Gjendet pas 200 vitesh një dorëshkrim i panjohur i Chopin. Bëhet fjalë për një valz, në La Minor dhe mendohet se është shkruar mes 1830-1835. Kur kompozitori polak ishte rreth 20-vjeçar.
Zbulimi i jashtëzakonshëm është në Morgan Library and Museum në New York, dhe është gjetur në një kasafortë rastësisht nga kuratori muzikor Robinson McClellan. I pluhurosur e i vjetëruar.
Dorëshkrimi më pas është studjuar nga një grup specialistësh të cilët deklarojnë të bindur tashmë nga analizimet se bëhet fjalë për një vepër të re që qëndronte e mbyllur prej 2 shekujsh tashmë, dhe i shtohet trashëgimisë botërore që ka lënë pas një ndër kompozitorët më madhështorë të muzikës klasike, i cili u nda nga jeta në moshën 39-vjeçare në Paris./tvklan/KultPlus.com
Një koncert vërtetë fantastik u dhurua mbrëmë, në koncertin e tretë me radhë të “Chopin Pino Fest Prishtina”, nga pianisti Kosti Deti, i cili me një mjeshtëri të jashtëzakonshme në koncertin e tij solistik interpretoi vepra të kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botëror, shkruan KultPlus.
Kuq e zi ishte veshur edhe skena në natën e mbrëmshme, për të mirëpritur pianistin e shquar nga Shqipëria, i cili me lojën e tij të mahnitshme hipnotizoi publikun nga fillimi deri në fund të koncertit, pjesë e të cilit ishte edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Prezantimin e këtij artisti të jashtëzakonshëm për publikun e solli fillimisht ambasadori Malaj, i cili tha se me shumë dëshirë po e priste lojën e artistit të shquar që ishte shpallur i suksesshëm kudo në Evropë. Me të përfunduar fjalimet përshëndetëse radha iu la artistit i cili përgjatë karrierës së tij kishte fituar rreth 50 çmime për virtuozitetin dhe origjinalin e tij, duke përfshirë edhe vendet si: Austria, Italia, Franca, Rusia, Kanada, Anglia dhe Spanja.
Në skenë doli artisti Deti dhe në fillim të paraqitjes mori vëmendjen maksimale të publikut, duke e filluar interpretimin me njërën dorë, për të krijuar tinguj shumë të qetë, përmes një prekjeje aq delikate të tasteve të pianos, përderisa lëvizja e gojës dhe buzëve të tij krahas interpretimit paraqiste përpjekjet e artistit për të mos prishur perfeksionin e ndjenjës së tij të brishtë, të cilën po e emetonte në sallë.
Po ashtu, edhe në pikën tjetër interpretuese një valë tingujsh më të shpejtë u dhuruan jashtëzakonisht të bukur, për të kaluar më vonë në lëvizje mililmetrike, strikte, super të shpejta, nganjëherë edhe në kryqëzim duarsh, të cilat krijonin stil në vete. Vëmendje të madhe tërhoqi edhe çasti kur gjatë interpretimit ai vendoste njërën dorë lartë tasteve, si për të krijuar fushë kuantike, të cilën si energji me lëvizje të dorës e tërhiqte drejtë zemrës, për ta integruar në trupin fizik, për ta shpërndarë te publiku përsëri në fund të interpretimit intensiv, kur hidhte duart fuqishëm prapa vetes.
Duartrokitjet dhe ovacionet e publikut i dhanë artistit mirënjohjen më të madhe duke e rikthyer edhe dy herë të tjera për të interpretuar në sallë, për të rimarrë atë bukuri tingujsh dhe paraqitjeje, e për ta regjistruar thellë në memorie përmes përsëritjes. Pikat të cilat audienca i shjoi pa masë në këtë mbrëmje të bukur ishin: “Sonata op.111 nr.32, c-mol” nga Bethoven me “Maestoso”, “Allegro con brio ed appasionato”, “Arietta: Adagio molto semplice e cantabile”, “Ruines d’unchateau” nga Tchaikovsky, “Hungarian Rhapsody no.6” nga Liszt, “Fryn veriu” dhe “Sonata no.4 “Kabacells” nga Aleksandër Peçi dhe “Tiokata”nga Ibrahimi.
Prej gjithë këtij programi të pasur artistik, vepra “Kabacells” e kompozitorit shqiptar Aleksandër Peçi, artistin Kosti Deti e kishte entuziasmuar më së shumti për ta sjellë para publikut në Prishtinë.
“Repertori sot ishte i ndarë në repertor shqiptar dhe repertor të literaturës së huaj si: Bethoven, Tchaikovsky, Liszt, Peçi. Sigurisht, u ndjeva shumë i lumtur që luajta sonatën “Kabacells” të Aleksandër Peçit sepse është kompozitori ynë më i madh për momentin, klasik dhe kontemporan, i cili ka një karrierë vërtetë të konsiderueshme. Edhe në botë muzika e tij luhet nga emra shumë të rëndësishëm të muzikës klasike sot për sot, dhe në fakt mezi e prisja që ta interpretoja në Kosovë sonatën e tij”, ka thënë Deti duke potencuar se ishte jashtëzakonisht i lumtur që po merrte pjesë në një festival si “Chopin Piano Fest”.
“Po ndihem shumë i lumtur. Në fakt dyfish i lumtur, sepse për mua është hera e parë që vij në Kosovë si turist dhe si koncertist. Sigurisht është kënaqësi që të performoj në këtë festival prestigjioz, në “Chopin Piano Fest”. Falënderoj shumë organizatoren Lejla Pula që më ftoi në këtë event kaq të rëndësishëm. Ndjehem shumë i lumtur, u bëj thirrje të gjithëve, edhe në Shqipëri që të marrin shembull nga ky organizim kaq fantastik dhe dinjitoz i këtij festivali, që sjell vërtetë emra shumë të mëdhenj të muzikës klasike”, ka thënë pianisti Deti.
I pyetur nëse shkaku i një interpretimi të tillë që e la publikun pa fjalë ishte pasioni, talenti, apo puna e madhe e bërë ndër vite, pianisti u përgjigj:
“Unë në fakt vij nga një familje artistësh. Mamaja është këngëtare dhe punon në teatër të Korçës, babai punon në teatër si mjeshtër zëri dhe tezja ime është aktore, dhe si thuash kështu është brymosur kjo dashuria për artin. Pastaj pjesa e interpretimit me piano ka ardhur shumë spontanisht dhe ka arritur deri këtu me shumë mund, shumë përpjekje, shumë mundime dhe sakrifica. Normalisht, të jesh një pianist dhe një instrumentist klasik duhet një vetëmohim i jashtëzakonshëm i jetës sepse t’i do të mbyllesh për tu fokusuar për të dhënë këtë performancë, që shpresoj që publiku ta ketë pëlqyer”, ka përfunduar ai.
Kurse ambasadori i Shqipërisë, Petrit Malaj, fesivalin “Chopin” e quajti një shembull të shkëlqyer të muzikës i cili ndërton ura mes kulturave të ndryshme si dhe promovon talente të reja.
“Si ambasador i Republikës së Shqipërisë këtu në Kosovë, e quaj nder që të jem i pranishëm dhe t’i them këto dy fjalë në shenjë përkrahje për ata të rinjë të talentuar të cilët shpërfaqen fort mirë në një festival siç është “Chopin Piano Fest”. Ky festival unë do të thoja që është një shembull i shkëlqyer i fuqisë së muzikës për të kapërcyer kufinjtë dhe për të ndërtuar urat e nevojshme në mes kulturave tona, që jo vetëm nderon trashëgiminë e madhe të njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj dhe më të fuqishëm botëror të të gjitha kohërave, por promovon edhe talente të reja dhe nxit një dialog kulturor të pasur e të shumëllojshëm” ka thënë ambasadori Malaj, i cili ishte impresionuar nga sipërmarrja e drejtoreshave të Festivalit.
“Unë dua të shpreh falënderimet e mija në fakt për dy zonjat e nderuara, Besa Luzhën dhe Lejla Pulën. Jam impresionuar nga sipërmarrja e tyre ku kanë rreth 14 vjet që organizojnë një festival të tillë mes vështirësive, mes nevojës për përkrahje. I falënderoj për përkushtimin, për pasionin e tyre që bëjnë të mundur pikërisht këtë realizim. Po ashtu dua të falënderoj edhe të gjithë artistët pjesëmarrës të cilët me performancat e tyre na japin mundësi që të përjetojmë magjinë e muzikës së pianos” ka thënë ambasadori Malaj, që me shumë dëshirë kishte ardhur ta shijonte muzikën e artistit Deti.
“Kosti Deti, një djal nga Korça i cili i ka filluar studimet në Shkollën e Arteve në Tiranë. Më pas ka shkuar në Itali, më pas në Vjenë, tani dua ta them me plotë gojë që po shkëlqen në skena të ndryshme Evropiane, dhe sonte kemi dëshirën për të parë dhe për ta shijuar muzikën e tij sot këtu”, ka thënë ai.
Kurse drejtoresha organizative e Festivalit Besa Luzha tha se ndihej shumë e lumtur që kishin arritur të sjellin në Festival një artist të tillë, i cili la mbresa të fuqishme te publiku në sallë.
