Rihapet në Asti kursi i çiftelisë

Albert Prenga do të jetë instruktori i ri i kursit të çiftelive, pranë Qendrës “Margarita Xhepa”, në Asti, Itali.

Albert Prenga me origjinë nga Puka ka një përvojë dhjetra vjeçare në instrumentin e çiftelisë dhe është ofruar për të vazhduar këtë kurs me fëmijët në Diasporë.

Duke i uruar mirë se ardhjen, e falenderojmë nga zemra për këtë përkushtim të tij! Duke marrë shkas nga ky xhest kaq i përgjegjshëm e patriotik i Albert Prengës, u bëjmë thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi t’u ofrojnë përvojën, talentin e tyre edhe në instrumenta të tjerë popullore si lahuta, dajrja, fyelli, bilbili, pipza, daullja, por edhe instrumentiste si piano, fisarmonikë, tastierë, kitarë, mandolinë… ose dhe muzikantë, për fëmijët tanë të lindur këtu në Itali.

Ky do të jetë një tregues i lartë atdhedashurie, patriotizmi dhe sakrifice që bëni ju për ruajtjen e traditave dhe kulturës sonë kombëtare edhe jashtë atdheut”, shkruhet në Facebook-un e qendrës “Margarita Xhepa”. / KultPlus.com

Jeffrey Charest, amerikani që studioi çiftelinë

Një histori e veçantë, nga ato që të bën të çuditesh por dhe ta admirosh. Jeffrey Charest është një amerikan i cili u diplomua në Mbretërinë e Bashkuar për një instrument të panjohur për britanikët, për çiftelinë tonë shqiptare.

Duke gërshetuar pasionin me të panjohurën bëhet edhe më e veçantë historia e Jeffrey, i cili vijon të jetojë në Uells në Britanisë.

“Gjatë vitit 1992 babai im ishte në Shkodër, ai pa në një dyqan këtë instrument dhe mendoj se do ta pëlqeja atë. Më sjellin në Kaliforni, e hapa kutinë dhe kur e pashë nuk e kisha idenë se çfarë ishte. Mu deshën disa vite për ta kuptuar se si quhej pasi asaj kohe nuk kisha as internet për ta kërkuar”, thotë Jefrrey.

Tashmë ai luan çifteli në mënyrë profesionale, dhe pse në fillim e pati të vështirë të luante, por mësoi duke parë dhe video ku luhej ky instrument. Krahas saj, Jeffrey luan dhe disa instrumente të tjera shqiptare.

“Që nga atëherë kam mësuar të luaj dhe në sharki, pak lahutë e disa instrumente të tjera nga shtetet e Ballkanit. Luaj dhe mandolinë, tombolë etj.”, vijon ai.

Ai performon edhe në rrugë me çifteli dhe reagimi i qytetarëve është mbresëlënës.

“Shpesh herë njerëzit janë konfuz sepse asnjëherë nuk kanë parë apo dëgjuar diçka të tillë, po në të shumtën e rasteve interesohen dhe ju duket diçka interesante”, thotë Jeffrey.

Ai ka qenë në Shqipëri dhe thotë se është ndjerë mirë dhe këtë vizitë e ka shfrytëzuar për të blerë instrumente. Shpesh amerikani i pasionuar pas çiftelisë relaksohet duke luajtur./diasporashqiptare/ KultPlus.com