Ese mbi filozofinë dhe mendimet e Jean-Jacques Rousseau
“Le të flasin njerëzit për vetën e tyre” nga Christopher Bertram*
Përmendjuni Jean-Jacques Rousseauin disa liberalve e libertarianve, universi mendor i së cilëve është i pajisur me tregje të lira, të drejta individuale dhe shkencë evolucionare, dhe shpesh do t’iu thuhet se ai qe një mashtrues, një hipokrit dhe i çmendur, zbrazëtia e mendimit të së cilit tejkalohet vetëm nga shthurja e karakterit të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, ky reagim me shumë gjasë do të shoqërohej nga një akuzë tjetër: se Rousseaui ishte stërgjyshi intelektual i totalitarizmit, se krimet e së Majtës, që nga Terrori i Madh e te Gulagu, rezultojnë nga idetë e tij. Intelektualisht, urryesit e Rousseauit shpesh e shohin atë si paraardhës të armiqësisë iracionale ndaj shkencës dhe “progresit”, sikur të ishte disi fajtor si për postmodernizmin ashtu edhe për kundërshtinë e mpiksur ndaj energjisë bërthamore dhe të korrave të GMsë. Kështu, Rousseau na bëhet personifikim jokoherent i të gjithë kundërshtarëve të shoqërisë shekullare liberale dhe komerciale.
Në anën tjetër, ka prej tyre të cilët e duan Rousseauin, që e shohin si një mendimtar me aftësinë e depërtimit në premtimet e rreme të modernitetit dhe si udhërrëfyes dhe shoqërues në lidhje me atë se si të jetohet mirë, apo të paktën si të mbijetohet, në një shoqëri të pllakosur nga koprracia, gara dhe statusi. Kjo, përkundër asaj që ai ishte një burrë jashtëzakonisht i vërshtirë për t’u marrë me të, një shok i paarsyeshëm dhe kopriçoz, dhe një mizogjin i cili tjetërsonte pothuajse çdokë që e donte dhe që kujdesej për të. Këto ekstreme duken edhe më të çuditshme kur kujtojmë se Rousseaui nuk mbajti ndonjë post politik, se ai veçse shkruante libra, letra dhe muzikë. Ai ishte totalisht i panjohur deri në moshë të mesme dhe, pas një periudhë të shkurtër të famës së madhe, ai vdiq në rrethana të errëta dhe i varfër. Gabimet e tij, çmenduria e tij dhe ndonjëherë veprimet e tij të rënda të mërisë dhe mosfalenderimit, të përmendura shpesh nga armiqë e tij, dhe në të shumtën e rasteve, të pranuara prej vet atij, nuk e veçojnë atë si një prej monstrave të historisë.
Kalimi i kohës e bën këtë poashtu të veçantë. Rousseau u lind para 300 vjetësh (më 28 qershor). Publiku vështirë se mban mend dikë për një kohë aq të gjatë, prapë se prapë Rousseaui vazhdon të inspirojë, të gjenerojë konferenca të pafundme akademike, biografi, dhe studime kritike në shumë disciplina. Ai ka inspiruar romane siç është Rrëfimet e Reja [The New Confessions] të William Boyd.
Falë shkrimeve të tij autobiografike, faktet e jetës së Rousseauit janë të njohura mirë. Pas vdekjes së të ëmës gjatë lindjes së tij në Zhenevë, Jean-Jacques u edukua nga i ati, qytetar si dhe një patriot zhenevas dhe rastësisht mësoi për historianët romakë.
Por kur ishte vetëm dhjetë vjeç, i ati u largua për t’iu shmangur një procesi gjyqësor, dhe në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur po kalonte një jetë të mjerueshme si shegert i një gdhendësi, ai hoqi dorë nga qyteti, për t’u kthyer vetëm për vizita të rralla.
Deri më 1749, ekzili, pas një jete të larmishme si dashnor i një aristokrate, si shërbëtor, muzikant shëtitës, tutor i fëmijëve të aristokracisë dhe, disi pakënaqshëm, si sekretar i ambasadorit francez në Venedik, ai qe një vizitor i padalluar në salonet e Iluminizmit që frekunetoheshin prej Denis Diderotsë dhe qarkut të tij. Atë vit, rrugës për të vizituar të burgosurin e përkohshëm Diderot, Rousseaui thotë të ketë pasur një lloj epifanie. Me të lexuar rreth një gare letrare të organizuar nga Akademia e Dizhonit, Rousseaui u ballafaqua me pyetjen se a kuntribuonin artet dhe shkencat moralit a jo? Ishte atëherë, thotë ai, që atij i erdh teza disi e errët qendrore e filozofisë së tij: se njeriu është i mirë për nga natyra, por i koruptuar nga shoqëria. Duke arnuar këtë mendim së bashku me disa pasazhe gjysëm të kopjuara nga Montesquieu, Rousseaui përmblodhi Diskursin mbi Shkencat dhe Artet [Discourse on the Sciences and the Arts], që i fitoi çmimin dhe i siguroi famën.
