Violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari-Laço nderojnë kompozitorët Çesk Zadeja e Cesar Frank në “Kosova KamerFest”

Edicioni i 21-të i “Kosova KamerFest”, festivali i muzikës kamertale ka filluar rrugëtimin e tij të suksesshëm tash e një muaj. Pas dy viteve pauzë, festivali ka arritur që të sjell emra të njohur të skenës kombëtare dhe jo vetëm. Talente të reja, njashtu kanë zënë vend të posaçëm në këtë edicion, ndërsa gërshetimi i tyre me emra të njohur, nuk ka qenë aspak e huaj për këtë edicion. Mbrëmë, ka qenë violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari Laço, të cilët kanë shndërruar koncertin, në një të paharrueshëm, shkruan KultPlus.

Si në të shumtën e rasteve, salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës ka mirëpritur një numër të konsiderueshëm të publikut. Në skenë, pianoje e vetme bardh e zi qëndronte gati për t’u pushtuar nga pianistja, ndërsa më vonë do i bashkohej edhe violinës që nën duart e violinistit, do të krijoheshin tinguj të mrekullueshëm. Perdet e zeza në prapavijë dhe ndriçimi nga muri lart, ishin elementet që i dhanë këtij koncerti një pamje më serioze. Të veshur kokë e këmbë në ngjyrë të zezë, të dy instrumentistët kanë dëshmuar për një talent të paparë.

Fillimisht, ishte Sihana Badivuku, drejtoreshë artistike e festivalit, e cila hapi mbrëmjen me një fjalë rasti.

“Violinisti vjen këtu për herë të parë me koncert recital, përndryshe, ai dhjetë vite më parë ka qenë fitues i garave ‘ArsKosova GrandPrix’ dhe tani po rikthehet si një muzikant aktiv i Shqipërisë, i cili posa i ka mbaruar edhe studimet master në Moskë. Ndërsa, pianistja e mirënjohur shqiptare, Kristina, ka qenë më parë edhe soliste në këtë festival si dhe pjesëmarrëse në shumë festivale të tjera. Shpresoj që ky koncert do të iu lë mbresa shumë të mëdha, posaçërisht emocione të fora”, ka thënë Badivuku.

Ajo tutje ka bërë të ditur se është shënuar edhe përvjetori i kompozitorit shqiptar Çedk Zadeja si dhe kompozitorit francez Cezar Frank.

Në këtë mbrëmje gjithsej pesë vepra kanë gjetur vendin e tyre në atmosferë. Meloditë dhe tingujt që pasonin vazhdimisht nga violinisti Dejon Bendaj dhe pianistja Kristina Petrollari Laço, kanë ngjallur emocione të forta në publik. Kjo vërehej qysh në fillim, kur sytë e të pranishmëve binin direkt në skenë, veshët e tyre ishin të mbushur me muzikë, ndërsa këmbët e tyre trokitnin vazhdimisht në tokë, në hap me vijën melodike të prezantuar.

Koncerti që nisi fiks në orën 20:13, ka sjell një program tejet të bukur, por ajo që i shtoi hijeshinë këtij programi qenë edhe dy instrumentistët që dhuruan shpirtin e tyre në skenë. Lëvizjet e tyre të kokës, duarve, krahëve e edhe të këmbës, ishin të mrekullueshme për t’u parë. Dukej se i gjithë trupi i tyre shkonte pas tingujve, me ç’rast ato me të vërtetë plasoheshin nëpër muret e sallës.

Ishin veprat e kompozitorëve si: Çedk Zadeja, Cezar Frank dhe Béla Bartók, ato që shpalosën një program të veçantë që zgjati fiks një orë.  Ndërsa, veprat si: “Sonatë për violinë dhe piano”, “Sonata në A-dur”, “Sarasate Caprice Basque”, “Vallet rumune”, dëshmuan për një seriozitet në të luajtur e dashuri në interpretim.

Kështu krejt në fund, ishte publiku që me duartrokitje ka falënderuar dy talentet që pa ndalë kanë dhënë një performancë të shkëlqyer. Sa herë që dilnin në skenë për veprën e radhës, buzëqeshja e tyre që pika më e fortë në të cilën dallohej pasioni për violinën e pianon, dhe jo vetëm.

Për KultPlus, violinisti Dejon Bendaj ka shprehur emocionet e tij pas koncertit si dhe idenë për bashkëpunimin me pianisten e mbrëmjes.

“Sa herë që vij këtu është një kënaqësi e madhe për të luajtur. Në Prishtinë kam kujtime shumë të bukura dhe njerëzit janë mikpritës ndërsa audienca është në rritje. Programi është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë ka përfshirë dy sonata, njëra nga Çedk Zadeja dhe tjetra nga Cezar Frank, që i përket periudhës së romanticizmit. Pjesa e dytë përfshin një repertor virtuoz të violinës. Me pianisten, kemi nisur një bashkëpunim prej kohësh dhe ne merremi vesh shumë mirë. Kemi shumë lidhje të përbashkëta për muzikën të cilat ndoshta edhe ndihmojnë në ndërlidhjen tonë skenike”, ka thënë Bendaj.

