Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë mban natën finale, ceremoninë e mbylljes së ekspozitës së Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 dhe shpalljen e fituesit të Çmimit, më 7 dhjetor nga ora 20:00.
Çmimi Artistët e së nesërmes është një çmim dhe njohje prestigjioze e krijuar për artistët pamor nën moshën 35 vjeç. Edicioni i vitit 2024 ka përfshirë procesin e aplikimit të artistëve me punën e tyre për Çmimin, aplikimet që janë shqyrtuar dhe vlerësuar nga juria e pavarur, mundësinë për artistët e zgjedhur finalist Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri për të krijuar vepra të reja përmes një procesi të përkushtuar prodhimi, kurimi dhe zhvillimi, që është kurorëzuar me ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 e cila është hapur me 1 nëntor 2024 në Klubin e Boksit në Prishtinë.
Tre artistët e nominuar për Çmimin Artistët e së nesërmes 2024: Mimoza Sahiti, Luiza Thaqi dhe Dion Zeqiri, pas hapjes së ekspozitës dhe ngjarjes së dytë të konceptuar si ecje nëpër ekspozitë dhe bashkëbisedim me artistët e mbajtur me 7 nëntor 2024, në këtë fazë të procesit do të kenë takime me jurinë e pavarur për tu vlerësuar për arritjet, potencialin e demonstruar dhe për mundësinë e secilit artist të nominuar të zgjidhet fitues i Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, dhe të udhëtoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të përjetojë skenën dinamike të artit në Nju Jork gjatë një qëndrimi artistik dy mujor.
Juria e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 përbëhet nga Julieta Aranda, artiste dhe bashkëthemeluese e e-flux në Berlin, Miljana Dunđerin, artiste dhe drejtoreshë e qendrës private kulturore “Akvarijus” në Mitrovicën e Veriut, Dr. Vjollca Krasniqi, sociologe dhe profesore e asociuar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Alper Turan, kurator dhe shkrimtar, me seli në Nju Jork dhe Stamboll dhe Lulzim Zeqiri, artist që punon dhe vepron ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.
Sipas deklaratës së jurisë tre finalistët në punët e tyre ofrojnë provokime të guximshme dhe të nevojshme që flasin për kompleksitetin tonë të përbashkët.
Me imazhet e thjeshta dhe ngacmuese, eksplorimi i patrembur i Mimoza Sahitit për gjendjen e gruas sjell një cënueshmëri të brishtë që ofron një rrëfim thellësisht personal por universalisht politik. Arti i Mimoza Sahitit, i rrënjosur në vizatim dhe pikturë, eksploron marrëdhëniet dinamike midis botëve tona të brendshme dhe mjedisit të jashtëm i cili ndryshon vazhdimisht. Puna e saj luan me idenë e hapësirave “të ndërmjetme” dhe formave të papritura që ato marrin, duke u zhytur thellë në përvojën njerëzore. Me një përzierje unike të humorit dhe dramës, ajo vë në dyshim se çfarë do të thotë të jesh njeri, duke shtyrë vazhdimisht kufijtë e mënyrës se si ne e shohim, ndjejmë dhe kuptojmë artin dhe shoqërinë.
Për ekspozitën e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 Mimoza Sahiti krijoi dhe prezantoi veprën “How Sad, How Lovely” (“Sa e trishtueshme, sa e bukur”), një eksplorim i qëndrueshmërisë, identitetit dhe udhëtimit nëpër peisazhe të brendshme dhe të jashtme. Një udhëtim “kauboji” është mënyrë specifike dhe një maskë shoqërore në realizimin e vetvetes – përballja përfundimtare me veten. Ky kauboj bëhet një figurë e ngecur në hapësirën midis vetes dhe shoqërisë, midis cenueshmërisë dhe mbijetesës.
Në qendër të veprës qëndron një derë, me një xhaketë lëkure të varur, që funksionon si objekt dhe simbol kalimtar. Xhaketa, e qepur me fije të kuqe me fjalët “Sa e trishtueshme, sa e bukur” vepron si armaturë dhe ftesë, një portë midis botës së jashtme dhe hapësirës intime përtej. Ky prag i fton shikuesit të lënë pas identitetet e tyre të jashtme dhe të hyjnë në një botë ku cenueshmëria nuk fshihet, por shfaqet.
