Për këto poezi e pushkatuan poetin Genc Leka

AH, ËNDËRR’ E KALTËR U KËPUT NË MES

Cikël poetik nga Genc Leka

1.

…Çdo vjeshtë vinte një varg me ciganë..
dhe këndonte plot mall e trishtim:
” Se si janë, ca gra, se si janë…
… Ah, të vrasin me fjalë, moj dade
dhe të ngjallin veç me një vështrim!. . .”

Dhe shkuan ciganët në rrugët plot fletë,
me këngë, me kuajt revanë…
dhe pas i përcillte plot duf një gërnetë,
siç ndizet veç shpirti cigan…

Ah,  prap er’ e vjeshtës m’i zgjoi kujtimet
me këngën e vjetër cigane për gratë…
Në vitet e brishtë më çojnë mendimet
(si vesë mëngjesi m’u tretën gëzimet…)
dhe thinjat m`u shtuan çdo natë!…

Se si janë ca gra se si janë!
gjithnjë më mundon ky mendim….
Po pse, o ciganë, a gjetshi belanë.
me këngë me kuaj çuditni dynjanë
dhe vjeshtës këndoni me mall e trishtim
Se si janë ca gra se si janë?!…

Shtator 1970

2.

KUJTIMI YT më hodhi këtë natë
në thellësinë e brengave pa fund…
(Ah, ëndërr’ e kaltër u këput në mes!…)
Dhe nis mendimi rrugën më të gjatë,
por shteg’n e blertë nuk e gjen gjëkund,
ndaj VEZULLON çdo mbrëmje…
çdo mëngjes!…

Pranverë 1972

3.

Kjo zemër hidhet si një zog i vrarë
si det me dallgë shpirti me ballada
Më djeg kjo flak` e dashuris’ së parë
Dhe dritë hedh tani mbi tri dekada.

Pranverë 1972

4.

Qyshkur rënkon e hesht ti zemr’ e mjerë.
Qyshkur, ti shpirt plot derte s’je i qetë!
Veç . . . nw s’ju çeli edhe kjo pranverë
. . . Për jetë jini tharë. . . ah,  për jetë!

Janar 1971

5.

O ëmbëlsi e viteve rinore…
o pika lot, o drithma mallëngjimi
Pse ma tronditni botën shpirtërore
me brenga, mall e zbrazëti dyshimi?…

Në cilën zemër hytë si pranverë
dhe nuk i sollët zemrës lumturi?
Por kur derdh vjeshta fletët nëpër erë
pranverë na do zemra përsëri!…

Dhe sa më shumë do shkojnë vjetët
Zëmrat s’do ndjejnë qetësi gjëkund`…
Lirika  plot do lënë pas poetët…
Për mallin, helmin, gazin e pafund!

O ëmbëlsi e viteve rinore,
në cilën zemër hyre në fillim?
Si erdhe ti prej viseve qiellore
Si brengë, gaz apo si ngushëllim?. . .

Pranverë 1972 / KultPlus.com