Në GKK mbahet “Çmimi Muslim Mulliqi”, fitues shpallet piktori Driton Hajredini

Era Berisha

Muret e shumta dyngjyrëshe të Galerisë Kombëtare të Kosovës kanë përthekuar një numër të konsiderueshëm të pikturave të cilat ishin të vendosura në një mënyrë tejet të veçantë, asisoj që të shënohet suksesshëm edicioni i 14-të i Bienales Ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi”. Nga cepi në cep, u vë dukshëm në syrin e audiencës, që pikturat i përkasin një niveli krejtësisht ndryshe nga e zakonshmja. Gjendjet e ndryshme, atmosfera lirshëm e interpretuar dhe teknika të llojllojshme, ishin disa nga elementet që këtë ekspozitë e bënin të admirohej nga gjithsecili, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës, kuratorja Alisa Gojani e mori fjalën fillimisht për të falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen dhe tutje ajo shprehi kënaqësinë e saj për punën e palodhshme të stafit.

Tutje, një nga kuratorët e ekspozitës, Raimund Stecker, tregoi konceptin e kësaj ekspozite si dhe falënderoi ekipin e GKK-së për punën.

“Përshëndetje të gjithëve. Kërkoj falje që nuk e flas gjuhën tuaj të bukur. Do të doja shumë që ta flisja por fatkeqësisht flas pak anglisht dhe ndonjëherë edhe gjermanisht. Ju falënderoj fillimisht për ftesën. Dua të them vetëm disa fjalë. Ideja e shfaqjes ka qenë sjellja e artistëve nga jashtë në Prishtinë, asisoj që artistët të takohen së bashku. Ajo se çka bëmë ne është të njohim të gjithë popujt nga të cilët vinë këta artistë që janë këtu sonte. Ajo se çka politikanët nuk e kuptojnë është se individët po punojnë gjithmonë bashkë, shumë mirë, pa kufij mes tyre. Dua të ju falënderoj për punën e juaj dhe dua të falënderoj ekipin e Galerisë. Shpresoj që kjo Galeri të zgjerohet akoma më shumë”, thotë Stecker.

Në këtë përbërje të jurisë qenë: Ivana Vaseva, Ardian Isufi dhe Raino Isto. Sonte, fjalën e mori profesori në Universitetin e Arteve të Tiranës, Ardian Isufi.

“Së pari ju falënderojmë shumë për ftesën. Së dyti doja të thosha që kjo nuk është thjesht një ekspozitë, por është një ndërhyrje artistike alternative me një frymë goxha bashkëkohore. Më vjen mirë që edhe Prishtina ashtu si vendet tona shqipfolëse, ka gjithë kohës një lloj dëshire që shqiptarët në tërësi të jemi pjesë e rëndësishme e sistemit të artit bashkëkohor, andaj në këtë kontekst dua të uroj edhe kuratorin por edhe Galerinë e stafin. Ne së bashku patëm një diskutim shumë konstruktiv për të përzgjedhur më të mirin ndër më të mirët. Në mënyrë unanime ramë në një konkluzion të përbashkët dhe vendimi ynë nuk do të thotë që është një mendim i cili i shkon vetëm çmimit, por thjesht jep një avantazh artistit apo krijimtarisë së artistit. Në këtë kontekst, së bashku menduam që vepra e Driton Hajredinit të jetë vepra fituese”, shpalos ai.

Ai tutje shpjegoi arsyen për zgjedhjen e veprës së piktorit Driton Hajredini, si fituese të këtij edicioni.

“Absolucion – dialog në errësirë, pasqyron në mënyrë më koncize raportin ndërmjet konteksteve politike, kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe domosdoshmërinë e lirisë së lëvizjes nëpër këto kontekste. Ajo merr formën e një rrëfimi duke i dhënë një zë, një eksperience specifike personale të të qenurit i bllokuar brenda kufijve kombëtare, ndërsa njëkohësisht shpreh një dëshirë universale për të dëshpëruar, për t’u shpëtuar, për t’u shfajësuar.”

