Qendrim Badalli
Para Galerisë Kombëtare të Kosovës po qëndronin dhjetëra njerëz. Shihej qartë se turma dominohej nga komuniteti i artistëve, shumica të rijnë në moshë. Ata ishim mbledhur për ta pritur hapjen e ekspozitës së edicionit të gjashtëmbëdhjetë të çmimit prestigjioz Gjon Mili – “Në tranzicion: Imazhe në mes faktit dhe trillimit”. Në oborrin e Galerisë ishte kokteji i përgatitur për mysafirët të cilët u treguan të durueshëm deri në hapjen e ekspozitës me pak vonesë, shkruan KultPlus.
E për durimin e treguar mysafirët morën falënderim nga Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, “Ju falënderoj për durimin”, tha ajo në fjalën hyrëse.
Më pas ajo prezantoi kuratorin e këtij edicionit, për të cilin tha se kishte shumë përgjegjësi të zgjedhte më të mirët në mesin e shumë aplikantëve.
“Këtë vit, kuratori i cili e ka pasur përgjegjësinë e madhe që në mesin e shumë artistëve aplikantë të zgjedh dymbëdhjetë pjesëmarrës, është Joao Ribas, kurator nga Portugalia, i cili sonte është këtu me ne”.
Ajo tregoi një nga një të gjithë emrat pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë të kësaj ekspozite.
Pjesëmarrësit ishin: Albe Hamiti, Altin Krasniqi, Arbnor Karaliti, Edona Kryeziu, Edson Luli, Fidan Bejtullau, Jon Mithi, Laureta Hajrrullahu, Valdrin Thaqi, Valentina Bonizzi, Somer Spat, Neron Deshishku.
Ambasadori Italian, Piero Cristoforo Sardi, në një fjalë rasti, tha se kishte kënaqësinë që Ambasada e Italisë në Kosovë ishte pjesë e këtij organizimi.
“Është një nder i madh për të qenë prezent këtu, në këtë ngjarje. Dhe nga ana jonë kur morëm ftesën për të qenë pjesë e këtij organizimi nga drejtoresha e institutit Italian për kulturë në Tiranë që mbulojnë edhe Kosovën, ne patëm shumë dëshirë që të jemi pjesë e këtij organizimi sidomos duke pasur parasysh skenën e gjallë të Kosovës”.
Veton Nurkollari, drejtori artistik i Dokufest-it si dhe njëherit kryetari i jurisë, ka thënë se këtë edicion kanë pranuar një numër të madh veprash cilësore.
“Në këtë botë të ndryshueshme vazhdimisht të imazheve bashkëkohore juria ka pasur kënaqësinë që të ketë një numër të madh të punimeve shumë kualitative të artit në këtë çmim të Gjon Milit”.
Ai më pas ka folur për anën teknike dhe përmbajtësore të punimeve artistike që janë dhënë në këtë ekspozitë.
“Punimet e ndryshme kanë eksploruar fushën e fotografisë tradicionale deri tek largimi radikal i punëve pa imazh, duke përfshirë mungesën e imazheve, zhdukjen dhe rishfaqjen e tyre apo transparencën e gjithë kësaj”.
Dhe në fund, nën duartrokitjet e të pranishmëve u dhanë edhe emrat e dy fituesve të këtij edicioni. Ato ishin: Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi.
“Besojmë se kjo ekspozitë do të kontribuojë në diskutimin e vazhdueshëm mbi fotografinë. Duke pasur parasysh këtë, juria ka vendosur unanimisht që çmimin të ia dhuroj dy artistëve: Edona Kryeziu dhe Valentina Bonizzi”.
Teksa Kryeziu doli para të pranishmëve dhe morri çmimin, Bonizzi po mungonte por atë e përfaqësoi Ambasadori Italian, Piero Cristoforo Sardi, i cili morri çmimin në mungesë të saj. Hyrja e Galerisë u lirua, teksa të pranishmit shpejt zunë gjithë hapësirën e galerisë duke fotografuar dhe diskutuar për veprat që po i shihnin. / KultPlus.com