Donat Qosja fiton çmimin “Aktori më i mirë”

Regjisorja, Burbuqe Berisha dhe producenti, Agron Vula kanë fituar çmimin e mediave në festivalin ndërkombëtar të filmit, “Dea Open Air” me filmin, “Një tregim Prishtine” në Tiranë. Ndërsa, aktori që luan në film, Donat Qosja rrëmbeu çmimin e “Aktorit më të mirë”.

Filmi “Një tregim Prishtine” me regji nga Burbuqe Berisha, skenar nga Getoarbë Mulliqi Bojaj, dhe producent, Agron Vula është dramë familjare që flet për një familje të shtresës së mesme, e cila përballet me sëmundjen e vajzës së tyre; leukeminë akute dhe mënyrën se si ata i sigurojnë mjetet për shërimin e vajzës.

Krejt ky rrëfim përfundon me shërimin e vajzës por me shumë peripeci gjatë asaj kohe. Skenari ndjekë dy linja dramatike që janë drama familjare dhe drama korruptive. Në këtë film luajnë: Donat Qosja, Teuta Krasniqi, Artiola Hamdiju, Bislim Muçaj, Myrvete Kurtishi, Aurita Agushi, Ylber Bardhi, Armend Baloku, Lis Tafa, Luran Ahmeti dhe Edi Kastrati. Ndërsa, sonte ishte edhe nata e fundit e edicionit të gjashtë të festivalit ndërkombëtar të filmit, “Dea” që këtë herë u mbajt në qytetin e Tiranës./KultPlus.com