“Kosti Detin ka një kohë që po presim ta sjellim në Prishtinë, për shkak se profesoresha Lejla Pula e njeh shumë mirë talentin dhe virtuozitetin e tij. Ne jemi shumë të kënaqur që ka arritur të vijë, programi ishte ishte i jashtëzakonshëm. Ndoshta pak i vështirë për audiencën tonë sidomos vepra e kompozitorit Peçi sepse është një sonatë tepër moderne, por që Kosti e solli në mënyrë brilante dhe e bëri më të lehtë të kapërdijshme edhe nëse ishte pak ekstravagante. Temperamenti, virtuoziteti, një dinamikë e paparë, një larushi e dinamikës Pianisimo deri në Fortisimo, një tingull i bukur, i mirë, i rafinuar me të vërtetë na ka lënë me mbresa të fuqishme prej këtij koncerti” ka thënë drejtoresha Luzha.
Drejtoresha Luzha më tej tregoi edhe për koncertin pasues i cili do të mbahet me kuartetin Fabrizio Bosso.
“Do të jetë një koncert me një ngjyrë krejtësisht tjetër. Besoj që do të kënaqemi shumë sepse është një koncert krejtësisht jashtë kornizave “Chopin”. Do të vijnë Kuarteti Fabricio Bosso, i cili është një trumpetist i jashtëzakonshëm italian, i cili me formacione të ndryshme ka bërë përpunime, improvizime të temave të ndryshme, sigurisht edhe krijime origjinale por që nesër vijnë me një dedikim për Stevie Wonder. Do të ketë përpunime me tema nga këngët e tij, pasi Wonder është një personalitet në botën e muzikës me një talent të rrallë”, ka bërë të ditur Luzha.
Pjesë e koncertit ishte edhe pianisti Andi Duraku i cili po ashtu e kishte shijuar shumë ngjarjen, në veçanti veprat e kompozitorëve shqiptarë.
“Sonte patëm rastin ta dëgjojmë një piansit të ri shumë të talentuar, me një program i cili përfshinte epoka të ndryshme kohore. Me të vërtetë ishte një mbrëmje vërtetë e mirë. Edhe publiku e priti mjaft mirë këtë koncert, sidomos paraqitjet dhe interpretimin e veprave të cilat ishin nga kompozitori nga Shqipëria, Aleksandër Peçi, të cilat u realizuan në një nivel shumë të lartë” ka thënë në pianisti Duraku.
Koncerti i radhës mbahet sonte me kuartetin Fabrizio Bosso, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Qëndrore Universitare./ KultPlus.com
Festivali i muzikës klasike Chopin Piano Fest Prishtina,ka njoftuar se të mërkurën, më 15 maj do të mbahet koncerti i radhës, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare.
Në njoftim thuhet se koncerti do të mbahet duke filluar nga ora 20:00.
Poashtu, është bërë e ditur se në koncert në “Piano dhe Voice Recital” do të jenë Saran Suebsantiwongse, Bariton dhe Alberta Troni./KultPlus.com
Festivali i muzikës klasike Chopin Piano Fest Prishtina, në kuadër të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës prezanton koncertit festiv, me performanca dhe program të pasur muzikor me 16 artistë, shkruan KultPlus.
Artistët pjesëmarrës në këtë koncert janë: Alberta Troni, Jeta Çitaku, Erëmira Çitaku, Sihana Badivuku, Zana Badivuku Basha, Denik Prizreni, Kaltrina Miftari, Safet Berisha, Lekë Salihu, Marin Gjollma, Enkelejda Zajmi Gorani, Marina Nikolovska, Astrit Mustafa, Orges Malaj, Ilir Kodhima dhe Andi Duraku.
Koncerti do të mbahet më 6 Mars nga ora 20.00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinës/KultPlus.com
Chopin PianoFEST Prishtina, sonte udhëton në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, me koncertin e radhës të cilin e zhvillon në bashkëpunim me Filhamoninë e Kosovës, shkruan KultPlus.
Chopin PianoFEST Prishtina këtë vit e ka zgjeruar aktivitetin e saj, ku sivjet për herë të parë, ka dërguar festivalin edhe në Shqipëri, në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Këtë mbrëmje adhuruesit e muzikës klasike mund ta përcjellin edhe mjeshtrin e jashtëzakonshëm nga Mbretëria e Bashkuar, pianistin Peter Donohoe.
Koncerti do të fillojë në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë/ KultPlus.com
Me një pikë interpretuese në nderim të figurës së fagotistit të ndjerë, Fatos Jahos, i cili ishte një nga themeluesit e parë të ansamblit Balkan Sextet ‘Pro Arte’, u hap koncerti i tretë me radhë, në festivalin e muzikës klasike, Chopin Piano Fest Prishtina 2023, shkruan KultPlus.
Ansambli Balkan Sextet, me koncertin e mbrëmshëm ka shënuar 10 vjetorin e themelimit të këtij ansambli, i cili është në përbërje nga anëtarët: Lejla Haxhiu-Pula-Piano, Astrit Mustafa-Klarinet, Enkelejda Zajmi-Gorani- Flaut, Ilir Kodhima-Korno, Orges Mala-Fagot dhe Marina Nikolovska-Obo.
Këta emra të mëdhenj, të dëshmuar në fushën e muzikës, kishin tërhequr një audiencë e cila kishe zënë vend në çdo cep të sallës, madje, një pjesë e të cilëve qëndruan edhe në këmbë, gjatë kësaj mbrëmje.
Këtë koncert me prezencën e tyre e nderuan, edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa ambasadorë të vendeve mike, si dhe figura të tjera të shquara nga fusha të ndryshme profesionale.
Kjo mbrëmje e cila pati një publik shumë të entuziazmuar, u hap me një pikë interpretuese, e cila ishte dedikim për njërin nga themeluesit e parë, të ansamblit Balkan Sextet, të fagotistit Fatos Jahos, i cili kishte ndërruar jetë në prill të vitit 2015.
Pas kësaj pike interpretuese, e cila u shoqërua me duartrokitje të shumta, fjalën e mori organizatorja e festivalit Besa Luzha , e cila fillimisht e tregoi simbolikën e pikës së sapo interpretuar dhe pastaj duke u uruar mirëseardhje mysafirëve të mbrëmjes, ftoi për interpretim edhe ansamblin.
Një skenë e zbukuruar me disa lule dhe një ndriçim fantastik, tanimë priste ardhjen e ansamblit Balkan Sextet, i cili do të perfomonte me një program artistikisht mjaft të vështirë për interpretim.
Artistët, pas daljes në skenë, e nderuan publikun me një përkulje para fillimit të koncertit, e cila u shoqërua me duartrokitje të shumta edhe nga ana tjetër. Vetë pozicionimi dhe ulja e artistëve, duke krijuar një hark mes pesë anëtarëve të ansamblit, dhe me një pianiste mbrapa, krijonte një pamje shumë të bukur estetikisht.
Ishte e para vepra e kompozitorit Ludwig Thuille, me Sextet B-Dur, Op. 6, e cila dhuroi në sallë melodi mjaft të këndshme, të cilën përpos publikut e shijonte edhe vetë ansambli, lëvizjet trupore të të cilëve u ngjanin një grumbull lulesh të bukura, të cilat lehtësisht i lëviz era.
Ritmi u bë mjaft i qetë kur në skenë performonte vetëm pianoja. Ky ritëm mori karakteristika më dinamike kur iu bashkëngjitën edhe fagoti, korno dhe klarineti, e të cilat ishin nën interpretimin e burrave të ansamblit. Performanca mori një ngjyrim të kompletuar, kur këtyre instrumenteve iu bashkëngjitën edhe oboa dhe flauti të cilat ishin në interpretimin e grave të Balkan Sextet.
Pastaj, pas një pauze disa sekondshe, e cila u pasua me duartrokitje nga një publik shumë i entuziazmuar me koncertin, filloi edhe pjesa tjetër interpretuese, valle të cilën e udhëhoqi kornisti, duke u pasuar nga pianoja e më vonë edhe nga instrumentet tjera, interpretimi i të cilave krijonte tinguj konstant, e të cilin ritëm, arriti ta ndryshonte vetëm lëvizja e shpejtë e tasteve të pianos.
Në sallë, pas një pauze 10 minutëshe u interpretua edhe vepra e kompozitorit Francis Poulenc. Kjo pikë, herë pasohej me tinguj mjaft të qetë, e herë me tinguj të cilët ishin të dendur për veshin e dëgjuesit. Ndërsa harmonia e mbrëmjes kulmoi kur instrumentet ndërthurnin tingujt e tyre me një interpretim të përbashkët, në të cilin, dukej sikur tingujt të gëzuar lëviznin në sallë, kështu duke dhënë edhe vulën e interpretimit.
Ndërsa pika e fundit e cila u interpretua mjeshtërisht nga ansambli Balkan Sextet, ishte kompozimi i kompozitorit kosovar Kreshnik Aliçkaj, i cila dhuroi tinguj të paharrueshëm për publikun në sallë. Fundi i performancës u shënua nga disa tinguj të shpejtë, e të përbashkët të të gjitha instrumenteve të skenës, të cilat e impresionuan publikun jashtë mase, e, i cili pëlqimin e tij e dha përmes duartrokitjeve të shumta.