“E kemi lënë shumë të hapur tekstin, sepse edhe vepra është shumë e hapur sepse ka shumë kontekste dhe nëntekste. Gjithashtu, është një vepër që frymëzon një reflektim të thellë mbi politikën globale dhe mënyrën se si rrjetet e pushtetit kufizojnë jetën dhe shpirtrat e njerëzve”, përfundon Isufi.

Ndërsa, hulumtuesja dhe kuratorja, Ivana Vaseva fjalimin e njëjtë të profesorit Isufi, e realizoi edhe në gjuhën angleze.

Para se edhe fituesi të merrte fjalën, atij iu dhurua çmimi “Çmimi Muslim Mulliqi”. Piktori Driton Hajredini, i emocionuar, tregoi se kjo ishte hera e dhjetë që ai po konkurronte në këtë bienale.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit që ishin në një numër tejet të madh, po hynin brenda dalëngadalë. Në drejtim të katit përdhese apo të dytë, sytë e publikut po akumulonin energjinë e paparë që pikturat, instalacionet, video-instalacionet dhe veprat e tjera portretizonin. Ajo se çka vlen të theksohet qe edhe koncepti kuratorial i jashtëzakonshëm nga Christian Mosar dhe Raimund Stecker, që i dha Galerisë një pamje të rrallë, të pakrahasueshme.

Me dimensione të ndryshme, me tema e motive tejet kontraste ndërmjet vete, me teknika diversive dhe me një komunikim unik, veprat hijeshonin shpirtrat e pranishëm. Njashtu si titulli kuratorial “Gjest respekti, re-tro-spektivë, ri-shikimi, ri-kthimi, re-spekti, ri-spekulimi, re-spektakular”, ekspozita shpalosi bërthamën e mesazhit që “piktura ka të ardhmen më të madhe”. Nëpërmjet retrospektivës, audienca u vë ballë me këto pamje që asnjëherë nuk do t’i harrojnë. Qëllimi që kjo bienale të jetë e qëndrueshme historikisht në të ardhmen, padyshim që është arritur.

Kujtojmë që artistët pjesëmarrës qenë: Bianca Baierl, Artan Balaj, Heinz Baumüller. Ralf Fritz Berger, Ben Greber & Bram Kuypers, Jojo Gronostay, Clegg & Guttmann, Avdi Hajdari, Driton Hajredini, Bardh-I (rafet) Jonuzi-T, Majlinda Kelmendi, Filip Markiewicz, Faton Mazreku, Agron Mulliqi, Pasha Rafiy, Yvonne Roeb, Titus Schade, Eric Schumacher, Junior Toscanelli, Gan Erdene Tsend, Laureta Vogliqi, Kristin Wenzel, QazimXhylani, Alket Zeqiri, dhe Lulzim Zeqiri.

Ndërkaq, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt 2023. / KultPlus.com

GKK mban sot edicionin e 14-të ekspozitës  ‘Muslim Mulliqi’

Galeria Kombëtare e Kosovës organizon edicionin e 14 të ekspozitës ndërkombëtare Çmimi “Muslim Mulliqi” 2022, me koncept kuratorial nga Christian Mosar dhe Raimund Stecker, përcjell KultPlus.

Artistët pjesëmarrës janë: Bianca Baierl, Artan Balaj, Heinz Baumüller. Ralf Fritz Berger, Ben Greber & Bram Kuypers, Jojo Gronostay, Clegg & Guttmann, Avdi Hajdari, Driton Hajredini, Bardh-I (rafet) Jonuzi-T, Majlinda Kelmendi, Filip Markiewicz, Faton Mazreku, Agron Mulliqi, Pasha Rafiy, Yvonne Roeb, Titus Schade, Eric Schumacher, Junior Toscanelli, Gan Erdene Tsend, Laureta Vogliqi, Kristin Wenzel, QazimXhylani, Alket Zeqiri, dhe Lulzim Zeqiri.

Artisti/ja fitues/e i Çmimit “Muslim Mulliqi” do të përzgjidhet në hapje të ekspozitës më 01 shkurt, në oren 19.00.

Ndërkaq, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 shkurt 2023.

