Certifikohen 22 koordinatorë për sigurim të cilësisë në arsim

Në kuadër të sigurimit të cilësisë në shkolla profesionale, sot janë certifikuar 22 koordinatorë për sigurim të cilësisë, 19 drejtorë të shkollave profesionale si dhe 16 trajnerë të trajnerëve, përcjellë KultPlus.

Me këtë, 1/3 e shkollave profesionale është përfshirë në procesin e përmirësimit të mekanizmave të sigurimit të cilësisë. Të gjithë të certifikuarit e sotëm për më shumë se 2 vite shkollore ishin të angazhuar në këtë proces.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e cila edhe ka njoftuar se për të realizuar këtë synim janë përkrahur nga projekti ALLED2 financuar nga BE dhe ADA dhe implementuar nga ADA.

“Qëllimi i ynë është aplikimi në mënyrë sistematike i mekanizmave për sigurim të cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit, ç’rast për shkollat profesionale kjo po arrihet me ndihmën e projektit ALLED2.

Përmes trajnerëve të certifikuar tani e tutje mund t’i përkrahim edhe shkollat tjera profesionale në ngritjen e cilësisë.

Falënderoj implementuesit e këtij projekti, BE-në dhe Qeverinë e Austrisë dhe të gjithë partnerët tjerë të cilët kanë kontribuar në këtë drejtim”, shkruan Nagavci. / KultPlus.com

Ministrja Nagavci: I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët

Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK) mbajtën sot protestë me moton “S’po shkohet n’shkollë”.

Përmes kësaj protesë në të gjitha qytetet e Kosovës, KNK synon të fuqizojë zërin e të gjithë nxënësve të shkollave të mesme të Republikës së Kosovës duke e paraqitur realitetin shqetësues me të cilën nxënësit tonë ballafaqohen në baza ditore.

Cilësia e arsimit, përmbajtjet mësimore, sjelljet e profesorëve, infrastruktura e institucioneve shkollore si dhe fenomenet negative prezente me të cilat përballen nxënësit e shkollave, janë vetëm disa prej pikave të cilat i kanë shtyrë nxënësit të marrin një hap të tillë.

Menjëherë pas kësaj protestë ka reaguar edhe Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë.

Nagavci është shprehur e lumtur për aktivizmin e të rinjëve për përmirësimin e cilësisë në arsim. Sipas saj, angazhimi ditor në Ministrinë e Arsimit ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

Ky është reagimi i plotë i Nagavcit:

I gëzohem aktivizmit të të rinjve dhe mendimit të njëjtë se cilësia në arsim kërkon angazhim të përbashkët,

Të dashur nxënës, mësimdhënës, prindër e qytetarë të Republikës së Kosovës,

Ndajmë shqetësimin plotësisht legjitim të shprehur nga nxënësit për gjendjen në sistemin e arsimit! Prandaj, angazhimi ditor në Ministrinë tonë ka në qendër të vëmendjes përmirësimin e cilësisë, që përpos angazhimit kërkon edhe kohë dhe durim.

MASHTI veçse ka dëshmuar, me një numër të madh takimesh e marrëveshjesh bashkëpunimi të nënshkruara, që është i hapur për bashkëbisedim e bashkëpunim me të gjitha palët me interes për ndërmarrjen e hapave konkret për ndryshimin e gjendjes në arsim.

Për një vit sa jemi në qeverisje kemi punuar në përmirësimin e infrastrukturën ligjore, kushteve në shkolla dhe procesit mësimor. Po ndajmë me juve disa nga vendimet dhe punët konkrete tona, që janë edhe në linjë me hulumtimin e prezantuar nga studentët:

• Rritja e buxhetit për arsim për 12%, për vitin 2022;

• Ndarja e 3,500.000€ për institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional për përmirësimin e praktikës profesionale dhe sigurimin aksidental të nxënësve gjatë punës praktike;

• Themelimi i pesë Qendra të Karrierës; tre të tjera janë në proces;

• Hartimi i PSAK 2022-2026 si dokument orientues për zhvillimin e arsimit në proces të finalizimit (që përfshin investime domethënëse në infrastrukturë, digjitalizim dhe në cilësinë e arsimit);

• Ndryshimi i formulës së financimit për arsimin parauniversitar duke mundësuar ri-organizimin e rrjetit të shkollave, duke ofruar kushte më cilësore për punë;

• Planifikimi që secila klasë në Kosovë të ketë së paku një kompjuter dhe projektor, brenda pesë vitesh;

• Mbështetja e më shumë se 3,000 mësimdhënësve në zhvillim profesional;

• Rishikimi i sistemit të vlerësimit të performancës, trajnimit dhe licencimit të mësimdhënësve, si dhe i organizimit të brendshëm të shkollës, me qëllim të sigurimit të mësimit cilësor në shkolla;

• Bashkëpunimi me të gjitha palët për shtimin e sigurisë në shkolla dhe krijimin e mjedist miqësor për të gjithë fëmijët;

• Ofrimi i mbështetjes për organizatat e shoqërisë civile që punojnë me fëmijë me talente të veçanta, me fëmijë me aftësi të kufizuara, si dhe me qendrat mësimore për fëmijët rom, ashkali dhe egjiptian;

• Vërja në fokus ndaj rritjes së besueshmërisë së testeve kombëtare, në mënyrë që të shtohet përgjegjësia dhe llogaridhënia në shkolla;

• Ndarja e mbi 3000 bursa për të rejat e të rinjtë tanë që studiojnë brenda dhe jashtë vendit;

• Nëshkrimi i marrëveshjeve me BE dhe anëtarësimi në HORIZON;

• Nënshkruami i programit ,,Fulbright” me Ambasadën Amerikane për hulumtime akademike;

• Ndarja e 30 mijë euro për projekte shkencore;

• 100 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta;

• 500 bursa për nxënës nga grupet e margjinalizuara;

• Funksionalizimi i Këshillit Kombëtar të Shkencës;

• Rifunksionalizimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Po përmirësojmë infrastrukturën fizike e ligjore. Rezultatet në arsim duhet dhe do të përmirësohen. Si ministre e pranoj seriozisht çdo shqetësim të nxënësve për cilësinë në arsim, për vendimet e tanishme të MASHTI-t, por edhe për simptomat që përjetojmë tani e që kanë burim një kohë e situatë tjetër.