Pas përfundimit të koncertit, në një prononcim për KultPlus, pianistja e ansamblit Balkan Sextet, Lejla Pula, tha se me këtë koncert i cili ka shënuar dhjetëvjetorin e themelimit, kanë pasur dëshirë të nderojnë bashkëthemeluesin e ansamblit Fatos Jahon, i cili nuk është në mesin e tyre që nga viti 2015.
Ajo më tutje tha se ndihej shumë e lumtur që sollën një program me kërkesa shumë të mëdha muzikore para publikut.
‘’Ishte kënaqësi, sepse është një program jashtëzakonisht i bukur, me kërkesa shumë të mëdha muzikore dhe teknike, të cilin besoj se sonte e ka shijuar audienca, sepse është një program i cili interpretohet shumë rrallë, është një program shumë i vështirë por shumë i bukur”, ka thënë pianistja Lejla Pula.
Ajo gjithashtu tha se ndihej e nderuar me pjesëmarrjen e kryeministrit Kurti dhe disa ambasadorëve të disa shteteve, pasi niveli i tyre artistik tërheq interesim të këtyre figurave, që praktikisht i bën artistët të jenë si Ambasadorë të Kulturës së Kosovës.
“Më erdhi shumë mirë që na nderoi me pjesëmarrje edhe kryeministri, ishin edhe disa ambasadorë të cilët shprehin interesim dhe kureshtje për programet tona. Jemi shumë të kënaqur që me nivelin tonë mund t’i tërheqim të gjithë dhe praktikisht ne bëhemi si Ambasadorë të Kulturës së Kosovës.”, ka thënë pianistja.
Ndërsa fagotisti, Orges Malaj, ka thënë se koncerti ishte dinjitoz dhe i kishte arritur pritshmëritë e tyre, pasi duartrokitjet e publikut ishin vlerësuesit më të mirë për punën e tyre.
“Ishte një koncert vërtetë dinjitoz nga fakti që veprat ishin shumë të vështira teknikisht por edhe muzikalisht. Mendoj që shkoi shumë mirë, publiku e mirëpriti shumë mirë, ku një test i vlerësimit të koncertit, janë edhe duartrokitjet e publikut. Mendoj që gjithçka shkoi sipas parashikimeve dhe shpresojmë edhe për të tjera bashkëpunime”
Ndërsa klarinetisti, Astrit Mustafa tha se publiku i shumtë krijoi një atmosferë shumë të mirë, gjë e cila bëri që koncerti të kurorëzohej me sukses.
“Ishte një atmosferë mjaft e mirë pas një përgatitje intensive të kësaj shfaqje. I befasuar me prezencën e publikut, një publik i bollshëm, ku u krijua një atmosferë shumë e mire në të cilën edhe ne u kënaqëm në interpretim. Jemi takuar disa ditë para koncertit i kemi bërë disa prova, dhe e kemi lidhur programin bashkë, ku gjithçka sot u kurorëzua me sukses”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa kompozitori Kreshnik Aliçkaj, vepra e të cilit u interpretua si premierë në koncertin e mbrëmshëm tha se ishte një koncert shumë i mirë, pjesë e të cilit ishte edhe vepra e tij të cilën pati rast të dëgjoj për herë të parë.
‘’Sonte ishte një program shumë i mirë, në të cilin e pata edhe unë një vepër, do të thotë që e kam shkruar enkas për këtë ansambël dhe për këtë sextet. Veprën e kam shkruar në vitin 2013. Do të thotë ka qenë porosi nga ansambli, pikërisht nga profesoresha Lejla Pula. Dhe sonte pikërisht pas dhjetë viteve, pata rastin edhe vet ta dëgjoj veprën time si risi’’, ka thënë kompozitori Aliçkaj.
Koncerti i radhës, i katërti me radhë do të mbahet më 17 maj, në të cilin do të interpretojë pianistja Adrienne Hauser./ KultPlus.com
Nën tingujt e pianos së pianistit italian, Epifano Comis dhe grupit Adra Strins, mbrëmë u shënua hapja e Edicionit të 13-të, të festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, shkruan KultPlus.
Ky festival i cili tanimë është shndërruar në një festival tradicional për qytetin e Prishtinës edhe këtë vit u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ndonëse është vend jo adekuat për mbajtjen e koncerteve të tilla, akustika e mrekullueshme, dekori, dhe ngjyrat e dritave, e shndërruan vendin në një ambient tejet të ngrohtë për të pranishmit.
Ambienti u bë edhe më i ngrohtë me daljen në skenë të organizatoreve të festivalit Besa Luzhës e cila përçonte dashuri dhe energji pozitive si dhe Lejla Pulës, e cila përcolli elegancë dhe energji pozitive po ashtu. Organizatoret e shënuan hapjen e festivalit me falënderime për të pranishmit dhe të gjithë bashkëpuntorët përmes së cilëve u mundësua edhe mbajtja e këtij eventi.
Lejla Pula drejtoreshë artistike e festivalit ‘Chopin Piano Fest’ ndër të tjera tha se synimi kryesor i këtij festivali është shpalosja dhe prezantimi i vlerës kulmore dhe artistike muzikore e botës, në skenën e Prishtinës.
Hapja e edicionit të 13-të të këtij festivali përkoi me ditën e Evropës, andaj me një fjalë rasti iu dha edhe Shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, i cili tha se në këtë ditë në Evropë festohen vlerat e përbashkëta dhe se është i lumtur që ka bashkëpunuar për të dytin vit radhazi për organizimin e ‘Chopin Piano Fest’.
Ndërsa ambasadori Italian, Antonello De Riu i cili ishte po ashtu njëri ndër mbështetësit e festivalit, iu drejtua publikut i cili kishte mbushur plot sallën dhe mezi prisnin që t’ia fillonte koncerti, duke potencuar rëndësinë e këtij koncerti pasi ky koncert tash sa vite ka arritur të angazhojë gjeneratën e re në muzikën klasike.
Pas këtyre fjalimeve, dritat u fikën dhe si dukej gjithçka ishte gati për të filluar koncerti. Perdja e kuqe u hap dhe në skenë dolën artistët të cilët kishin për të performuar, e të cilët publiku i priti me duartrokitje të shumta.
Në koncertin i cili zhgjati një orë e gjysmë u interpretuan vepra të kompozitorëve më të njohur botëroë si: Mozart, Listz dhe Bethoven.
Ekzekutimi i Pianos nga një mjeshtër siç ishte Epifanio Comis, nën përcjelljen e violinistëve të rinjë por shumë të talentuar të grupit Adra Strings me veprat e autorëve më të mirë, jepte përshtypjen se gjendeshe në sallat më prestigjioze të botës.
Profesionalizmi i pianistit Comis, përpos që dëgjohej me veshë, mund edhe të vërehej me taktin e lëvizjes së duarve të tij. Publiku sy e vesh po e shijonin mbrëmjen me një qetësi që të kënaqte shpirtin. Aty këtu vërehej edhe ndonjëri i cili me këmbë ose me duar ndiqte instiktivisht tingujt përfekt të muzikës e cila po interpretohej para tyre, e, e cila dukej se tashmë i kishte hipnotizuar të gjithë.
Me përfundimin e pjesës së tretë e cila zgjati rreth gjysmë ore, njejtë sikurse edhe dy pjesët pararendëse të saj, publiku dha duartokitje të shumta ndaj artistëve të cilët performuan, e të cilët dhuruan çaste magjike.
Shumë e kënaqur me koncertin e mbajtur ishte edhe Drejtoresha Artistike e Festivalit, Lejla Pula, e cila tha se ndjehej shumë e lumtur pasi kishin arritur të realizohej edhe hapja e 13 të festivalit me një audiencë shumë të kënaqur, pasi deri atëherë kishin pasur frikë në mos nuk do të kishte shumë të pranishëm, pasi 9 maji ishte ditë pushimi dhe po ashtu një ditë e ngarkuar me aktivitete të tjera në kuadër të Ditës së Evropës.
“Për mrekulli shkoi e tëra. Ishim me të vërtetë shumë të lumtur që arritëm të realizojmë edhe hapjen e edicionit të 13-të, me një audiencë shumë të kënaqur, ku salla ishte e mbushur me njerëz dhe perfomanca ishte e mrekullueshme. Edhe pse te ne ishte ditë pushimi dhe jemi frikësuar se a do të jenë prezent publiku sepse ka qëlluar 9 maji edhe me shumë aktivitete. Por, ishte me të vërtetë shumë bukur me një muzikë të jashtëzakonshme me një ambient të mrekullueshëm”, ka thënë Pula për KultPlus.
Ndërsa organizatorja tjetër e festivalit, Besa Luzha, përpos që ishte e shumë e kënaqur me mbarëvajtjen e koncertit në përgjithësi, ajo tha se bashkëpunimi mes muzicientëve më të vjetër, e më me përvojë me muzicientët më të rinjë, shërben si analogji e Bashkimit Evropian, ku disa shtete janë qysh me themelimin e Evropës dhe disa të tjera janë më të reja dhe janë bashkangjituar më vonë, ku të gjitha së bashku kontribuojnë në krijimin e vlerave të përbashkëta.
