Sot shënohen 76 vite nga çlirimi i kryeqytetit shqiptar nga pushtuesit nazifashistë në Luftën e Dytë Botërore.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacionalçlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër pushtimit të Shqipërisë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane.
Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944.
Ky moment historik konsiderohet si operacioni më i rëndësishëm, më i ashpri dhe më i suksesshmi, që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.
Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.
Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.76-vjetori i çlirimit të Tiranës u përkujtua edhe nga presidenti Ilir Meta.
“76 vjet më parë, djemtë dhe vajzat partizane, bashkë me qytetarët kryengritës të Tiranës, do të realizonin një nga operacionet ushtarake më të lavdishme dhe më të suksesshme, duke i dhënë të drejtën dhe kredon brigadave partizane për të hyrë fitimtare në kryeqytet”, shprehet Meta, duke vlerësuar se “për të ardhur te kjo ditë e bardhë, u desh gjaku dhe jeta në lulen e rinisë e qindra Dëshmorëve, sakrifica dhe përpjekjet e mijëra partizanëve në çdo shesh, rrugicë, barrikadë dhe shtëpi të kryeqytetit”.
“Çlirimi i Tiranës ishte një kontribut i rëndësishëm për të forcuar legjitimitetin dhe besueshmërinë e Shqipërisë, si një vend i përkushtuar në Aleancën Antifashiste.Mesazhet e mëdha të lirisë, paqes dhe luftës kundër tiranisë, tingëllojnë edhe sot më aktuale se kurrë, të nderuara dhe të pacënuara nga koha dhe devijimet e mëvonshme të kauzës së lirisë të partizanëve tanë të lavdishëm”, shprehet presidenti Meta./ atsh/ KultPlus.com