojnë: Kazu Hiro, Kay Georgiou dhe Lori McCoy-Bell për filmin Maestro

Duhet të fitojnë: Nadia Stacey, Mark Coulier dhe Josh Weston për filmin Poor Things

Dizajni më i mirë i kostumeve

Do të fitojë: Jacqueline Duran për filmin Barbie

Duhet të fitojë: Holly Waddington për filmin Poor Things

Kategoria për editimin më të mirë

Do të fitojë: Jennifer Lame për filmin Oppenheimer

Duhet të fitojnë: Thelma Schoonmaker për filmin Killers of the Flower Moon.

Ndërsa, sa i përketë listës së prezantuesve të cilët do të paraqiten në Oscar 2024 janë si në vijim:

Bad Bunny
Americ Ferrera
Mahershala Ali
Brendan Fraser
Ariana Grande
Zendaya
Emily Blunt
Nicolas Cage
Jamie Lee Curtis
Cynthia Erivo
Sally Field
Ryan Gosling
Chris Hemsworth
Duein Xhonson
Michael Keaton
Regina King
Ben Kingsley
Jessica Lange
Jennifer Lawrence
Melissa McCarthy
Matthew McConaughey
Kate McKinnon
Rita Moreno
John Mulaney
Catherine O’Hara
Lupita Nyong’o
Al Pacino
Michelle Pfeiffer
Ke Huy Quan
Issa Rae
Tim Robbins
Sam Rockwell
Octavia Spencer
Steven Spielberg
Mary Steenburgen
Charlize Theron
Christoph Waltz
Forest Whitaker
Anya Taylor-Joy
Michelle Yeoh
Ramy Youssef/KultPlus.com

Bëhet i ditur prezantuesi i ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar

Është bërë e ditur se kush do të prezantojë ceremoninë e madhe të çmimeve Oscar.

Për të dytin vit radhazi, Jimmy Kimmel do të ngjitet në skenën e Dolby Theatre për të prezantuar mbrëmjen më të rëndësishme në Hollywood, atë të çmimeve Oscar.

Lajmi u bë i ditur nga drejtori ekzekutiv i Akademisë, Bill Kramer dhe presidentja, Janet Yang.

Drejtuesi dhe producenti Kimmel e ka prezantuar më herët këtë ceremoni edhe në vitet 2017 dhe 2018.

Eventi do të transmetohet nga ABC më 10 mars 2024 dhe pritet me interes të madh në të gjithë botën. / KultPlus.com

64 vite më parë filloi ceremonia për ndarjen e çmimeve Grammy

Sot 64 vite më parë, është mbajtur për herë të parë ceremonia e ndarjes së çmimeve muzikore Grammy Award, shkruan KultPlus.

Çmimet Grammy (të stilizuara si GRAMMY), ose thjesht të njohura si Grammy, janë çmime të paraqitura nga Akademia e Regjistrimit të Shteteve të Bashkuara për të njohur arritjet “të jashtëzakonshme” në industrinë e muzikës.

Grammy Award është një çmim muzike që nga viti 1957 jepet çdo vit në gjithsej 108 kategori për artistët më të dalluar, drejtues të prodhimit dhe teknikë akustik.

Këto konsiderohen si çmimet më prestigjioze dhe më të rëndësishme në industrinë e muzikës në mbarë botën. Ata u quajtën fillimisht Gramophone Awards, pasi trofeu përshkruan një gramafon të praruar. Grammy është i pari nga çmimet kryesore muzikore të tre rrjeteve të mëdha që mbahen çdo vit, dhe konsiderohen si një nga katër çmimet kryesore vjetore amerikane të argëtimit, së bashku me Çmimet e Akademisë (për filma), Çmimet Emmy (për televizionin) , dhe çmimet Tony (për teatër).

Ceremonia e parë e çmimeve Grammy u mbajt më 4 maj 1959, për të nderuar arritjet muzikore të interpretuesve për vitin 1958. /KultPlus.com

Presidenti Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit të mbretit Charles lll

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj do të jetë pjesë e ceremonisë së kurorëzimit të  Mbretit Charles III, në Mbretërinë e Bashkuar, shkruan KultPlus.

Lajmin për pjesëmarrjen e presidentit Begaj në cerëmoninë e kurorëzimit të Mbretit Charles, e ka bërë të ditur ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, përmes një postimi në Twitter.

“Shumë mirë të takohesha me presidentin Bajram Begaj para vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla si një dëshmi e marrëdhënies së fortë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. I gëzuar që presidenti Begaj do t’i bashkohet liderëve botërorë për të shënjuar këtë ngjarje historike”, shkroi ambasadori King-Smith në Twitter./KultPlus.com

Nesër mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për djalin e presidentit Biden

Nesër do të mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, nën organizimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Me anë të një njoftimi të Presidencës thuhet se se kjo ceremoni do të fillojë nga ora 18:30.

Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Mediat e interesuara për përcjelljen e ceremonisë duhet të jenë të pranishme në orën 17:45, në Presidencë. / KultPlus.com