Shtohet një kategori e re në çmimet Oscar

Nga viti 2026 çmimet Oscar do të aplikojnë një kategori të re për kastin më të mirë.

Do të jetë kategoria e parë që bëhet pjesë e ceremonisë që prej vitit 2002 kur u shtua filmi më i mirë i animuar.

Drejtorët e kastit kanë bërë fushata në vitet e fundit që të mund të njihen njësoj si elementët e tjerë të filmit si muzika, kostumografia, flokët dhe grimi. Ata janë ndër hallkat e para të stafit që përfshihen në projektet filmike dhe kanë rol kryesor në formësimin e filmave hollivudianë.

Roli i tyre është të punësojnë yje të mëdhenj në role protagoniste si dhe të tjerë që shfaqen në role më të vogla.

Në një deklaratë, drejtuesit e Akademisë thanë se drejtorët e kastit “kanë rol thelbësor në prodhimin e një filmi”.

Kategoria do të prezantohet në ceremoninë e vitit 2026 për shkak të fushatave të tjera të planifikuara. Megjithëse Akademia po bën përpjekje në vitet e fundit që ta shkurtojë ceremoninë e çmimeve Oscar për t’i mbërthyer shikuesit  pas ekranit, shfaqja zgjat më shumë se sa 3 orë.

Aktualisht, ndahen 23 çmime Oscar por interesi i publikut mbetet në kategoritë kryesore si filmi më i mirë, aktrimi dhe regjisori më i mirë.

Akademia nuk ka konfirmuar nëse kategoria e re do të përfshihet në transmetim, por me gjasë vendimi do të merret në një afat më të afërt me ceremoninë.

Veç drejtorëve të kastit, edhe dublantët kanë bërë fushata për përfshirjen e kategorisë së tyre, por përpjekjet nuk kanë pasur sukses./ KultPlus.com

Bëhet i ditur prezantuesi i ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar

Është bërë e ditur se kush do të prezantojë ceremoninë e madhe të çmimeve Oscar.

Për të dytin vit radhazi, Jimmy Kimmel do të ngjitet në skenën e Dolby Theatre për të prezantuar mbrëmjen më të rëndësishme në Hollywood, atë të çmimeve Oscar.

Lajmi u bë i ditur nga drejtori ekzekutiv i Akademisë, Bill Kramer dhe presidentja, Janet Yang.

Drejtuesi dhe producenti Kimmel e ka prezantuar më herët këtë ceremoni edhe në vitet 2017 dhe 2018.

Eventi do të transmetohet nga ABC më 10 mars 2024 dhe pritet me interes të madh në të gjithë botën. / KultPlus.com

Kosova nuk propozon film për garën e çmimeve Oscars, nuk kishte prurje adekuate

Kosova këtë vit nuk propozon film për garën e nominimeve në kategorinë e filmit ndërkombëtar për edicionin e radhës të Oscars 2024.

Për një dekadë të tërë, Kosova ka zhvilluar bashkëpunime dhe vazhdon si e tillë të rrisë marrëdhëniet me Akademinë e Çmimeve Oscars dhe komunitetin e tij vlerësues. Por pas trajtimit të aplikimeve të këtij viti, anëtarët e komitetit selektues kanë vendosur mos të propozojnë film për edicionin e Oscars 2024.

Pas konsiderimit të detajshëm të aplikimeve të këti viti, komiteti selektues ka konstatuar se veprat në konkurrencë deshmojnë prezencë të talentit vibrant, kërkues e provokativ në ardhje, por që nuk reflektojnë mjaftueshëm standardin e prurjeve të deritanishme në kinematografi. Si rezultat i kësaj, krahas sukseseve të vazhdueshme të filmave, komiteti ka vendosur unanimisht që në edicionin e Oscars 2024 të mos dërgojë përfaqësues nga Kosova.

Në këtë vendim nuk u harrua të theksohet fakti se kualiteti i punëve të filmbërëseve kosovar të prezentuara në propozimet e filmave për Oscars deri tani ka ndërtuar reputacionin e kinematografisë tonë në këtë platformë globale, duke u afruar madje edhe deri te 15-shja e rrethit të ngushtë të filmave, siç ishte “Zgjoi” në vitin 2021. / KultPlus.com

Hapet gara për kandidaturën e Shqipërisë për çmimet Oscar

Qendra Kombëtare e Kinematografisë, fton shtëpitë filmike shqiptare të paraqesin veprat e tyre për marrje në konsideratë, si kandidatura shqiptare, në kategorinë International Feature Film, për edicionin e 96-të të Çmimeve Oscar.

