Inspiron njerëzit në mbarë botën: Gjimnastja me sindromën Down bëhet modele

Vajza me sindromën Down, Chelsea Werner, nga California, e ka magjepsur botën me aftësitë e saj në gjimnastikë, dhe tani është bërë edhe modele.

Ajo është kampione e katërfishtë shtetërore në gjimnastikë edhe pse e ka sindromën Down, shkruan KOHA Ditore. Por Chelsea nuk e sheh paaftësinë e saj si një kufizim. Ajo filloi të merrej me gjimnastikë për t’i forcuar muskujt e saj, sepse toni i ulët i muskujve është një simptomë e diagnozës së saj.

Image

Duke e ditur se sa e do vajza e tyre gjimnastikën dhe sa arriti për vetëm katër vjet, prindërit e saj ia gjetën trajnerin më të mirë për t’i realizuar ëndrrat e saj.

Chelsea ishte e vendosur ta tregonte talentin e saj, kështu që filloi të ushtronte 16 orë në ditë. Puna dhe mundi i saj u shpërblyen dhe ajo i fitoi katër kampionate kombëtare në Olimpiadën speciale.

Përveçse merret me gjimnastikë, Chelsea është bërë edhe modele. Ajo u shfaq në kopertinën e revistës “Teen Vogue”, bëri sfilatë në Javën e Modës në New York dhe udhëtoi në mbarë botën.

“Gjithmonë kam dashur të jem para kamerave. Gjithashtu më pëlqen shumë të udhëtoj. Puna ime e parë e modelimit ishte për H&M dhe atë e bëra në Havana të Kubës”, tha ajo me krenari.

Për shumë njerëz, tani kjo vajzë 22-vjeçare është një shembull.

“Kam dëgjuar shumë herë nga prindërit e fëmijëve të vegjël se unë jam shembull i tyre. Nëse mund ta ndihmoj ndokënd dhe të ngjall shpresë tek ata, kjo më bën shumë të lumtur dhe krenare”, tha ajo. / KultPlus.com