U promovua fillimisht në Prishtinë në muajin nëntor të vitit 2022, romani “Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, deri më sot ka pasur një rrugëtim tejet të suksesshëm, me promovime në vende të ndryshme e kritika tejet të mira nga lexuesit që po vazhdojnë t’i japin vëmendjen e merituar, shkruan KultPlus.
Por, suksesi i librit duket se do të ketë një rrugë më të gjatë. Sapo është dhënë lajmi se romani i shkrimtarit kosovar, Ag Apolloni, është nominuar për çmimin e Bashkimit Evropian për letërsi.
Çmimi i Bashkimit Evropian për Letërsinë (EUPL) njeh shkrimtarët e rinj të letërsisë nga Bashkimi Evropian dhe më gjerë. Duke angazhuar 41 vendet pjesëmarrëse në programin e Evropës Krijuese të Bashkimit Evropian, Çmimi feston 41 talente të reja të shquara letrare përgjatë një cikli prej tre vitesh.
Fituesi i Çmimit EUPL 2023 dhe pesë përmendjet speciale do të zbulohen më 28 prill, gjatë ceremonisë së shpalljes në Panairin e Librit në Leipzig në Gjermani.
Të gjithë autorët e nominuar do të promovohen vazhdimisht në një skenë evropiane, duke synuar të arrijnë një audiencë më të gjerë dhe ndërkombëtare, si dhe të lidhen me lexuesit përtej kufijve të tyre kombëtarë dhe gjuhësorë.
EUPL organizohet nga një konsorcium shoqatash që përbëhet nga Federata e Botuesve Evropianë (FEP) dhe Federata Evropiane dhe Ndërkombëtare e Librashitësve (EIBF), me mbështetjen e Programit të Evropës Krijuese të Bashkimit Evropian
“Kësulëkuqja, përrallë për të rritur”, është një vepër që nuk është një roman dokumentar, por as një përrallë e pastër.
Sipas Apollonit, ky roman flet për një Kësulëkuqe koketuese dhe një Ujk të sëmurë. Është një histori dashurie dhe një shëtitje nëpër pyllin magjik të tregimtarisë, ku personazhet futen shtigjeve të mitologjisë, përrallës, religjionit dhe animacionit. Ulërimat dhe psherëtimat, lehjet dhe blegërimat vijnë si një përballje alegorike që zgjon jehun e egërsisë brenda nesh.
“Romani është ndërtuar si një shëtitje filozofike nëpër një botë sa reale, aq edhe përrallore. Ky nuk është roman dokumentar, as përrallë e pastër”, thotë Apolloni. / KultPlus.com