Kriteret kryesore për pjesëmarrje në këtë kategori:

Në këtë kategori, mund të marrin pjesë filma artistikë, dokumentarë dhe vizatimorë.

1. Filmi duhet të jenë i gjatë mbi 40 minuta.
2. Filmi duhet do të ketë bërë premierën në Shqipëri  jo më herët se 1 dhjetor 2022 dhe jo më vonë se 31 tetor 2023.
3. Filmi duhet të jetë shfaqur ose të shfaqet komercialisht në kinema, në Shqipëri, brenda datave të mësipërme, për të paktën 7 ditë rresht.
4. Filmi duhet të përmbajë të paktën 50% dialog në gjuhën shqipe.
5. Filmi duhet të jetë bërë me të paktën 50%, aktorë dhe staf shqiptar.

 Afati për materialet që dërgohen nga producenti i filmit të përzgjedhur në zyrat e A.M.P.A.S.® është ora 17:00, e hënë, 2 tetor, 2023.

Për detaje të tjera: https://nationalfilmcenter.gov.al/index.php/2023/08/30/hapet-thirrja-per-kandidaturen-shqiptare-ne-kategorine-international-feature-film-per-edicionin-e-96-te-te-cmimeve-oscar/?fbclid=IwAR225neZXSSGmDxbz70KEkx6seVCJv5TkwJe1lu3_UxMk4SZ7rIhvNuxFLw&mibextid=Zxz2cZ / KultPlus.com

Malala Yousafzai konkurron në çmimet Oscar

Fituesja e çmimit Nobel për paqe ka realizuar dokumentarin “I huaji në portë”.

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Malala Yousafzai, po konkurron në ngjarjen më të madhe kinematografike, atë të Oscar. Aktivistja është producente ekzekutiv e filmit dokumentar të shkurtër “I huaji në portë”.

Filmi tregon historinë e një burri të quajtur Richard “Mac” McKinney, i cili vendos të bombardojë një xhami lokale në Indiana. Por kur ai mbërrin në xhami për të mbledhur më shumë informacion për planin e tij, ai takon refugjatët afganë dhe një afrikano-amerikan të konvertuar që e mirëpresin. Ai takohet me anëtarët e familjes Bahrami të cilët janë bashkëthemeluesit e xhamisë dhe ndryshon pikëpamje për kulturën muslimane duke pësuar një transformim. Marinsi amerikan heq dorë nga akti terrorist dhe konvertohet më pas në fenë islame.

“Doja të përhapja mesazhin sepse është kaq e rëndësishme që ne flasim për marrëdhëniet për rëndësinë e vlerave tona, duke përfshirë dhembshurinë dhe mirësinë ndaj të tjerëve dhe roli i Bibit në këtë histori është kaq i rëndësishëm. Ajo na tregon për fuqinë e vlerave tona dhe po kështu është edhe gatishmëria e Mac për të dëgjuar, për t’i dhënë vetes një shans për të ndryshuar jetën e tij.”

Ajo tha se vendosi të bëhej producente ekzekutive e filmit për të përhapur mesazhin e harmonisë dhe faljes.

“Kur mendoj për rolin e Bibit, më kujton babain tim. Ai u pyet për islamofobinë dhe pse muslimanët portretizohen negativisht dhe përgjigja e tij ishte se në vend që të njohësh një mysliman përmes asaj që shikon në ekranin tënd televiziv, duhet të shkosh dhe të trokasës. në derën e fqinjit tënd, të flasësh, të kalosh kohë me ta,  të darkosh apo edhe të bisedosh dhe kjo vlen për të gjithë dhe kështu bëri Bibi. Ajo e ftoi Mac. I tha hajde të flasim, le të kalojmë pak kohë së bashku. Aty do të kuptoni se keni shumë më tepër të përbashkëta, keni të njëjtat vlera, keni të njëjtën dhembshuri dhe kjo ndryshon gjithçka.”

Në vitin 2012 kur ishte 15 vjeç ajo u qëllua në kokë nga një anëtar i talebanëve dhe u dërgua në Angli për të marrë trajtim mjekësor. Në vitin 2014, ajo fitoi çmimin Nobel për Paqen në moshën 17-vjeçare duke u bërë laureatja më e re e këtij çmimi. / Klan News / KultPlus.com

Si e mori emrin çmimi Oscar?