“Besoj që të gjithë që kanë qenë të pranishëm janë mahnitë, me lojën e këtyre muzicientve fantastik nga Italia. Këta ishin bashkëpunim i gjeratës më të vjetër me gjeneratën më të re dhe kjo në njëfar mënyre ishte simbolikë që Evropa e jep, sepse në Evropë, sepse ka vende të cilat kanë qenë themeluese të Evropës, por sot në gjirin e saj ka edhe vende të reja, ku së shpejti do të jemi edhe ne”, ka thënë Luzha për KultPlus.
Koncerti ‘Chopin Piano Fest’, i cili filloi mbrëmë më 9 maj, do të vazhdojë për një muaj, ku do të interpretojnë artistë të rinjë dhe të famshëm nga vendi dhe bota. Në këtë edicion do të mbahen gjithsej 15 koncerte me muzikë klasike gjatë të cilëve qytetarët e Kosovës kanë mundësinë për të dëgjuar muzikë klasike me vepra të autorëve të njohur botërorë, falas./KultPlus.com
Fryderyk Franciszek Chopin, (francezë Frédéric François Chopin) ose Shopen 1810-1849, ishte kompozitor polak nga Polonia.
Dy dekadat e para të jetës, Frederik Françez Shopeni i kaloi në Poloni si biri i një francezi dhe një nëne polake e cila i dha atij mësimet e para në piano. Po si tetëvjeçar duartrokitej si një fëmijë çudibërës. Në Varshavë, ai ndoqi liceun e në fund të liceut edhe konservatoriumin ku edhe e gjeti mësuesin e tij më të rëndësishëm Xhozef Elsneri (Joseph Elsner 1769-1854). Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare Shopeni për herë të parë udhëtoi për në Berlin, pas një viti (1829), udhëtoi për në Vjenë, Pragë dhe Dresden.
Më 1831 ai vendosi të udhëtonte për në Paris. Në udhëtim e sipër ai morri vesh për okupimin e Varshavës nga rusët dhe nga kjo kohë Shopeni kurrë nuk u kthye më në vendlindje. Parisi u bë vendlindja e ti. Këtu u krijua E Madhja e tij Overes, të cilën kryesisht ja kushtoi luajtjes në piano. Mirëpo dy koncertet e tij të njohura në piano, e-Moll (op.11) dhe f-Moll (op.21) u krijuan në kohën e Varshavës dhe atë të dytin koncert në piano në f-Moll (1829/1830) para të parës në e-Moll (Pranverë/Verë 1830).
Për nga struktura dhe karakteri që të dy koncertet kanë ngjashmëri njëra me tjetrën. Që të dyja janë në tri radhë, që të dyja qëndrojnë – kjo vlen vetëm për radhën e parë të të dy koncerteve – në Moll. Radhët e ngadalshme (Largetto) flasin një gjuhë të ndjeshme romantike dhe sipas gjithë asaj që ne dimë ato japin disa pjesë nga autobiografia, saktësisht pjesë të dashurisë së Shopenit për Konstatina Gladkovskën (Constatina Gladkowska). Radhët përmbyllëse (Vivace) janë të ngarkuara me energji vallëzimi; në koncertin f-Moll tonin e jep një Mazurka ndërsa në koncertin e-Moll një Krakowiak. Si në krye të dy koncerteve (Maestro gjegjësisht Allegro maestro) paraprinë momenti virtuozë i pianos ndërsa orkestra ka rëndësi të dorës së dytë. Shopeni nuk lë të shihet ndonjë tendencë e veçantë simfonike. Për shkak të nevojës së madhe të artizanatit për instrumente të nevojshme shumë përpunues kanë ra në dert me parituten e Shopenit.
Shopeni shkroi vepra tjera për piano dhe orkestër të njohura si: Polonaise brillante précédée d’un Andante spianato (op.22,1831-1832) dhe, në vitet para 1831 variacionet B-Dur La ci darem la mano mbi një temë të Moxartit Don Giovanni (op.2), më tej ekziston një fantazi për tema polake ()A-Dur, op.13 dhe një krakoviak (F-Dur, op.14). / KultPlus.com
Një depërtim i thellë e i mbushur me emocione nga më të ndryshmet ishte vendosur mbrëmë pikërisht përbrenda shpirtit të pranishëm me rastin e interpretimit të pianistit Adam Balogh dhe violinistit Ádám Banda të cilët me prezencën e tyre skenike sollën një program të larmishëm të veprave botërore mbi atmosferën në ‘Chopin Piano Fest’, me ç’rast komplesksiteti i magjishëm i tingujve dhe butësia hyjnore e melodive u ndërlidhën mahnitshëm për të lënë gjurmë në kujtesën e gjithsecilit, shkruan KultPlus.
Tash e shtatë net, Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare po mbledh rreth vetes një numër të madh të artdashësve të muzikës klasike dhe jo vetëm. Skena e rrethuar me lule shumëngjyrëshe tashmë e njohur për çdokënd po ndriçohej nga gjithsej katër reflektorë në ngjyrë të ngrohtë, teksa në prapavijë dukshëm dallohej logoja e festivalit që vjen e ndriçuar nga po ashtu katër reflektorë në ngjyrë të bardhë. Një hijeshi unike e ambientit në gërshetim me padurimin e të pranishmëve për të dëgjuar sa më parë interpretimin e dy instrumentistëve, veçse po krijonte atë ëmbëlsinë e njohur në ambient.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘Chopin Piano Fest’ e nisi drejtoresha organizative e festivalit, Besa Luzha e cila tregoi se kjo mbrëmje vjen në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Kosovë.
“Mirëserdhët në mbrëmjen e shtatë me radhë të këtij edicioni. Ne kemi shumë kënaqësi që në këtë mbrëmje kaq të veçantë, të kemi dy muzicientë virtuoz që janë nga Hungaria, si rezultat i një bashkëpunimi të gjatë që kemi me Ambasadën Hungareze në Kosovë. Përmes këtij bashkëpunimi dymbëdhjetë vjeçar, ne kemi vendosur që të kemi edhe një bashkëpunim reciprok me një festival tjetër në Hungari, “Cziffra“ në përkushtim të pianistit legjendar, Christian Georges Cziffra”, thotë Luzha.
Sipas saj, në dy vitet e fundit po shënohet 100 vjetori i lindjes së pianistit, Christian Georges Cziffra.
Ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Dr. József Bencze gjithashtu i uroi organizatorët për këtë mbrëmje dhe për gjithë punën e tyre përgjatë tërë edicioneve të këtij festivali.
Pianisti Adam Balogh dhe violinisti Ádám Banda dolën në skenë me një buzëqeshje dhe shumë shpejt u mirëpritën nga publiku me duartrokitje të shumta. Ora shënoi fiks 20:20 kur tingulli i parë u lëshua me veprën “Rhapsody No.1 for violin and piano, sz.86, BB 94” të kompozitorit hungarez Béla Bartók. Ky interpretim nga dy instrumentistët hungarez të cilët sollën një energji aq unike në skenë, bëri që përgjatë gjithsej dhjetë minutave, secili i pranishëm të lëshonte fokusin drejt dyshes. Dy parë duar po dëshmonin vazhdimisht për njohuritë muzikore të tyre, ndjeshmërinë që buron nga brendësia shpirtërore si dhe për ndikimin e posaçëm tek audienca.
Ndërkaq, pjesa e parë e programit të pasur për këtë mbrëmje solli shumë shpejt edhe veprën tjetër “Violin Sonata No.1 in G-dur, Op.78” të kompozitorit gjerman Johannes Brahms, vepër kjo që po ashtu përgjatë njëmbëdhjetë minutave dukej se nuk kishte asnjë fund. Interpretimi i dyshes, vepër pas vepre sillte një emocion krejtësisht ndryshe por njëkohësisht edhe aq të mrekullueshme. Me tinguj që luhatnin herë nëpër shpejtësi të pakapshme nga syri i pranishëm e herë tjera nëpër një ngadalësi të veçantë, po krijonte një përshtypje se performimi në piano e violinë është aq i lehtë. Por kjo dukshëm binte poshtë atëherë kur një kompleks i melodive kaplonte atmosferën vrullshëm nën gjallërimin flakërues që vinte nga interpretimi i dyshes.
Por, pjesa e dytë e mbrëmjes solli diçka krejtësisht ndryshe nga e para. Me vepra diversive nga kompozitorët e njohur si: Richard Georg Strauss, Percy Grainger, Johann Sebastian Bach, Ferruccio Busoni, Igor Stravinsky, Frédéric Chopin dhe Nathan Milstein, mbrëmë violina dhe pianoja ishin shndërruar në dy trupa që krijonin vija melodish krahas dy instrumentistëve në skenë. Njëra në ngjyrë kafe dhe tjetra bardh e zi, ato kapnin emocionin e publikut dhe në secilën herë veçse shkonin duke shpërthyer në tinguj akoma edhe më shumë.