Në përgjithësi, kauboji i Mimoza Sahitit përfaqëson një ide të botës së jashtme që lundron sfidat e jetës, duke mishëruar forcën, përulësinë dhe vetminë, duke evokuar një figurë që endet nëpër peizazhe të shkreta të jetës. Kauboji që vesh këtë xhaketë, një figurë e përsëritur në ekspozitë, është një simbol personal dhe universal i qëndrueshmërisë. Këtu fillon udhëtimi në botën e brendshme, ku albumi i Connie Converse “How Sad, How Lovely” funksionon si një alegori. Këtu fillon biseda mes artistes dhe Connie Converse – një përvojë e përbashkët izolimi, betejash të brendshme, vetë-reflektimit, vetmisë, mallit dhe elasticitetit.
Mimoza Sahiti është artiste pamore që aktualisht studion pikturë në klasën Art dhe Imazh të Daniel Richter në Akademinë e Arteve të Bukura në Vjenë. Puna e saj fokusohet në eksplorimin e kufijve të pikturës përmes një qasjeje eksperimentale dhe jo tradicionale. Puna e Sahitit thellohet në tema personale dhe universale, duke eksploruar teknika dhe dimensione të ndryshme të kohës dhe hapësirës. Ajo gjithashtu ka diplomë Bachelor në Ekonomi nga Universiteti Goethe në Frankfurt. Mimoza viteve të fundit është aktive në skenat artistike të Prishtinës dhe Vjenës, ku aktron dhe ekspozon rregullisht.
Ekspozitat kolektive në të cilat ajo ka marrë pjesë në tre vitet e fundit përfshijnë: “Çmimi Funding për pikturën figurative”, Galeria County Lake Constance, Kështjella Salem, Salem, 2024; “Përtej ishullit të mrekullive”, Bräuhausgasse 31, Vjenë, 2024; “Shfaqje në klasë Daniel Richter & Alastair Mackinven”, Vjenë, 2024; “E këndoj trupin elektrik, ushtritë e atyre që dua”, Qendra Barabar, 2023; “Këtu sot, iku nesër”, Room Five Studio, Prishtinë, 2023; “Klasa e Richter”, Panairi i Artit Paralel, Vjenë, 2023; “Shfaqje në klasë Alastair Mackinven, Arti Figurativ” në Akademinë e Arteve të Bukura, Vjenë, 2023; “Koleksioni i parë i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit” në Galerinë Kombëtare, Prishtinë, 2022; “Finaliste e Çmimit Artistët e së nesërmes”, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë, 2022; “Këmbëngulja e klubeve: Pas një feste”, Qendra për Artin Bashkëkohor, Sofje, 2022; “Grandi i Ri”, Manifesta 14, Prishtinë, 2022; “Pavijoni i Arteve Pamore”, Gjilan, 2022; “INTERNAL”, Room Five Studio, Prishtinë, 2022. Puna e Mimoza Sahitit është shfaqur edhe në ekspozitat personale “Status”, kuruar nga Albert Heta, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë në bashkëpunim me FemArt Festival, 2023, dhe “Qumësht dhe Mjaltë”, Room Five Studio, Prishtinë, 2022.
Fokusi kritik i Luiza Thaqit në strukturat shoqërore dhe ndikimin e tyre ekologjik prekë çështjet që variojnë nga pronësia e tokës së grave në Kosovë deri te çështja e të drejtave të tokës të të vendosurve/kolonistëve në mbarë botën, duke e bërë punën e saj thelbësore në debatet urgjente socio-ekologjike të ditëve të sotme. Nëpërmjet punës së saj, ajo vë në pikëpyetje dhe sfidon se kush ka çasje në tokë dhe pse, duke theksuar betejat më të thella sociale dhe politike në funksion. Duke rimenduar pronësinë e tokës, Luiza na fton të rimendojmë vetë konceptin tonë për shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore dhe se si mund t’i formësojmë ato në mënyrë më të barabartë.
