Vjosa përkujtohet përmes filmit të saj

Me një minutë heshtje filloi nata e mbrëmshme e Javës së Filmit Kosovar në Mitrovicë.

Ani pse programi i Javës së Filmit Kosovar është publikuar kohë më parë, e që mbrëmë do duhej shfaqur filmi “Cirku Fluturues”, lajmi i hidhur që erdhi me mëngjes mbi humbjen e producentes dhe menaxheres së njohur Vjosa Berisha trondit të gjithë e kështu ndodhi edhe me organizatorët e Javës së Filmit Kosovar..

Që në hapje të programit u mbajt një fjalim përkujtimor mbi veprimtarinë e saj, si dhe në nderim të saj u mbajt një minutë heshtje nga të pranishmit.

“Vjosa na la po këtë ditë, kur në rrethana tjera do ishte para audiencës duke bashkëbiseduar mbi filmin dhe veprimtarinë e saj”, u tha nga organizatorët.

Megjithatë, ajo mbrëmë ju “foli” të gjithëve përmes punës së saj të palodhshme, përmes të qenurit prapa kamerave dhe ekipit realizues, përmes imazheve e dialogut të filmit i cili mbajti gjallë interesimin e audiencës për dy orë rresht. Nën të qeshura e lotë, “Cirku Fluturues” i prodhuar nga zelli e pasioni i saj, do mbetet krijim artistik i paçmueshëm i kinematografisë kosovare, xhevahir më vete në xherdanin e filmave të suksesshëm shqiptar. / KultPlus.com

Filmi vendor Cirku Fluturues po vazhdon të shfaqet në Cineplexx

Pas sukseseve të filmave shqiptarë, një film tjetër që është prodhim vendor ka nisur shfaqjen në kinema në Kosovë. Eshtë fjala për filmin e ri të regjisorit Fatos Berisha, Cirku Fluturues, i cili pas sukseseve në arenën ndërkombëtare, ju drejtua kinemave vendore dhe nga 1 korriku po shfaqet në Cineplexx.

Cirku Fluturues, me regji të Fatos Berisha dhe me një kast të mrekullueshëm aktorësh që përfshijnë emra të njohur si Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpetim Selmani, Luan Jaha, etj, nga 1 korriku ka nisur të shfaqet edhe në kinemanë më të madhe në vend, Cineplexx.

Filmi flet për katër aktorë që tentojnë të kalojnë ilegalisht përmes kufijve të Ballkanit në kohë lufte, për në Festivalin e Teatrit. Por misioni i tyre i vërtetë, është që ta gjejnë dhe takojnë idolin e tyre, Michael Palin.

Katër shokë nisen në një rrugëtim që… – Cineplexx Kosovo | Facebook

Oraret për ta shikuar filmin “Cirku Fluturues”, në Cineplexx, mund ti gjeni duke klikuar këtu. / KultPlus.com

“Cirku Fluturues”, fiton çmimin e argjendtë në festivalin e Gjenevës

Filmi i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues” i Fatos Berishës ka fituar çmimin e argjendtë në festivalit e Gjenevës në Zvicërr, shkruan KultPlus.

“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

“Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic,  ndërsa në rolet dytësore: Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. / KultPlus.com

May be an image of 1 person and text

Filmi “Flying Circus” – aktrimi si ngadhënjim mbi luftën

Shkruan Ballsor Hoxha

Filmi “Flying Circus” me skenar dhe regji të Fatos Berishës.

Çka ka më absurde, se në një kohë lufte dhe katastrofale si ajo e Kosovës në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, të jesh aktor. Të kesh shfaqje dhe aq më shumë të udhëtosh në festival të teatrove? Ku është kuptimi i artit dhe aktrimit në këtë brenda makinerisë së vrasjes së quajtur luftë e cila nuk pyet as për fëmijë e as për pleq? Por, pikërisht këtu shfaqet magjepsja dhe magjia e “koincidencës së rasëtishme” të artit vetë. Këtu regjisori Fatos Berisha e nisë shtjellimin e këtij paradoksi dhe vullneti të njeriut, aktrimit artistik edhe në luftë. Me mjeshtërinë e tij prej skenaristi dhe regjisori në filmin “Flying Circus” – shtrinë vullnetin e aktorit të realizojë ëndrrën e artit. Nisë një udhëtim të katër të pasionuarve pas aktrimit dhe teatrit, me gjithë absurdin e luftës, dhe brenda absurdit të luftës, bazuar në ngjarje të vërteta, të jetësoj vetë vullnetin e njeriut duke mos iu dorëzuar luftës, apo, aq më shumë, duke e ngadhënjyer absurdin e luftës me art.