Po ashtu, pianistja Kristina Petrollari Laço për KultPlus ka treguar përshtypjet e saj për këtë mbrëmje.

“Për mua në Prishtinë është një mrekulli gjithmonë që të luaj e sidomos kur prezent janë miqtë, artdashësit, publiku i dashur e shumë i ngrohtë. Mendoj që ke një koncert me sonata të rëndësishme të violinistikës dhe këtu ke një sallë shumë e dashur për ne por që kushtet nuk janë më të mirat të mundshme. Por, gjithçka shkoi mirë. Dy kompozitorët që i nderuam sonte, ishin dy shtyllat kryesore të repertorit violinistik, andaj menduam që pasi edhe përkohet me dy përvjetorët e tyre, t’i sjellim pikërisht veprat e tyre. Bashkëpunimi me Kosovën, ka qenë shumë i dashur për ne, gjithmonë”, thotë ajo.

Kujtojmë se sonte do mbahet koncerti tjetër i radhës në Sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore UP, me fillim nga ora 20:00.

Festivali i muzikës kamertale ‘Kosova KamerFest’ po mbahet nga 1 tetor dhe do zgjasë deri më 1 dhjetor ku përgjatë 11 mbrëmjeve koncertale do të shfaqet program dhe koncept i larmishëm me performim të veprave kolosale dhe kamertale të artistëve dhe ansambleve kamertale botërore dhe mbarëshqiptare.

Ky festival do të mirëpresë edhe artistë të tjerë të radhës si: Dorina Laro, Galina Koycheva, Duo Lesage, Celine Lesage, Eric Lesage, Jose Manuel Alvarez Losada, Pedro Mateo, Syzana Jakupi, Alba Muçolli, Ensemble XXI, Lygia O’Riordan dhe Pia Sirala. / KultPlus.com

Veliaj pret familjarët e kompozitorit Çesk Zadeja: Përkujtojmë veprën e jashtëzakonshme në 95-vjetorin e lindjes së tij

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti familjen dhe miq të kompozitorit të madh shqiptar, Çesk Zadeja. Ky vit, i cili përkon me 95-vjetorin e lindjes së tij, i kushtohet veprës që la pas kompozitori, si një vlerësim për kontributin që ai dha për muzikën dhe artin shqiptar. Zadeja lindi në Shkodër në qershor 1927, në një familje qytetare, dhe u nda nga jeta në gusht 1997.

“Më vjen mirë që këtë vit ia kemi kushtuar profesor Çeskut, që njerëzit të kuptojnë se sot brezi ynë ecën mbi shpatullat e gjigantëve të muzikës sonë, për të shkuar pak më tej. Unë besoj se është edhe një reflektim shumë i madh edhe për ata që nuk janë profesionistë të muzikës sepse në thelb, jeta është një fabul mes atyre që bëjnë muzikë dhe atyre që bëjnë zhurmë. Me muzikë nënkuptohet gjëja e bukur, si të lësh një emër të mirë pavarësisht profesionit që ke, kurse me zhurmë nënkuptohet të pengosh dhe sabotosh pavarësisht profesionit tënd. Ndaj, sot, teksa kujtojmë profesor Çeskun, sfida për secilin prej nesh është të jemi njerëz që bëjmë muzikë, që lëmë vepra të mira, të mbahemi mend për një kontribut dhe energji pozitive, të mos jemi zhurmues, as pengues, as sabotues”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se njerëz të mëdhenj si Çesk Zadeja duhet të kujtohen vazhdimisht, teksa nënvizoi se çdo shkollë e Tiranës duhet të ketë një sallë koncerti për fëmijët dhe të rinjtë e apasionuar pas muzikës.

“Çdo shkollë e re e Tiranës po pajiset me një sallë koncertore. E filluam me sallën “Tonin Arapi” te Liceu i Tiranës, bëmë të njëjtën gjë te shkolla tjetër e muzikës, “Servete Maçi”, dhe porosia është që në çdo shkollë të kemi salla të tilla sepse njerëzit nuk jetojnë vetëm me bukë, por edhe me art e muzikë. Ndoshta, jo të gjithë do të bëhen pjesë e filarmonisë sonë, ashtu si jo të gjithë në sport mund të bëhen si Messi apo Ronaldo, por si muzika, ashtu edhe sporti, më shumë sesa talente elitare, na prodhojnë jetë komunitare, çuna dhe goca të denjë për të qenë qytetarë, që kuptojnë se ne jemi një skuadër”, u shpreh Veliaj. / BallkanWeb / KultPlus.com

Dekorata “Nderi i Kombit” për kompozitorin Çesk Zadeja

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne të zhvilluar në Universitetin e Arteve, kompozitorin dhe muzikantin e shquar shqiptar Çesk Zadeja (pas vdekjes) me Dekoratën “Nderi i Kombit”.