U nis një karierë që do ta shihte Rousseauin të zhvillonte ndjeshmërinë e tij të natyrshme muzikore, tekstet klasike që i kishte lexuar me të atin, shkencat e reja humane që i konsumoi si tutor, dhe krenarinë e tij republikane Zhenevase në një konceptim të dalluar të njerëzimit, shoqërisë, jetës së mirë dhe vetes. Së bashku me shkrimet e tij mbi politikën, ai do të jepte kontribut të çmuar në letërsi, në opera dhe muzikë, në edukim, fe dhe në studimin e gjuhës, antropologjisë dhe autobiografisë, dhe madje edhe në botanikë. (Natyra ndërdisciplinare e arritjeve të Rousseauit shpërfaqet shumë mirë në librin Rousseau dhe Liria [Rousseau and Freedom] të Christie McDonaldit dhe Stanley Hoffmannit, ku çështjet standard të politikës dhe filozofisë lidhen me interesat e Rousseauit për teatron, muzikën dhe historinë.)
Damari më i dalluar që e përshkon veprën e tij, është pyetja, se si të kënaqen nevojat tona më bazikë për liri dhe njohje në një botë të ndërvarësisë. Rousseaui qe i fiksuar pas idesë se përderisa nevojat tona shumëzohen përtej pikës ku ne do të mund t’i plotësonim ato duke përdorur forcat tona të natyrshme, ne jemi bërë të varur nga bashkëpunimi me të tjerët për të marrë atë që duam, një temë që eksplorohet në mënyrën më të spikatur te Diskursi mbi Pabarazinë [Discourse on Inequality].Varësia te të tjerët ndjell një deformim në vete përderisa njerëzit shndërrohen në personazhe të cilët ata besojnë se të tjerët do t’i shohin si joshës apo të dobishëm. Por ne të gjithë po e luajmë këtë lojë së bashku, dhe ndjenja se dashuria dhe respekti që na japin të tjerët mund të jetë e shtirur për arsye instrumentale, një ndjenjë që merr mbështetje nga ajo çfarë bëjmë vet ne për t’i nënshtruar të tjerët ndaj vullnetit tonë, shkakton një sens të thellë ankthi dhe ndjenja të krenarisë, kotësisë, tërbimit, përbuzjes, vetë-urrjetjes dhe xhelozisë. Ne përfshihemi me të tjerët jo ashtu siç “jemi në të vërtetë” por përmes një loje pambarimisht rekursive të besimeve rreth asaj se çfarë besojnë të tjerët, një lojë që përforcon hierarkitë e shtypjes dhe dominimit. Këto forca të fuqishme na socializojnë dhe izolojnë njëkohësisht, duke na shtyrë që të ndrydhim ndjeshmërinë tonë të natyrshme ndaj vuajtjes së të tjerëve dhe që të zhvillojmë racionalizime të elaboruara për të arsyetuar pushtetin dhe pozitën që marrin formën e ideologjive politike dhe kodeve morale.
Pa dyshim se pikëpamja e Rousseauit për modernitetin është tepër distopiane. Kritikët kanë qenë shumë të shpejtë të gjejnë burimin e fiksimit të tij me opinionin dhe varësinë ndaj sëmundjes së tij mendore. Megjithatë, Rousseaui gjithsesi ka të drejtë të ketë identifikuar këtë tension mes aspiratës për autonomi dhe varësisë ndaj zgjedhjeve dhe opinioneve të të tjerëve si njërin prej problemeve kyçe të jetës modern: manifestimi i tij i fundit është varësia e jetës së shumë njerëzve ndaj opinioneve të paqëndrueshme të tregtarëve të bonove dhe përpjekve të dëshpëruara të politikanëve për të inspiruar “besim” në ekonomitë e tyre. Në të këto çështje, Rousseaui është paraardhës edhe i Marksit edhe i ekzistencializmit.