Filmi “Flying Circus” i Fatos Berishës, është një udhë dhe udhëtim në kërkim të ëndrrës, ëndrrës së artit, thënë më saktësisht të aktrimit dhe teatrit. Por që për këtë rrugëtim duhet braktisur edhe familjen, shtëpinë, edhe jetën (fizike dhe të mirëqenies), edhe mundësinë për të mbrojtur shtëpinë dhe vendin, dhe, në fund, ndoshta edhe mundësinë për t’u kthyer ndonjëherë.

Është udhë e katër aktorëve, që braktisin të tërën që është, edhe luftën, edhe mundësinë për të mbrojtur familjet e tyre, për ëndrrën e tyre të aktrimit dhe të shfaqjes së tyre. Katër aktorë që nuk besojnë në atë që po bëjnë, katër aktorë që nisen nëpër katrahurat e luftës dhe të kufijve ballkanik (lexo: vullnetit të vrasësve të rastësishëm etj); duke qenë të dhunuar deri në mungesë ushqimi për fëmijtë e tyre, aktorë, por që megjithatë nuk ndalen, nuk mund të ndalen para ëndrrës së tyre, para artit, të tyre, para artit vetë. I bartë ëndrra vetë përmes “koincidencave të rastësishme”.

Nën regjinë e Berishës, kjo koincidencë e rastësishme bëhet e vërtetë. Katër aktorët kosovar nisen në këtë udhëtim, prej Kosovës/Prishtinës në Shqipëri, përmes Malit të Zi, në një festival të teatrove në Tiranë. E pikërisht në të njëjtën kohë, në të njëjtën Tiranë ndodhet Michael Palin. E ndodh që Palin është një prej anëtarëve të grupit aktrues Monty Python, në bazë të të cilëve është ndërtuar dhe titulluar shfaqja e katër aktorëve kosovar – “Flying Circus” sipas “Monty Python’s Flying Circus”. Çfarë “koincindence e rastësishme” siç thotë profesori i katër aktorëve në film.

Berisha në regjinë e tij vazhdimisht thurë dhe ndërthur këto “koincidenca të rastësishme” gjë që edhe duke qenë të thurura në komunikimin ndër – kinematografik, e edhe duke qenë ndërthurje e ëndrrës së artistit/aktorit dhe realitetit absurd, krijojnë vetë këtë udhë të filmit si rastësi e ndërdijshme, apo thënë më saktë si shtytje për të ecur nëpër ëndrrën e artit.

Regjisori Berisha, duke e përmbyllur hyrjen e filmit, e le të zhveshur dhe të vetëm personazhin Lekë- Tristan Halilaj, që luan shkëlqyeshëm dhe krejtësisht natyrshëm natyrën lucide të artistit. E le përballë filmit të Bekim Fehmiut në përmbylljen e hyrjes së filmit “Flying Circus”, dhe me këtë e përmbyllë fatin e njeriut të zakonshëm, e përmbyllë, pasi që ka ndërtuar tërë atë që i mbetet njeriut të përballur me dhunën dhe robërinë – luftën si të vetmen mundësi. Por është pikërisht këtu ku lind ëndrra, ku lind arti,

si ëndërr e si realitet: life is a dream within a dream, thotë Leka në shqip, duke cituar Sheakespearin, pikërisht ë këtë skenë. Ai është duke shikuar Bekim Fehmiun duke prerë duart në fatin e tij po ashtu të mbyllur si personazh në filmin e tij të njohur “Mbledhësit e puplave”. “Jeta është ëndërr brenda ëndrrës”, thotë Leka, derisa ai dhe në të vërtetë të katër aktorët kosovar, dhe tërë Kosova është pikërisht përballë ortekut të absurdit të luftës që është lëshuar tatëpjetë Kosovës së viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Kjo thënie hapë atë që arti, skena teatrore, filmi dhe mbi këto aktrimi janë të lindura për ta bërë: ëndrrën brenda ëndrrës, apo thënë më saktë ëndrrën brenda absurdit të luftës siç ndodh në këtë histori.