Në ndërkohë po të shikoje në veçanti tërë prezencën skenike të pianistit Adam Balogh, atëherë do të vëreje një qetësi të pakrahasueshme. Në pamje dukej sikur pianoja gjigande para tij nuk ishte aspak e vështirë për tu zotëruar, teksa në anën tjetër muzika që buronte nën lojën e tij mjeshtërore binte në kontrast të dallueshëm me qëndrimin e tij. Një vijë melodike që çoroditej mes tingujve të rëndë e të lehtë, fundi i së cilës shënohej me një lëvizje të dorës së tij të majtë, po dhuronte një ndjenjë të jashtëzakonshme përgjatë tërë veprave. Pianisti Balogh me një mënyre të habitshme kapte vëmendjen e të pranishmëve dhe e drejtonte tek vetja me një lehtësi të paparë. Kjo dhe jo vetëm e bënte atë që të kishte një vend specifik në zemrën e çdo njeriu.
Në anën tjetër, ishin pikërisht shprehjet e fytyrës së violinistit Ádám Banda ato të cilat tregonin për gjithë mundin e tij artistik. Violina në duart e tij në çdo sekondë të jepte një imazh aq të bukur saqë instrumenti që përballonte pozicione të ndryshme të lëvizjes së harkut të linte një përshtypje se ishte hyjnor. Me një interpretim ndryshe nga e zakonshmja, violinisti Banda solli tinguj që tingëllonin sikurse po fluturonin e po njëlloj ishte edhe harku nën posedimin e tij që shpalosi një shpejtësi të paarritshme. Po ashtu, ishte edhe frymëmarrja e tij që dëgjohej në disa momente ajo që dëshmoi për lënien e shpirtit të tij në skenë.
Edhe pse në të shumtën e rasteve, ishte violinisti Banda ai i cili mori gjithë vëmendjen për shkak të pozicionimit të tij në skenë, ai shpeshherë kthente kokën e tij prapa për të komunikuar me sy me pianistin Balogh i cili qëndronte i ulur në ulësen prapa trupit të violinistit. Ky komunikim që gërshetohej edhe me komunikimin në publik, arriti që të krijonte një lidhje mes tyre. Mbrëmë, pianisti Balogh, violinisti Banda dhe publiku u futën në karuselin e muzikës klasike dhe përjetuan një mbrëmje me rotacione të ndryshme muzikore.
Kështu, krejt në fund ishte improvizimi i veprës “Nocturne in C#-mol” nga kompozitori Frédéric Chopin ajo që kishte ardhur dedikim ndaj “Chopin Piano Fest”, ngase është përshtatur për violinë dhe piano. Kjo vepër që shënoi fundin e kësaj nate e cila mbaroi fiks në orën 22:03, përmbylli një program të tërë veprash që erdhën nëpërmjet dyshes së talentuar.
Pas gjithë asaj performance të pianistit Balogh dhe violinistit Banda, duartrokitjet dhe brohoritjet për dedikimin e tyre ndaj këtij festivali nuk po mbaronin. Qysh nga fillimi i interpretimit të veprave të njohura botërore e deri në fund të tyre, publiku ishte ai që i përcolli ata me një emocion të pashoq. Ndërsa, kur nata shënoi fundin ishin të pranishmit ata që u ngritën në këmbë dhe me buzëqeshje i përcollën të dy instrumentistët deri në prapaskenë me një mori duartrokitjesh si dhe buqeta lulesh.
Për të treguar më shumë rreth programit të përzgjedhur dhe bashkëpunimin me violinistin, për KultPlus foli pianisti Adam Balogh.
“Publiku ishte kaq i mrekullueshëm dhe ishte më mirë se që e kemi pritur ne. Pjesa e parë e programit ishte shumë tradicionale dhe pjesa e dytë kishte shumë transkriptime. Është hera e parë që luaj me violinistin Banda dhe ai është vërtetë i mrekullueshëm dhe i talentuar. Gjithashtu, ky ishte një projekt shumë i shpejtë për t’u bashkuar me të sepse kishim bërë vetëm disa prova, por ishte një përvojë shumë e mirë për të dy ne”, shpalos ai.
Ndërsa, pianisti Agron Shujaku për KultPlus është shprehur se shprehja artistike e të dy instrumentistëve ishte diçka që ai nuk e kishte dëgjuar shumë moti.
“Unë isha në mëdyshje që të vija në këtë koncert por e kuptova shumë shpejt që nuk kam gabuar që kam ardhur. Ishin dy artistë që më prekën me atë interpretimin e tyre shumë suptil. Zakonisht nuk më pëlqejnë dyshet në violinë dhe piano por me të vërtetë ata ishin të mahnitshëm. Ajo se çfarë e bënë të veçantë interpretimin e tyre, është ndjenja e shprehjes artistike shumë suptile, diçka që moti nuk kam dëgjuar dhe mungon shumë tek ne”, thotë Shujaku.
Po ashtu, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula për KultPlus tha se programi ishte tejet interesant si dhe instrumentistët dukshëm dëshmuan për virtuozitetin e tyre.
“Jam vërtetë e kënaqur që shpalosen vlerat të interpretimit pianistik nëpërmjet virtuozitetit që erdhi sonte në skenë. Koncerti ishte i jashtëzakonshëm me violinistin dhe pianistin të cilët bashkëpunonin muzikalisht në një nivel shumë të lartë. Edhe programi ishte tejet interesant e sidomos me sonatën e fundit që erdhi shumë bukur”, thotë Pula.
‘Chopin Piano Fest’ gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 8 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e tetë e këtij festivali vjen më datë 25 maj ku do të interpretojë pianisti austriak, Stefan Vladar në një mbrëmje “Piano Recital” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com
Njihuni me pianon e parë në botë me 108 çelësa, të punuar me dorë nga një prej krijuesve të fundit të pianos të mbetur në Australi.
Një krijues i pavarur i pianos ka prodhuar pianon e parë me nëntë oktava-dhe tingëllon shkëlqyeshëm.
Prodhuesi australian i pianos Wayne Stuart ndërtoi me dorë instrumentin me 108 çelësa në studion e tij të pavarur në jug të New South Wales.
U deshën 18 muaj për t’u ndërtuar. Pianot zakonisht kanë 88 çelësa dhe shtrihen pak më shumë se shtatë oktava, kështu që instrumenti mbresëlënës i Stuart u shton gati dy oktava mundësive në majë të gishtave të pianistëve.
Duke shprehur entuziazmin për vazhdimin e krijimit të pianove të tij me 108 çelësa, të punuar me dorë, Stuart thotë: “Unë personalisht mendoj se është diapazoni minimal i frekuencës për një piano në shekullin 21. Unë nuk mund të duroja të ulesha në një piano me 88 çelësa tani. Unë do të doja t’i jepja një sëpatë, sepse është thjesht shumë kufizuese”.
Pianoja standarde u shpik në vitin 1700 kur tekniku i instrumenteve italian Bartolomeo Cristofori vendosi se ishte koha për të azhurnuar klaviçin me një mekanizëm çekiç dhe prishës që mund të lejonte rreze dinamike, zhurma dhe qetësi, në instrument.
Prodhuesit e pianos projektuan pianot e reja me më shumë çelësa, në mënyrë që kompozitorët si Haydn dhe Mozart të mund të shkruanin materiale më sfiduese për një tastierë më të plotë në epokën klasike.
Kompozitorët romantikë dhe virtuozët e pianos si Chopin dhe Liszt bënë muzikë që vazhdoi të kërkonte më shumë nga instrumenti, dhe nga fundi i viteve 1880, prodhuesi i pianos Steinway kishte krijuar pianon me 88 çelësa. Modeli i Steinway ka qenë standardi që atëherë.
Prodhuesi australian Wayne Stuart nuk është krijuesi i parë i pianos që prodhon një instrument ndërtimi në gamën e standardit Steinway.
Kjo piano me tela të zgjeruar të basit u shpik në Zelandën e Re për të rritur gamën e ulët të instrumentit disa vjet më parë, ndërsa ky dizajn novator japonez hoqi të gjithë çelësat e zinj për të prodhuar një piano që duket mbresëlënëse dhe luan vetëm në një çelës.
Përveç çelësave shtesë, pianoja ngjan shumë me një piano të madhe standarde të koncerteve.
Instrumenti është porositur për 300,000 AU $ (160,000) nga Anthony Knight, drejtor i ‘Beleura House & Garden’ në Victoria, i cili e përshkruan atë si “pianoja më e mirë në botë”.
Pianoja tani është e sigurt në shtëpinë e saj të re Beleura House & Gardens në Victoria, Australi./ KultPlus.com
Depërtimi i thellë në emocione të papërshkrueshme të cilat janë të vendosura pikërisht në brendësinë shpirtërore, erdhi pikërisht nga mbizotërimi i dy zërave të njohur shqiptar si: sopranoja Marjana Leka dhe tenori Armaldo Kllogjeri ku së bashku me pianisten kosovare Lejla Pula, mbrëmë atmosfera në Chopin Piano Fest u lëkund në madhështinë hyjnore të melodive dhe kompleksitetin e magjishëm të ndërlidhjes së interpretimit instrumental dhe vokal me ç’rast performimi në romancat, ariet, duetet operistike si dhe këngët e bukura shqipe përcollën ndjenja të fuqishme, energjia e së cilave la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të pranishmëve, shkruan KultPlus.