Përgjigjja e Rousseauit ndaj këtyre çështjeve është shpesh dorëheqja dhe pesimizmi. Në një disponim më konstruktiv, ai u përpoq të mendonte për mënyrat e përballimit. Te Kontrata Shoqërore [The Social Contract] ai u mor me idenë se a mundet që liria dhe ndërvarësia të arrihen përmes politikës. Te Emile: ose, Mbi Edukimin, ai shikonte se si mund të edukohej një fëmijë për të rezistuar deformimet e modernitetit. Aty, ai shtyn përpara një ideal të cilin sot do ta quanim edukim të përqendruar te fëmija [child-centred education], në të cilin nxënësi inkurajohet që të mesojë përmes një program të strukturuar me kujdes të zbulimeve në dukje spontane, të cilat e lënë atë të sigurtë në kuptimin e fuqive dhe aftësive të tij dhe rjedhimisht mospërfillës ndaj korupsionit të opinionit. Komanda, mësimi i rutinës, e madje edhe librat janë të huaj për këtë metodë pedagogjike. Mësuesi e lë fëmijën të zbulojë gjërat për veten e tij: por është gjithmonë i vëmendshëm që të shtrojë rrugën e duhur përmes sugjerimeve të arsyeshme. Natyrisht se ka shumë më tepër se kaq te Emile; ai poashtu përmban reflektimet më të sofistikuara të Rousseauit mbi psikologjinë dhe emocionet, shpërfaq mizogjininë e tij më ekstreme dhe shndërrohet në një lloj romani. Për fat të vetë karierës së Rousseauit, libri përmban aq profanime fetare sa ta bëjnë të dënohet në Paris dhe Zhenevë dhe të ndiqet për në ekzil në Stafordshajër.
Por ky është një manual edukimi që ka ndjellë interesim më së shumti, dhe rezistencë. Brenda një viti pas botimit, Emile u ndesh me gjykime të rrepta nga kritikët – shumë prej tyre të përshpirtnuar nga mendimi se fëmijët të cilët mësojnë që të mendojnë për veten e tyre mund të gjenerojnë pikëpamje skeptike ndaj ortodoksisë fetare dhe politike. Më i rëndësishmi nga ta ishte H.S. Gerdil, Anti-Emile i së cilit u shfaq vitin që pasoi.
Edhe pse ka shumëçka te Emile për të ngazëllyer urryesit e Rousseauit, është vërtet politika, siç deklarohet te Kontrata Shoqërore, që shpjegon pjesën tjetër të armiqësisë – veçanërisht kur ndërlidhet me ndikimin që Rousseau perceptohet të ketë pasur mbi Revolucionin Francez dhe ngritjen në pushtet të njerëzve të cilët deklaruan se qenë ndikuar drejptërdrejt prej Rousseauit. Kur, në vitin 1794, revolucionarët ri-internuar Rousseauin në Pantheon së bashku me armikun e tij të përbetuar Voltaire, si inspirues të përbashkët të republikës së virtytit, ata betonuan një asociacion mes tyre dhe zhenevasit, që i rezistoi kohës. Revolucioni dhe luftërat që pasuan sollën ankth te klasat sunduese në Evropë, ku shumë prej francezëve kishin pësuar shpronësim, zhvendosje dhe prerje kokash. Reagimi intelektual që pasoi qe i detyruar që të kërkonte zanafillat idelogjike të katastrofës dhe Rousseaui, i cili pat argumentuar për sovranitetin e patjetërsueshëm të popullit, qe një figurë e qartë për t’u fajësuar. Për më tepër, shumë prej formulimeve më të gjalla të Kontratës Shoqërore, siç është argument se qytetarët që sforcohen që t’i binden “vullnetit të përgjithshëm” janë prandaj “të detyruar që të jenë të lirë”, ofrojnë një lidhje sipërfaqësore mes lapsit të Jean-Jacquesut dhe aktualiteteve ekstatike të Jakobinizmit.