Titulli i lartë, iu akordua me motivacionin: “Për vlerat e çmuara si themelues i institucioneve muzikore artistike shqiptare; me vlerësim kompozitorit, që la gjurmë të pashlyeshme në muzikën tonë kombëtare; dekanit të përhershëm të shkollës shqiptare të kompozimit si dhe artistit, i cili lartësoi me muzikën, veprën e tij artistike, pedagogjike dhe shkencore në mbarë botën, traditat dhe emrin e Shqipërisë”.

Gjatë fjalës së mbajtur në prani të Rektorit të Universitetit të Arteve, Kastriot Çaushi, artistëve, muzikantëve e familjarëve të Profesor Zadesë, Presidenti Meta u shpreh se “që prej viteve ’50, emri i profesor Zadesë lidhet ngushtësisht me historinë e muzikës sonë, një herë e përgjithmonë. Në këtë periudhë, ai filloi jetën artistike të krijuesit të kompletuar të muzikës shqiptare me kompozicionet e tij. Ndër veprat e parë të këtij procesi krijues janë muzika legjendare e filmit Skënderbeu dhe Simfonia e parë e madhe e muzikës shqiptare”.

Këto vepra, vijoi Meta, manifeste të vërteta të artit muzikor shqiptar, ishin prova më e mirë se muzika shqiptare po ridimensionohej dhe po reformohej përkrah një kuadri europian.

“Vepra e Profesor Zadesë, me një identitet të spikatur, inicioi për muzikën shqiptare një “erë të re” dhe njëkohësisht, kjo muzikë që përshkruhej si “e re” dhe “moderne” shndërrohej gradualisht në pjesë të historisë, duke zënë vend në fondin e artë të krijimtarisë sonë. Veprat dhe kontributi i Profesor Zadesë është një, me vetë rrugën që përshkroi historia e muzikës së vendit tonë. Brenda saj është tradita, risia dhe e ardhmja jonë”, – nënvizoi Meta.

Kreu i shtetit u shpreh se “nëse veprat muzikore janë njëra pjesë e punës së Prof. Zadesë, pjesa tjetër është e lidhur me kontributet e tij të jashtëzakonshme pedagogjike, artistike e shkencore, të cilat janë aq të mëdha sa me të drejtë është quajtur edhe nga të huajt si “babai i muzikës dhe i kompozitorëve shqiptarë””.

“Ne të gjithë i njohim ish-nxënësit e Prof. Zadesë edhe ata shumë emra të mëdhenj, Tonin Harapin, Kozma Laron, Limoz Dizdarin, Shpëtim Kushtën, Aleksandër Peçin, Thoma Gaqin, Kujtim Laron dhe shumë e shumë personalitete të tjera. Në rrugëtimin e tij, Prof.Zadeja synoi të bënte një reformim të vërtetë të muzikës sonë, duke e orientuar procesin e zhvillimit të muzikës shqiptare për nga rrёnjёt muzikore etnike tё muzikёs sonё tradicionale. Nё vitin e fundit tё jetёs, Prof. Zadeja la nё dorёshkrim edhe librin e tij tё çmuar “Vetёparja e procesit“, i cili u botua pas vdekjes nёn kujdesin e familjes së Tij dhe të akademikut Vasil Tole. Prof. Zadeja shprehet se: “Për të qënë në thellësi kombëtar, duhet të njohim rrënjët e mendimit të krijimtarisë popullore”. Ky libër është njëkohësisht dëshmi e rolit të tij përbashkues si lider shpirtëror i muzikës sonë dhe pjesë integrale e trashëgimisë kulturore europiane të shqiptarëve”, tha Meta.

Më tej Presidenti Meta theksoi se “emri i Prof. Çesk Zadesё ёshtё i lidhur ngushtё me njё nga simbolet tona kombёtare, me “Himnin Kombёtar”. Orkestrimi, që i madhi Zadeja, realizoi në vitin 1995, është kthyer sot nё njё standard artistik e ligjor pёr interpretimin e drejtё tё tij”.

“Sot, Prof. Zadeja është vërtet i larguar fizikisht, por vepra e tij është mes nesh, vepër që konsiderohet si pjesë e trashëgimisë më të mirë kulturore e artistike të Shqipërisë, në të gjitha kohët dhe që na bën krenar.  Për kontributin e jashtëzakonshëm për muzikën tonë kombëtare si dhe për gjithë veprën e tij artistike, shkencore e pedagogjike, në interes të kombit tonë, kam nderin t’i akordoj Prof. Çesk Zadesë, Dekoratën e lartë “Nder i Kombit””, – tha Meta./atsh/ KultPlus.com