Kompozitori Rafet Rudi nderohet me Çmimin për Vepër Jetësore “Niketë Dardani”

Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, sot është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve tjera vjetore për muzikë, shkruan KultPlus.

Ministri Çeku fillimisht falënderoi të gjithë laureatët e çmimeve në muzikë duke u shprehur që kjo është më e pakta që mund të bëjnë për këta artistë.

“Si ministri po e kryejmë një obligim ndaj punës suaj dhe kjo është më e pakta që mund të bëjmë sepse ju meritoni shumë më shumë. Para 30 minutave i kam nënshkruar çmimet. Përgjegjësia për të vlerësuar punën artistike është shumë e madhe”, tha Çeku.

Anëtarët e jurisë për ndarjen e çmimeve vjetore për muzikë ishin: kompozitori nga Franca, Stephane de Gerando, kompozitori nga Kosova, Kushtrim Gashi dhe kompozitori nga Kosova, Ardian Halimi.

Tutje në emër të jurisë, Sami Pirraj zyrtar i muzikës në Ministri ka komunikuar rezultatet e konkursit për muzikë për vitin 2020.

Çmimi për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” u nda për kompozitorin e dirigjentin Rafet Rudi.

“Çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani” i jepet kompozitorit Rafet Rudi që është kontribuues i jetës muzikore mbi gjysmë shekulli në nivele kombëtare e ndërkombëtare me shumë vepra cilësore. Veprimtaria e profesor Rudit është e larmishme me shtrirje të gjerë të veprave të begatshme”, thotë Pirraj.

Çmimi për Vepër Orkestrale Simfonike dhe Koncertante shkoi për kompozitorin Kreshnik Aliçkaj për veprën ‘Simfonia nr.4’.

Çmimi për Vepër Kamertale u nda për Ersan Januzin me veprën “Attempt” për orkestër harqesh dhe për Hajrulla Sylën me veprën “Udhëtimi në mjegull” për orkestër harkore.

Çmimi për kategorinë Vepër Solistike, shkoi për veprën “Flas me heshtjen” për soprano dhe piano të kompozitorit e dirigjentit Memli Kelmendi.

Kompozitori Rafet Rudi pas marrjes së çmimit u shpreh falënderues për këtë vlerësim.

“Do falënderoja ministrinë e kulturës për këtë iniciativë që ka filluar 10-15 vite më parë dhe që konsiderohet një rëndësi për krijimtari që shumë vështirë gjendet në vendin tonë. Pozita e kompozitorit është një çështje që diskutohet gjithmonë në shoqëri dhe e di se në fazat e ndryshme çfarë pozite ka pasur kompozitori. E çmoj këtë konkurs si shumë të rëndësishëm për jetesën dhe mbijetesën e krijimtarisë sonë”, tha ndër të tjera Rudi. / KultPlus.com

Regjisori Ekrem Kryeziu merr çmimin për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”

Në kabinetin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshit, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve për Kinematografi, ku veç tjerash u premtua edhe mbështetje nga ana e MKRS-së për filmin, shkruan KultPlus.

Juria profesionale ka vendos që për kontributin e tyre në kinematografi, çmimi për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu” t’i ndahet dramaturgut dhe regjisorit Ekrem Kryeziu, ndërsa çmimi vjetor për Kinematografi, regjisorit Samir Karahoda.

Juria ishte e përbërë nga Arbnesha Grabovci-Nixhës, Burbuqe Berisha, Kimete Berisha, Agron Vula dhe Blerta Basholli. Kryetarja e Jurisë, Arbnesha Grabovci-Nixha foli në emër të jurisë për arsyet e marrjes së një vendimi të tillë. Ajo u shpreh se ndarja e këtyre çmimeve përben një gërshetim të shkëlqyeshëm mes Kryeziut dhe Karahodës, si dy gjenerata që kanë kontribuar për filmin shqiptar. Ajo teksa e vlerësoj Kryeziun si “Heminguej i Kosovës”, vazhdoj: “Isha kthyer shumë kohë më parë, që në kohën e teatrit të Pejës, dërrasat e Pejës kur për herë të parë doli një djalosh i pashëm ku e rrëmbeu zemrën e publikut pejanë”.

Ndërkaq për kolegun tjetër, regjisorin Samir Karahoda ajo u shpreh se “na zbardhi fytyrën” në qarqe ndërkombëtare kinematografike, duke kujtuar konkurrencën e parë të Kosovës në Festivalin e Berlinales nëpërmjet filmit “Në mes”.

“Ka bërë studimet e tij në Stamboll, Turqi dhe gjithë atë njohuri e ka sjellur dhe elaboruar me projektet tona ku në vazhdimësi ka qenë si në cilësinë e skenaristit, regjisorit, drejtor fotografie e kameramanit”, theksoj kryetarja e Jurisë për Karahodën.

Më pas ministrja Dumoshi nën prezencën e anëtarëve të jurisë ndau çmimet për Ekrem Kryeziun dhe Samir Karahodën. Lulet të cilat iu bënë dhuratë nga Dumoshi, Kryeziu vendosi t’ia jap bashkëshortes së tij, duke thënë se pas çdo njeriu të suksesshëm qëndron një grua.

Kryeziu në fjalimin e tij theksoj se të qenurit regjisor është një punë e vështirë, mirëpo që bashkëpunëtorët e kanë lehtësuar këtë rrugëtim. Duke i falënderuar ata, ai e vlerësoj veten se është një pikë në kuadër të atij deti.