Klikoni KËTU për të lexuar njoftimin e plotë./ KultPlus.com

Së shpejti ekspozita ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi 2022”, të mërkurën GKK mban konferencë për media

Galeria Kombëtare e Kosovës organizon konferencë për media për edicionin e katërmbëdhjetë të Ekspozitës Ndërkombëtare “Çmimi Muslim Mulliqi” 2022, me datë 24.08.22 në ora 12:00, përcjell KultPlus.

Me këtë rast prezantojnë kuratorët Christian Mosar (Luksemburg) dhe Raimund Stecker (Dusseldorf) të cilët do ta shpalosin edhe konceptin kuratorial po ashtu edhe prurjet e autorëve eminent që do të ftohen nga arena ndërkombëtare.

GJEST RESPEKTI

RE-TRO-SPEKTIVE

RI-SHIKIMI

RI-KTHIMI

RE-SPEKTI

RI-SPEKULIMI

RE-SPEKTAKULAR

“ars longa – vita brevis” konsiderohej si e tejkaluar.

Vini re kohën e foljes!

Ka tradita në art – Rishikime dhe Retrospektiva.

Respekti për tradicionalen i është mveshur artit si një lloj gjesti mirësjelljeje.

Pa revokim, lufta midis dy shteteve evropiane na riktheu të përçarë

• nga mospaqja e përtërirë në Evropë,

• nëpërmjet mosnjohjes së pretendimeve për autonomi sovrane nga individë në kontekste kombëtare, e cila nxitet nga interesat shtetërore,

• nga rivendosja e dukshme e një “perde të hekurt” që u zhvendos vetëm në perëndim

mbi të gjitha:

• duke shpërfillur utopinë e Euroazisë së Josef Beuys, e cila historikisht dhe etnikisht pohoi lidhjet midis Uelen në ngushticën e Beringut në detin Chukchi dhe Dingle në Perëndimin irlandez, i cili është afër Shteteve të Bashkuara, ku kufijtë kombëtarë ndajnë ngjashmëritë kulturore dhe sistemet e artit te nivelit ndërnacional.

Jo, çorientimi post-modern I iniciuar si një rrugëdalje nga qorrsokaqet e një manie menaxheriale të ideologjizuar dhe moderne, ka humbur simpatinë e saj – dhe premtimin për të ardhmen. Katarsis nuk ndoqi kaosin e dëshiruar, vetëm dekadencën.

Ofensiva e mediave dixhitale në biznesin e artit të dominuar nga Perëndimi, i përqendruar tek vetja, rezulton të jetë një fata morganë kalimtare. Ai është i dematerializuar pas horizontit të artit dhe jetës, tashmë teknikisht duke u zhdukur kur energjia elektrike nuk del më nga priza ose furnizimi me energji nuk garantohet më as nga kartelet e lëndëve të para dhe as nga kontrollorët e disponueshëm të rrjetit. Mbi të gjitha, ai avullon shpirtërisht, sepse impulset e tij të kujtesës dërgohen pa kohë vetëm në një masë të kufizuar për shkak të “ruajtjes” së paqëndrueshme: vita longa – ars brevis!

Në këtë mënyrë, vlerat jomateriale të komunikuara globalisht ekspozohen si besime të pastra, si ideologji të mbështetura nga të pasurit sektarë – si spekulime. Nëse ato as nuk kundërshtohen nga veprat e krijuara ose nuk ringjallen vazhdimisht nga besimet e praktikuara rreptësisht të shumë më tepër sesa vetëm disa (oligarkëve ose koleksionistëve të mëdhenj, spektakolari shfaqet për atë që është: si vetëm ri-spekulim vetë-përjetësues.

A mund të japë arti përgjigje për pozicionime të tilla bashkëkohore?

Mezi!

Por, arti mund të qëndrojë në këmbët e veta tradicionale dhe kështu nga njëra anë nuk mbetet më një dekorim afirmativ për gabimet – dhe nga ana tjetër përpiqet sërish të tregojë produktivisht orientime për kërkuesit.