Vetë politika e Rousseauit, posaçërisht ndaj vendlindjes së tij, qe disi e moderuar dhe pajtuese të paktën deri atëherë kur edhe aty u dënua Kontrata Shoqërore. Zheneva, edhe pse e përqafonte vetëm nominalisht idealin e sovranitetit popullor, qe në fakt një oligarki fisnikësh, edhe pse qytetarët e saj provuan që të merrnin të drejtët të cilat mendonin se ishin të tyre përgjatë episodëve të ndryshëm në shekullin e 18-të. Baba Rousseaui kishte futur në mendjen e të birit një lidhje sentimentale me idealin e një Zheneve të bashkuar dhe ai mund të ketë mashtruar veten disi për sa i përket realitetit oligarkik. Kur do ta kujtonte më vonë një vizitë qytetit në vitet 1730, frymëzimi i supozuar për dhunën e mëvonshme revolucionare e bëri të qartë tmerrin e tij ndaj prospektit të gjakderdhjes për qëllime politike. Edhe kur doktrinat republikane të Kontratës Shoqëore e ktheu Rousseauin në një armik dhe viktimë të sunduesve të Zhenevës, ai vazhdoi të mbronte disa prej kompromiseve kushtetuese që ngjeshnin pushtetin e tyre, dhe ndërsa ai e simpatizonte disi partinë popullore në konfliktet e brendshme të qytetit, ai kurr nuk mbështeti dhënien e së drejtës së votimit për shumicën, a madje as për popullatën mashkullore të Zhenevës.
Në filozofinë politike, Rousseaui është dëshmuar si i pa-asimilueshëm për çfarëdo shkolle konvencionale. Ai është edhe pararendës i Kantit dhe një mendimtar me rrënjë të forta natyraliste, që shqyrton lidhjet mes natyrave tona morale dhe kafshërore. Totalitari Rousseau, i dënuar nga shkollarët liberalë e konzervativë të Luftës së Ftohtë, ko-ekziston me liberalin Rousseau, paraardhësin e largët të teorisë së drejtësisë të John Rawls-it, një Rousseau, qytetarët e së cilit komunikojnë me njëri tjetrin përmes identitetit të tyre të përbashkët politik në terma të cilat abstrahojnë prej dallimeve të tyre rrëfyese. Është edhe Rousseaui, kritiku i tjetërsimit, eksploatimit dhe pronës private, por gjithashtu teoricieni dialektik i historisë, i cili parashikon temat e tilla te Marksi. Është edhe Rousseaui habermasian i cili kërkon ringjalljen e frymës tonë demokratike. Komunitarët mund të frymëzohen nga vlerat e përbashkëta që ndërtojnë identetin e qytetarëve dhe të cilat ata i riafirmojnë në lojëra dhe festival. Dhe rigjallërimi i interesimit për republikanizmin klasik, i nisur nga Quentin Skinner dhe Philip Pettit, mund të gjejë jehonë në ngulmimin e Rousseauit se rendi politik duhet të çlirojë individët nga varësia ndaj vullneteve arbitrare të bashkëqytetarëve të tyre.
Ndryshe nga pikëpamja e përhapur që e sheh atë si primitivist, Rousseaui e dinte se s’ishte e mundur që thjesht të ktheheshe te natyra. Ndërvarësia njerëzore është një fakt dhe ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë këtë fakt të përputhshëm me nevojat tona bazike njerëzore. Te Kontrata Shoqërore, i ballafaquar me këtë, ai na thotë: se o duhet të ndryshojmë mënyrën e të qenit, o do të tretemi. Por zgjidhja që ofron vet Rousseaui, një qytet-shtet i vogël e i pavarur, dukej jopraktik edhe atëbotë. Kjo edhe më shumë kur problemet që tash kërcënojnë ekzistencën e njerëzimit janë në shkallë globale dhe kështu kërkojnë një lloj të qeverisjes globale. Që të adresohen këto probleme në mënyra që përputhen me lirinë dhe barazinë e qenieve njerëzore, mund të jetë një problem i pazgjidhshëm, por gjetja e mënyrës për të mbledhur së bashku në mënyrë të cilat respektojnë, në vend se të minojnë, natyrën tonë si qenie të lira dhe të barabarta, është një sfidë me të cilën përballemi. Prandaj edhe interesim për Rousseauin vazhdon edhe pas 300 vjetësh.
Përktheu: Bardhi Bakija
*Christopher Bertram është profesor i filozofisë sociale dhe politike në Universitetin e Bristolit. Përvec Rousseau-it, ai hulumton në temat si teoritë modern të kontratave sociale, teori të drejtësisë, dhe justifikimet publike. Libri i tij Rousseau-i dhe Kontrata Sociale u botuat më 2003 nga Routledge Philosophy Guidebooks.
Artikulli origjinal në The Times Literary Supplement:
https://www.the-tls.co.uk/articles/public/let-the-people-speak-for-themselves/
Përktheu: Bardhi Bakija / KultPlus.com