Me qëllim të zhvillimit, avancimit dhe promovimit të krijimtarisë filmike, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për çmimet vjetore në fushën e kinematografisë, shkruan KultPlus.
Ftohen të interesuarit që të propozojnë kandidatët për Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” dhe “Çmimin vjetor për Kinematografi” që u jepet krijuesve të dalluar, të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinemtografisë.
Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore ”Bekim Fehmiu”.
- Ky Çmim u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së kinematografisë për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë. Ky Çmim mund ti jepet edhe pas vdekjes së autorit.
- Laureat të çmimit mund të jenë: producentet, regjisoret, skenaristët, aktorët, drejtoret e fotografisë, skenografët, kostumografët, kompozitorët, animatorët dhe krijuesit që në mënyrë kreative kontribuojnë në kinematografi.
- Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.
“Çmimi Vjetor për Kinematografi”
- Ky çmim i ndahet çdo vit, autorit për veprat filmike të realizuara gjatë vitit paraprak kalendarik.
- Çmimi Vjetor për Kinematografi, sipas vendimit të jurisë, ndahet çdo vit vetëm në njerën nga këto kategori: producenti më i mirë, regjisori më i mirë, skenaristi më i mirë, aktori/a më i/e mirë, drejtorit të fotografisë, skenografi më i mirë, kostumografi më i mirë, kompozitori më i mirë dhe animatori më i mirë.
- Çmimi mund ti ndahet vetëm shtetasve të Republikë së Kosovës.
Konkurrimi për çmimet për Kinematografi mund të bëhet përmes propozimit nga:
- Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës;
- Qendra Kinematografike e Kosovës;
- Produksionet Filmike të regjistruara në Kosovë;
- Shoqatat e Filmit të regjistruara në Kosovë;
- Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës.
- Vlerësimin për ndarjen e çmimeve e bën juria profesionale e përbërë nga 5 anëtarë.
- Propozimi që bëhet nga institucionet e lartpërmendura duhet të përmbajnë: Arsyetimin me shkrim, CV-in e të nominuarit dhe materialet tjera përcjellëse audiovizuele për të nominuarin.
- Propozimi duhet të firmoset nga titullari i institucionit/asociacionit që ka të drejtën e propozimit.
- Propozimi me shkrim duhet të dërgohet jo më larg se 30 ditë nga dita e shpalljes së Konkursit në mediet e shkruara, në Arkivin e MKRS-së, për Departamentin e Kulturës, në Zyrën nr. 022 (Adresa: MKRS, 10.000 Prishtinë, Rruga “Nëna Terezë” nr. 35). / KultPlus.com