Kinemaja lindi zyrtarisht më 28 dhjetor 1895, me shfaqjen e parë nga vëllezërit Lumière – në ”Grand Café” në bulevardin ”Des Capucines”, në Paris, ndërsa Oscar (Çmimi i Akademisë), çmimi më i rëndësishëm dhe më i vjetër kimematografik është rreth 30 vjet më i ri.

Xhaxhai im Oscar

Ishte viti 1927 kur eksponentët e industrisë së filmit amerikan – regjisorë, shkrimtarë, producentë, aktorë, themeluan Akademinë e Arteve dhe Shkencës së Kinemasë.

Në inaugurim, u propozua një çmim vjetor për filmin, regjisorin dhe aktorin më të mirë, i cili, megjithatë, nuk përbëhej nga kupa e zakonshme.

Kështu një drejtor i Akademisë, Cecil Gibbons, vizatoi në mbulesë tavoline një statujë që mbante një shpatë në gjoks dhe realizimi iu besua skulptorit George Stanley.

Legjenda thotë se në ceremoninë e parë të ndarjes së çmimeve në vitin 1929, duke parë statujën e artë, një sekretare e Akademisë, Margaret Herrik, bërtiti “ai duket si xhaxhai im Oscar!”. /focus.it/ KultPlus.com

Ethet e “Oscars 2022” në KultPlus Caffe Gallery, ftojmë komunitetin që t’i ndajmë emocionet

Pas 21 çmimeve nga mbarë bota, filmi me regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi”, ka shkruar histori me shkronja të arta, duke thyer rekorde në shumë festivale të cilat ka marrë pjesë, ndërsa tani ëndërron për “Oscars 2022”, shkruan KultPus.

Deri më tani kemi parë një udhëtim të jashtëzakonshëm të këtij filmi që po pret të shënojë një kapitull tjetër, aty ku suksesi arrin nivelin më të lartë, atë të “Oscars”.

Lista përfundimtare do të bëhet e ditur më 8 shkurt, në qoftë se filmi “Zgjoi” do të marrë pjesë në ceremoninë gala më 22 mars, me ç’rast gazeta online mbi artin dhe kulturën, KultPlus bënë thirrje që i gjithë komuniteti artistik dhe jo vetëm, të jenë pjesë e festës në KultPlus Caffe Gallery, në një ditë të mbushur me plot ethe, shpresë, besim e dashuri me bollëk.

Andaj, nesër duke filluar nga ora 12:00 e tutje, KultPlus Caffe Gallery do të bëhet shtëpia që pret rezultatin e shumëpritur nën atmosferën e ngrohtë shpirtërore që vendi sjell.

“Zgjoi” po tenton që të arrijë në majën e lartë e të artë duke u nominuar për çmimin më të mirë ndërkombëtarë në Akademinë e Arteve.

Ceremonia e 94-të e Çmimeve të Akademisë, e prezantuar nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, do të nderojë filmat më të mirë të publikuar nga 1 marsi deri më 31 dhjetor 2021 dhe është planifikuar të zhvillohet në Teatrin Dolby në Hollywood më 27 mars 2022. 

Ndërkohë, kujtojmë se votimi nga anëtarët e kësaj Akademie ka filluar më 27 janar. / KultPlus.com

Muzika e Edon Mollës pjesë e filmit “The heart we share”

Artisti shqiptar Edon Molla, jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij në Nju-Jork të ShBA-ve. Molla është një kantautor i suksesshëm, i cili ka krijuar kolona zanore edhe për filma të nominuar në çmimet Oscar.

Së fundmi ai është pjesë e filmit “The hurt we share” me muzikën e tij. Ka qenë vetë artisti që ka bërë të ditur lajmin.

“Shumë i lumtur që kam qenë pjesë e këtij filmi. “The hurt we share” dhe Vega. Gjithmonë kam ëndërruar të kem emrin tim në një billboard, faleminderit që më ndihmuat tia dal. Kjo është një fotografi e shkrepur nga @rinaa.ko! Faleminderit që kapët këtë moment për mua”, shkruan Edoni.