“Për mua është një kënaqësi e madhe sepse për herë të parë në Kosovë e kam marr një çmim, dhe pikërisht për këtë e çmoj shumë më tepër se është çmimi më i mirë prej të gjitha çmimeve që i kam marr deri tash sepse e kam marr nga njeriu jonë”, u shpreh fituesi i çmimeve ndërkombëtare e vendore të kinematografisë.

Pikërisht gërshetimi i gjeneratave bëri që ndarja e çmimeve të bëhej për dy profesionistë të filmit. Profesori Kryeziu iu drejtua Karahodës duke i uruar sukses për emrin e tij dhe të Kosovës.

“Të tregosh se edhe këtu ka art, se arti është në ato botëra, në atë kokërr qiell të ndrydhun, vetëm prej ndrydhjes del arti”.

Fituesi i çmimit vjetor për kinematografi, Samir Karahoda nga të gjitha çmimet që ka marrë dhe nga prezenca e tij në 60 shtete të botës, veçoj këtë që e morri nga institucionet e vendit të tij.

“Sidomos kur vie nga institucionet shtetërore është një vlerë tjetër, që vlerësohet puna që e kemi bërë dhe njëkohësisht është një motivim për projektet tona të ardhshme”, u shpreh Karahoda.

Tutje, ai shpalosi punët e ardhshme filmike, ndër të cilat e cilësoj si të suksesshme një projekt në ardhje, i cili është blerë nga një televizion me renome botërore ende pa u përfunduar i tëri. / KultPlus.com

Myrvete Kurtishi merr Çmimin për Vepër Jetësore (FOTO)

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit sot në Ditën Botërore për Teatër ka ndarë çmimet vjetore për teatër, shkruan KultPlus.

Çmimi për vepër jetësore iu nda aktores Myrvete Kurtishi, ndërsa Çmimi për shfaqjen më të mirë Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Armiku i Popullit” të Fatos Berishës. Çmimi për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi tha se këto çmime janë ndarë nga një juri shumë profesionale për të shpërblyer artistët që kanë kontribuar në aktivitetet e teatrit.
“Ministria e Kulturës dhe unë si ministër do të jemi vazhdimisht në përkrahjen e juaj në vazhdimësi edhe përmes ndarjes se çmimeve vjetore por edhe përmes rrugëve të tjera alternative që të keni mbështetje të krijimtarisë tuaj”, u shpreh ministri Gashi, i cili më tutje i uroi të gjithë aktorët që po e mbajnë gjallë kulturën dhe teatrin.

Myrvete Kurteshi, mes emocionesh të shumta pranoi Çmimin për Vepër Jetësore ndërsa tha se për gjithsej dyzetë vite ka pritur për këtë çmim.

“Ndoshta kisha dalë para një mijë personash për ta dhënë shfaqjen, pa mu dridhur duart dhe goja por kjo është sakrifica ime për dyzetë vite”,u shpreh Myrvete Kurtishi, e cila falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret që e kanë përkrahur gjatë gjithë karrierës së saj për katër dekada.
“Falënderoj edhe publikun tim i cili më ka rrit, më ka kriju, më ka frymëzu dhe më ka pru deri në këtë moment që t’i fitoi këto ”, tha ndër të tjera aktorja.

Çmimet janë ndarë nga juria e përbërë nga Vlora Nikçi, Luan Daka, Nëntor Fetiu, Mirsad Ferati dhe Liridon Cahani. Luan Daka, përfaqësuesi i jurisë tha se dhjetëra role të shkëlqyeshme të aktores Kurteshi në Teatrin e Gjakovës dhe në teatro të tjera e bëjnë atë bartëse të denjë për çmimin për vepër jetësore.
Çmimi për shfaqjen më të mirë iu nda Teatrit të Qytetit të Prizrenit “Bekim Fehmiu”, për shfaqjen “Armiku i Popullit” me regji të Fatos Berishës. Fetah Paçarizi, Drejtori i Teatrit të Prizrenit “Bekim Fehmiu” derisa pranoi këtë cmim falendëroi ministrinë dhe jurinë për ndarjen e këtij çmimi, e veçmas Fatos Berishën, regjisorin e shfaqjes “Armiku i Popullit”. Regjisori Fatos Berisha tha se është nder i madh që ta pranoi këtë çmim.
“E falënderoi Teatrin e Prizrenit që ma ka dhënë mundësinë së pari, për mua si regjisor dhe ideator i projektit, ky është gëzimi më i madh por mendoj që falënderimi duhet të shkoj për gjithë ekipin e shfaqjes”, u shpreh Berisha sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Çmimi për regjisorin më të mirë iu nda Kushtrim Bekteshit për shfaqjen “Ata që ikin”. Duke qenë se regjisori Bekteshi vjen nga Shkupi, ai tha ky çmim përveçse e gëzon atë përmban një simbolikë shumë të rëndësishme se MRKS, hapësirën kulturore shqiptare e sheh si tersi.
“E falënderoj jurinë profesionale dhe nuk mund mos ta falënderoi edhe drejtorin e Teatrit të Prizrenit, Fetah Paçarizin me të cilin çdo herë që bëj shfaqje, e dëshmon se është një menaxher i jashtëzakonshëm. Është hera e dytë që unë punoj në Teatrin e Prizrenit dhe është hera e dytë që shpërblehem”, u shpreh Bekteshi./ KultPlus.com