40 vjet nga vdekja e Charlie Chaplin

Më 25 dhjetor 1977 ka vdekur në Zvicër aktori, skenaristi, regjisori dhe producenti anglez Charlie Chaplin, një nga pionierët e kinemasë dhe një ndër artistët më të mëdhenj në historinë e filmit.

“Ai nuk ishte një yll Hollywood-i”, thotë ekspertja amerikane Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzistonte”.

Mustaqe të zeza, kapelja, bastuni dhe të ecurit si rosak me këpucët e mëdha – karakteristika të Charlie Chaplin këto që nuk i harron askush. Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, me të cilin korri sukses të madh „Fëmija“ (1921) „endacaku“ ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.

Lindur në vitin me 16 prill 1889 në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër në vitin 1977 – gjatë jetës ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, por edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Hollywood. Filmi i tij “Etja për ar”(1925) tematizon pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.

Shumica e veprave të Chaplin u krijuan në kohën e filmit pa zë. Për „Dritat e qytetit“ ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë në atë me zë. Por Chaplin nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja – të gjitha funksionojnë edhe sot tek filmat e Chaplin.

Charlie Chaplin ishte i dhënë pas grave dhe është martuar gjithsej katër herë. Yllin e ri të kinematografisë e tërhiqnin gjithmonë vajzat e reja. Kjo shpesh herë i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, apostujt e moralit e kanë kritikuar ashpër atë.

Gruaja e dytë e tij Lita Grey Chaplin dhe dy fëmijët – 1913.

Vetëm në filmat e tij të vjetër Chaplin luante karaktere të pakëndshëm. Shumë shpejt ai iu përkushtua roleve, që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si „Kohët moderne“ (1936) ai ushtron edhe një kritikë të thellë shoqërore – njeriu në ingranazhet e industrializimit.

Një vepër mjeshtërore e Chaplin është filmi “Diktatori i madh” (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Hitlerin dhe nazistët – Chaplin ia doli me sukses. Më vonë Chaplin është shprehur, se po të kishte pasur dijeninë për kampet e përqendrimit ai nuk do ta kishte xhiruar filmin. E pavarësisht kësaj “Diktatori i madh” edhe sot është një film që ia vlen të shihet.

Në veprën e mëvonshme “Projektorët” Chaplin ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij. Në të tematizohen ulje – ngjitjet e artistit. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë, kur Chaplin përçmohej në SHBA. Atë e akuzonin atje, se ishte i afërt me komunizmin. Chaplin, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk u lejua të kthehej në SHBA.

Pas dhjetë vjetëve ndërprerjeje, Charlie Chaplin rivuri në skenë në Evropë në 1967 filmin: “Kontesha e Hong-Kongut”. Ndonëse filmi me dy yjet e kinematografisë Sophia Loren dhe Marlon Brando pati aktorë të nivelit të lartë, ai nuk solli asnjë sukses komercial. Vitet e fundit të jetës Chaplin i kaloi në Zvicër. Vetëm një herë ai u kthye shkurt në SHBA.

As sot e kësaj dite nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë, që të jetë kaq e pranishme sa Charlie Chaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet – figura e endacakut me tiparet tipike të aktorit Charlie Chaplin haset kudo dhe në çdo kohë. Chaplin u ka mbijetuar kohërave – ndonëse periudha e tij si regjisor i përket një të shkuare të largët.

Edhe ata që nuk janë rritur me Charlie Chaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun. “Ai nuk ishte një yll Hollywood-i”, thotë ekspertja amerikane e Chaplin-it, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte një yll, Hollywood-i nuk ekzsitonte”. Edhe sot mund të thuash që: Charlie Chaplin është shumë më tepër se sa një aktor. Ai është një legjendë./ KultPlus.com

“Kur kam nisur ta doja vërtet veten time”, një perlë e vërtetë nga Charlie Chaplin

Charlie Chaplin ishte një aktor, regjisor, kompozitor dhe producent në kinematografinë britanike, autor i mbi 90 filmave me rëndësi dhe ndikim të madh në shekullin XX. Sot ne duam t’iu kujtojmë këtë fjalim të bukur të tij dhe jemi të sigurt që do t’iu bëjë të reflektoni po aq sa ne.

“Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se dhimbja dhe vuajtja shpirtërore po shërbenin për të më kujtuar se po jetoja në kontrast me vlerat e mia. Sot e di që kjo gjë quhet origjinalitet.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, e kuptova se sa ofenduese ishte t’i imponoja të tjerëve mendimet e mia, edhe pse e dija se mund të mos ishte koha e duhur, apo se personi tjetër nuk ishte i gatshëm t’i pranonte ato. Sot e di që kjo gjë quhet respekt.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së kërkuari një jetë ndryshe dhe kam kuptuar se sfidat që po kaloja, ishin një ftesë që unë të përmirësohesha. Sot e di që kjo gjë quhet pjekuri.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se çdo situatë ndodhte në vendin dhe kohën e duhur, dhe se çdo gjë që më ndodhte, kishte një kuptim të caktuar. Që nga ajo kohë, kam mësuar të jem më i qetë. Sot e di që kjo gjë quhet besim në vetvete.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, nuk e kam humbur më kohën duke planifikuar projekte të mëdha për të ardhmen. Sot bëj vetëm gjërat që më sjellin lumturi dhe kënaqësi, që i kam pasion dhe i bëj sipas mënyrës sime, duke respektuar kohën e duhur. Sot e di që kjo gjë quhet thjeshtësi.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam hequr dorë nga gjithçka që rrezikonte shëndetin tim : ushqimet, njerëzit, objektet, situatat dhe çdo gjë tjetër që më dëmtonte. Në fillim, këtë gjë e quaja egoizëm i shëndetshëm, ndërsa tani e di se kjo quhet dashuri për veten.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së kërkuari që të tjerët të më pohojnë se kam të drejtë. Që kur bëra këtë gjë, kam nisur të bëj më pak gabime. Sot e di që kjo gjë quhet përulësi.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam ndaluar së jetuari në të shkuarën, apo së shqetësuari për të ardhmen. Sot jetoj vetëm në të tashmen dhe e di që kjo gjë quhet mirëqenie.

Kur kam nisur ta doja vërtet veten time dhe të tjerët, kam kuptuar se mendimet e mia mund të më sëmurin dhe të më bëjnë të ndihem keq. Por kur kam mësuar të dialogoj me zemrën, intelekti është shndërruar në aleatin më të mirë. Sot e di që kjo gjë quhet urtësi.

Nuk duhet asnjëherë të trembemi nga kontrastet, konfliktet dhe problemet që kemi me veten tonë dhe me të tjerët, sepse edhe yjet bien, por atje ku ata përplasen, lindin botë të reja. Sot, unë këtë e quaj “Jetë””./ KultPlus.com

Fëmijët e Charlie Chaplin, kërkojnë ruajtjen e Muzeut të Kinemasë në Londër

Familja e Charlie Chaplin ka shkuar një letër të hapur përmes së cilës kërkojnë ruajtjen e Muzeut të Kinemasë në Londër.

Muzeu, i cili gjendet në shtëpinë Lambeth ku dikur kishte jetuar Chaplin, rrezikohet kur i skadon qiraja në mars të viti të ardhshëm.

Në letrën e nënshkruar nga pesë fëmijët e Chaplin, thuhet që janë të shqetësuar për mundësinë e mbylljes.

Ata kanë shtuar se eksperienca e trishtë aty kishte bërë shumë në formësimin e karakterit kreativ të Charlie Chaplin./ KultPlus.com

77 vjetori i filmit “Diktatori i Madh” dhe fjalimit më të fuqishëm në histori (VIDEO)

Më 15 tetor të vitit 1940, aktori Charlie Chaplin publikoi filmin e tij të parë me zë të titulluar “Diktatori i madh”. Në këtë film, Chaplin u shfaq me mustaqe të njëjta me ato të Hitlerit.

Vet presidenti Franklin D. Roosevelt u tremb, druhej se filmi mund të shfaqte polemika mes Amerikës dhe pjesës tjetër të botës, pasi shfaqeshin fraza të tilla si ‘urrejtja ndaj meshkujve do të kalojë, diktatorët vdisnin dhe fuqia që kishin rrëmbyer, do t’i kthehej popullit”.

Fjalimi i aktorit në këtë film konsiderohet si një prej fjalimeve më të fuqishëm në histori. Duke marrë parasysh referencat antinaziste që përmban fjalimi në filmin dhe faktin se është publikuar në vitin 1940, kohë kur Hitleri ishte ende gjallë dhe në pushtet, mund të thuhet se ky fjalim së bashku me filmin është një vepër e papërsëritshme. Filmi shpreh një satirë të fortë të drejtpërdrejt ndaj Adolf Hitlerit, por është edhe një britmë kundër të gjithë regjimeve autokratike.

Fjalimi në filmin “Diktatori i madh” (Charlie Chaplin, 1938)

Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor, s’është punë për mua. Unë s’dua as të pushtoj as të drejtoj njeri. Do doja t’i ndihmoja të gjithë sa më shumë të mundesha, çifutët, të krishterët, paganët, të zinjtë e të bardhët. Të gjitha ne qeniet njerëzore do të donim t’i ndihnim po të mundeshim, qenia njerëzore është ndërtuar kështu. Ne duam t’i japim lumturinë të afërmit tonë, jo ta shtyjmë në të keqe. S’duam as të urrejmë as të poshtërojmë njerëz në këtë botë. Secili prej nesh ka vendin e tij në tokë, e natyra është e pasur, ajo mund t’i ushqejë të gjitha qeniet njerëzore. Të gjithë mund të kemi një jetë të bukur dhe të lirë por këto i harrojmë. Lakmia e ka helmuar shpirtin e njeriut, e ka bllokuar botën me urrejtje, na ka bërë të biem në gropë të varfërisë e në rrëketë e gjakut. Edhe shpejtësinë që e zhvilluam, e zhvilluam për t’u mbyllur në vete. Makineritë që i kemi me bollëk, na kanë lënë në batakun e pakënaqësive. Dija na bëri të ktheheshim në cinikë. Jemi kthyer në jo-njerëzorë, me ndihmën e forcës së inteligjencës mendojmë shumë dhe nuk ndiejmë sa duhet. Jemi mekanizuar shumë, e na mungon njerëzillëku. Jemi shkolluar shumë por na mungon zemërbutësia dhe mirësjellja. Pa këto cilësi njerëzore, jeta s’është veçse dhunë dhe gjithçka është e humbur. Avionët edhe radiot na afruan me njëri-tjetrin por këto shpikje nuk do ta gjejnë kurrë kuptimin e tyre të vërtetë veçse në lumturinë e qenies njerëzore, veçse në vëllazërimin, në miqësinë dhe bashkimin e gjithë njerëzve. Në këtë moment zëri im arrin miliona njerëz në gjithë botën, miliona burra, gra e fëmijë të dëshpëruar. Viktima të një sistemi që i torturon të dobëtit dhe i burgos të pafajshmit. Ja ku ua them te gjithë atyre që kanë vesh të më dëgjojnë : Mos u dëshpëroni ! Mallkimi që është mbi ne s’është veçse produkt kalimtar i sjelljeve, zemërimi i atyre që kanë frikë nga progreset që arrihen nga Njerëzimi. Urrejtja do të zhduket dhe diktatorët do të vdesin, e pushteti që ua kishin marrë njerëzve do t’i kthehet sërish njerëzve. E derisa për lirinë ende e japin jetën, ajo s’ka për t’u mposhtur. Ushtarë, mos ua lini shpirtin pushtuesve, është një minoritet që ju përçmon dhe që ju do skllevër, që ju do gjithë jetën në disiplinë, ju tregon ç’të bëni e ç’të mendoni, që ju drejton, ju manovron, që ju përdor si mish për top e ju trajton si bagëti. Mos ua jepni jetën këtyre qenieve jo-njerëzore, këtyre njerëzve-makineri, me një makinë në vend të kokës dhe një tjetër makineri në vend të zemrës. Ju s’jeni makineri ! Ju s’jeni skllevër ! Ju jeni njerëz, njerëz me gjithë dashurinë e botës në zemër. Ju s’keni urrejtje, veçse për atë që është jo-njerëzore dhe që nuk është e bërë prej dashurisë. Ushtarë mos luftoni për skllavërimin por për lirinë. Është e shkruar në ungjill, e sipas Shën Lukës « Mbretëria e Zotit është në qenien njerëzore », jo vetëm në një qenie njerëzore, as vetëm në një grup, por te çdo njeri, te ju o popull që e keni fuqinë : fuqinë për të krijuar makina, fuqinë për të krijuar lumturi. Ju o njerëz e keni pushtetin : pushtetin për ta bërë jetën të lirë e të bukur, fuqinë për ta bërë jetën aventurë të mrekullueshme. Pra në emër të demokracisë, ta përdorim këtë pushtet. Duhet të bashkohemi të gjithë, duhet të luftojmë të gjithë për një botë të re, botë humane e cila do t’ua japë të gjithëve mundësinë të punojnë që do t’ia sjellë rinisë të ardhmen dhe të moshuarve sigurinë. Të ligjtë ju kanë premtuar shumë gjera që ju t’ua jepnit pushtetin: ata gënjejnë. Ata s’i kanë mbajtur premtimet e tyre të mrekullueshme, asnjëherë s’do t’i mbajnë. Diktatorët shfaqen me marrjen e pushtetit, dhe bëjnë skllevër popujt. Ndërsa neve na duhet të luftojmë për të përmbushur premtimet e tyre. Na duhet të luftojmë për të liruar botën, për t’i shkatërruar kufijtë dhe përmbysur dallimet racore, për t’i dhënë fund njëherë e mirë lakmisë, urrejtjes dhe jo-tolerancës. Na duhet të luftojmë për të ndërtuar një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe progresi do t’i shpien njerëzit drejt lumturisë. Ushtarë, në emër të Demokracisë, të bashkohemi të gjithë ! Ana, më dëgjon ? Kudo që të jesh, hapi sytë! Hapi sytë Ana! Retë po zhduken! Dielli shpon! Ne po dalim nga terri për të gjetur dritën ! Duhet të shkojmë drejt një bote të re, drejt një bote më të mirë, ku njerëzit do të dominojnë lakminë e tyre, urrejtjen, brutalitetin. Hapi sytë Ana! Shpirti i njeriut mori më në fund flatra dhe po nis të fluturojë. Ai fluturon drejt ylberit, drejt dritës së shpresës. Shih lart, Ana! Atje tej !/ KultPlus.com