Tash e katër net, Salla e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare ka mbledhur rreth vetes një numër të madh artdashës të muzikës klasike. Skena që veçse është e njohur për publikun, dje erdhi me disa ndryshime të vogla. Njëra nga dritat e ngrohta që zakonisht është e vendosur në skajin e majtë të sallës tani qëndronte mbi skenë për të vënë në pah ende më shumë lojën mjeshtërore të pianistes Lejla Pula. Kurse, dritat ngjyrë vjollcë dhe lulet shumëngjyrëshe në skenë ishin dy veçanti që i shtonin një hijeshi unike ambientit.
Po ashtu, për të pranishmit prezent ishte edhe një libër që përmbante fakte dhe informacione tejet të veçanta për pjesëmarrësit në edicionin e 11-të të Chopin Piano Fest. Andaj, para se koncerti të fillonte, publiku pati rastin që të informohet rreth atyre që pas pak do të dilnin në skenë për ta pushtuar atë pa mëshirë me zëra që ngërthenin në vete talentin e mirënjohur të tyre.
Hapjen e festivalit Chopin Piano Fest e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha e cila u shpreh se ndjehet mjaft e kënaqur që mbrëmë atmosfera po ndërronte pak me inkuadrimin e dy zërave që vinin mysafirë nga Shqipëria e bashkë me profesoreshën Lejla Pula. Ajo tutje theksoi se ngjarja është njëra nga eventet që shënon 22 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
Në skenë me një hijeshi të pakrahasueshme doli pianistja Lejla Pula e cila nisi koncertin me një interpretim pianistik të veprës ‘Vocalise op.34 nr.14’ nga kompozitori i njohur rus Sergei Rachmaninoff. Ky interpretim erdhi si homazh për viktimat e pandemisë dhe dëshmorëve për Çlirimin e Prishtinës e të Kosovës dhe u shoqërua me një heshtje absolute të publikut ku pianistja e gjallëroi kompozimin e shkruar duke i dhënë jetë në skenë. Performimi i saj bëri që të gjitha njohuritë muzikore, vizionin personal të muzikës dhe imagjinatën e njeriut ta rrotullojë vazhdimisht nën zgavrën e melodive dhe tingujve që buronin nga gishtërinjtë e saj.
Luhatjet e vogla të kokës, ritmi dhe dinamika e trupit të pianistes bënin që edhe flokët e saj që ngjasonin me valët e detit të dilnin nga kontrolli dhe së bashku me shpirtin e saj, mbrëmë shpërthyen melodi e tinguj nga ato më të butat e deri tek ato të vrazhdat që vazhdimisht buronin nga çelësat bardh e zi të pianos të cilat për 1 orë e gjysmë u mbizotëruan nga talenti i saj. Përvoja e saj e gjatë në interpretimin pianistik ka kaluar edhe nevojën për hapësirë të nevojshme të frymëmarrjes ku në fakt tërë qenia e saj ishte shndërruar në një frymëmarrje të vetme që i dhuronte frymë secilit nga ne.
Në ndërkohë, ndryshe nga çdo natë tjetër ku tingujt e pianos kanë dominuar netët e festivalit, mbrëmë në skenë për t’iu bashkangjitur pianistes Lejla Pula, doli tenori Armaldo Kllogjeri i cili fillimisht vendosi dorën mbi piano për të krijuar një kombinim ende më të veçantë. Ai solli vepra nga më të ndryshmet që i përkasin kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë duke dëshmuar kështu vlera të larta artistike. Zëri i tij i lartë ishte një zë që këndonte midis baritonit dhe alto dhe që nga fillimi e deri në fund, futi publikun në një lojë vokale ku ai në njëfarë mënyre po shprehte një hidhërim verbalisht dhe njëkohësisht edhe emocione aspiruese.
Notat e tij të larta posedonin një timbër të shkëlqyeshëm dhe e futnin publikun në një drithërimë të papërshkruar. Aftësitë e tij të interpretimit vinin në dy aspekte magjike: tmerruese e të ëmbël dhe gërshetimi i tyre arrinte në një tingëllimë ku emocionet e ftohta therrëse që pasonin nga thellësia e shprehjeve të fytyrës të tij jepnin një iluzion se me zërin e tij të fortë ai mashtronte rrëqethet e trupit të publikut duke i manipuluar ato me meloditë që befas kaplonin atmosferën si një vetëtimë e zhurmshme që vazhdimisht bubullonte në ajër.
Pastaj, eleganca e natës së mbrëmshme erdhi në formë tjetër, ku sopranoja Marjana Leka me një delikatesë të lezetshme hedhte hapat në drejtim të dy talenteve tashmë të pranishëm në skenë. Leka magjepsi dhe joshi publikun me një zë që pothuajse shpoi daullet e veshit të të pranishmëve me mprehtësinë e zërit të lartë që u shpalos jashtëzakonisht bukur. Vokali i saj që herë lëvizte nën butësinë fisnike e herë në një fuqi voluminoze ku karakteristika e veçantë e saj ishte zëri i kristaltë që tërë kohën gozhdoi publikun në vend duke rrëmbyer vëmendjen e tyre për mos ta lëshuar atë gjatë gjithë natës.
Kryevepra e natës së mbrëmshme ishte ndjesia që furishëm depërtoi te publiku i cili nuk pati kohë të rikuperonte veten deri në fund të natës. Kjo ndjesi erdhi nga kënga ‘’Lule borë” nga kompozitori shqiptar Simon Gjoni, një vepër kjo që papritur mahniti rrahjet e zemrave të pranishme duke i futur ato në grackën e melodive të cilat krijuan gulçime tek publiku. Zëri i kombinuar i tenorit dhe sopranos që u shoqërua nga interpretimi pianistik përnjëherë la gjurmë të virtytshme në atmosferë duke sjell duartrokitjet e publikut ende pa mbaruar vepra.
Inkuadrimi i publikut në pjesën e dytë të koncertit ishte një sheqerkë e domosdoshme që u shkri tërësisht në interpretimin e tri talenteve në skenë. Duartrokitjet e publikut në koordinim me rimtin sollën emocione dhe ndjenja që kishim kohë pa i ndjerë thellësisht e për të cilat çdo herë malli rritet e rritet për t’i dëgjuar e përjetuar secilën herë më ndryshe.
Kështu, krejt në fund, vepra e cila përmbylli natën në mënyrë fenomenale ishte kënga ‘’Po t’jemi bashkë ne të dy’’. Kjo këngë e dëgjuar sa e sa herë përmes zërave më të njohur shqiptar, mbrëmë erdhi nga dueti i Kllogjerit dhe Lekës, të cilët portretizuan pikërisht kuptimin e këngës e cila shpalos dialogun mes dy të dashuruarve që ëndërrojnë për bashkim. Interpretimi i tyre i ngrohtë dhe aq i afërt erdhi në një nivel që nuk kishte vend për definim. Emocionet dhe ndjenjat që u ngjallën tek dëgjuesit ishin me të vërtetë madhështore duke verbuar kështu dritën e syve tanë në errësirën shumëngjyrëshe të melodive e tingujve që buronin nga brendësia shpirtërore e tenorit, sopranos dhe pianistes në skenë.
Krahas veprave të kompozitorëve shqiptarë, në skenë u interpretuan edhe disa nga vepra që rrallë dëgjohen nga publiku shqiptar e që janë në kuadrin e nivelit botëror si: ‘’Torno a Surriento’’, ‘’Dicitencello vui’’, ‘’Granada’’, ‘’Sogno’’, ‘’Vorrei morire’’, ‘’E lucevan le stelle”, ‘’Song to the moon’’, ‘’Nessun Dorma’’, ‘’Tace il labbro’’ dhe ‘’Brindisi’’, duke dëshmuar kështu se ndërlidhja e muzikës instrumentale me atë vokale krijuan një natë sublime që vështirë se harrohet dot.
Pas këtyre performancave të shumta ku secila erdhi në një frymë të shquar e ëmbëlsisht trullosëse, duartrokitjet dhe brohoritjet që tashmë ishin pjesë kyçe e atmosferës që nga fillimi i interpretimit të veprave shqiptare erdhën nga publiku i cili në fund u ngrit në këmbë për pesë minuta rresht dhe nuk pushuan së ndaluri interpretimin që u shoqërua me buzëqeshjet e ngulitura në fytyrat e tyre e që ishin të njëjta me ato të tre performuesve të cilët skenën e mbushën me buqeta lulesh të shumta.
Për të folur më shumë rreth natës së mbrëmshme, për KultPlus foli sopranoja Marjana Leka, e cila e cilësoi atë shumë të bukur sepse vjen pas një shkëputje jo të shkurtër prej pandemisë.
“Ishte një kënaqësi e vërtetë sepse publiku na priti shumë mirë dhe ne u munduam të japim maksimumin e emocioneve për këtë natë që na kishte munguar kaq kohë. Mua posaçërisht më pëlqeu Rusalka ‘’Song to the moon’’ nga Dvorak por edhe veprat shqiptare”, thotë Leka.