Edon Xhavit Molla (lindur më 8 Mars, 1994) është një këngëtar, kompozitor, producent regjistrimesh, kitarist dhe pianist shqiptaro-amerikan. Kënga e tij e parë “Lotët” (Tears) u publikua më 6 janar 2019, së bashku me videoklipin e tij të parë muzikor. Përpara muzikës, Edon ishte një basketbollist. Ai ishte i ftuar të luante për ekipin kombëtar të basketbollit të Kosovës. Ai luajti basketboll gjatë shkollës së mesme për trajnerin legjendar Bob Hurley në shkollën St. Anthony në Jersey City, New Jersey.

Familja e tij u largua nga Kosova për shkak të persekutimit të shqiptarëve të filluar me shpërbërjen e Jugosllavisë. Familja e tij u zhvendos në Brooklyn, Neë York në 1996 kur Edon ishte dy vjeç. Molla filloi të luante kitarë dhe piano kur ishte 14 vjeç si hobi, por u përqëndrua në basketboll derisa u takua me këngëtaren legjendare Roberta Flack në vitin 2016 dhe ajo i kërkoi atij të rishihte veten e tij mes basketbollit dhe muzikës. Falë trajnimit të këngëtares së njohur, Edoni u tërhoq nga basketbolli për tu fokusuar në muzikë. / KultPlus.com

Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling mbajti një prezantim sot në kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’

Fituesja e çmimeve Oscar dhe Emmy, Brooke Keesling ka mbajtur një prezantim sot në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në kuadër te Festivalit të Filmit të Animuar Anibar, përcjellë KultPlus.

Brooke Keesling tregoi për përvojën e saj gjatë kohës kur punoi për kompani si ‘Cartoon Network’, ‘Disney dhe Warner Bros’, ku edhe ka qenë e përfshirë në disa filma si: “Inception”, “The Dark Knight” dhe “Pirates of the Caribbean”.

Ajo vazhdoi duke treguar për punën e saj në Bento Box Entertainment, shtëpia e “Bob’s Burgers” dhe “Central Park”.

Pos këtyre, Keesling ndau me publikun fakte interesante rreth filmit të saj të parë të animuar, “Boobie Girl”, i cili ka fituar çmimet Oscar dhe Emmy në vitin 2005.

Ajo ka një përvojë të gjatë pune në nivelet më të larta të industrisë së animacionit dhe në detaje tregoi pikërisht për këtë.

Në fund, ajo pranoi edhe pyetje nga publiku ku tregoi për mundësitë e shumta në industrinë e animacionit, duke ju dhënë këshilla animatorëve të rinj të cilët janë të interesuar të kenë një karrierë në fushën e animacionit. / KultPlus.com

Filmat pretendent për ‘Oscar’ duhet t’i përmbushin kriteret e shumëllojshmërisë

Organizatorët e ceremonisë së famshme shpërblyese “Oscar”, kanë bërë të ditur se do ta formojnë një grup i cili do ta përpilojë një listë të rregullave të shumëllojshmërisë, të cilat filmbërësit pretendent për t’u shpërblyer me çmim akademik, duhet t’i ndjekin.

Sipas Akademisë së Arteve dhe Shkencës, qëllimi i këtij grupi është të krijoj mundësi të shumëllojshmërisë dhe udhëzime të gjithëpërfshirjes të cilat kineastët duhet ndjekur, nëse duan që puna e tyre të ketë të drejtë konkurrimi për “Oscar”, transmeton KultPlus.

Akademia e cila ndër vite është kritikuar për vlerësimin e më pak filmave të krijuesve të komunitetit afrikano-amerikan, ka deklaruar që ky veprim dhe disa ndryshime tjera që pritet të ndodhin se shpejti, e përfaqësojnë një fazë të re 5-vjeçare e cila ka për qëllim ta promovojë shumëllojshmërinë në industrinë e filmit.

Rregullat e reja të konkurrimit nuk vlejnë për projektet filmike të cilat pritet të nominohen për ceremoninë e ardhshme “Oscar”, që do të mbahet në vitin 2021.

Kritikat ndaj organizatorëve të shpërblimeve kryesore kinematografike u ashpërsuan dukshëm në vitin 2015, kur edhe u krijua hashtagu #OscarsSoWhite, i krijuar në formë të protestës për përfshirjen vetëm të filmbërësve, aktorëve dhe producentëve të bardhë, në kategoritë shpërblyese të kësaj ceremonie.