Vepra “Vend i drejtuar nga toka” e Luiza Thaqit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, është një ndërhyrje artistike në një hapësirë të jashtme dhe të ndërmjetme në ndërtesën e Klubit të Boksit në Prishtinë, që është e paarritshme si shkak të shtesave të kohës në ndërtesën dhe ndërtimeve private përreth, dhe faktorëve të tjerë që ndikojnë në mirëqenien e tokës. Nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje të bazuar në kërkim, artistja nxjerr në pah çështjet që lidhen me trajtimin e tokave, pronave, pronave publike dhe shkëputjen e njerëzve nga natyra me pretendim pronësie. Në bashkëpunim me tokën, duke nxjerrë të dhëna për gjendjen aktuale të tokës dhe asaj që ka ndodhur me të, ne tregojmë realitetin, praktikat për një shoqëri të qëndrueshme dhe kontekstin tonë shoqëror.
Luiza Thaqi është artiste e re pamore që jeton në Kosovë. Ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Arteve, Universiteti i Prishtinës (UP), Dega Pikturë (2018-2021) dhe aktualisht po përfundon studimet master në Fakultetin Filozofik, Departamenti i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Ajo punon me një sërë mediash artistike, duke përfshirë pikturën, instalacionin dhe videon, me të cilat synon të kontekstualizojë dhe hulumtojë socio-ekologjinë brenda shoqërive specifike, duke shërbyer si një mjet për zbërthimin e ndërlikimeve të mjedisit ku jetojmë.
Në tri vitet e kaluara, Luiza ka qenë pjesë e shumë projekteve dhe ekspozitave, ndër të tjera ekspozita “Thuaj të më kujtosh që të mos harrojmë”, Tregime të grave për shtatzëninë, lindjen dhe amësinë gjatë luftës në Kosovë, pjesë e “Nënave të luftës” projekti 2023, punë bashkëpunuese me Renea Begollin, Biblioteka Hivzi Sylejmani, Prishtinë, 2023; “INFRARED” ekspozitë kolektive nga Foundacioni 17, Center for Narrative Practice, Biblioteka Hivzi Sylejmani Tophane, Prishtinë, 2023. Puna e Luiza Thaqit është shfaqur edhe në ekspozitën personale “Connected – Between Roots and Sky”, kuruar nga Laureta Hajrullahu dhe Shkamb Jaka, Europe House, 2023, Prishtinë.
Angazhimi i artit të Dion Zeqirit me forcat e padukshme – entitetet që e rrethojnë dhe përbëjnë ekzistencën tonë – përmes materialiteteve dhe mediumeve të ndryshme prezanton një këndvështrim të ri mbi marrëdhëniet ndërmjet fizikes dhe jofizikes. Zeqiri ju tërheq me fuqinë e tij të shqetësuar, pothuajse të nënvlerësuar. Ai eksploron se si mendja dhe trupi ndërveprojnë në mënyra që duken të njohura dhe janë poashtu turbulluese. Nuk ka të bëjë vetëm me atë që është, por edhe me atë që mungon – dhe shkëputjen mes të dyjave me që vazhdon të jetojë me ty. Është qasje subtile por me ndikim, mbresëlënëse për mënyrën se si ju bën t’i shihni gjërat ndryshe.
Vepra “Oh, mindgut” e Dion Zeqirit, e krijuar dhe shfaqur për ekspozitën e finalistëve të Çmimit Artistët e së nesërmes 2024, paraqet një skulpturë gjipsi ku truri dhe zorrët janë të kombinuara në formë rrethore, sikurse dalin nga vetë muri. Skulptura shërben si një paraqitje simbolike e dy forcave themelore, por shpeshherë të kundërta në përvojën njerëzore: intelektit dhe intuitës. Duke u përballur me trurin dhe zorrët – dy organe vitale që formësojnë perceptimin tonë për realitetin – artisti hyn në debatin e vjetër midis intelektit dhe instinktit, arsyes dhe ndjenjës, objektivitetit dhe subjektivitetit.
