Plot 22 vjet më parë, Dr. Ferid Muradi pranoi Çmimin “Nobel” për Mjekësi, në një ceremoni të bukur, ku tregoi edhe për prejardhjen e tij shqiptare. Po ju sjellim sot historinë e jetës së tij të zbuluar në librin “Shqiptarët e Amerikës”, të autorit Vehbi Bajrami, botues i gazetës “Illyria”, në Nju Jork.
Nga Vehbi Bajrami
Kombi shqiptar përherë ka nxjerrë njerëz të shquar që ia kanë rritur krenarinë dhe e kanë radhitur përkrah kombeve të mëdhenj me njerëz të shquar. Njëri ndër shqiptarët me emër është pa dyshim edhe Ferid Muradi, fituesi i Çmimit Nobel në Mjekësi, më 1998. Ai përbën gjithashtu një nga figurat më të spikatura në radhët e shqiptaro – amerikanëve, shkencëtari që ka arritur të fitojë mirënjohjen më të madhe në botën akademike amerikane.
Ndoshta është rastësi por, një mik i nderuar i shqiptarëve, senatori Bob Dole, do të reklamonte në televizionin amerikan produktin mjekësor të bazuar në zbulimin e tij, një koincidencë kuptimplotë.
Babai i nobelistit, Xhabir Murad Ejupi, emigroi nga Gostivari, në moshë të re, kur ishte 18 vjeç nga nevoja për të ndihmuar familjen e madhe, e cila u ndodh ngushtë pas vdekjes së nënës, që e la atë jetim në moshën 12 vjeç. Të ardhurat nga shitja e ëmbëlsirave nuk mjaftonin për të siguruar jetesën. Vështirësitë ekonomike dhe mungesa e punës e detyruan djaloshin nga Gostivari të merrte rrugët e Evropës së turbulluar nga valët e Luftës së Parë Botërore, e cila sapo kishte filluar. Xhabirit iu dha mundësia që në vitin 1914 të marrë një anije dhe, nëpërmjet Ellis Island-it të fillojë jetën e re në Amerikë. Pas peripecive të para në New York, ai kursen para për udhëtimin në Ohio, ku punon në një uzinë të shkrirjes së çelikut. Shkëputet për një kohë në Detroit dhe më pas në Chicago, ku u vendos përfundimisht së bashku me gruan e tij, Henrietta Josephine Bowman. Jetonin me të ardhurat e fituara nga një restorant i tij në veri të Indiana-s dhe më pas në Chicago. E gjithë familja, përfshirë nobelistin e ardhshëm dhe vëllezërit e tij, Abdurrahmanin dhe Turhanin, duhej të punonin për të siguruar jetesën dhe mundësisht të mbështesnin edhe të afërmit e lënë në vendlindje.
Ferid Muradi lindi më 4 shtator 1936, në Whiting, Indiana.
Pas mësimeve në shkollë, Feridi i vogël duhej të lante pjatat dhe të ndihmonte në kuzhinë ose t’u shërbente klientëve. Ndërkohë, pas punës, edhe pse i lodhur në orët e vona, i duhej të përgatiste mësimet për të nesërmen. Ky regjim i ashpër ditor, që në fëmijërinë e hershme kaliti tek ai vullnetin, kultivoi respektin e thellë për punën dhe pasionin e rrallë për dijen.
Sipas Ferid Muradit, i ati e kishte ndjerë gjithmonë mungesën e shkollimit. Për këtë arsye i shtyu fëmijët e tij që të edukoheshin sa më mirë por njëkohësisht, që të ndihmonin edhe familjen. Të njëjtën nxitje, Feridi dhe vëllezërit e tij e merrnin edhe nga e ëma, e cila kishte pasur një fëmijëri disi të ngjashme me të shoqin, ndonëse ajo vetë rridhte prej një familje baptiste, nga Alton e Illinois-it. Të parët e familjes, nga ana e nënës, ishin vendosur në Shtetet e Bashkuara rreth viteve 1700, ndërsa vetë ajo largohet nga shtëpia në moshën 17 vjeç për t’u martuar me Xhabir Muradin, i cili në atë kohë ishte 39 vjeç.
Në disa intervista e biseda publike, apo edhe me autorin e këtij shkrimi, dr. Muradi shpreh pasionin e tij të hershëm për t’u bërë mjek. Që në moshë ende të njomë, rreth 12 vjeç, siç tregon ai, e parandjente se do t’i përkushtohej mjekësisë.
“Unë e dija që atëherë se do të bëhesha mjek”, thotë nobelisti ynë.