Sipas saj, atmosfera dhe komunikimi me publikun ishte shumë i bukur kurse ajo tashmë numëron disa bashkëpunime me po të njëjtit performues.
“Është gjithmonë bukur të këndosh këtu sepse merr shumë kënaqësi nga publiku”, thekson Leka për KultPlus.
Ndërsa, tenori Armaldo Kllogjeri për KultPlus është shprehur se për të është gjithmonë kënaqësi e veçantë dhe shumë e madhe që të jetë pjesë e aktiviteteve në Kosovë.
“Ishte një publik i këndshëm dhe unë sa herë vij në Prishtinë për të performuar muzikë klasike ndjehem gjithmonë i vlerësuar nga publiku që është shumë entuziast dhe nuk pushon me duartrokitje”, thotë Kllogjeri.
Sipas tij, programi është ndërtuar nga disa pjesë të cilat janë këngë napoletane por ka edhe arie të operave të ndryshme. Andaj, ai i pëlqen të gjitha por ariet janë më të bukura dhe janë më të rëndësishme.
‘’Gjëja më e rëndësishme në këtë aktivitet është që publiku vjen dhe na dëgjon’’, thekson ai.
“Unë në këtë aktivitet do veçoja kultivimin e muzikës klasike dhe për vet faktin e festivalit që neve na bënë pjesë sepse kjo muzikë në Kosovë sa vjen dhe e rigjallëron rininë duke e bërë atë për vete”, përfundon Kllogjeri për KultPlus.
Po ashtu, pianistja Lejla Pula është shprehur se për të kjo natë është një rikthim në skenë pas një periudhe disa vjeçare.
‘’Për mua është një rikthim në skenë pas një periudhe disa vjeçare, përpos pandemisë. Unë për herë të parë performova në këtë sallë dhe jam jashtëzakonisht e lumtur dhe ndjehem shumë e kënaqur që sonte i përjetuam së bashku interpretimet e disa arieve më të bukura dhe më të vështira të literaturës operistike’’, thotë Pula.
Sipas saj, është e vështirë ti ndajë veprat mirëpo ajo i veçoi veprat si: ‘’E lucevan le stelle’’ nga Puccini dhe ‘’Nessun Dorma’’ nga Puccini sepse këto janë thjesht arie aq të njohura dhe më të vështirat që ekzistojnë.
“Për mua personalisht është gjithmonë kënaqësi që të shoqëroj nivelin e lartë të dy artistëve në skenë dhe gjithashtu e kisha një ngarkesë sepse qysh vitin e kaluar unë dëshiroja që ta shënoj 250 vjetorin e kompozitorit Beethoven me interpretimin e një pjese të tij”, përfundon Pula për KultPlus.
Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 12 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e pestë e këtij festivali, vjen më datë 16 qershor ku do të interpretojë pianisti francez Jerome Granjon në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com
I vendosur thellë në kockat e Gergely Kovacs, me një krenari madhështore qëndronte talenti i tij unik në performimin pianistik që mbrëmë skenën, çelësat e pianos, atmosferën dhe venën kryesore të njeriut, e pushtoi me një thjeshtësi zhurmuese që magjishëm zotëronte vëmendjen e të pranishmëve duke i futur ata në joshjen tunduese të tingujve të cilat rigonin mbi atmosferë në valsin e çmendurisë melodike, shkruan KultPlus.
Hyrja në skenën e Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare për shumë kë që po vinte për herë të parë, do ti dukej e mahnitshme ku përveç hapësirës së gjerë dhe karrigeve të shumta që mundësonin shijimin e performancës së pianistit Kovacs në secilin kënd, dritat e ngrohta, ato me ngjyrë vjollcë dhe ato natyrale në mesin e objektit, ishin disa veçanti të vogla që ndikonin fuqishëm në prezantimin e lojës mjeshtërore të duarve të pianistit, me ç’rast fytyrat e të rinjve po bënin rrotullime sa në një anë e në tjetrën duke vëzhguar atmosferën pak para se të fillonte ajo se çka secili e priste me padurim.
Tash e tri net, hapjen e festivalit Chopin Piano Fest, e nisi drejtoresha organizative e festivalit Besa Luzha, e cila është shprehur se tashmë janë bërë si një familje në këtë festival i cili hap dyert për artin dhe artistët në përgjithësi. Ndërsa, i pranishëm ishte edhe Ambasadori József Bencze nga Ambasada e Hungarisë i cili doli në skenë për një fjalë rasti. Ai kryesisht është shprehur se po ndjehej mjaft i kënaqur që ishte i pranishëm dhe uroi për një natë të këndshme.
Me një besim dhe siguri të plotë në vetvete, para publikut u shfaq pianisti Gergely Kovacs, lëvizjet e së cilit tronditën qetësisht atmosferën qysh në fillim me veprat e kompozitorit të njohur botëror Johann Sebastian Bach. Gjatësia dhe krahët e tij po vinin në pah ende më shumë aftësitë e tij performuese ku pjesa e sipërme e trupit të tij ishte futur brenda një hipnotizimi ku fuqia e pamasë dhe e jashtëzakonshme e melodive dhe tingujve, po goditnin atmosferën brenda sekondave të cilat iknin pamëshirë duke na lënë me ndjenjën që koncerti të mbaronte sa më shpejt e të rifillonte përsëri pa ndaluar.
Efikasiteti i teknikës së Kovacs sa vinte e shtohej në një nivel të lartë që vazhdimisht prodhonte lëvizje të koordinuara dhe të rrjedhshme të cilat jepnin imazhin se rënia e duarve të tij nga shpatullat drejt çelësave po arrinin një shkallë tunduese ku palëvizshmëria e qetësisë melodike dhe kaosi i çoroditur i tingujve, vinin me një grumbull emocionesh të pa përshkruara që rrafshonin komplet mendimet e njeriut duke i lënë ata me një ndjenjë të vetme; padukshmërinë verbuese.
Eleganca e goditjeve të tasteve, shpejtësia e dridhjes së kokës, vështrimi përpjetë, brazda e vetullave, kërcimet e lehta trupore, shkelja e fuqishme e këmbës së majtë në platformë pas çdo përfundimi të secilës vepër, së bashku me këpucët e tij vezulluese që merrnin formë ndryshe ndriçuese sa herë që lëviznin në petale, arrestonin vëmendjen e të pranishmëve me një përkujdesje ku shpërqendrimi ishte dorëzuar komplet në luftën e admirueshme me fokusin e bebëzave të syrit që ishin të mahnitura pas performimit unik të pianistit e të cilat herë mbylleshin në një vetmi melodish e herë të tjera posedonin një dritë që tërë kohës përcjellte stuhinë e tingujve të shpalosur.
Kovacs, përgjatë dy orëve interpretimi të veprave të njohura nga kompozitorë botërorë si: Johann Sebastian Bach, Frédéric Chopin dhe Franz Liszt, dëshmoi talentin përmes lojës së tij pianitsike, qëndrimit të pëllëmbës dhe gishtave të lakuar, me ç’rast tingujt po vallëzonin herë në një ritëm të lartë ku atmosfera kaplohej në befasi të veçantë që vetëm performanca piantistike sjell, e herë në një ritëm të butë ku dinamika e melodive ndizte aortën e njeriut duke manipuluar jo vetëm me zemrën e të pranishmëve por edhe çdo strukturë delikate shpirtërore.
Mbështetja instiktive e audiencës për të dëgjuar lojën madhështore të pianistit dhe tundja e kokës së tyre në ritmin e melodive ishin specialiteti i mbrëmjes ku shpejtësia e rrufeshme e gishtërinjve të tij dhe qetësia e vetmuar atraktive po dhuronte një performancë që ndikonte thellë në një pa përmbajtje entuziaste të shprehjeve të fytyrës, duke e bërë publikun ta përjetoi talentin tërheqës që Kovacs posedonte e që pikërisht ka zgjedhur që ta shpalos në këtë skenë duke na lënë me një zinxhir inspirimi dhe njëkohësisht me momente që do të na vijnë pas një kohë të gjatë e që do të mbërthehen lezetshëm në skajet e kujtesës tonë.
Kështu, krejt në fund, pas dy orë interpretimi që fluturuan papritmas, ishte radha e të pranishmëve që ta mbizotëronin atmosferën në skenë me duartrokitje e brohoritje që sollën buzëqeshjen e pianistit dhe rikthimin e tij rreth tri herë nga prapaskena për të falënderuar publikun për dy minutëshin interpretues të tyre.
Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës unike të tij, për KultPlus foli pianisti Gergely Kovacs.
“Jam mjaft i lodhur dhe është duke u bërë shumë nxehtë këtu por unë thjesht e dashurova këtë natë sepse është e mrekullueshme të performosh përsëri live para një audience pas një kohe të gjatë me pandeminë, e posaçërisht me këta njerëz të mirë përreth, reagimet e të cilëve ishin mahnitëse”, thotë Kovacs.