Artisti shtron pyetje provokuese: “A manifestohet intelekti si mungesë intuite apo është mishërim i gjithçkaje shijuese mes zorrëve dhe mendjes?”. Artisti e përdor këtë koncept për të nxitur reflektim të mëtejshëm duke pyetur se: kur marrim vendime – nëse duhet t’i besojmë dikujt, të ndjekim këshillat apo të ndërmarrim veprime – a veprojmë nga arsyetimi intelektual apo ndjenja intuitive? A mund të konsiderohet racional besimi në diçka të padukshme? Apo vendimet tona shpesh rrjedhin nga ndjenjat e zorrëve përpara se truri ta ketë përpunuar situatën?
Dion Zeqiri është artist dhe dizajner i lindur në Prishtinë. Studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, dega e dizajnit të enterierit. Gjatë studimeve ka punuar në kompani të dizajnit grafik si hulumtues dhe tekstshkrues i projekteve të ndryshme lokale dhe ndërkombëtare. Praktikat e tij artistike i kanë rrënjët në eksplorimin e kryqëzimit të të dukshmes dhe të padukshmes, me fokus në ndikimin e menjëhershëm të botës së padukshme tek njeriu, trupi dhe aspektet metafizike. Vitet e fundit ai ka qenë i fokusuar në hulumtimin e prezencës së baktereve, si në trupin e njeriut ashtu edhe në kontekstin e konsumimit të ushqimit. Ky hulumtim i ka dhënë atij një perspektivë unike mbi ndërlidhjen e jetës dhe forcave të padukshme që formësojnë ekzistencën tonë.
Ekspozitat kolektive në të cilat ka marrë pjesë në tri vitet e fundit përfshijnë: “Në Përdëllim”, Galeria 17, Prishtinë, Kosovë, 2024; “MQ ARTIST-IN-RESIDENCE”, Vjenë, Austri, 2024; Hulumtim artistik, Autostrada Bienale, Fondacioni Studio Rizoma dhe Qendra Shoqërore POSTANE, Kosovë, Itali, Turqi, 2023; Ekspozita për Ministrinë e Kulturës – Koleksioni shtetëror i veprave të artit, Galeria Kombëtare e Arteve, Kosovë, 2022; “Çmimi Baza”, Galeria Structura, Sofje, Bullgari, 2021. Puna e Dion Zeqirit është shfaqur edhe në ekspozitat personale: “Save me from what I’am”, Muzeu Kombëtar i Kosovës – Lapidarium, Prishtinë, Kosovë, 2022; Ekspozitë personale organizuar në bashkëpunim me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij dhe Komunën e Prishtinës, Prishtinë, Kosovë, 2021.
Fituesi/ja i/e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024 do të zgjidhet në bazë të portfolios së tyre artistike, veprave të ekspozuara në ekspozitën e finalistëve, arritjeve dhe ekspozitave të mëparshme, potencialit të demonstruar dhe intervistës me jurinë e Çmimit Artistët e së nesërmes 2024.
Fituesi i çmimit do të shpërblehet me një program dy-mujor qëndrimi artistik në Nju Jork, SHBA, me Residency Unlimited, planifikuar për maj/qershor 2025. Po ashtu, fituesi do të ketë mundësinë të realizojë një ekspozitë personale në vitin 2026, si pjesë e programit vjetor të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.
Çmimi Artistët e së nesërmes është pjesë e programit Young Visual Artists Awards (YVAA), një rrjet çmimesh që mbështet artin bashkëkohor dhe shoqërinë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore. I themeluar në vitin 1989 në Çekosllovaki nga presidenti Václav Havel dhe artistë disidentë, ky program ka për qëllim promovimin e artit bashkëkohor. Në vitin 2015, Residency Unlimited (RU) u bë mikpritës i programit në Shtetet e Bashkuara, ndërsa në shtator 2015, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë mori drejtimin e Çmimit Artistët e së Nesërmes në Kosovë, duke nisur ciklin e parë në vitin 2016.
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë synon të përforcojë ndikimin e Çmimit Artistët e së nesërmes dhe të kontribuojë në zhvillimin e gjithmbarshëm të artit bashkëkohor dhe kulturës në shoqërinë në Kosovë. Mbështetësit kryesorë të Çmimit Artistët e së Nesërmes 2024 janë: Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Komuna e Prishtinës, x-print dhe DZG. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerëve do të shpallet në kohë.