Berisha ndërton mjeshtërisht hyrjen dhe ndërtimin e kontekstit që është në prag të luftës, dhe në këtë e hapë, e lind një ëndërr, dhe atë jo të heroizmit apo të veprimit që e kërkon ky kontekst por, në të vërtetë, krejtësisht të kundërt, atë të luftës përmes artit/aktrimit.

Udha, udhëtimi i katër aktorëve kosovar, është udhëtim i cili zbulon natyrën e njeriut të mbetur në “koincidencën e rastësishme” të të pasurit një ëndërr arti, e që është edhe bekimi e edhe mallkimi i tyre. “Koincidenca e rastësishme” e këtij udhëtimi të Lekës së lartcekur, tërësisht të humbur dhe që jeton për artin dhe aktrimin, aktorit Fatmirit (Shpëtim Selmani) që luan shkëlqyeshëm intelektualin në natyrën e tij të brishtë në çdo rast, megjithëse di edhe të aktrojë “Cowboy”-in në rast rreziku, aktorit Kushtrimi (Armend Smajli) i cili luan babain e ndjeshëm por ende të papjekur, aktorit Donati ( Afrim Muçaj) i cili është “tough guy” i trupës dhe nuk kthehet asnjëherë nga ky udhëtim duke qenë se i bashkëngjitet UÇK në luftë, është në të vërtetë përballje me realen e kontekstit ballkanik dhe shqiptar në Kosovë, Mal të Zi dhe Shqipëri. Përballje që prej zyrës së kryetarit të qytetit të “Ulqinit” i cili citon “Hamletin”, e deri në birucat e policisë së “Shkodrës”, e deri në fshatrat zotit prapa shpine të periferisë së Shqipërisë. Është udhëtim i cili krijon botën unike dhe të veçantë shqiptare në këto vite, në këtë dekadë, dhe parakalon personazhe krejtësisht të paimagjinueshme por të vërteta, si në aktrim e po ashtu edhe në jetën e përditshme, posaçërisht si atij të Kristos (luajtur nga Armond Morina) dhe vëllai i tij.

Udha në të vërtetë, siç u cek më lartë, është e ndërthurur tërë kohën, ndërmjet reales dhe kërkimit të ëndrrës, dhe të ndër-thurjes së kinematografisë përbrenda jetësimit të ëndrrës së këtyre katër aktorëve.

Çdo gjë në këtë reale është kundër aktrimit, artit dhe ëndrrës, aq më shumë është kotësi qesharake dhe e paimagjinueshme, por që në të vërtetë zbulon natyrën e njeriut i cili për të luftuar (së paku paraprakisht) zgjedh artin. Të rrethuar me fusha të pafundme, hapësirë e zbrazëtirë të pamatë të periferisë së Shqipërisë, aktorët kosovar, të humbur, zotit prapa shpine, në periferi të Shqipërisë, pyesin kriminelë, një policë të korruptuar, e një bandë fshati kriminelësh, kah i bie Tirana?

Derisa në ndër- thurjen kinematografike, Leka, aktori kosovar, shpëton shqiptarët nën mizërinë e ikjes nga lufta në një kafene të Malit të Zi përballë disa kriminelëve malazezë, duke përsëritur, apo duke përmbushur ëndrrën e tij të të përsëriturit të skenës së Bekim Fehmiut në realitet, duke prerë duart e tij në xhamin e birrës që ka qenë duke e pirë.

Me pasionin e pandalshëm, me ndërthurjen e “koincidencave të rastësishme”, ëndrra përmbushet dhe gjërat ndodhin si në filma. Krejtësisht në “koincidencë të rastësishme”, Kushtrimi ka plotësuar ëndrrën e tij dhe krejt çka ka për të thënë ai, apo secili nga ta, apo secili nga ne të gjithë pasi që e kemi parë këtë film, është “po shkoj në shtëpi”. Është sikur ai ka luftuar luftën e tij, ka ngadhënjyer dhe ka arritur lirinë e tij, qoftë edhe pse e thotë këtë derisa po kthehet në shtëpinë dhe familjen e tij e cila po bëhet gati për luftën katastrofale të Kosovës.

