“Qytetet tona flasin, check in ti dëgjosh” jehon në Gjirokastër

Check in Fest ka sjellë 3 ditë feste dhe argëtimi masiv në Gjirokastër. 

Me pjesëmarrjen e disa bandave muzikore, artit të rrugës, poezisë, ekspozita, festë për fëmijë, aktivitete në natyrë, gjueti thesaresh, edhe kjo fundjavë është sërish e mbushur me vizitorë në Gjirokastër.

Ideja që lindi për të promovuar 5 qytete shqiptare në 5 fundjava shkon jo vetëm në funksion të festës por edhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe vlerave autentike lokale.

Eventi është duke promovuar këtë vit edhe mundësitë e shumta të aktiviteteve në natyrë në rrethinat e Gjirokastrës si udhëtimet me mjete jashtë rruge dhe turizmin e aventurës. Check In Talks është këtë vit një tjetër kënd interesant ku diskutohet mbi inovacionin dhe të ardhmen e qyteteve që mbështeten tek turizmi.

Kuarteti Peter Pan, banda muzikore Gipsy Groove, Rody Jazz, Jericho, apo grupi muzikor Zwadaa performuan muzikë dhe sollën ritme të ndryshme në pazar që prej pasdites  e deri në mbrëmje.

Festa e Check In u shpërnda në pjesë të ndryshme të pazarit me workshope, ekspozita, party, DJ, muzikë elektronike e performanca live.

Nën sloganin “Qytetet tona flasin, check in ti dëgjosh” eventi që vjen në edicionin e tij të tretë po promovon këtë vit Gjirokastrën dhe Tiranën./Top Channel/ KultPlus.com

Check-in Fest rikthehet në Gjirokastër

Check-In Fest rikthehet në edicionin e tij të tretë në Gjirokastër. Për tri ditë rresht do të ketë evente dedikuar kulturës, muzikës dhe aventurës.

Qafa e Pazarit do të kthehet në një vend të mahnitshëm nën tingujt e muzikës, që do të performohen nga banda dhe artistë të njohur.

Një panel me studiues dhe profesionistë të fushës do të diskutojnë mbi temën: “Qyteti inovativ” dhe ofrimi i zgjidhjeve të reja që e bëjnë qytetin akoma më shumë tërheqës.

Ndërkohë një tjetër eksperiencë do të ketë për aventurierët, të cilët do të kenë mundësinë të eksplorojnë qytetin nëpërmjet gjuetisë së thesareve.

Aktivitet të tilla janë një mundësi e mirë për jetën kulturore dhe artistike të qytetit dhe nuk do të jenë të përqendruara vetëm në zonën muzeale.

Aktivitetet e larmishme do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajit shtator në Gjirokastër, duke i dhënë mundësinë të gjithë turistëve te huaj dhe atyre vendas të shijojnë fundjavat në qytet./KlanNews/KultPlus.com

Check-in Fest në Gjirokastër, 3 ditë art, muzikë dhe trashëgimi

Fundjava në Gjirokastër ka mbledhur njerëz të të gjitha moshave e profesioneve si rrallëherë, pasi festa e përgatitur përgjatë 3 ditëve kishte nga të gjitha.

Check-in fest në Gjirokastër dhuroi për vizitorët, por edhe për qytetarët gjirokastritë mundësinë e argëtimit dhe promovimit kulturor e të trashëgimisë përmes aktiviteteve të shumta.

Fundjava ishte fantastike në Gjirokastër e mbushur plotë me miq të rinj dhe të vjetër që duan të festojnë dhe të zbulojnë më shumë për qytetin. Një fundjavë ku mbizotëronte muzika, idetë inovatore, poetika dhe eksplorimi i gjërave të reja.

Aktiviteti nisi të premten nga Qendra e Pazarit për të vijuar me interpretime poetike në Rrugicën e Zejtarëve gjatës pasdites. Gjatë mbrëmjeve nuk munguan festat me muzikë e argëtim. Edhe gjatë shtunës, workshop-e, lojëra me gjueti e thesareve të shumtë të qytetit, festë e argëtim mblodhi mjaft qytetarë, për të kulmuar të dielën me festën e Balonave. / KultPlus.com