I shtyrë nga dëshira për të ndërtuar një të ardhme sa më të sigurt, larg halleve të përditshme që po përjetonte familja e tij, por i nxitur edhe nga një ndjenjë ende jo shumë e qartë humanizmi njerëzor, ai i përkushtohet me të gjitha energjitë realizimit të ëndrrës së kahershme.
“Nuk mund ta përcaktoj qartë se çfarë më motivoi të zgjidhja këtë profesion. Por, kur isha në shkollë, më pëlqenin veçanërisht matematika dhe lëndët shkencore”, më tha ai gjatë një interviste.
Duke zgjeruar vazhdimisht dijet e tij në mjekësi, Feridi bindet se, jo vetëm i kishte mundësitë për t’u bërë një mjek i zoti, por edhe një kërkues shkencor i kompletuar. Një nga pedagogët e tij, Earl Sutherland, edhe ai nobelist në mjekësi, e nxit dhe mbështet studentin me origjinë shqiptare në rrugën e kërkimeve shkencore.
– Puna në laborator, – tregon ai, – është e vështirë, metikuloze. – Zbulimet shkencore vijnë vetëm pas një pune të gjatë e këmbëngulëse, ndonëse, nganjëherë, rezultati i zbulimit të kërkimit mund të jetë i rastësishëm, ashtu siç ndodhi me viagran.
Jo se zbulimi i viagras nga ai ishte i rastësishëm. Ai erdhi si pasojë e efekteve që u zbuluan tek pacientët e ndryshëm që vuanin nga zemra, pas aplikimit tek ata të një medikamenti të zbuluar nga ai. Sot industria farmaceutike amerikane siguron qindra milionë dollarë në vit nga shitja e viagras, pa llogaritur ilaçet e tjera të bazuara në oksidin nitrik, që përdoren nga të sëmurët që vuajnë nga zemra.
E përshkruar shkurt, jeta shkencore e Muradit në laborator filloi që në vitet e kolegjit. Ai gjithmonë ishte i pari i klasës. Ende sot ai vazhdon të studiojë e eksperimentojë me të njëjtin intensitet si 30 vite më parë. Si praktikant, Muradi me një grup kolegësh u përpoqën të zbulonin se si funksiononin dhe çfarë efektesh kishin ato që në mjekësinë laboratorike quhen sinjalizuesit molekularë dhe sistemet e transaksionit të sinjaleve. Duke eksperimentuar për të identifikuar se si ndikonin ilaçet mbi hormonet dhe si reagonin këto të fundit ndaj tyre, Muradi dhe kolegët e tij, krejt rastësisht, gjetën që komponentë të tillë si nitroglicerina dhe ilaçe të tjera që përdoren për kurime kardiovaskulare të enëve të gjakut rrisin ndjeshëm hormonin e molekulës së quajtur “Cyclo GMP”. Ndonëse nitroglicerina ishte përdorur për më se një shekull për kurim, askush deri në kryerjen e këtij eksperimenti nuk kishte mundur të identifikonte mekanizmin e funksionimit të molekulës së saj në trupin e njeriut.
Edhe pse efekti i nitroglicerinës në relaksimin e muskujve ka qenë i njohur për njerëzit, efekti i saj në zgjerimin e enëve të gjakut vetëm sa hamendësohej. Por, në laborator përmes eksperimentimeve të ilaçit, u zbulua se ajo shëronte edhe impotencën mashkullore. Në vitet e para të botimit të rezultateve të kërkimeve të grupit të Muradit dhe kolegëve të tij, interesi nga qarqet shkencore ishte ende i pakët. Me kalimin e viteve, skepticizmi i la vendin prakticitetit deri në atë shkallë, sa sot, nuk ka revistë shkencore amerikane që të mos botojë në numrat e saj, të paktën një shkrim që ka të bëjë, qoftë edhe indirekt, me zbulimin e Muradit dhe kolegëve të tij, për oksidin nitrik.
Gjatë pushimeve verore të shkollës, më 1957, Muradi takohet në Fort Lauderdale të Floridas, me Carol Ann Leopold, me të cilën fejohet në prag të Krishtlindjeve të atij viti dhe martohet në verën e 1958-ës. Sot ata kanë pesë fëmijë.
Pas drejtimit të disa katedrave dhe laboratorëve kërkimore në universitetet më prestigjioze të Amerikës, sot Ferid Muradi drejton Departamentin e Biologjisë dhe Farmakologjisë Integruese në Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Texas-it, në Houston. Louis Ingarro, shoku i tij i shkollës, koleg në laborator dhe bashkëfitues i çmimit Nobel në Mjekësi për vitin 1998, është profesor në Universitetin e California-s në Los Angeles. Kolegu tjetër, i cili gjithashtu ndan nderin me Muradin dhe Ingarro-n, është Robert F. Furchgott, profesor i farmaceutikës në Univesitetin e Shtetit të Neë York-ut dhe punon në qendrën shëndetësore të këtij institucioni.