Derisa i tërë filmi është i ndërtuar në motivin direkt të katër aktorëve kosovar për të takuar Michael Palinin e “Monty Python’s Flying Circus” në Tiranë, i tërë filmi, dhe e tërë ëndrra, dhe me këtë sidomos arti përmbushet në të vërtetë në tërë pastërtinë e ëndrrës së aktorëve për të shfaqur shfaqjen e tyre.

Duke qenë një arsyetim, një shtytje dhe një mbështetje në absurdin e të qenit aktor në luftë, Palin është në të vërtetë arsyetimi për të pasur një ëndërr për aktrim në kohë lufte. Është arsyetimi i të qenit i mallkuar me ëndërr edhe në luftë. Është arsyetimi i të qenit aktor edhe në luftë. Por në të vërtetë është motivi për të luftuar me teatër.

Në lidhje me këtë, skena në periferinë e Shkodrës, derisa këta katër aktorët kosovarë janë duke urinuar, shikojnë yjet në qiell dhe pyeten dhe përgjigjen vetë:

Sa shumë yje paska në qiell?!

Është sepse ka shumë terr në tokë?!

sikur e japin të vërtetën e ëndrrës, artit, dhe aktrimit: sa më terr në tokë aq më shumë ëndrra, aq më e magjishme ëndrra, aq më i fuqishëm ëndërrimi.

Në të vërtet brenda filmit edhe krijohet “koincidenca e rastësishme” e tërë përvijimit të stories, mundësia për të takuar Michael Palinin e “Fyling Circus” por Kushtrimi, i cili e ka këtë mundësi, është duke fjetur. I përmbushur. Duke iu kthyer familjes. Shtëpisë, dhe duke pas arritur ëndrrën e tij, të luaj, të aktrojë dhe aq më shumë të njihet për artin e tij bashkë me tre tët tjerët. Edhe kjo është “koincidencë e rastësishme”.

Por në të vërtetë, në shumë momente të këtij filmi hasim në këtë “koincidencë të rastësishme”. Sikur kjo është motivi i Berishës për të krijuar koincidenca shpërthyese dhe emocionale të cilat në vete bartin edhe moralin e të qenit i mallkuar me ëndrrën e artit e edhe të të qenit i bekuar me këtë ëndërrim.

Duke iu kthyer fillimit të këtij shkrimi, pyetemi, a ia vlen arti/aktrimi në luftë? A ia vlente aktrimi në luftë, në Kosovë? Derisa shohim skenat në Tiranë të trupës teatrore të Prishtinës, teatrit Dodona, derisa shohim sytë shkëlqyes të tyre, derisa shikojmë në shkëlqimin e lirisë në sytë ngadhënjyes të njeriut mbi ëndrrën e tij, në aktorët kosovar të filmit “Flying Circus”, ia vlen gjithmonë. Është ngadhënjim mbi absurdin e luftës dhe absurdin e të ligës së njeriut, është ngadhënjim mbi dhunën! / KultPlus.com

“Cirku Fluturues”, filmi më i mirë debutues në Festivalin gjerman

Filmi i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues” i Fatos Berishës është vlerësuar si filmi më i mirë debutues në festivalin gjerman “Cottbus Film Festival”, shkruan KultPlus.

Filmi shqiptar arriti të shpërblehet me këtë çmim në 30 vjetorin e organizimit të Festivalit.

“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

“Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic,  ndërsa në rolet dytësore: Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’, rrëfimi personal i regjisorit Fatos Berisha përballë publikut kosovar

Suada Qorraj

Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka katër personazhet e filmit shohin duke u hequr posterin e shfaqjes së tyre duke u larguar nga muret e teatrit. Heqja e posterit shënoi edhe fundin e ‘Cirkut Fluturues’, komedisë së tyre sureale që ishte inspiruar nga ‘Monty Python’, shkruan KultPlus.

Por, rrugëtimi i tyre nuk përfundon këtu, në fakt mbyllja e teatrit shënoi një kthesë të re. Kushtrimi, Donati, Fatmiri dhe Leka marrin ftesë që të performojnë në një festival teatral në Shqipëri. Ndonëse në fillim ata hezituan që të shkojnë, Fatmiri dëgjon në lajme së njëri nga aktorët e ‘Monty Python’, Micheal Palin do të xhiroj festivalin që do të mbahet në Shqipëri.