Sipas tij, ai ka vetëm përvoja të mira sepse të gjithë personat janë shumë të mirë dhe të sjellshëm, ndërsa reagimet në publik ishin shumë natyrale dhe atij i pëlqen kur ndodh komunikimi mes performuesit dhe të pranishmëve, duke e bërë atë të ndihet mjaft i lumtur.
“Unë nuk kam asnjë vepër të preferuar, por janë disa pjesë që unë i frikësohem më shumë dhe janë disa pjesë që unë nuk frikësohem fare t’i luaj, por unë e dashuroj këtë repertor në mënyrë të barabartë”, përfundon Kovacs për KultPlus.
Chopin Piano Fest gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 13 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e katërt e këtij festivali, vjen më datë 14 qershor ku do të interpretojnë sopranoja Marjana Leka, tenori Armaldo Klogjeri dhe pianistja Lejla Pula në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com
Katër partitura të Chopin-it nga koleksioni i bibliotekës polake ”Jagiellonian” do të përfshihen në listën kombëtare të programit “Kujtesa e botës” e UNESCO-s, njoftoi biblioteka, përcjell KultPlus.
“Partiturat formojnë një bazë editoriale dhe një material të vlefshëm kërkimor. Ato dokumentojnë veprimtarinë muzikore të Frederyk Chopin, kompozitorit më të madh polak dhe një prej kompozitorëve më të rëndësishëm në historinë e muzikës”, komentoi biblioteka ”Jagiellonian”.
Komiteti polak i programit të UNESCO-s, i udhëhequr nga drejtori i Arkivave të Shtetit, Pawel Pietrzyk, në të cilin ulen përfaqësuesit e bibliotekave më të mëdha polake, arkivave dhe qarqeve akademike, çdo vit zgjedh elementet për listën polake të programit të UNESCO-s.
Elementet e një rëndësie themelore për historinë, kulturën dhe identitetin kombëtar nga arkivat, bibliotekat dhe muzetë polakë që do të shtohen në listë, do të shpallen zyrtarisht më 10 qershor në pallatin ”Belweder” në Varshavë. / KultPlus.com
Rinovohet busti dhe lulishtja e Frederik Shopen (Frederic Chopin) në 210-vjetorin e lindjes së kompozitorit dhe patriotit polak.
Ambasada polake, me përpjekje të përbashkëta me bashkinë Tiranë, në vigjilje të Ditës Botërore të Muzikës, rinovuan bustin dhe lulishten F. Chopin në 210-vjetorin e lindjes së kompozitorit dhe patriotit polak. Në ceremoninë modeste, për shkak të COVID-19, ishin të pranishëm kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, ambasadori i Polonisë, Karol Bachura, ambasadorja e Francës, Christina Vasak dhe kryetari i Shoqatës “F. Shopen”, Zhani Ciko.
Ambasadori Karol Bachura me këtë rast tregoi fillimisht idenë e themelimit të Ditës Botërore të Muzikës. “Kjo ide realisht ka lindur në Francë, por që nuk ka munguar edhe theksi polak., sepse idenë e kremtimit të Ditës Botërore të Muzikës, ditën e parë zyrtare të verës, e hodhi Marcel Landowski, kompozitor francez, por me origjinë polake. Iniciativën e tij e mirëpritën dhe e popullarizuan Maurice Fleuret dhe Jack Lang, ministri i atëhershëm francez i Kulturës. Figura më domethënëse që e lidh këtë ide franko-polake është pikërisht Frederik Shopen”, tha ai.
Në vijim ambasadori Bachura foli për përcaktimin e kombësisë së kompozitorit Frederik Shopen (Fryderyk Chopin). “Disa e përcaktojnë atë si polak, të tjerë thonë që në thelb ai ishte francez, ndërkohë që të tjerë akoma e përcaktojnë si qytetar të botës mbarë, kjo e fundit duke marrë në konsideratë krijimtarinë e tij. Këto paqartësi dhe mosdakordësi që shfaqen sot, kanë ekzistuar edhe në kohën e vetë kompozitorit. Gjithsesi duket se për kombësinë e artistit dëshmon më së miri qëndrimi i tij për këtë temë. Shopen zbuloi, fisnikëroi gjithçka. Patriotizmin dhe tharmin e gjithë shpirtit të tij heroik e derdhi në krijimtari: në etyde, balada, nokturne, mazurki apo poloneze.
Krijimtaria e kompozitorit të madh ka pasur një ndikim kolosal në kulturën botërore dhe akoma më të madh në kulturën polake. Në jetën kulturore polake ai ka qenë pranuar gjithmonë si një nga polakët më të shquar. Kështu e kanë parë jetën dhe krijimtarinë e tij edhe kompozitorët e tjerë polakë, por edhe poetët. Të tillë e konsiderojmë sot edhe ne, bashkëkombësit e tij”, shprehet ambasadori Bachura.
Shopeni ka shkruar poezi pa fjalë. Në muzikën e Shopenit dëgjuesit do të gjejnë gjithmonë diçka befasuese, mahnitëse, madje edhe më të pamësuarit me muzikë nuk mund të rrinë dot indiferentë. Emri i Shopenit, rëndësia e muzikës së tij me kalimin e viteve, siç ndodh me çdo krijues të madh, nisi të rritej, të merrte kuptime të reja, t’u fliste brezave të tjerë. U krijua dora dorës tradita e madhe shopeniane. Shopeni frymëzon me shembullin, më tepër me qëndrimin, sesa me teknikën kompozicionale dhe origjinalitetin e stilit që nuk mund të imitohet- çka përbën paradoksin e traditës shopeniane.
Kjo traditë vazhdon sot e gjithë ditën edhe këtu në Shqipëri, ku funksionon për mrekulli Shoqata “Frederik Shopen” me maestron Zhani Ciko në krye dhe ku kultivohen virtuozë të brezit të ri, të dashuruar me muzikën shopeniane, të tillë si pianistja e re shqiptare, Laura Sulaj, talenti i së cilës u vlerësua, veç të tjerash, edhe gjatë aktiviteteve specifike për shkak të COVID-19 në kuadër të Ditëve të Europës, ku arriti një kulm interpretativ në ekzekutimin në piano të himnit kombëtar shqiptar.
Muzika e Shopenit gjendet në një perspektivë krejt tjetër në shekullin XXI dhe po i reziston çuditërisht më së miri provës së kohës. Shopeni – mishërim i romantizmit, nuk e përjashton portretin e Shopenit në shekullin XXI – si një novator të madh dhe mjeshtër të ofiçinës kompozicionale.
Sot tradita e Shopenit përfaqësohet jo vetëm nga një varg institucionesh të respektuar, autoritetesh muzikore dhe shkencore, por edhe mbetet përherë fushë e gjallë frymëzimi, frymëzimi të ideve dhe realizimeve të reja dhe para së gjithash burim frymëzim për një rreth të gjerë njerëzish, për të cilët figura e kompozitorit është veçanërisht e dashur dhe e afërt.
“Jam shumë i lumtur që kjo traditë ka zënë vend të përhershëm edhe në kulturën e Shqipërisë, dhe rrethi i njerëzve që e kuptojnë atë ndikuan në rinovimin e bustit të Shopenit në Tiranë dhe praninë e tij të përhershme në kryeqytet. Perspektivat e të ardhmes janë të hapura dhe të gjera, për më tepër që muzika shopeniane do të na mrekullojë jo vetëm një herë, do të fitojë zemrat e banorëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë”, përfundoi ambasadori i Polonisë në Tiranë, Karol Bachura. /Atsh /KultPlus.com
Shkencëtarët kanë përdorur zemrën e kompozitorit polak dhe pianistit Frederic Chopin për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij pas më shumë se 170 vjetësh, shkruan The Independent, përcjellë KultPlus.
Chopin, i cili vdiq në moshën 39 vjeçare në vitin 1849, me sa duket vuajti nga perikarditi: një ndërlikim i rrallë i tuberkulozit kronik. Kjo diagnozë u botua në American Journal of Medicine dhe është studimi i fundit në një mosmarrëveshje afatgjatë mbi shkakun e keqësimit të tij të ngadaltë deri në vdekjen e tij. Shkaqet e tjera të sugjeruara kishin përfshirë sëmundjen trashëguese të sëmundjes cistike, dhe mangësi të alfa-1-antitrpinë, një gjendje e rrallë gjenetike që prek infeksionet e mushkërive.
Megjithatë, kur hulumtuesit ekzaminuan enën që përmbante zemrën e Chopin, e cila u ruajt në një kavanoz të konjakut në një kolonë të kishës në Poloni, ata gjetën se ishte e mbuluar me një shtresë të mirë me materiale të bardha fijor.
Ata gjithashtu zbuluan një numër të dëmtimeve të vogla, që është një simptomë treguese e komplikimeve serioze nga tuberkulozi. Udhëheqësi i ekipit, Profesor Michael Witt i Akademisë së Shkencave të Polonisë i tha Observerit: “Ne nuk e hapëm kavanozin, por duke u bazuar në gjendjen e zemrës se tij mund të themi me probabilitet të lartë se Chopin vuante nga tuberkulozi, që ishte shkaku i menjëhershëm i vdekjes së tij”./ KultPlus.com