Dr. Muradi është modest. Ai nuk lë rast pa theksuar se burimi i çdo suksesi janë studimi dhe puna këmbëngulëse.
– Ka shumë faktorë që ndihmojnë për të arritur sukses, – thotë ai. – Ato përfshijnë këmbënguljen, punën e vazhdueshme, shkollimin e mirë, shmangien e trazirave, si dhe kolegë të mirë e të zotë, dhe në fund, pak fat.
Duke folur për momentin kur u njoftua se kishte fituar çmimin Nobel, dr. Muradi tregon:
– Isha shumë i entuziazmuar kur fitova Çmimin Nobel dhe kur pashë se kërkimet e mia shkencore u bënë kaq të rëndësishme për mjekësinë. Ishte një nder dhe kënaqësi tek shihja që kërkimet e mia u vlerësuan për rëndësinë e tyre dhe përdoren për kurimin e shumë sëmundjeve.
– Vazhdoj të punoj në të njëjtën sferë të përgjithshme kërkimi, me ciklin e GMP-së dhe oksidin nitrik. Ndonëse ka rreth 50,000 botime, që nga zbulimi ynë më 1977, duhet akoma shumë punë për të krijuar terapi të reja të rëndësishme për shumë sëmundje tjera, – thotë nobelisti ynë.
Ndonëse vetë ka lindur në Amerikë dhe shqip flet vetëm pak fjalë, Ferid Muradi është i pranishëm në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe ka marrë pjesë edhe në festa të tilla si dita e flamurit shqiptar më 28 Nëntor. Gjatë një festimi të tillë, në restorantin e famshëm të Anthony Athanasit, në Boston, në vitin 2001, ai u foli me pasion të pranishmëve dhe theksoi se rruga e suksesit në Amerikë kalon nëpërmjet shkollës, punës së përkushtuar dhe ruajtjes së familjes. Si shembull ai solli jetën e tij: nga një fëmijë që duhej të lante pjata në restorantin e familjes, deri në kurorëzimin e punës me çmimin ndërkombëtar më të lakmuar nga të gjithë shkencëtarët e botës. Kjo rrugë është një vijim i pandërprerë përkushtimi ndaj shkollës, i një karakteri të fortë, bazuar në një familje të moralshme dhe këmbëngulje të pafundme në fushën e kërkimeve.
Ai thotë se mban lidhje me disa të afërm në Gostivar dhe gjetkë dhe shton se është mahnitur nga bukuria natyrore e Shqipërisë dhe trojeve të tjera shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë, të cilat i ka vizituar tri herë gjatë viteve të fundit. Por, shton i brengosur, Shqipëria është ende një vend i varfër që i mungon infrastruktura moderne.
– Universitetet, spitalet, rrugët etj., kërkojnë investime të mëdha dhe përmirësime të thella. Krimi dhe korrupsioni po e dëmtojnë rëndë ekonominë shqiptare dhe turizmin e një vendi kaq të bukur, – thotë me dhimbje dr. Muradi.
Duke shprehur brengosjen për situatën e shqiptarëve në Maqedoni dhe vuajtjet që kanë kaluar disa vite më parë shqiptarët e Kosovës, nobelisti shqiptar përcjell krenarinë që është i një gjaku me atë popull vital:
– Gjatë udhëtimeve të mia në këto vende jam kënaqur duke parë shpirtin dhe optimizmin e një populli në kërkim të përmirësimit të jetës së tij. Uroj që shqiptarët të kenë durim, sepse situata do të përmirësohet pasi bota tani është më e ndërgjegjshme për historinë dhe padyshim që do të ndihmojë në plotësimin e nevojave të tyre.
Midis gjërave të reja, të panjohura për lexuesin shqiptar, janë fotografitë që botohen për herë të parë, të cilat nobelsiti ynë, edhe pse aq shumë i zënë me punë, gjeti kohë t’ia dërgojë autorit të këtij shkrimi.
Dr. Ferid Muradi, i dyti nobelist shqiptar pas Nënë Terezes, me këtë çmim të lartë që ka fituar e me zbulimet e tij në shërbim të njerëzimit na nderon sot të gjithëve ne. Shqiptarët edhe pse janë të ndarë e të copëtuar në disa shtete, mbeten krenarë për personalitetet e shquara të tyre. Kombi i Nënë Terezës, Ferid Muradit e Ismail Kadaresë, është ballëlartë që ka nxjerrë figura të tilla që e ngrenë atë në lartësinë e kombeve të mëdhenj. / KultPlus.com