Ndonëse rruga që i priste ishte e gjatë, madje e mbushur përplot me rreziqe, prania e Micheal Palin në Shqipëri, mundësia për ta takuar idhullin e tyre, i bënë ata bashkë në udhëtimin e tyre ilegal, në mes Malit të Zi e Shqipërisë.

Në një intervistë për KultPlus regjisori i filmit ‘Cirku Fluturues, ka thënë se ndjehet i lumtur për faktin që filmi i tij do shfaqet për publikun online në edicionin e sivjetëm të PriFest, pas anulimit të shfaqjes së këtij filmi në kinematë e vendit si pasojë e pandemisë.

“Jemi të lumtur që edhe pse online, do ta shfaqim filmin për publikun e Kosovës, sidomos për faktin që shkaku i pandemisë është dashur ta anulojmë shfaqjen në kinema në mars të këtij viti shkaku i pandemisë”, ka deklaruar Berisha.

Xhirimet e ‘Cirku Fluturues’, njëlloj si personazhet e filmit, kishin udhëtuar në tre shtete të ndryshme, Kosovë, Mal të Zi e Shqipëri. Secili minutë i këtij filmi, rrëfen përvojën personale të regjisorit, punën e tij 9 vjeçare që nga drafti i parë e deri tek realizimi i këtij filmi.

Që nga takimi me oficerin e policisë, kënga në qelinë e burgut, e rrugëtimi i frikshëm deri në Tiranë përkojnë aventurën e guximshme të Kushtrimit, Donatit, Fatmirit dhe Lekës, personazheve kyqe të ‘Cirkut Fluturues’.

Ashtu sikurse rrugëtimi i katër personazheve të ‘Cirkut Fluturues’, edhe xhirimi i këtij filmi kishte vështirësitë e veta, ato për të cilat Berisha i quan të zakonshme.

“Vështirësitë ishin të zakonshme edhe shkaku i buxheti të vogël, por falë organizimit të mirë nga producientja arritëm ta përftojmë me kohë”, ka përfunduar kështu intervistën regjisori Fatos Berisha.

Rrugëtimi 22 ditësh, i filmit që bazohet në një ngjarje të vërtetë përfundon ma shfaqjen e ‘’ Cirkut Fluturues’, në Tiranën e shumëpërfolur, me ëndrrën për të takuar Palin, në skenën e teatrit dhe vonesën e Lekës, improvizimin që qoi në këmbë të gjithë të pranishmit.’Cirku Fluturues’ shfaqja më e mirë e teatrit të Tiranës, djemve nga Kosova, u bë shfaqja që rrëmbeu ‘Aleksandër Moisiun’.

Ndonëse erdhën bashkë në Tiranë, Kosovës iu kthye vetëm Kushtrimi, djali, burri e babai që pas kishte lënë një familje, e një atdhe për të mbrojtur. Një rrëfim rrënqethës, që të lë pa frymë e të bënë të qash e të qeshësh, ‘Criku Fluturues’, përkujtimi i aktores Adriana Abdullahu, talentit që lufta ja mori jetën./ KultPlus.com

Përfundon edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit, publikohet lista e fituesëve

Me mbrëmjen tradicionale Gala, të organizuar në sallën e Universitetit të Arteve në Tiranë, të premten mbrëma u mbyll me sukses edicioni i Shtatë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dea Open Air 2019.

Mbrëmja Gala u zhvillua në praninë e Jurisë dhe stafit të DEA OPEN AIR, por pa publik, të cilit ndjekja e ceremonies së ndarjes së çmimeve iu ofrua virtualisht në live stream nëpëpërmjet faqes zyrtare të festivalit dhe adresës në Facebook.

Zhvillimi i këtij edicioni i konfirmoi pritshmëritë tona – u shpreh Edmond Topi, drejtor i DEA OPEN AIR International Film Festival. Programi, – sipas tij,- u mirëprit nga kineastët dhe specialistët e kinemasë, ndërkohë që oferta grarantoi edhe këtë herë një shumëllojshmëri kulturash, stilesh dhe individualitetesh, që imponohen, pavarësisht kushteve të pandemisë.