Të ardhmen e sigurojmë me angazhim të përbashkët, me dije dhe arsim. / KultPlus.com

Një vit pandemi, u humben 50 mijë vende të punës dhe ra cilësia në arsim

Përveç në shëndetin publik, pa dyshim pandemia ka ndikuar dukshëm edhe në rënien ekonomike në Kosovë, në rënien e cilësisë në arsim, mbylljen e mbi 10 mijë bizneseve dhe humbjen e mbi 50 mijë vendeve të punës.

Kështu është thënë sot në tryezën e organizuar nga Instituti për hulumtime sociale “Paragon” me temën “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregun e punës, sfidat si dhe pritshmëritë”, përcjellë KultPlus.

Florian Aliu nga ky Institut gjatë prezantimit të hulumtimit theksoi se pandemia ka ndikuar që për rreth 150 mijë punëtor në sektorin privat ende kanë vështirësi t’u sigurohen pagat. Teksa ka shtuar se rritja e të hyrave në buxhetin e shtetit ka ndikuar tërheqja e 10 % të Trustit.

“Ndikimi i pandemisë shprehur në numra tregon se afër 50 mijë punëtorë kanë humbur vendin e tyre të punës, dhe afër 10 mijë biznese të vogla dhe të mesme kanë falimentuar. Por, mbi 150 mijë punëtorë hasin ende në vështirësi në paga. Të hyrat e shtetit janë rritur me zbutjen e masave dhe ndihmën nga pakot ekonomike. Në janar të vitit 2020 janë 111 milionë euro të hyra në doganë, kurse në janar të vitit 2021 kemi një rritje në 123 milionë euro të hyra në doganë. Kjo vjen si rezultat I futjes në treg të 200 milionë euro nga Trusti, rritja e konsumit dhe fuqizimit të konsumatorit”, theksoi ai.

Ndërsa, Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomisë së Kosovës, cili tha se 64 % është rënia e të hyrave në gastronomi ose siç tha ai 20 milionë dëmet në këtë sektor për shkak të masave shtrënguese që ishin ndërmarr për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Vranica po ashtu tha se 11 mijë punëtorë kanë humbur vendet e punës në gastronomi.

“Ne, sipas të dhënave publike të Agjencisë së Statistikave në tre mujorin e dytë 2020 sa I përket qarkullimit kemi 64 % rënie si sektor, ku në shifra I bie që rreth 20 milionë euro kemi pësuar dëme. Kjo shifër është e madhe duke marrë parasysh edhe impaktin e sektorit të gastronomisë në ekonominë e vendit, pra duke qenë punëdhënësi numër 3 më i madh në vend[…]andaj, që nga fillimi e deri më tani është dashur që të ketë një qasje më provokative sa i përket konsideratës ndaj këtij sektori kaq të zhvilluar. Dëmet nuk kanë qenë vetëm këto. Ne kemi pasur edhe një raport hulumtues të cilin e kemi realizuar më 23 nëntor të vitit 2020, dhe këto të dhëna kanë qenë mjaft shqetësuese ku kemi parë që të 89 % e bizneseve deri në tetor kanë punuar me humbje, vetëm 11% e tyre kanë qenë në gjendje rentabile”, theksoi Vranica.

Edhe Fisnik Dukolli nga Instituti “Paragon” tha se në periudhën e pandemisë Covid-19 tash e një vit ka pësuar gjithashtu edhe cilësia në arsim, dhe tërë zinxhiri ekonomik, me mbyllje të bizneseve dhe humbje të vendeve të punës.

Dukolli tha se përveç sektorit të gastronomisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, ka pësuar mjaft edhe sektori medial në Kosovë.

“Pa dyshim që pandemia në vendin tonë ashtu si në krejt botën ka ndikuar dukshëm në rënien ekonomisë, duke prekur pothuajse të gjithë sektorët e jetës sonë, ku më pak e ku më shumë. Gjithsesi nga kjo pandemi ka pësuar një rënie mjaft të madhe cilësia në sektorin e arsimit si dhe efikasiteti në shërbimet e administratës shtetërore dhe lokale. Pandemia ka ndikuar negativisht në tërë zinxhirin ekonomik duke prekur të gjithë grup moshat dhe të punësuarit aktiv në tregun e punës në sektorin privat për të manifestuar në mbylljen e bizneseve, por edhe humbje të vendeve të punës. Duke marrë parasysh se Kosova ka një treg të punës kryesisht në ofrimin e shërbimeve, sektorët më të rënduar dalin të jenë gastronomia dhe ndërtimtaria, por që impakt negative kemi pasur shumë edhe në prodhimtari, transport, turizëm, agrobiznes dhe në tregun medial”, tha Dukolli.

Disa nga rekomandimet për institucionet kompetente, të cilat ky Institut mendon që janë të vlefshme, është ndërtimi i një sistemi të fortë shëndetësor, forcimi i skemës për mbrojte sociale dhe ekonomike, rritje e sistemit të mbrojtjes për punëtorët dhe të drejtat e tyre si dhe mobilizimi I burimeve financiare për transformimin ekologjik të ekonomisë. / Gazeta Blic / KultPlus.com