VETËMjaftueshmëria

Artistët që i besojnë dizajnit, vizatimit, shprehjes së ideve të tyre që është kuptuar si parësia e artit që nga Rilindja, janë pothuajse autonome. Pranë tyre qëndrojne piktorët dhe skulptorët. Të pa tjetërsuar, ata respektojnë prodhimin e “simptomatikës” (Vilém Flusser) si një teknikë qendrore.

Bazuar në vizatimet e shpellës, kjo simptomatikë është përgjegjëse për një traditë pothuajse rezistente ndaj katastrofave në mbijetesën e produkteve mediatike të krijuara nga imazhi. “E dini,” u përgjigj Richard Hamilton ndërsa ishte ulur në ekran gjatë një vizite në studion e tij pranë Oksfordit, kur e pyetën pse ai ishte ende duke pikturuar ndërsa qëndronte pranë kavaletit:

“E dini, piktura ka historinë më të madhe, piktura ka të ardhmen më të madhe!”

Siç tregon kjo deklaratë, natyrisht, fjala ka luajtur gjithashtu një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në art, pasi vetë kuptimi është kondensuar jashtë artit. Fjala – manifeste, teori artistësh, metatekste… – është vënë në skenë në mënyrë apodikale që nga iluminizmi (pasi artistët u çliruan nga punësimi klerik ose oborrtar dhe u përballën me konkurrencën liberale, si të thuash) – dhe ndonjëherë edhe në një mënyrë bashkëkohore si një ide e realizuar.

Kur bashkëkurojnë ekspozitën e çmimit ‘Musli Mulliqi’, Christian Mosar dhe Raimund Stecker duan të ndjekin këtë kredo të “Piktura ka të ardhmen më të madhe” – dhe ta bëjnë këtë në mënyrë reaguese d.m.th në retrospektivë, si kujtesë, përkatësisht me largpamësi!

Pra, Bienalja dëshiron të jetë e qëndrueshme historikisht në të ardhmen.

Kurator nga:

Christian Mosar (Luksemburg)

Raimund Stecker (Dusseldorf) / KultPlus.com

Xhevdet Xhafa, laureat i çmimit për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nesër do të organizojë ceremoninë e ndarjes së çmimeve në fushën e arteve pamore “Muslim Mulliqi”. Ky çmim ndahet për herë të parë nga MKRS, shkruan KultPlus.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore i ndahet Muslim Mulliqit – post mortem. Po ashtu, Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” i ndahet Akademik Xhevdet Xhafës. Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor i ndahet Fatmir Krypës.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet nesër në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, duke filluar nga ora 10:00./ KultPlus.com

Iara Boubnova, kuratorja e edicionit të 12-të të Çmimit Muslim Mulliqi

GKK prezanton kuratoren e çmimit Muslim Mulliqi të edicionit të 12-të, Iara Boubnova.

Iara Boubnova, është kuratore e artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Sofja. Ajo u lind në Moskë, Rusi, ku edhe diplomoi në Departamentin e Historisë dhe Teorisë së Artit në Universitetin Shtetëror të Rusisë.

Që nga viti 1985 ajo punon në Galerinë Kombëtare për Art të Huaj në Sofje si Kuratore në Departamentin e Artit të Evropës Lindore. Në vjeshtën e vitit 2013 Ministri i Kulturës e emëroi Drejtoreshë të Galerisë Kombëtare për Art të Huaj, në Sofje, Bullgari. Që nga janari 2015 ajo u bë Zëvendës Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të themeluar së voni dhe është përgjegjëse për koleksionin ndërkombëtar të Galerisë.

Që nga viti 1995 Iara Boubnova është Drejtoreshë Themeluese e Institutit të Artit Bashkëkohor – Sofje. Në mes të viteve 2003 dhe 2006, ajo ishte Udhëheqëse e Projektit të Seminarit Vizual Multidisiplinar që i dedikohej mjedisit urban të neo-kapitalizmit. Në vitin 2017 së bashku me kolegët e saj nga ICA- Sofje, ajo e themeloi dhe e udhëhoqi programin arsimor të studimeve të avancuara “Takime të Afërta – Dialogjet Vizuale Shkolla për artistë” (“Close Encounters – Visual Dialogues School4artist”).

Së shpejti do të dal konkursi për aplikantët./ KultPlus.com