Për Drejtoren artistike të DEA OPEN AIR International Film Festival, Mirela Oktrova “Mbrëmja e ndarjes së çmimeve – sikurse i gjithë festivali – është një dëshmi rezistence kulturore. Se në kushtet, kur format e tjera të distribuimit të filmit përballen me pamundësinë, festivalet e filmit mbeten alternativa e vetme e konsumit të organizuar të filmit dhe mendimit të specializuar, duke u shndërruar në një modus mbijetese për kinemanë në periudhën kalimtare midis së djeshmes dhe të nesërmes.,- tha Oktrova.

Kupa e parë DEA i takoi Filmit Dokumentar. Në këtë seksion, që programit iu shtua për herë parë këtë vit, 17 filma nga 11 vende të botës. Ofertën filmike në Konkurimin e Filmit Dokumentar e ndoqi Juria e filmit dokumentar, e përbërë nga: Florin Kelmendi, Gazetar, drejtor i programeve kulturore-artistike – Kosovë, Ben Andoni, studjues, përkthyes – Shqipëri, Luljeta Progni, gazetare – Shqipëri.

Në konkurimin e Filmit dokumentar u nominuan:

1. 17 sekonda – Alon Marom – Izrael 2018

2. Kur dimri bëhet verë – Ronald Urbancik – Gjermani 2019

3. Edhe peshqit qajnë – Francesko Kabras&Alberto Molinari – Itali 2019

Çmimi DEA për Filmin më të mirë Dokumentar shkoi për:

17 sekonda – Alon Marom – Izrael 2018

Prania e Filmit të Shkurtër në DEA është pjesë e një traditë të konsoliduar ndër vite – me afro 200 filma të shkurtër, të ofruar në edicionet paraardhëse. Këtë vit në kuadrin e programit të Filmit të Shkurtër u ofruan 22 filma të Shkurtër nga 13 vende evropiane, prodhime të dy viteve të fundit, në fokus të të cilëve u vu një game e gjerë problematikash shoqërore, të trajtuara me angazhim social dhe nivel të admirueshëm artistik Ofertën filmike në Programin dhe Konkurimin e Filmit të Shkurtër, Eksperimental dhe Studentor e ndoqi Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor e përbërë nga: Francesca Olivieri, regjisore dhe skenariste – Itali; Suela Bako, aktore dhe producente – Shqipëri; Lorena Sopi, regjisore dhe producente regjisore – Kosovë.

Në konkurimin e Filmit të Shkurtër u nominuan:

1. Pika hëne – Yoram Ever-Hadani Serbi 2018

2. Merre dhe përfundoje – Kirineos Papadimatos – Greqi 2020

3. Lule blu – Saadi Constantine – Zvicër – 2020

Çmimi DEA për Filmin e Shkurtër më të Mirë shkoi për:

Pika hëne – Yoram Ever-Hadani Serbi 2018

Në Seksionin e Filmit studentor – pjesë e traditës së edicioneve të DEA OPEN AIR, kë vit u ofruan 24 filma nga 10 vende të botës, të cilët u fokusuan tek miqësia dhe të papriturat e jetës, qëndrimi social dhe individual ndaj punës dhe jetës, raporti i talentit me ecmocionin, raporti me vdekjen, komunitetin në lëvizje dhe lufta për ekzistencë.

Juria e Filmit të Shkurtër dhe Studentor, nominoi në këtë kategori këta filma:

1. Mërzi – Alica Bednáriková – Sllovaki 2020

2. Dritarja blu e Gurit – Mauro Zaçe – Shqipëri 2020

3. Alisa – Monika Mahútová – Sllovaki 2019

Çmimi DEA për Filmin më të Mirë Studentor shkoi për filmin:

Mërzi – Alica Bednáriková – Sllovaki 2020

Çmimi Special i Medias DEA i vlerëson filmat nga shkalla e angazhimit qytetar të krijimit artistik në formën e sensibilizimit të opinionit publik për çështje të rëndësishme të komunitetit. Juria e Medias ndan ndan tradicionalisht dy çmime – një për kategorinë e Filmit të Shkurtër dhe një për kategorinë e Filmit me Metrazh të Gjatë. Filmat konkurues u vlerësuan nga ky këndvështrim nga Juria e medias, e përbërë nga tre gazetarë dhe moderatorë të njohur: Rezear Xhaxhiu, Monika Shoshori Stafa, Jonida Shehu.

