Në kabinetin e Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshit, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore në fushën e arteve pamore, shkruan KultPlus.
Juria profesionale ka vendos që për kontributin e tyre në artin pamor, Çmimi për vepër jetësor “Muslim Mulliqi” t’i ndahet Tahir Emrës, teksa me çmim vjetor u shpërblye Hysni Krasniqi.
Juria profesionale përbëhej nga: Zeni Ballazhi, Dhurata Ramosaj Shala dhe Mirsad Lushtaku. Kryetari i jurisë Zeni Ballazhi përgjatë fjalës së tij është shprehur se krijimtaria e Tahir Emrës është për t’u çmuar dhe se ndoshta ky çmim do të duhej t’iu jepej më parë.
“Veprat e tij kanë lënë gjurmë jo vetëm në artin e Kosovës por poashtu edhe në artin kombëtar shqiptar dhe është pjesë e historisë së arteve pamore tanimë”, u shpreh Ballazhi për fituesin e çmimit “Muslim Mulliqi”.
Ballazhi ka vazhduar të flas edhe për Hysni Krasniqin teksa ka vlerësuar se ai është dëshmuar nëpërmjet grafikës së tij moderne dhe ekspozitave të ndryshme me përfaqësim vendor e nacional.
“Ne kemi vlerësuar që grafika e tij bashkëkohore moderne ka ndikuar dukshëm në rrugëtimin qoftë edhe të gjeneratave të reja të Fakultetit të Arteve që sot gjeneratat e reja ndjekin këtë rrugëtim, apo gjurmë të këtyre artistëve të mëdhenj”, ka thënë Ballazhi.
Ministrja Dumoshi pas dhënies së çmimeve për këta kontribuues të arteve pamore është shprehur se ndjehet e vogël karshi veprës së tyre ndër dekada.
“Përmes pikturës ju na keni bërë që të jemi edhe më të fuqishëm dhe të hyjmë në botën e juaj”, theksoj Dumoshi.
Tahir Emra ka shprehur mirënjohjet dhe falënderimet e tij për Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport se i përcjellin artistët ashtu siç duhet.
“Akademitë të cilat i kemi kryer ne kanë qenë shumë prestigjioze, të njohura në botë. Ne mburremi me atë periudhë. Jemi popull i vogël por shumë i talentuar, këtë e thonë edhe të tjerët”, theksoj fitues i çmimit jetësor “Muslim Mulliqi”.
Në anën tjetër fituesi i çmimit vjetor, Hysni Krasniqi ka vlerësuar se arti pamor në Kosovë mund të krahasohet edhe me BE-në, teksa ka thënë se është pak vonë për ndarjen e këtyre çmimeve.
Si në pikturë, skulpturë, grafikë e vizatim, ne jemi të njohur shumë por momentalisht po e shihni edhe vet si është situata. Është pak vonë por për krijuesin s’është vonë asnjëherë. Ne do të japim kontributin tonë aq sa kemi mundësi. Ne i kemi dhënë mjaft Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Tahir Emra dhe Hysni Krasniqi do të mbeten emra të njohur në fushën e arteve pamore për kontributin e tyre shumëvjecare. /KultPlus.com