Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi sot në mjediset e saj aktivitetin kushtuar prezantimit të çmimit “Lumo Skëndo”, si një çmim i përvitshëm që do të jepet për librin më të mirë studimor/eseistik/publicistik, përkatësisht për vitin 2021.
Drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli shprehu nderimin e saj ndaj figurës së Mid’hat Frashërit dhe kontributit të tij në letrat shqipe, në studimet historike dhe Albanologjike.
Bardhyli prezantoi edhe jurinë që do të ngrejë punën për përzgjedhjen e këtij çmimi, pjesë e së cilës janë Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”; Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Prof. Dr. Dhurata Shehri, zv/Dekane e Fakultetit të Gjuhës dhe letërsisë, UT., Prof. Assoc. Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, UET.; Dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.
Drejtori i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”, Butka shprehu mirënjohjen e tij ndaj vëmendjes së figurës së Mid’hat Frashërit dhe rolit të tij në historinë dhe kulturën Shqiptare si një njeri që ka jetuar katër kohë historike të Shqipërisë, por gjithashtu foli edhe për kontributin e tij në fushën e letrave shqipe me shkrimet publicistike dhe me hapjen fillimisht të Bibliotekës “Lumo Skëndo” në Stamboll dhe pastaj të Librarisë “Lumo Skëndo” si një ndër më të njohurat dhe me më ndikim në Tiranë.
Ndërsa drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha, përveç vlerësimeve, ndau lajmin e mirë të punës së madhe që Biblioteka Kombëtare ka bërë në mbledhjen dhe përgatitjen në një sallë të veçantë në mjediset e kësaj të fundit të bibliotekës personale të Mid’hat Frashërit, si një vlerë bibliofilike dhe historike.
zv/Dekania e Fakultetit të Gjuhës dhe letërsisë, Dhurata Shehri ndër të tjera u ndal edhe te puna që kjo juri do të ndërrmarrë, në seriozitetin dhe përkushtimin që vetë emri që përfaqëson Mit’hat Frashëri bën të ndikojë në trajtimin me profesionalizëm për veprat që do të përfshihen dhe kritereve që do të ndiqen./atsh/KultPlus.com