Fitues i Çmimit Special të Medias në Konkurimin e Filmit të Shkurtër u shpall:

Roboti do t’ju mbrojë – Nikola Piovesan – Estoni 2018

Fitues i Çmimit Special të Medias në Konkurimin e Filmit të Gjatë u shpall:

Cirku fluturues – Fatos Berisha – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Programi i filmit me metrazh të gjatë përfshiu filma nga Kosova, Gjermania, Rusia, Italia, Bjellorusia dhe Mali i Zi. Konkurimi u ndoq nga juria e Filmit me Metrazh të gjatë, e përbërë nga: Hazir Haziri aktor, Dekan i Fakultetit të Dekan i Fakulteti të Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” – Kosovë; Sehad Çekiç, drejtor menaxhues i Qendrës Kinematografike të Filmit të Malit të Zi; Luis Diogo, skenarist dhe regjisor – Portugali (anëtar); Steffen Hacker, regjisor – Gjermani; Alert Çeloaliaj, Drejtues i Departamentit të Regjisë, Regjisë së Filmit & TV në Universitetin e Arteve – Tiranë.

Për çmimin DEA për Aktoren/Aktorin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Tristan Halilaj, Shkumbin Istrefi, Shpëtim Selmani, Afrim Muçaj – Cirku

fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

2. Riccardo Scamarcio – Nuk jam vrasës – Itali 2019

3. Emma Drogunova – Boni&Boni – Gjermani 2019

Fitues u shpallën :

Tristan Halilaj, Shkumbin Istrefi, Shpëtim Selmani, Afrim Muçaj – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Për çmimin DEA për Kamerën më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Rodja Kükenthal – Boni&Boni – Gjermani 2019

2. Ivan Markoviç – Ti ke natën – Mali i Zi 2018

3. Andrey Katorzhenko – Guri, letra gërshëra – Federata ruse 2020

Fitues u shpall: Rodja Kükenthal – Boni&Boni – Gjermani 2019

Për çmimin DEA për Skenarin më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan:

1. Francesco Caringella, Paolo Rossi, Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

2. Fatos Berisha – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

3. Tatiana Lyutaeva, Galina Kopeliovich – Guri, letra gërshëra – Federata Ruse 2020

Fitues u shpallën:

Francesco Caringella, Paolo Rossi, Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

Për çmimin DEA për Regjinë më të mirë në Filmin me Metrazh të Gjatë, u nominuan :

1. Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

2. Fatos Berisha – Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

3. Vladimir Zinkevich – Jerm – Bjellorusi 2020

Fituese u shpall:

Andrea Zaccariello – Nuk jam vrasës – Itali 2019

Për çmimin DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë, u nominuan :

1. Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

2. Nuk jam vrasës – Itali 2019

3. Guri, letra gërshëra – Federata Ruse 2020

Kupa DEA për Filmin më të Mirë me Metrazh të Gjatë shkoi për filmin:

Cirku fluturues – Kosovë/Shqipëri/Maqedoni e Veriut 2020

Çmimi Leonard Qëndro për një Karrierë premtuese në Kinematografi shkoi për:

Thaer Ibrahim – Mzzaja – Siri 2020

DEA e MIRËNJOHJES për kontribut të spikatur në fushën e kinemasë, iu akordua regjisorit të shquar shqiptar, Ibrahim Muçaj.

Për të marrë pjesë në seksionet e DEA Open Air International Film Festival 2018 aplikuan rreth mbi 1000 filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër nga mbi 70 vende të botës. Edicionin e Shtatë të DEA International Film Festival e mbështeti Bashkia e Tiranës, Universiteti i Arteve, dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, të cilat krijuan atmosferën e nevojshme mikpritëse për prurjet artistike dhe kontributet qytetare nga e gjithë bota.

Specialistët e kinemasë, drejtorët e disa festivaleve të tjera evropiane të filmit, por dhe aktorët, regjisorët, producentët dhe gazetarët e ftuar i dhanë aktivitetit gjallërinë dhe komunikimin shumëdimensional, që aktivitetet e këtij lloji ofrojnë. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’, fitues i tre çmimeve në Dea International Film Festival

Filmi i metrazhit të gjatë ‘Cirku Fluturues’ me skenar dhe regji të Fatos Berishës është fitues i 3 çmimeve në edicionin e 7 të festivalit Dea Open Air International Film Festival që sapo përfundoi në Tiranë.

