Sot bëhet shpallja e Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2021

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit do të organizojë ceremoninë e shpalljes së Çmimit “Lumo Skëndo” dhënë për librin më të mirë studimor/publicistik/eseistik për vitin 2021, një çmim ky në nderim të figurës së Mid’hat Frashërit dhe kontributit të tij në bibliofilinë dhe letrat shqipe.

Kandidatët për Çmimin “Lumo Skëndo”, pas një pune disa mujore të jurisë së kryesuar nga Uran Butka dhe me anëtarë Piro Misha, Dorian Koçi, Dhurata Shehri dhe Belina Budini, janë: Fatmir Toçi, “Arbëreshët”, Fatos Lubonja, “Jetë burgu”, Kujtim M. Shala, “Zbulimi i Zef Pllumit”, Lea Ypi, “Të lirë” dhe Rubens Shima, “Posteri shqiptar”.

Ceremonia do të mbahet ditën e sotme më 26 prill 2022, ora 18:00, në mjediset e Hotel PLAZA, Salla “Jeronim de Rada” Kati 23. / KultPlus.com

Me romanin “Pusulla të Verdha”, Vera Bekteshi fiton çmimin letrar “Kadare”

Mes 25 pjesëmarrësve, 5 finalistëve dhe tri herë renditjes së saj në top listën e këtij çmimi, Bekteshi sjell një libër të fortë dhe emancipues. Një rrëfim në vetë të parë, i gërshetuar me përjetime personale.

Ky libër u kushtohet personave me aftësi ndryshe dhe sfidave të tyre në një shoqëri ende skematike dhe përjashtuese për ndryshmin. / KultPlus.com

Nasi Lera shpallet fitues i çmimit letrar ‘Beqir Musliu’

Shkrimtari nga Shqipëria, Nasi Lera, është shpalluar sot fitues i çmimit letrar “Beqir Musliu”, të cilin e ndan kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për arritje të veçanta në letërsi, në bashkëpunim me klubin letrar të krijuesve gjilanas, ars klubin “Beqir Musliu”, përcjell KultPlus.

Fituesi është përzgjedhur nga juria e konkursit letrar “Beqir Musliu”, në përbërje: Ibrahim Kadriu, Emin Azemi dhe Sadete Tërnava.

Shkrimtari Ibrahim Kadriu, tha se juria vendosi t’i jap çmimin “Beqir Musliu” për këtë vit një një korçari që ka krijuar një reputacion letrar, duke punuar në vazhdimësi, një romansieri e përkthyesi të njohur.

“Edhe sivjet, siç e do tradita, kemi punuar në përzgjedhjen e një autori i cili do ta meritonte këtë çmim në nivel të Beqir Musliut, sepse nuk do të duhej të shkohej më poshtë me emra. Nga lista e propozuar prej tetë shkrimtarëve të Kosovës deh Shqipërisë dhe juria vendosi që çmimin t’ia jap Nasi Lerës, një korçar që ka krijuar një reputacion letrar duke punuar në vazhdimësi. Romansier e përkthyer i njohur. Kur ia sublimuam këto vlera, vendosëm në mënyrë unanime”, ka thënë Kadriu.

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se përveç respektit e nderit që i bëhet krijimtarisë së Beqir Musliu, Gjilani tash e pesëmbëdhjetë vjet ndan edhe një çmim letrar në emër të kolosit të letrave shqipe.

“Përveç respektit e nderit që ne e bëjmë për krejt krijimtarinë e pasurinë që ka lënë Beqir Musliu prapa vetit, kjo ditë shënon edhe ndarjen e çmimit me emrin e tij. Nder i veçantë që këtë juri e ka udhëhequr Ibrahim Kadriu, bashkë me Emin Azemin e Sadete Tërnavën, të cilët në mënyrë unanime kanë ardhur në përfundim që ky çmim i madh letrar sivjet i takon shkritmarit të madh nga Shqipëria, Nasi Lera. Urime!”, ka thënë Haziri.

Ideator i çmimit letrar “Beqir Musliu” është Ars Clubi “Beqir Musliu” nga Gjilani dhe ndahet për herë të pesëmbëshjetë nga Komuna e Gjilanit.

Deri më tash, me këtë Çmim letrar janë nderuar: Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi, Edi Shukriu dhe Agim Gjakova.

Paraprakisht, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri dhe bashkëpunëtorët, kanë bërë homazhe tek varri i kolosit të letrave shqipe, Beqir Musliu, në 76 vjetorin e lindjes. / KultPlus.com