Rapsodi Fatmir Makolli i dhuron një çifteli Dua Lipës

Qëndrimi i Dua Lipës në Kosovë rezultoi me shumë zhvillime gjatë këtyre ditëve. Nga performanca në “Sunny Hill Festival”, emërimi si “Ambasadore nderi e Republikës së Kosovës” e deri tek vizitat e takimet e shumta, shkruan KultPlus.

Në këtë mes, Dua pati edhe një takim të veçantë me rapsodin e njohur shqiptar, Fatmir Makolli, i cili ka bërë asaj një dhuratë simbolike që lidhet me muzikën e vjetër tradicionale.

Rapsodi i ka dhuruar këngëtares një çifteli, të cilën do ta ketë kujtim si bartëse e vlerave muzikore të kombit.

Makolli ka ndarë disa fotografi të këtij takimi në rrjetin e tij social facebook, ku është shprehur i privilegjuar që pati rastin të takojë yllin kosovar.

“Rastisi që në datëlindjen time, të kem edhe nji privilegj dhe kënaqësi që në lokalet e Hotelit Swiss Diamond, yllit botërorë të muzikës, DUA LIPA, t’i dhuroj një çifteli”, ka shkruar Makolli. / KultPlus.com

Rihapet në Asti kursi i çiftelisë

Albert Prenga do të jetë instruktori i ri i kursit të çiftelive, pranë Qendrës “Margarita Xhepa”, në Asti, Itali.

Albert Prenga me origjinë nga Puka ka një përvojë dhjetra vjeçare në instrumentin e çiftelisë dhe është ofruar për të vazhduar këtë kurs me fëmijët në Diasporë.

Duke i uruar mirë se ardhjen, e falenderojmë nga zemra për këtë përkushtim të tij! Duke marrë shkas nga ky xhest kaq i përgjegjshëm e patriotik i Albert Prengës, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi t’u ofrojnë përvojën, talentin e tyre edhe në instrumenta të tjerë popullore si lahuta, dajrja, fyelli, bilbili, pipza, daullja, por edhe instrumentiste si piano, fisarmonikë, tastierë, kitarë, mandolinë… ose dhe muzikantë, për fëmijët tanë të lindur këtu në Itali.

Ky do të jetë një tregues i lartë atdhedashurie, patriotizmi dhe sakrifice që bëni ju për ruajtjen e traditave dhe kulturës sonë kombëtare edhe jashtë atdheut”, shkruhet në Facebook-un e qendrës “Margarita Xhepa”. / KultPlus.com

Rita Ora vallëzon nën tingujt e çiftelisë në aeroportin e Veronës (VIDEO)

Rita Ora mori dje një dhuratë krejt të veçantë prej kryebashkiakut Veliaj, e cila me siguri që do të ruhet për shumë kohë dhe do të zërë një vend të veçantë për këngëtaren dhe për familjen e saj.

Veliaj surprizoi Rita Orën duke i dhuruar një çifteli, e cila qëndronte në zyrën e Erion Veliajt.

Teksa udhëtoi ditën e sotme drejt Veronës ku dhe do të mbajë koncertin radhës, në aeroport ajo i ka habitur të gjithë të pranishmit teksa ka filluar të kërcejë valle ndërkohë që njëri prej miqve të saj po i binte çiftelisë së dhuruar nga Veliaj.

Çiftelia është një instrument muzikor që identifikon trashëgiminë e kulturës tradicionale shqiptare, tingujt e së cilës shqiptarët patën mundësi që t’i dëgjonin edhe dje në një prej hiteve të këngëtares së njohur botërore me origjinë shqiptare.

Teksa këndoi në Sheshin “Skënderbej” që ishte mbipopulluar si kurrë më parë në çdo cep të tij, skena kulmoi kur Rita Ora këndoi një miksim të një prej hiteve të saj me muzikën tradicionale të një prej valleve më të njohura shqiptare, asaj të Tropojës, ku çiftelia është një element thelbësor./ KultPlus.com

Ilir Meta, interpreton këngë me çifteli gjatë vizitës në Medvegjë (VIDEO)

Ilir Meta u prit nga dhjetëra qytetarë në një vizitë në Medvegjë, ku ai ka edhe ka interpretuar këngë çiftelie të kësaj zone, shkruan KultPlus.

Presidenti Meta ishte i ulur në një tryezë me përfaqësues të komunitetit të shqiptarëve dhe disa rapsodë, merr në duar çiftelinë dhe fillon të këndoj së bashku me tingujt e saj.

Video është postuar nga gazetari Idro Seferi i cili shkruan: “Leksion me çifteli rapsodi nga Skrapari, Ilir Meta”./ KultPlus.com