Filmi është fitues i çmimit kryesor ‘Filmi më i mirë i metrazhit të gjatë’, si dhe çmimin për aktorin/aktoren më të mirë që shkon për grupin e aktorëve: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Mucaj dhe Shpëtim Selmani.

Poashtu, filmi mori edhe çmimin e Jurisë së Medias.‘Cirku Fluturues’ është bashkë prodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veirut, me producente Vjosa Berisha dhe premirën botërore e kishte në Tallinn Film Festival në Estoni, në nëntor 2019.

Këto çmime në Shqipëri vijnë menjëherë pas çmimit ‘Best International Film Grand Prix du Jury’ që filmi mori në War on Screen International Film Festival në Francë. / KultPlus.com

‘Cirku Fluturues’ hap Festivalin ‘Dea’, Berisha: Kultura s’ka vëmendjen e shtetit

Festivali i Filmit Ndërkombëtar “Dea open air” çeli siparin me “Cirkun fluturues” të regjisorit Fatos Berisha nga Kosova tek Amfiteatri i Arteve.

Filmi trajton vështirësitë me të cilat është përballur teatri në Kosovë gjatë luftës, për shkak të masave serbe mbi institucionet e kulturës. Vjen edhe si një homazh për artistët Adriana Abdullahu dhe Vangjush Furrxhi, duke mos përjashtuar neglizhencën e shtetit sot ndaj kulturës.

“Ngjarja e këtij filmi ndodh në vitet ‘90, por disa gjëra s’kanë ndryshuar. Arti edhe kultura, teatri dhe filmi, s’janë në gjendjen më të mirë. Kemi ecur si shoqëri në Kosovë dhe në Shqipëri, por vëmendja e shteteve tona nuk është në nivel të duhet për kulturën. Politikanët tanë krenohen me ne kur ne bëjmë suksese ndërkombëtare. Por vetëm kaq. Filmi vjen si një homazh në realitet për artisten Adriana Abdullahu, e vrarë gjatë luftës së Kosovë edhe Vangjush Furrxhiut, i cili asokohe na ka ndihmuar. Kemi qenë në një udhëtim me shokët, që jepnin një shfaqje në Tiranë, dhe Furrxhi na ka trajtuar si fëmihët e tij. Ndërsa, Romir Zalla luan në film me rrobat e vërteta të Furrxhiut”, shprehet Fatos Berisha.

Edhe pse teatrot në Kosovë janë hapur prej dhjetë ditësh, aktori Afrim Muçaj pas tetë muajsh izolim për shkak të pandemisë Covid 19,  paralelizon situatën ku gjenden artistët shqiptarë sot, me atë të periudhës së luftës

“Në Kosovë ka dhjetë ditë që janë hap teatrot edhe kinematë. Unë kam luajtur shfaqjen e parë para një jave në Prishtinë, pas tetë muajve karantinimi. Ne e kemi shumë të afërt luftën e Kosovës, para 20 viteve edhe kemi nis të bëjmë pyetjen që dikur thoshim: Ku ke qenë pas lufte, themi se ku ke qenë pas pandemie? Në aspektin artistik është njësoj siç ka qenë lufta edhe pandemia e vështirë”, shprehet aktori Afrim Muçaj.

Në edicionin e shtatë të Festivalit Dea Open Air do të prezantohen 68 filma artistikë me metrazh të gjatë, të shkurtër dhe dokumentarë. /shqiptarja/ KultPlus.com

Filmi ‘Cirku Fluturues‘ fiton çmimin kryesor në festivalin e filmit në Francë

Filmi i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues” me skenar dhe regji të Fatos Berishës ka fituar çmimin kryesor ne War on Screen IFF, Chalons en Champagne, Francë, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nga producentja e filmi, Vjosa Berisha me anë të një postimi një rrjetin social Facebook.

“Cirku fluturues” është një komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. “Cirku fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë, të përjetuar nga vetë regjisori. Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic,  ndërsa në rolet dytësore: Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj.

Producente e filmit është Vjosa Berisha, kurse bashkëproducentë janë: Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Valon Bajgora, Agon Uka dhe Fatos Berisha. Pjesa tjetër e ekipit përbëhet nga drejtori i fotografisë Almir Ðikoli, montazheri Vladimir Pavlovski, disenjatori i setit Arben Shala, kompozitori Ognen Anastasovski, si dhe kostumografja Desantila Lika./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/berishavjosa/posts/10158124314044051