Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka propozuar për Çmimin Europian të Letërsisë, autoren Rita Petro me romanin “Lindur së prapthi”.
Proza e Rita Petros jep një përshkrim të mjedisit komunist nga këndvështrimi i një vajze të vogël e më pas nga ai i një gruaje të rritur, e cila do të përballet me të gjitha paragjykimet e kohës.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se Çmimi i Bashkimit Europian për Letërsi ka për qëllim të vendosë në qendër të vëmendjes krijimtarinë dhe pasurinë e larmishme të letërsisë bashkëkohore evropiane në fushën e letërsisë artistike, të promovojë qarkullimin e letërsisë brenda Europës dhe të inkurajojë një interes më të madh për veprat letrare ndërkombëtare.
“13 shtete kanë propozuar secili nga një shkrimtar që do të jetë në garë për Çmimin Europian të Letërsisë. Vlerësimin e bën një juri ndërkombëtare dhe fituesi shpallet në Panairin e Librit në Bruksel më 4 prill 2024”, u shpreh Gonxhja./ atsh / KultPlus.com