Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, tha sot se, “sfida jonë është për t’i kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm”.
Ministri Gonxhja, teksa ndau në rrjetet sociale momente nga shfaqja dhe performanca e parë e akrobatëve shqiptarë, tha se Cirku është një hapësirë ku shkëputesh nga realiteti, duke u bërë pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij.
“Ky vit shënon 65-vjetorin e Cirkut Kombëtar, i vetmi në Ballkan për llojin e tij, çka na sjell para një sfide të vështirë, për t’i kthyer Cirkut lavdinë dhe shkëlqimin e dikurshëm, në një hapësirë ku fëmijët dhe të rriturit mund të shkëputen nga realiteti dhe të bëhen pjesë e një bote të imagjinatës pa kufij”, shkroi Gonxhja.
Në Ditën Ndërkombëtare të Cirkut, Gonxhja shprehu mirënjohje për artistët e cirkut dhe emocionet magjike që kanë përcjellë përmes performacës tyre.
“Shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë artistët e mrekullueshëm, për çdo emocion dhe të qeshurat pafund që ata kanë dhuruar ndër vite, duke e bërë cirkun një nga format e artit më të dashura për të gjithë”, tha Gonxhja./atsh/KultPlus.com