Video-poezia ‘Po lahem në detin e nënës’ (Bathing in Mother’s Sea) e shkrimtari Arbër Selmani, prej nesër do të jetë pjesë e festivalit CINEM’aMOSTr në Porto të Portugalisë, shkruan KultPlus.
Ky është edicioni i parë i festivalit në fjalë i cili prezanton videoprojekte që bazohen në poezi dhe organizohet nga Asociacioni Kulturor Cabe Cave. Ky edicion i festivalit fillon me 29 shtator deri me 1 tetor.
Video është realizuar nga Nok Selmani përderisa vetë shkrimtari shihet tek zhytet në liqenin e Badovcit duke mëshiruar kështu poezinë me disa pamje që e fuqizojnë edhe më shumë poezinë.
Kujtojmë që e njejta video së pari është shfaqur në York të Anglisë, ndërsa tani po udhëton për në Portugali.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Selmani i cili tutje ka treguar që poezia është një himn për gratë dhe fëmijët e botës.
“Faleminderit Nok Selmanit për xhirimin edhe editimin e videos, dhe faleminderit vetes për zhytjen në Badovc në ora 19:30 në një ditë maji. Poezia është pjesë e librit ’48 piano’, si një himn për gratë dhe fëmijët e botës”, ka shkruar Selmani. / KultPlus.com