Në mesin e masave të reja të imponuara së fundmi nga Akademia, është edhe garantimi i përfshirjes së 10 projekteve filmike në garë për çmimin “Filmi më i mirë”, duke iu mundësuar kështu më shumë filmave që të nderohen me shpërblimin më prestigjioz të industrisë.

Hollywoodi është në qendër të kritikave për mungesë të shumëllojshmërisë dhe portretizim të racizmit në ekran të madh, që nga fillimi i protestave anembanë botës të shkaktuara nga vrasja e George Floydit. / KultPlus.com

Stephen King flet hapur: Ndarja e çmimeve “Oscar” është e kurdisur

Shkrimtari i mirënjohur i romaneve horror e ka shokuar publikun me komentet për kriteret e ndarjes së çmimeve.

Stephen King i ka tërhequr komentet e tij kontroverse për diversitetin dhe ceremoninë e çmimeve Oscar. Në një ese të gjatë që e shkroi për “Washington Post”, ai pohon se Oscari është i manipuluar në dobi të të bardhëve.

King i zemëroi autorët dhe fansat pasi e postoi komentin në Twitter: “Kur votoj për një publikim si anëtar i Akademisë së Filmit, nuk e marr fare parasysh dallimin gjinor dhe racor në kuadër të çështjeve artistike. Vetëm cilësinë. Unë çdo mënyrë tjetër e konsideroj të gabuar”. King mund t’i kandidojë filmat në tri kategori “Oscar”: filmi më i mirë, skenari i adaptuar dhe skenari origjinal, kështu që me këtë rast e komentoi mungesën e njohjes për femrat dhe artistët zezakë në ndarjen e sivjetme të çmimeve.

“Ta hajë dreqi, Stephen. Mendova që je më i mirë se kaq. Duhet ta kesh të qartë se dallimi dhe cilësia nuk janë dy tipare të ndara, as nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Përveç, mbase, në mendjen e një fanatiku,” komentoi Nora K. Jemisin. autorja e “The Hundred Thousand Kingdoms”.

Me të u darkorduan edhe shumë kolegë, të cilët shprehën keqardhje që një njeri i madh si King mund të jetë aq mendjengushtë, shkruan KOHA Ditore. Ata besojnë se cilësia është kudo, por që shumica e industrive besojnë në cilësinë e një mesatareje demografike – raporton Guardian.

King pastaj e shtoi edhe një postim tjetër për ta shpjeguar qëndrimin e tij të mëparshëm:

“Gjëja më e rëndësishme të cilën ne si artistë dhe krijues mund ta bëjmë është të sigurohemi që të gjithë e kanë një shans të barabartë, pavarësisht gjinisë, ngjyrës apo orientimit. Për momentin, njerëzit e tillë keqkuptohen, jo vetëm në art. Nuk mund ta fitoni një çmim nëse përjashtoheni nga gara për të njëjtat gjëra”.

Autori i njohur i zhanrit horror e shkroi një ese për Washington Post në të cilën theksoi se postimi dhe mesazhi i tij ishin nxjerrë nga konteksti. Ai në fakt tha se ata që vendosin për ndarjen e çmimeve duhet të jenë të verbër ndaj çdo dallimi (racor, gjinor dhe demografik) në mesin e artistëve. Shkrimtari pretendon se ai nuk tha që filmat, librat, shfaqjet dhe muzika që janë në fokusuar në dallimin ose pabarazinë nuk mund të jenë vepër e një gjeniu krijues. Mund të jenë dhe shpesh janë.

King në esenë e tij e vazhdoi tezën origjinale për atë që gjyqtarët duhet të jenë të verbër, por se kjo nuk është një botë e përsosur, sepse loja (Oscar) është e kurdisur për të fituar të bardhët. Ai e vendosi theksin në përqindjen e përbërjes demografike të votuesve për çmimin “Oscar”: 32 për qind janë femra dhe vetëm 16 për qind grupe minoritare.

“Vlerësimi i punës së dikujt sipas çfarëdo standardi tjetër, përveç paanshmërisë totale është fyes dhe e dëmton punën e të gjithë artistëve të shkëlqyer. Ne nuk jetojmë në botën e përsosur, ndërsa kandidimet e sivjetme të ndarjes së çmimeve “Oscar” edhe një herë e konfirmojnë këtë. Ndoshta një ditë do të mundemi? Mund të ëndërroj, apo jo? Në fund të fundit, unë trilloj tregime për të fituar para”, theksoi King. / KultPlus.com