Dy artistët shqiptarë vlerësohen me çmimin e madh në Greqi

Claydee dhe Eleni Foureira janë dy nga artistët shqiptarë që na bëjnë krenarë në mbarë botën.

Të dy ata kanë krijuar së bashku një super hit, “Loquita”, i cili është vlerësuar së fundmi edhe me një çmim të rëndësishëm në Greqi.

Në një intervistë për emisionin “Wake Up”, Claydee ka zbuluar se dy shqiptarët kanë fituar çmimin “Best Duet” në Greqi për këngën “Loquita”. Ai tregoi se me Elenin njiheshin bashkë prej 7 vitesh dhe se asnjëherë nuk kishin gjetur momentin për të bërë një bashkëpunim. Ndërkohë për sa i përket origjinës së tij, Claydee tha se në fillim e ka penguar fakti i të qenurit shqiptar.

“Në fillim më ka penguar, e shihja dhe tek kanalet që nuk promovonin shumë punën që unë bëja. Por unë nuk e pashë si racizëm, por mendoja thjesht mos nuk është shumë e mirë kjo gjë që po bëj. Dhe kjo gjë më ndihmoi shumë, që muzika ime u bë ndërkombëtare dhe kaloi kufijtë. Nuk e pashë si diçka negative. Mendova që sigurisht vendin e parë do e kenë njerëzit që kanë lindur këtu dhe besoj se edhe në Shqipëri do të ndodhte e njëjta gjë, kështu që thashë nise nga vendi i 4 duke vrapuar dhe që të shkojë tek vendi i parë duhet të punoj pak më shumë”, u shpreh artisti shqiptar. / KultPlus.com