Vinçenc Gjini merr Çmimin për vepër jetësore “Niket Dardani”

Medina Pasoma

Në kabinetin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshit, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimit për vepër jetësore dhe çmimeve vjetore në fushën e muzikës, shkruan KultPlus.

 Juria profesionale e përbërë nga Vaso Tole, Rafet Rudi dhe Baki Jashari ndau çmimin e veprës jetësore “Niket Dardani” për Vinçenc Gjinin.

Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike iu dha Valton Beqirit për veprën “Rrugëtimi”. Çmimin për vepër orkestralo-simfonike dhe koncentrante e morri Kreshnik Aliçkaj me veprën “Koncert”. Vepra “Trance” nga Drinor Zymberi u shpërblye me çmimin për vepër kamertale. Me çmimin për veprën korale nëpërmjet veprës së tij “Ubi Caritas” u shpërblye Hajrullah Syla. Ndërsa çmimi për veprat solistike dhe duo i shkoj Mehdi Mengjiqit me veprën “Dicantus”.

Ministrja Dumoshi përgjatë ceremonisë u shpreh se ndjehet e kënaqur për ndarjen e këtyre çmimeve, teksa tha se Kosova ani pse është shtet i ri ka pasur përherë traditë dhe histori të kompozimit muzikor.

“Çmimet nuk janë mbase shumë të mëdha, por me rëndësi është kujdesi dhe vëmendja që institucioni ynë ia kushton punës dhe kontributit sepse gjithmonë jemi borxh ndaj njerëzve të cilët gjithë jetën e japin për kompozim dhe ngritjen e muzikës klasike”, theksoj Vlora Dumoshi.

Vlerësimin e jurisë e shprehi anëtari Baki Jashari, i cili për Vinçenc Gjinin shpalosi krijimtarinë e tij prej: 3 simfonish, 10 kantata, sonata për violinë e piano, variacione klarinetë-piano, simfonjeta, cikli i këngëve solo “Letrat”, disa këngë korale, përpunime e stilizime.

“Bazuar në punën e tij shumëvjeçare krijuese, pedagogjike, botuese konsiderojmë se kompozitori dhe pedagogu Vinçenc Gjini padyshim meriton çmimin për veprimtari jetësore “Niket Dardani”, u shpreh Jashari teksa shpalli fituesin.

 “Rrugëtimi” të Valton Beqirit, Baki Jashari e vlerësoj si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar, e sjellë përmes një kompozicioni racional, kompleks dhe bashkëkohor.

Veprën “Koncert” të Kreshnik Aliçkajt juria e vlerësoj si sjellëse të tingëllimave të reja dhe të një ritrajtimi krijues të gjinisë së koncertit instrumental.

“Koncert që zbulon marrëdhënie dinamike, të vazhdueshme, bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës”, shtoj Jashari.

Për çmimin për vepër kamertale nga Drinor Zymberi, anëtari Baki Jashari theksoj: “Me kompaktësi dhe gjetje kompozicionale që burojnë nga rikonceptimi i transes dhe posaçërisht i gjenerimit të ritmikës elektrizuese përmes veglave muzikore të ansamblit harkor”.

“Ubi Caritas” e Hajrullah Sylës u shpërblye për këndvështrimin origjinal të kompozimit të himnit të njohur, për semantiken e sjellur me strukturat kompozicionale të thjeshta dhe emocionale.

Ndërkaq Mehdi Mengjiqit iu vlerësua “Dicantus” si krijim me vlera të spikatura, që risjell vlerat e discantusit në kohën moderne përmes ruajtjes së kontekstit formal dhe zbulimit të tingëllimeve të reja.

Pas leximit të vlerësimeve nga ana e jurisë u bë ndarja e çmimeve ku muzikantët dhe kompozitorët i morën ato personalisht, përveç Vinçenc Gjinit, i cili për arsye shëndetësore nuk mund të ishte prezent. Mirëpo, në vend të tij çmimin e morri motra.

Përgjatë kësaj kohe, ministrja Dumoshi e përmendi letrën të cilën e kishte pranuar në fillim të mandatit të saj nga artisti Vinçenc Gjini, në të cilën ai kishte shprehur uratat dhe kërkesat e tij. Me këtë rast, Dumoshi e falënderoj Gjinin për këtë letër, duke i premtuar edhe mbështetje.

“E keni pas një kërkesë për një kompozim që e keni shumë për shpirt për ta jetësuar, ne urojmë që bashkërisht me drejtorinë e Filharmonisë dhe kolegët e tu do ta jetësojmë veprën tënde”, theksoj Vlora Dumoshi për veprën e Vinçenc Gjinit.

Profesor Vinçenc Gjini ani pse nuk ishte i pranishëm fizikisht, u sigurua që fjala e tij përshëndetëse të jetë aty nëpërmjet motrës së tij.

“Shpallja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që do të shoqërohet me Ditën Botërore të Muzikës ka rëndësi të madhe për kulturën, përkitazi promovimin e muzikës kosovare në botë”, kishte shkruar Gjini në letrën e tij falënderuese.

Në anën tjetër, ish-ministri i Kulturës dhe fituesi i njërit nga çmimet, Valton Beqiri duke falënderuar institucionet, theksoj se prezenca e autorëve dhe kompozitorëve të rinj në listën e të shpërblyerve është dëshmi se çmimet janë duke dhënë rezultatin e tyre. Edhe muzikantët e tjerë nuk kursyen falënderimet e tyre për ndarjen e këtyre çmimeve, teksa biseda vazhdoj duke dhënë kritika dhe sygjerime për të mirën e skenës së artit muzikor. /KultPlus.com